shtet në Evropën Juglindore From Wikipedia, the free encyclopedia
Kosova (historikisht Dardania, serbisht: Косово Kosovo), zyrtarisht Republika e Kosovës (serbisht: Република Косово Republika Kosovo), është një shtet i pavarur në Evropën Juglindore. Shtrihet në qendër të Siujdhesës Ballkanike dhe kufizohet në veri dhe në lindje me Serbinë, në juglindje me Maqedoninë e Veriut, në jugperëndim me Shqipërinë dhe në perëndim me Malin e Zi. Ka një sipërfaqe prej 10.887 km² dhe popullsi prej rreth 1.6 milion banorësh rezident[8].[9] Shumica dërrmuese e popullsisë janë shqiptarë, ndërsa minoritetet e tjera përfshijnë serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë/egjiptasit dhe goranët.[10]
Republika e Kosovës Република Косово Republika Kosovo Kosova | |||||
---|---|---|---|---|---|
Himni: "Himni i Kosoves" | |||||
Kryeqyteti | Prishtina 42°40′N 21°10′E | ||||
Qyteti më i madh | Prishtina | ||||
Gjuhët zyrtare | |||||
Gjuhët rajonale | |||||
Grupet etnike (2019)[1] | |||||
Besimi (2020)[2] |
| ||||
Nofka |
| ||||
Qeveria | |||||
Lloji i qeverisjes | Republikë parlamentare | ||||
Vjosa Osmani-Sadriu | |||||
Albin Kurti | |||||
Glauk Konjufca | |||||
Kuvendi | Kuvendi | ||||
Themelimi | |||||
17 shkurt 2008 | |||||
Sipërfaqja | |||||
• Gjithsej | 10,905.25 km2 (4,210.54 sq mi) | ||||
• Ujë (%) | 1.0[3] | ||||
Popullsia | |||||
• Përllogaritje 2022 | 1,952,701[4] | ||||
• Dendësia | 179/km2 (463.6/sq mi) | ||||
Ekonomia | |||||
PBB (PFB) | Përllogaritje 2020 | ||||
• Gjithsej | $23.524 miliardë[5] | ||||
• Për kokë banori | $13,017[5] | ||||
PBB (zyrtare) | Përllogaritje 2020 | ||||
• Gjithsej | $8.402 miliardë[5] | ||||
• Për kokë banori | $4,649[5] | ||||
Monedha | Euro (€) (EUR) | ||||
Të dhëna të tjera | |||||
Gini (2017) | 29.0[6] i ulët · 121 | ||||
IZHNJ (2016) | 0.742[7] i lartë | ||||
Zona kohore | UTC+1 (ZKEQ) | ||||
• Verës | UTC+2 (OVEQ) | ||||
Formati i datës | dd.mm.vvvv | ||||
Ana e drejtimit të makinës | djathtas | ||||
Prefiksi telefonik | +383 | ||||
Kodi ISO 3166 | XK | ||||
Kodi i internetit TLD | .xk (i propozuar) | ||||
|
Me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës u bë shteti më i ri në botë. Është vatër e stabilitetit në rajon,[11] si dhe synon anëtarësimin në NATO, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian. Kosova është vatër e vazhdimësisë së qytetërimit të lashtë iliro-dardan dhe e zhvillimit të gjuhës shqipe si pasardhëse e vetme e gjuhëve ilire.[12][13] Në shek. IV p. K. u themelua Mbretëria Dardane, ndërsa më vonë pasuria nëntokësore e Kosovës luajti rol të rëndësishëm në ekonominë e Perandorisë Romake, Perandorisë Osmane dhe ish-Jugosllavisë.[14] Megjithatë, politikat antishqiptare, luftërat, statusi politik dhe keqadministrimi ndërkombëtar e i politikës vendase në vitet e fundit kanë bërë që Kosova të radhitet si vendi më i varfër në Evropë dhe ndër më të varfrit në botë.[15] Më 29 qershor u nënshkrua anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.[16] Të ardhurat nga diaspora dhe ndihma ekonomike e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara janë shtyllat e ekonomisë kosovare, që shënon mbi 40% të papunë.[17]
Ish-njësi federale e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë,[18][19] Kosova është vendi i fundit që e fitoi mëvetësinë si rrjedhojë e shpërbërjes së përgjakshme të kësaj federate. Në vitin 1990, Kosova u shpall republikë dhe në vitin 1991 shtet i pavarur, mirëpo nuk arriti ta jetësonte pavarësinë e vet në rrethanat e pushtimit ushtarak serb që zgjati plot një dekadë (1989–1999). Qëndresa paqësore mbarëpopullore, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare (1997–1999) dhe ndërhyrja ajrore e NATO-s në pranverë të 1999 i dhanë fund masakrës së Serbisë mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Trupat e NATO-s hynë në Kosovë në qershor 1999, ndërsa po largohej ushtria serbe, dhe Kosova u administrua nga një mision i Kombeve të Bashkuara deri në 2008. Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran dhe deri më tani është njohur nga 117 vende në mbarë botën,[20][21] por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila pretendon sovranitet mbi gjithë territorin kosovar si Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë.[22]
Interpretimin e parë të emrit ‘’Kosova’’, e ka bërë akademiku kroat Josip Rogliç, i cili thotë se: ‘’e tërë terminologjia gjeomorfologjike dhe emrat gjeografikë të Gadishullit Ilir janë të gjuhës ilire’’, duke ardhur dhe në përfundim që, terminologjia e emrit gjeografikë ‘’Kosova’’, i takon gjuhës ilire.
Po ashtu interpretimin gjeografik të emrit e shpjegon dhe M. Carabregu, i cili thotë se, termi ‘’kas-a’’ përmban kuptimet e një kodre, mali apo shkëmbi. Variantet e shpeshta të emrit që ndër kohë paraqitën si, ‘’Kasova’’, ‘’Kasava’’ dhe ‘’Kosova’’ na japin ‘’kas-a’’ dhe ‘’va’’, që të dy terma gjeografikë. Në bazë të këtij termi gjeografik ‘’kas’’, janë gjithashtu edhe emrat: Cassel, Castel, Cashtel, Casteli etj. Ky term përdoret edhe për emër personal, fisnor dhe po ashtu si emër vendi, si: Kas-i, Kasaj, Canius, Kastrat, Kastriot, Kasendra, Kas, etj. Këtyre qëndrimeve, ju shtojmë disa shembuj që vërtetojnë këto të dhëna. Psh., Fisi “Kastrat” e ka djepin në Veri të Shqipërisë. Emri “Kastrat” në shqipen nuk është shumë i vjetër, ky emër vjen nga latinishtja ‘’Castrum’’. Qyteti mesjetar ‘’Kassa’’në Hungari, në gjuhën gjermane shqiptohet ‘’Kaschau’’ ndërsa në gjuhën latine ‘’Cassovia’’. Sipas dokumenteve dubrovnikase, familja aristokrate ‘’Kasica’’ që jetonte në Dubrovnik, ishte me prejardhje nga qyteti Novomonte (Novobërda), etj.[23]
Trualli i banuar sot nga shqiptarët, ku bën pjesë edhe territori i sotëm i Kosovës, filloi të popullohej shumë herët, që në epokën e paleolitit (koha e gurit të vjetër), mbi 100.000 vjet më parë. Në lashtësi, Kosova filloi të njihej si Dardaní (emërtim që u përdor herëpashere deri në shek. XIX;[24] buron nga fjala shqipe dardhë për pemën e përhapur në trevat dardane) dhe banohej nga fisi ilir i dardanëve.[25][26][27][28][29] Burimet historike përmendin Mbretërinë Dardane që në shek. IV p. K., e cila përfshinte Kosovën dhe hapësirat përreth.[30] Mbretërit dardanë, prej të cilëve më të njohurit qenë Longari, Monuni dhe Batoja, zhvilluan luftëra kundër Maqedonisë së Vjetër dhe korrën fitore të mëdha.[30] Njëherësh, ekzistojnë shënime për luftëra kundër keltëve. Dardania ishte e njohur për burimet e arit, teksa shkrime të lashta i përshkruajnë dardanët si prodhues cilësorë të stolive. Qytetet kryesore përfshinin Damastionin, Nishin, Shkupin, si dhe Ulpianën.[31]
Dardania u pushtua nga Roma në fund të shek. I p. K. dhe i dha Perandorisë Romake disa prej perandorëve më të shquar, përfshirë këtu Konstandinin e Madh. Krishterimi u përhap në vend në fazat fillestare, ndërsa individë si Niketë Dardani shkruan himnet e para kishtare. Më pas, gjatë dyndjeve barbare mes shek. V dhe VIII, Dardania u kthye në vatër të sigurt për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës ilire si dhe trashëgimisë së popullsisë së romanizuar, duke mbetur pjesë e Perandorisë Romake të Lindjes ndryshe e njohur me emrin bizantine.[13] Në shek. IX, Dardania u pushtua nga Perandoria Bullgare. Më vonë, iu kthye shkurtimisht bizantinëve, para pushtimit serb në fundin e shekullit XII. Në 100 vitet në vazhdim, serbët vendosën sundimin e tyre në Kosovë. Gjatë kësaj kohe, selia e Kishës Ortodokse Serbe u zhvendos në Pejë,[32] ndërsa burimet natyrore mundësuan zgjerimin e mëtejshëm të shtetit serb. Me formimin e Perandorisë Serbe më 1346, Dardania u kthye në njësi qendrore gjeografike të shtetit serb. Ky fakt si dhe prania e ortodoksisë serbe në rajon janë përdorur si bazë për bindjen kulturore serbe se Kosova është "djep i qytetërimit serb".
Më 1389, në Betejën e famshme të Kosovës, koalicioni ushtarak i krishterë, i përbërë nga serbë, shqiptarë, boshnjakë e hungarezë me në krye princin serb Lazar Hreblanoviqi, u mposht nga turqit osmanë, të cilët morën kontroll të plotë mbi territorin kosovar më 1455. Gjatë kësaj periudhe 1389–1455, disa prijësve serbë iu dha e drejta e sundimit si vasalë të sulltanit osman, i cili i përdori si vegla për shtypjen e lëvizjeve çlirimtare të popujve të Ballkanit. Në Betejën e Dytë të Kosovës, vasali turk Gjuragj Brankoviqi e pengoi prijësin shqiptar Gjergj Kastrioti të bashkohej me ushtrinë hungareze të Janosh Huniadit, i cili pësoi disfatë të rëndë.[33]
Pushtimi i Kosovës ishte arritje e madhe për turqit, të cilët përfituan nga xehet kosovare një burim të sigurt financiar. Ngritja e institucioneve osmane në Kosovë solli një epokë të re, gjatë së cilës tatimi i rëndë në baza fetare dhe arsimimi i aristokracisë kosovare në shkollat osmane çoi në konvertimin masiv të popullatës së krishterë në islam. Feja e re e përqafuar nga afro dy të tretat e shqiptarëve dhe një pjesë e sllavëve, ndonëse solli përparime në status dhe mënjanoi rrezikun e asgjesimit, nuk e pengoi luftën kundër regjimit osman.[34] Në sajë të sfidave të shumta që i sollën perandorisë, krahinat malore ruajtën një lloj të drejte për vetëqeverisje dhe iu lejua të zbatonin ligjin dokësor (kryesisht Kanunin e Lekë Dukagjinit). Megjithatë, shembuj të përpjekjeve osmane për t'a ndërprerë këtë praktikë ishin të shumta; trimëresha Nora e Kelmendit dallohet në historinë e Kosovës për vrasjen e udhëheqësit osman në Kosovë.[35]
Gjatë periudhës osmane, pati një sërë përpjekjesh për promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Kleriku katolik që shkroi librin më të vjetër të njohur në gjuhën shqipe, Gjon Buzuku, besohet të ketë qenë me prejardhje kosovare. Po ashtu, peshkopi katolik Pjetër Bogdani, i lindur në Kosovë, botoi kryeveprën e tij Çeta e Profetëve më 1686 dhe më vonë i priu lëvizjes antiosmane. Angazhimi i tij në çështjen kombëtare kulmoi më 1689, kur krijoi ushtri prej 20 mijë luftëtarësh shqiptarë, të krishterë dhe myslimanë, të cilët iu bashkëngjitën austriakëve në luftë kundër Turqisë. Fushata përfundoi me çlirimin e përkohshëm të Kosovës, por pas murtajës së përhapur mes austriakësh e kosovarësh, turqit i rikthyen trojet e humbura. Vetë Bogdani vdiq nga murtaja në dhjetor 1689, ndërsa eshtrat e tij u nxorën me egërsi nga varri prej turqve dhe tartarëve dhe u përdorën si ushqim qensh.[36] Disfata pati pasoja negative në mirëqenien e të gjithë banorëve të Kosovës, çlirimi i të cilëve nuk u arrit as në mësymjen austriake të shek. XVIII.
Në vitet 1870, Perandoria Osmane kishte pësuar ngushtim të territorit dhe po shënonte humbje në luftëra kundër monarkive sllave të Evropës. Gjatë Luftës Ruso-Turke 1877–1878, trupat serbe pushtuan pjesën verilindore të trevës së Dardanisë, duke dëbuar 160 mijë shqiptarë nga 640 vendbanime. Veç kësaj, nënshkrimi i Traktatit të Shën Stefanit paralajmëroi fillimin e rrethanave të vështira për popullsinë shqiptare, trojet e së cilës do t'i kalonin nga Turqia Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë.[37][38][39]
Nga frika e copëtimit të viseve të banuara me shqiptarë në mes të mbretërive të sapoformuara ballkanike, shqiptarët themeluan Lidhjen e Prizrenit më 10 qershor 1878, tri ditë para fillimit të punimeve të Kongresit të Berlinit, ku fuqitë e mëdha do të rishikonin vendimet e Shën Stefanit.[40] Ndonëse Lidhja fillimisht u formua me mbështetjen e sulltanit, i cili shpresonte të shpëtonte territoret osmane, udhëheqësit shqiptarë vepruan shpejt dhe me sukses e kthyen lidhjen në një organizatë dhe eventualisht në qeveri kombëtare. Lidhja pati mbështetjen e arbëreshëve të Italisë dhe luajti rolin e faktorit bashkues në mes të shqiptarëve të ndarë në tri fe. Gjatë tri viteve të aktivitetit të saj, Lidhja u angazhua për krijimit e një shteti autonom shqiptar brenda Perandorisë Osmane, ngriti ushtri dhe zhvilloi luftë mbrojtëse. Më 1881, një qeveri e përkohshme u formua për të qeverisur Shqipërinë nën kryesinë e Ymer efendi Prizrenit, të ndihmuar nga ministra të shquar si Abdyl Frashëri dhe Sulejman Vokshi. Megjithatë, ndërhyrja ushtarake e shteteve ballkanike, Fuqitë e Mëdha, si dhe Turqia i ndanë forcat shqiptare në tri fronte duke sjellë fundin e Lidhjes.[40][41][42]
Në Kosovë u themeluan dhe funksionuan edhe organizata tjera të lëvizjes kombëtare, më e rëndësishmja prej të cilave ishte Lidhja e Pejës, e formuar po aty më 1899 dhe e udhëhequr nga Haxhi Zeka, veteran i Lidhjes së Prizrenit. Me platformë të ngjashme me paraardhësen e saj dhe me kërkesë për Shqipëri autonome, Lidhja e Pejës u shtyp më 1900 pas një konflikti të armatosur me forcat osmane. Më 1902, Haxhi Zeka u vra nga një agjent serb i mbështetur nga autoritetet osmane.[43]
Lëvizja e xhonturqve në fillimshekullin XX fitoi përkrahjen e shqiptarëve, të cilët po shpresonin për përmirësimin e statusit të tyre kombëtar dhe njohjen e përdorimit të gjuhës së tyre në administratë dhe arsim.[44][45] Më 1908, 20 mijë fshatarë të armatosur u mblodhën në Ferizaj për të ndalur çdo pushtim të huaj, ndërsa krerët e tyre, Bajram Curri dhe Isa Boletini, i dërguan telegram sulltanit për të kërkuar hartimin e një kushtetute dhe hapjen e parlamentit. Mirëpo, mosnjohja e të drejtave të premtuara nga turqit e rinj provokoi kryengritje tjetër nga malësorët shqiptarë në Kosovë në shkurt 1909. Armiqësia u shtua pas uzurpimit të qeverisë turke nga një grup oligarkësh vitin tjetër; në prill 1910, ushtritë e udhëhequra nga Idriz Seferi dhe Isa Boletini ngritën krye kundër hordhive turke, por përfundimisht u detyruan të tërhiqeshin pasi i kishin shkaktuar dëme të mëdha armikut.[46]
Kosova vijoi të luajë rol të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare shqiptare, sidomos gjatë Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912, kur luftëtarët shqiptarë çliruan pothuajse tërë vilajetin e Kosovës dhe marshuan ngadhënjimtarë në kryeqytetin e atëhershëm, Shkupin. Në këto kushte, Porta e Lartë osmane u akordua të njihte autonominë e shqiptarëve pa e njohur Shqipërinë si entitet politik, por menjëherë u tërhoq nga vendimi i marrë.[47] Shpërthimi i Luftës Ballkanike dhe lojërat politike ua mohuan shqiptarëve përparësitë që u pritën nga fitorja e tyre ushtarake. Shtetet ballkanike, Serbia dhe Mali i Zi, pushtuan me ushtritë e tyre territorin e Kosovës, përkundër kundërshtimit të udhëheqësve shqiptarë dhe letrave në formë proteste dërguar Fuqive të Mëdha. Më 28 nëntor 1912, në Kuvendin Kombëtar të Vlorës që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, delegatët e Kosovës votuan pro-pavarësisë duke e njohur Kosovën si pjesë së tërësisë tokësore shqiptare. Isa Boletini ishte pjesëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Londrës, e cila nën presionin e madh të fuqive imperialiste — Rusisë dhe Francës — vendosi ta njohë pavarësinë e Shqipërisë me një territor vetëm sa një e treta e trojeve të banuara me shqiptarë. Territori i sotëm i Kosovës, i pushtuar nga Serbia dhe Mali i Zi, iu aneksua këtyre dy vendeve, të cilat ndoqën fushatë për shfarosjen e popullsisë shqiptare dhe kolonizimin e tokave të tyre.[48]
Ndonëse shqiptarët luftuan përkrah forcave Aleate gjatë Luftës së Parë Botërore dhe fituan përkrahjen e presidentit paqedashës të SHBA-ve Woodrow Wilson, vendimet e Paqes së Versajës mundësuan ripushtimin e Kosovës nga Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, e quajtur më vonë Jugosllavi. Lëvizje ushtarake dhe politike u organizuan dhe shënuan suksese sporadike, pa arritur të çlironin trevat shqiptare në Jugosllavi. Prapëseprapë, kryengritja e Azem Galicës dhe Shotë Galicës, si dhe veprimtaria politike e Hasan Prishtinës dhe Hoxhë Kadri Prishtinës, i dhanë shtysë përpjekjeve të mëvonshme kundër zgjedhës së huaj. Regjimi monarkik jugosllav zhvillonte kundrejt shqiptarëve politikën e kolonizimit, të vijëzuar në dokumentet famëkeqe si Naçertanija (1844) dhe Shpërngulja e shqiptarëve (1938). Diplomati shqiptar Fan Noli e quajti politikën jugosllave ndaj shqiptarëve “Çpronësim, çpërngulje, çfarosje” në një artikull të tij botuar frëngjisht dhe shqip për opinionin ndërkombëtar, i cili në këtë periudhë u tregua i paaftë të ndalonte ngritjen e regjimeve fashiste në Evropë.[49] Me qindra mijra shqiptarë u shpronësuan me dhunë dhe u detyruan që të deklarohen me etni turke, në mënyrë që të dërgoheshin në Turqi në bazë të marrëveshjeve për këmbim të popullsisë që ky vend kishte me shtetet ballkanike.Me gjithë pasuritë e mëdha natyrore dhe vitalitetit të popullsisë, në trojet e banuara me shqiptarë mbretëronte një prapambeturi e theksuar ekonomike dhe kulturore. Ndryshe nga popujt tjerë të mbretërisë Jugosllave, shqiptarëve u mohohej çdo e drejtë kulturore, demokratike dhe njerëzore.[50]
Me pushtimin e Mbretërisë së Jugosllavisë nga forcat e boshtit më 1941, Kosova mbeti e ndarë mes zonave gjermane, italiane dhe asaj bullgare. Megjithatë, pjesa më e madhe ra nën sundimin fashist italian i cili, për të legjitimuar pushtimin ushtarak të Shqipërisë dhe uzurpimin e fronit shqiptar nga Viktor Emanueli III, ia aneksoi formalisht këto treva Mbretërisë Shqiptare.[48] Ky aneksim u përdor si argument kundër përpjekjes kombëtare shqiptare në vitet në vijim, megjithatë ndryshe nga regjimi fashist serb, fashizmi italian lejoi shkollimin në gjuhën shqipe dhe në masë të caktuar kultivimin e identitetit kombëtar shqiptar.
Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje në Konferencën e Bujanit në janar 1944 nuk u morën parasysh nga lojërat politike të komunistëve jugosllavë.[48] Më 1945, forcat komuniste shqiptare hynë në Kosovë duke ndjekur trupat gjermane në tërheqje, por nuk i kushtuan vëmendje çështjes shqiptare në Kosovë dhe lejuan rianeksimin e saj nga Serbia, tani e shpallur republikë anëtare e federatës jugosllave. Qëndresa e armatosur shqiptare, e tradhtuar në të dy anët, nuk arriti t’i bëjë ballë forcave pushtuese serbe; 44 fshatra u shkatërruan dhe 20.000 civilë u vranë.[51] Ndërkaq, prija e re komuniste e Jugosllavisë, ndonëse në retorikë dhe në propagandë u tregua e butë ndaj popullsisë shqiptare, në praktikë lejoi vazhdimin e po të njëjtës politikë fashiste që zbatohej para luftës.
Pavarësisht kufizimeve politike dhe përndjekjes nga nacionalistët serbë, lëvizjet studentore dhe udhëheqës politikë të Kosovës bënë trysni të vazhdueshme në autoritet jugosllave për përmirësimin e pozitës së kombësisë shqiptare. Më 1968, shpërthyen demonstratat e studentëve shqiptarë, të cilët kërkuan të drejtat e tyre kombëtare, përdorimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar. Një vit më pas u nxor Ligja Kushtetuese e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, ndërsa më 1974 u nxor Kushtetuta e KSA të Kosovës. Kjo e fundit së bashku me Kushtetutën e re të RSFJ-së, ndonëse e lanë Kosovën pjesë përbërëse të Serbisë, e ngritën në nivel të njësisë federale me të drejtë vetoje në organet federative. Në vitet 1970, u themeluan Universiteti i Prishtinës,[52] Akademia e Arteve dhe Shkencave, si dhe radiotelevizioni i Kosovës, institucione këto që i çelën rrugë ngritjes intelektuale e kulturore dhe zhvillim të përgjithshëm të popullsisë shqiptare. Megjithatë, Kosova mbeti treva më e pazhvilluar në mbarë Jugosllavinë, ndërsa kombi shqiptar nuk u njoh me të drejta të barabarta me kombet tjera të federatës dhe mbeti i ndarë në katër njësi federale.
Vdekja më 1980 e Josip Broz Titos, kryetarit të përjetshëm të Jugosllavisë, ngjalli frikë mbi ekzistencën e federatës dhe politikës së “vëllazërim-bashkimit” në mes kombeve dhe kombësive. Orvatjet e vazhdueshme të Serbisë për ta shkatërruar edhe këtë arritje të shqiptarëve provokuan demostratat e vitit 1981, kur u kërkua shpallja e Kosovës republikë në kuadër të federatës jugosllave. Demostratat vazhduan përgjatë viteve ’80 dhe shumë veprimtarë shqiptarë u burgosën dhe të tjerë u detyruan ta lënë vendin. Gjatë viteve '80, Kosova u ndodh në të shumtën e kohës nën shtetrrethim. Më 1982, ndërkaq, u vranë nga shërbimet sekrete serbe në Gjermani tre udhëheqësit e Lëvizjes Popullore, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Më 1987, nacionalistët serbë me udhëheqësin e ri Sllobodan Millosheviq organizuan në Fushë Kosovë një komplot kundër autonomisë së Kosovës dhe popullsisë shqiptare. Agjentët serbë fajësuan shqiptarët për gjoja jetën e vështirë të serbëve në Kosovë dhe sulme të vazhdueshme ndaj pranisë së tyre në këtë trevë. Duke akuzuar shqiptarët se po tentonin të kryenin spastrim etnik, klika millosheviqiane burgosi udhëheqësit shqiptarë dhe skicoi në mënyrë jodemokratike zhbërjen e autonomisë më 1989. Forca të armatosura serbe hynë në Kosovë duke e mbajtur atë të pushtuar për dhjetë vjet me radhë.
Në kushtet e pushtimit serb, më 2 korrik 1990, deputetët e Kuvendit të KSA të Kosovës, të ndaluar të hyjnë në godinën zyrtare, nxorën para dyerve të saj Deklaratën e Pavarësisë, duke e shpallur Kosovën republikë anëtare të federatës jugosllave. Më 7 shtator të po këtij viti, u miratua në Kaçanik Kushtetuta e Republikës, e para kushtetutë demokratike e shtetit kosovar. Në pamundësi për të ushtruar pushtet efektiv dhe e përndjekur nga forcat pushtuese serbe, qeveria e Kosovës u tërhoq në ekzil në Gjermani. Rol kyç në ngjarjet vijuese luajti Lidhja Demokratike e Kosovës, e themeluar më 1987 fillimisht nën udhëheqjen e Jusuf Buxhovit dhe e kryesuar më pas nga Dr. Ibrahim Rugova. Më tetor 1991, u zhvillua referendumi mbarëpopullor që zyrtarisht e shpalli Kosovën të pavarur e sovrane, ndërsa Ibrahim Rugova u zgjodh njëzëri Kryetar i Republikës në zgjedhjet e vitit pasues dhe organizoi rezistencën paqësore kundër pushtimit serb.[53] Gjatë kësaj periudhe, u zhvillua edhe fushata për pajtimin e gjaqeve nën kryesimin e veprimtarit Anton Çetta.
Gjendja e popullsisë shqiptare në Kosovë gjatë viteve ’90 mbeti jashtëzakonisht e vështirë. Gati të gjithë të punësuarit në sektorin publik u dëbuan, u mbyll universiteti dhe shkollat e mesme në gjuhën shqipe, shtypi dhe radiotelevizioni. Për t’u përballur me këtë sfidë, shqiptarët lëshuan shtëpitë e tyre për të zhvilluar arsimin dhe ndihmuan në hapjen e klinikave mjekësore. Ndërkohë, u burgosën, u keqtrajtuan e u vranë me mijëra shqiptarë, ndërsa me qindra e mijëra u detyruan ta lëshojnë vendin dhe të kërkojnë azil në Evropën Perëndimore. Protestat studentore, ndonëse ishin ndërprerë në fillim të ’90-, u rinisën më 1 tetor 1997 të organizuara nga Albin Kurti e Bujar Dugolli dhe vazhduan edhe gjatë vitit 1998, ndërsa policia serbe brutalisht iu kundërpërgjigj kërkesave të shqiptarëve për liri.[54][55]
Gjatë viteve ‘90, shoqëritë shqiptare në mërgim u angazhuan për ngritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarët e së cilës u trajnuan në Shqipëri (me lejen dhe mbështetjen e shtetit shqiptar të kryesuar asokohe nga Ramiz Alia).[56] Disa prej tyre vazhduan aktivitetin në Kosovë, ku shquhet rasti i Komandantit Legjendar Adem Jashari që formoi Çetën e Drenicës. Rol kyç në organizimin e luftës brenda Kosovës luajti edhe Zahir Pajaziti dhe Çeta e Llapit. Dëshmorët e parë të Luftës Çlirimtare, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, ishin ndër drejtuesit e sulmeve të para guerile, pas së cilave UÇK-ja u shfaq botërisht më 28 nëntor 1997.[57] Trazirat e vitit 1997 në Shqipëri dhanë mundësi që arsenali luftarak i depove të ushtrisë shqiptare t'i shkonte UÇK-së. Përderisa mërgata u organizua nga Lëvizja Popullore e Kosovës dhe klubet e shumta shqiptare, me financimin e Fondit Vendlindja Thërret dhe rekrutimin e luftëtarëve, një Shtab Qendror i koordinuar nga Nait Hasani filloi të vepronte në Prishtinë, duke koordinuar çetat ekzistuese që gjendeshin në Llap, Drenicë dhe Dukagjin. Duke përdorur si pretekst ndjekjen e UÇK-së, Serbia intensifikoi terrorin e vet mbi popullsinë shqiptare dhe kreu një numër të madh masakrash mbi civilë në Drenicë më 28 shkurt 1998. Pas dy dështimeve të mëparshme, në mars 1998, forcat serbe rrethuan rezidencën në Prekaz të kryekomandantit shqiptar Adem Jashari, i cili u flijua me armë në dorë bashkë me të vëllanë Hamzën dhe mbi 50 anëtarë të familjes.
Luftimet u ashpërsuan gjatë pranverës së vitit 1998 me mësymjen e Dukagjinit dhe gjatë verës me ofensivën serbe dhe masakrat në Rahovec. Më 15 janar 1999, Masakra e Reçakut, e dëshmuar nga misioni vëzhgues i OSBE-së nën udhëheqjen e ambasadorit William Walker, fitoi simpatinë ndërkombëtare për popullin e Kosovës. Në shkurt 1999 në Rambouillet të Francës, u organizuan bisedimet shqiptaro-serbe për t’i dhënë fund luftës. Pala shqiptare nënshkroi marrëveshjen e propozuar nga ndërmjetësuesit ndërkombëtar, kurse serbët refuzuan të nënshkruanin. Në vështrim afatshkurtër, serbët fituan mundësi të shkallëzonin genocidin mbi shqiptarët dhe të zbatonin planet e tyre për spastrim etnik. Shqiptarët, ndërkaq, mbetën të ndarë në dy qeveri dhe dy krahë politikë — atë të luftës dhe UÇK-së dhe atë të rezistencës paqësore të Dr. Rugovës.
Zhvendosja e popullsisë e shkaktuar nga luftimet shënoi kulmin gjatë muajit mars, kur forcat serbe filluan dëbimin me dhunë të shqiptarëve. Gati 1 milion banorë apo gjysma e popullsisë së Kosovës u çatdhesuan; 650,000 gjetën strehë në Shqipëri, me qindra mijëra u hodhën në vagonë mallrash ose u ndrydhën në automjete private gjatë udhëtimit njëjavor në drejtim të Maqedonisë. Me përjashtim të disa viseve urbane, popullsia e mbetur brenda territorit të Kosovës ishte në zhvendosje të pandërprerë dhe nën kërcënim të vazhdueshëm për shfarosje. Në përfundim të luftës, Kosova numëroi gati 10,533 të vrarë e të zhdukur,[58] 20,000 vajza e gra të dhunuara[59] dhe dëme të rënda materiale. Të përballur me dështimin e negociatave për paqe dhe bllokimin e veprimeve multilaterale përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara ndërmorën fushatën për bombardimin e Jugosllavisë në bashkëpunim me Aleancën Veriatlantike, NATO-n. Të shtyrë nga qëllime humanitare, aleatët e NATO-s filluan më 24 mars 1999 sulmet ajrore ndaj caqeve ushtarake jugosllave për 78 ditë me radhë. Gjatë kësaj kohe, UÇK-ja vazhdoi konfrontimet ushtarake me trupat serbe, theu kufirin Shqipëri-Kosovë dhe mori nën kontroll pika strategjike.
Të përballur me dështimin e negociatave për paqe dhe bllokimin e veprimeve multilaterale përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara ndërmorën fushatën për bombardimin e Jugosllavisë në bashkëpunim me Aleancën Veriatlantike, NATO-n. Të shtyrë nga qëllime humanitare, aleatët e NATO-s filluan më 24 mars 1999 sulmet ajrore ndaj caqeve ushtarake jugosllave për 73 ditë me radhë. Gjatë kësaj kohe, UÇK-ja vazhdoi konfrontimet ushtarake me trupat serbe, theu kufirin Shqipëri-Kosovë dhe mori nën kontroll pika strategjike.
Më 10 qershor të të njëjtit vit u arrit Marrëveshja e Kumanovës për tërheqjen e forcave serbe dhe hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë. Po ashtu, u kalua në Këshill të Sigurimit të OKB-së Rezoluta 1244, që formalisht e mbajti Kosovën nën sovranitetin e Jugosllavisë, por nën administrim ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara. Të njëjtën ditë, forca ruse hynë në trevën e Kosovës për të shpëtuar makinerinë serbe të ndodhur në Aeroportin e Prishtinës. Një ditë më pas, Ushtria Çlirimtare hyri në kryeqytet, ndërsa trupat serbe u tërhoqën duke i lëshuar vendin forcave aleate. U organizua forca paqeruajtëse e KFOR-it, ku për një kohë bënë pjesët edhe trupat ruse.[nevojitet citimi]
Rindërtimi i pjesshëm i Kosovës u ndihmua nga një mori organizatash ndërkombëtare, të cilat njëherësh ofruan edhe mundësi për punësim për shqiptarët dhe një burim mjetesh financiare. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) filloi punën për vendosjen e sundimit të ligjit dhe për themelimin e institucioneve vetëqeverisëse. Më 2001, UNMIK-u Kornizën Kushtetuese dhe organizoi zgjedhjet e para të lira në historinë e Kosovës. Më 2002, Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Kosovës, ndërsa Bajram Rexhepi kryeministër i parë i pasluftës. Megjithatë, kompetencat kryesore mbetën në duart të UNMIK-ut, i cili i përbërë nga një personel i paaftë, i nënkualifikuar dhe i korruptuar mbajti peng zhvillimin e Kosovës për vite me radhë. Njëherësh, korrupsioni dhe mungesa e efikasitetit ishte e pranishme edhe në institucionet vendore. Çështja e qytetit të ndarë të Mitrovicës dhe provokimet e qarqeve ekstremiste serbe sollën protesta të dhunshme në vitet 1999 dhe 2000 dhe shkaktuan trazirat e marsit 2004, të cilat dëmtuan imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Formimi i enklavave serbe në mes të Kosovës dhe përqendrimi serb në veri vazhdonte të pengonte kthimin e të zhvendosurve, shqiptarë dhe serbë.[nevojitet citimi]
Bisedimet për statusin final të Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit rezultuan pa marrëveshje. Kompromisi i ofruar nga pala kosovare parashihte Kosovën si shtet të pavarur multietnik, si pikë në mes të bashkimit me Shqipërinë ose mbetjen nën Serbi, kurse pala serbe propozoi disa versione të ndryshme për autonomi. Kombet e Bashkuara, në ndërkohë, dërguan përfaqësues të tyre ish-kryetarin finlandez Martti Ahtisaari, i cili nxori më 2007 Planin Gjithëpërfshirës, ku parashihej pavarësi e mbikëqyrur me të drejta të zgjeruara për pakicat, sidomos serbët. Në bazë të këtij plani dhe duke u thirrur në Rezolutën 1244, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Kostarika dhe Afganistani ishin vendet e para që e njohën pavarësinë e Kosovës, të përcjella nga Shqipëria, SHBA-të, Britania, Gjermania dhe Franca. Kushtetuta e Republikës u miratua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008, kur edhe u bë transferimi i plotë i kompetencave prej UNMIK-ut në institucionet vendore. Gjithashtu u nënshkrua më 9 shkurt 2008 marrëveshja me Bashkimin Evropian për deplikimit e misionit për sundimit e ligjit, EULEX, si dhe u parapa themelimi i Zyrës Civile Ndërkombëtare.[nevojitet citimi]
Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, i njohur edhe si Pakoja e Ahtisaarit, më 2 mars 2007 iu dorëzuan të dy palëve në bisedime (Kosovës dhe Serbisë) nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për procesin e statusit të Kosovës, Martti Ahtisaari (ish-kryetarit i Finlandës dhe diplomat e negociator me përvojë të madhe ndërkombëtare). Ndërsa, më 26 mars 2007, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ia dërgoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së versionin përfundimtar të Propozimit Gjithëpërfshirës dhe rekomandimin për statusin e Kosovës, i cili konsistonte se opsioni i vetëm i mundshëm ishte pavarësia e Kosovës që për një periudhë fillestare do të mbikëqyrej nga bashkësia ndërkombëtare (pa e theksuar kohëzgjatjen e kësaj periudhe).
Pavarësia e Kosovës u shpall në bazë të planit gjithëpërfshirës të të dërguarit të OKB-së Martti Ahtisaari, i cili parasheh misionin mbikëqyrës ndërkombëtar dhe të drejta e përparësi të zgjeruara për pakicat kombëtare.[60] Sipas Kushtetutës së Republikës, Kosova është shtet unitar me rregullin shtetëror të republikës parlamentare, por që në praktikë ka ngjyrime të një sistemi gjysmë-presidencial. Qeverisja bazohet në ndarjen e pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, funksionimin e organeve të pavarura vendore e ndërkombëtare, si dhe garantimin e të drejtave të veçanta komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Pushteti ligjvënës i takon Kuvendit të Republikës, ndërsa pushteti ekzekutiv ushtrohet nga Presidenti dhe Qeveria e Republikës. Gjyqësori parashihet të funksionojë në mënyrë të pavarur, ndonëse kjo nuk ndodh në praktikë.[61] Rishtazi, fondacioni amerikan Freedom House cilësoi Kosovën si vend "jo të lirë", duke vënë në pah veç korrupsionit edhe mungesën e një sistemi funksional të drejtësisë.[62] Sistemi qeverisës po kalon nëpër fazën fillestare të implementimit të tij, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.
Kosova si një republikë parlamentare dhe shtet modern demokratik mbështetet në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, gjë që e përcakton edhe vetë kushtetuta e shtetit. Shqiptarët etnikë përbëjnë shumicën e popullsisë, ndërsa Kushtetuta garanton, që komunitetet tjera jo-shqiptare të gëzojnë të drejta të barabarta me shumicën e popullsisë vendase dhe të luajnë një rol të rëndësishëm, në disa raste vendimtarë në çështje të drejtimit të shtetit, nëpërmjet të drejtës kushtetuese për shumicë të dyfishtë.
Zgjedhjet në Republikën e Kosovës zhvillohen çdo katër vjet. Çdo qytetar që ka mbushur 18 vjeç ka të drejtë të marrë pjesë si votues dhe kandidat në zgjedhje të përgjithshme për Kuvendin e Republikës, si dhe në zgjedhje komunale për kryetar komunash dhe këshilltarë komunalë.
Organi ligjvënës, Kuvendi i Republikës, është i përbërë nga një dhomë me 120 anëtarë, prej të cilëve 100 zgjidhen çdo katër vjet drejtpërsëdrejti në një zonë zgjedhore mbarështetërore, ndërsa 20 janë të garantuara për pakicat kombëtare (10 për serbët, 10 për joserbët).
Kreu i shtetit është Presidenti i Republikës, i cili përfaqëson unitetin kombëtar, drejtimin e politikës së jashtme dhe atë të kryekomandantit të Forcave të Sigurisë. Presidenti zgjidhet nga Kuvendi i Republikës me 2/3 e votave; vetëm shumica e votave është e nevojshme pas dy raundeve të dështuara. Nëse brenda tri tentimeve Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Presidentin e ri, shpallen zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. President i Republikës është Hashim Thaqi, që nga 7 prill 2016.
Ndërkaq, pushteti ekzekutiv i mëveshët Qeverisë së përbërë nga Kryeministri dhe Ministrat. Kryeministri ngarkohet me detyrën e formimit të Qeverisë nga Presidenti i Republikës dhe së bashku me Ministrat miratohet nga Kuvendi; pjesëtarët e Qeverisë nuk mund të shërbejnë si deputetë, me përjashtim të qeverisë së tashme. Nga 22 mars 2021, Kryeministër i Kosovës është Albin Kurti.
Zgjedhjet e fundit u mbajtën më 14 shkurt 2021 me këtë rezultat: Lëvizja Vetëvendosje (LVV) 58, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me aleatë fitoi 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 8, Srpska Lista 10, Guxo 7.[63]
Kushtetuta e Kosovës parasheh funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme, gjykatave tjera, Prokurorëve të Shtetit, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial për mbarëvajtjen e një sistemi të paanshëm dhe apolitik të drejtësisë. Gjykata Supreme është autoriteti më i lartë gjyqësor në mbrojtje të ligjit dhe shqyrton ankesa ndaj vendimeve të gjykatave vartëse ose në raste të caktuara pranon raste që i referon drejtpërsëdrejti.
Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese, e përbërë nga nëntë anëtarë, është mbrojtëse e Kushtetutës dhe interpretuesja përfundimtare e saj.[64] Mund të vihet në punë nga institucionet e larta shtetërore në raste të caktuara me Kushtetutë; individët kanë mundësi të kufizuara për t’iu referuar Gjykatës Kushtetuese. Gjykata kushtetuese po ashtu mund të pranojë referime nga kryetari i kuvendit para kalimit të amendamenteve kushtetuese. Kryetar i Gjykatës Kushtetuese është Prof. Dr. Enver Hasani.
Këshilli Gjyqësor, është organ mbikëqyrës që përcjell punën e gjyqësorit dhe sigurohet për pavarësinë dhe ndershmërinë e tij, si dhe asiston kreun e shtetit në përzgjedhjen e gjyqtarëve.[65] Gjithashtu, funksionon edhe Këshilli Prokurorial me detyra të ngjashme kundrejt punës së prokurorëve. Sikurse për zgjedhjen e gjyqtarëve ashtu edhe të pjesëtarëve të këshillave, kushtetuta sanksionon kuota etnike, ku së paku 15% e anëtarëve duhet t’iu përkasin komuniteteve joshumicë.[66]
Me qëllim të vendosjes së rendit në mbarë territorin e republikës, Kosova ka pranuar Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimit e Ligjit në Kosovë (EULEX), ndërmarrjen më të madhe të BE-së në kuadër të Politikës Evropiane për Mbrojtje dhe Siguri (ESDP). I pajisur me 3.000 pjesëtarë dhe me buxhet prej 205 milion eurosh për 16 muajt e parë, EULEX-i u deplikua në Kosovë në kuadër të Rezolutës 1244 si mision ndihmës në çështjet ligjore, sidomos në forcat e rendit, si dhe në rrafshet e gjyqësorit dhe doganave. EULEX-i komandohet nga Yves de Kermabon.[67]
Në Kosovë funksionon edhe Zyra Civile Ndërkombëtare (anglisht: International Civilian Office) e hapur nga Bashkimi Evropian për të siguar zgjedhjen përfundimtare të statusit politik dhe për t'i ndihmuar institucionet vendore për integrim evropian.[68]
Kosova ka një numër të madh partish politike, pak prej të cilave janë të profilizuara dhe nuk ndjekin ndonjë ideologji të caktuar. Dy partitë më të mëdha në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë formuar koalicion qeverisës, ndonëse kanë prapavijë të kundërt.[69] Deri më 2007, LDK-ja ishte forca udhëheqëse e politikës kosovare, e orientuar kah pikëpamjet paqësore të kryetarit të saj, Presidentit Ibrahim Rugova. PDK, ndërkaq, doli nga krahu i luftës i UÇK-së, e udhëhequr nga Hashim Thaçi.
Partitë opozitare në parlament janë Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me kryetar Ramush Haradinajn dhe Nisma për Kosovën me kryetar Fatmir Limaj. Partitë e tjera relevante në Kosovë janë Aleanca Kosova e Re kryesuar nga Behgjet Pacolli, Partia e Drejtësisë kryesuar nga Ferid Agani (ka 2 deputetë dhe është pjesë e qeverisë), Lëvizja për Bashkim kryesuar nga Avni Klinaku (ka 1 deputet dhe është pjesë e qeverisë).
Partitë e vogla që kanë aktivitet janë: Partia e Fortë, Alternativa Demokratike e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristane e Kosovës, Lidhja Demokratike e Dardanisë, Partia e të Gjelbërve të Kosovës dhe Partia Liberale e Kosovës.
Subjektet kryesore të minoriteteve janë: Srpska Lista (grup i disa partive serbe të mbështetura nga Beogradi), KOSOVA DEMOKRATIK TÜRK PARTISI, Koalicija VAKAT, Progresivna Demokratska Stranka, PDAK, NDS, PLE, PAI, Koalicija za Gora dhe KNRP.
Organizata të ndryshme joqeveritare kanë qenë aktive që prej pasluftës, ndonëse ndërtimi i shoqërisë së mirëfilltë civile është një ecuri në zhvillim e mbështetur nga fondacione të ndryshme ndërkombëtare me qëllim të forcimit të demokracisë në vend. OJQ që ka qenë stabile dhe ka vepruar në kontinuitet dhe me numër të madh antarësh (mbi 30.000) është Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, anëtare e Konfederatës Evropiane të Veteranëve të Luftës nga viti 2006 dhe anëtare e Federatës Botërore të Veteranëve që nga viti 2009.
Deri më 1 mars 2017, Kosova është njohur si shtet nga 114 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara,[70] prej të cilave 3 nga 5 anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit; 23 nga 28 vendet anëtare të BE-së; 24 nga 28 vendet anëtare të NATO-s; 7 nga 8 pjesëtare së G8-shes.[71] Shqipëria, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Turqia kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj të çështjes së Kosovës dhe vazhdojnë të ndihmojnë në lobim ndërkombëtar. Ndërkaq, Serbia pretendon sovranitet mbi truallin kosovar dhe kundërshton pavarësinë së bashku me Rusinë, Republikën Popullore të Kinës dhe vende të tjera, kryesisht autoritariane dhe me probleme të brendshme.[72] Po ashtu, mbetet fakti se vende kyçe të botës arabe dhe islame e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.[73][74] Shumica e shtetasve të Kosovës mbajnë pasaportën biometrike të Republikës së Kosovës, që mundëson udhëtime ndërkombëtare dhe shërben si dokument identifikimi. Nga viti 2024, shtetasve të Kosovës iu dha e drejta për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen si ashtu dhe në disa vende të tjera pas liberalizimit të vizave.[75]
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në bazë të kërkesës së Serbisë, e ka kaluar çështjen për rishikim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, vendimi i së cilës nuk i është i detyrueshëm.[76] Qeveria e Kosovës ka angazhuar ekipin e avokatëve mbrojtës në krye me ekspertin e të drejtës ndërkombëtare Sir Michael Wood.[77] Më 17 korrik 2009, Kosova dorëzoi para gjykatës të dytën deklaratë mbrojtëse me shkrim.[78]
Republika e Kosovës ka hapur 10 ambasada në kryeqytetet e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e saj,[79] por së shpejti pritet të operacionalizohen 18 ambasada dhe të shpallet lista e ambasadorëve.[80] Njëherësh, në Prishtinë funksionojnë 33 misione diplomatike, ambasada dhe zyra ndërlidhëse të shteteve sovrane dhe organizatave ndërkombëtare.[81] Ministria e Punëve të Jashtme, e themeluar pas pavarësisë nën kryesimin e Skënder Hysenit, është ngarkuar me detyrën e sigurimit të njohjeve të shtetit kosovar. Deri më tani, është arritur anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa mundësia e anëtarësimit në OKB nuk pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt. Po ashtu, qeveria ka shpallur synimin për integrim në Bashkimin Evropian dhe aleancën veriatlantike, NATO.
Që prej përfundimit të luftës, mbrojta e Kosovës ka qenë përgjegjësi e NATO-s. Prania ushtarake e aleancës është zvogëluar vazhdimisht në përpjesëtim me nivelin e sigurisë në Kosovë; prej majit 2009, në Kosovë ndodhen 14.000 pjesëtar të KFOR-it, nën komandën e italianit General Giuseppe Emilio Gay.[82]
Në verë të vitit 1999, u nënshkrua marrëveshje për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-pjesëtarë të së cilës do të inkorporoheshin në një forcë emergjente, Trupat Mbrojtëse të Kosovës, që funksionuan deri në pavarësimin e vendit.
Sipas Planit të Ahtisaarit, Republika e Kosovës u parapa të ketë Forcën e Sigurisë, formacion ushtarak modern i përbërë nga më së shumti 2.500 anëtarë aktivë dhe 800 rezervistë, të rekrutuar për shërbim profesional. Kryekomandant i Forcës së Sigurisë është Presidenti i Republikës. Forca e Sigurisë është duke u trajnuar nga NATO dhe do të jetë funksionale kah fundi i këtij viti. Ndërkohë, është nënshkruar marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për furnizim me armatim.[83]
Kosova është e ndarë në shtatë rajone, të cilët ndahen më tej në 38 komuna. Rajoni më i madh dhe më i populluar i Kosovës është Rajoni i Prishtinës, i cili ka një sipërfaqe prej 2,470 kilometrash katrorë dhe një popullsi prej 477,312 banorësh.
Rajonet | Komunat | Popullsia
2011 |
Sipërfaqe
km² |
---|---|---|---|
Rajoni i Ferizajit | Ferizaj, Hani i Elezit, Kaçaniku, Shtime, Shtërpcë | 185,806 | 1,030 |
Rajoni i Gjakovës | Deçani, Gjakova, Juniku, Rahoveci | 194,672 | 1,129 |
Rajoni i Gjilanit | Gjilani, Dardana, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Vitia | 180,783 | 1,206 |
Rajoni i Mitrovicës | Albaniku, Mitrovica, Mitrovica Veriore, Skënderaji, Vushtrria, Zubin Potoku, Zveçani | 272,247 | 2,077 |
Rajoni i Pejës | Peja, Burimi, Klina | 174,235 | 1,365 |
Rajoni i Prishtinës | Drenasi, Graçanica, Fushë Kosova, Lipjani, Artana, Kastrioti, Besiana, Prishtina | 477,312 | 2,470 |
Rajoni i Prizrenit | Sharri, Malisheva, Mamusha, Prizreni, Theranda | 331,670 | 1,397 |
E shtrirë në qendër të Siujdhesës Ballkanike, Kosova është vend që nuk ka dalje në det me reliev të larmishëm dhe zë një sipërfaqe prej 10.887 kilometrash katrorë. Ka gjithsej 702 kilometra vijë kufitare me shtetet përbri: 352 km me Serbinë, 159 km me Maqedoninë, 112 me Shqipërinë dhe 79 km me Malin e Zi.[9]
Me reliev kryesisht në trajtë të pellgut lumor, Kosova është gjeografikisht e ndarë në dy rrafshe parësore, atë të Kosovës në lindje dhe atë të Dukagjinit në perëndim. Lartësia mbi nivelin e detit në rrafshe luhatet prej 400 deri në 700 metra, ndërsa pika më e ulët prej 297 metrash ndodhet në Vërmicë në kufi me Shqipërinë. Dy rrafshet janë të ndara dhe të rrethuara me vargmale të theksuara në lartësi prej 2.000 deri në 2.500 metra; pika më e lartë, Gjeravica, arrin në 2.656 metra. Lartësia mesatare mbi nivelin e detit është 811 metra. Nëntoka e Kosovës njihet për rezervat e mineraleve të rëndësishme si qymyri linjit, nikeli, plumbi, zinku, magnezi, kaolini, kromi, alumini, ari, argjendi, bakri etj.[9]
Klima e Kosovës, e ndikuar nga rrymat ajrore kontinentale, përkufizohet nga dimër i ftohtë me reshje të rënda bore, si dhe vjeshtë e verë të nxehtë e të thatë. Njëherësh, në vise dhe lartësi të ndryshme mbi nivelin e detit vërehen ndikime mesdhetare dhe alpine.[9]
Ndonëse Kosova është një prej vendeve më të varfra me ujëra në Evropë, hidrografia e Kosovës shënon disa lumenj të rëndësishëm që derdhen në të gjitha detet e rajonit. Drini i Bardhë është lumi më i gjatë me 122 km, i cili bashkohet me Drinin e Zi në Shqipëri dhe bashkë derdhen në Detin Adriatik; Sitnica, Lumbardhi i Pejës, Morava e Binçës, Lepenci, Ereniku, Ibri dhe Lumbardhi i Prizrenit janë lumenjtë e tjerë të përmendur. Ndërkaq, rezervuarët artificialë të Gazivodës, Radoniqit, Batllavës dhe Badocit llogariten si liqenet kryesore të vendit.
Janë 52 zona të mbrojtura në Kosovë që përkapin sipërfaqe prej 46.274 hektarë; prej tyre numërohet një park kombëtar (39.000 ha), 35 monumente natyrore (4.868 ha), dy sipërfaqe të mbrojtura (1.681 ha), si dhe 11 zona natyrore (698 ha). Pavarësisht rrezikun që u kanoset, pyjet e pasura me bung, ah, qarr e lis përbëjnë një pjesë të rëndësishme të botës bimore së bashku me kullosat. Prej bimëve të tjera janë të përhapura dardha e egër, murrizi, thana, trëndafili i egër, dëllinja dhe ulza. Ndërkaq, zonat kodrinore-malore janë më të pasur në lloje kafshësh. Përmenden iriqi lindor, miu, kaprolli, derri i egër, dreri dhe lepuri, si dhe shpendët si korbi i murrmë, laraska, shtura, habeli fushor, etj.
Regjistrimi i fundit i plotë i popullsisë është bërë në vitit 1981, kur Kosova kishte 1.584.000 banorë. Vlerësime të vitit 2011 numri e popullsisë e vendosin në 1.733.872, ndërsa në burime tjera hasen edhe shifra prej 2.200.000;[62] burime të inteligjencës amerikanë paraqesin vetëm 1.804.838, sipas vlerësimit më të fundit të korrikut 2009.[9] Mërgimet e kosovarëve gjatë kësaj periudhe, si dhe të rënët gjatë luftës, kanë penguar rritjen e pritshme të popullsisë, me gjithë shtimin natyror prej 12,7 për 1.000 banorë.
Popullsia e Kosovës përbëhet kryesisht nga komuniteti etnik shqiptar, që sipas burimeve formon 88 deri në 92 për qind të banorëve; sipas vlerësimeve të Entit Statistikor të Kosovës shqiptarët përbëjnë 88% të popullsisë.[10] Serbët janë komuniteti i dytë përkah madhësia me 5,3%, të përcjellë nga turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptasit dhe goranët. Në Kosovë jeton edhe një numër kroatësh dhe çerkezësh, ndërsa pjesëtarë që zyrtarisht i përkasin komunitetit serb kanë kërkuar nga qeveria të njihen si komunitet malazias në vete. Ndërkohë, romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit, që shpesh futen në një tog të njohur si RAE ose tradicionalisht si jevgj, vetidentifikohen si etni të pavarura në baza të dallimeve historike ose kulturore.
Niveli i integrimit të pakicave joserbe në shoqërinë kosovare është në përgjithësi i kënaqshëm. Ndërkohë, përkundër përpjekjeve të qeverisë dhe shoqërisë civile kosovare, integrimi i komunitetit serb po ecën ngadalë për shkak të pengesave të grupeve ekstremiste të sponsorizuara nga qeveria e Serbisë dhe qarqe ultranacionaliste serbe.[84]
Veç shtimit të lartë natyror të sipërcekur, Kosova gëzon një popullatë shumë të re. Mosha mesatare është 25,9 vjeç,[9] 70% e popullsisë janë nën 30 vjeç, ndërsa 33% i përkasin moshave 0-14 vjeçare dhe vetëm 6% janë mbi 65 vjeç. Jetëgjatësia mesatare është 69 vjet; femrat jetojnë afro 71 vjet, 4 më shumë se meshkujt. Lindshmëria është 16,3‰, ndërsa vdekshmëria 3,6‰.[10]
Popullsia kosovare i përket kryesisht fesë islame (95.7%), ndërsa pjesa tjetër Kishës Katolike Romake (2.2%) dhe Kishës Ortodokse Serbe (1.5%). Myslimanët përfshijnë shumicën e shqiptarëve, turqit, boshnjakët dhe goranët. Të krishterët shqiptarë janë katolikë, me përjashtim të një familjeje të përmendur në Prizren dhe shqiptarëve nga Shqipëria; katolikë janë edhe kroatët. Kisha Ortodokse Serbe përfshin thuajse tërë pjesëtarët e kombësisë serbe.
Perandori bizantin, Konstandini i Madh, i lindur në provincën e Dardanisë, e bëri krishterimin fe zyrtare të perandorisë. Niketë Dardani shkroi njërin prej himneve të para kishtare, "Te Deum". Më 1054, Kosova u ndodh në juridiksionin e Kishës Ortodokse të Lindjes, mirëpo prijësit politikë të kohës parapëlqyen lidhje me papatit dhe perëndimin. Lekë Dukagjini, i lindur në Lipjan, i dha Kishës Katolike vend qendror në kodin e tij të drejtësisë, ndërsa klerikët Gjon Buzuku dhe Pjetër Bogdani botuan në shqip vepra të të rëndësisë fetare dhe gjuhësore.
Me zgjerimin drejt jugut të zotërimeve feudale serbe, Kisha Ortodokse Serbe mori nën kontroll numër të madh tokash në truallin e Kosovës. Në shek. XIII, pas djegies së Patrikanës Serbe në Zhicë,[32] selia e kishës u zhvendos për në Pejë, ku funksionoi deri në shek. XVIII dhe u riaktivizua në shek. XX. Sot, në Kosovë ndodhet një numër kishash të rëndësishme ortodokse, nën mbrojtje të veçantë si pjesë e trashëgimisë kulturore kosovare dhe simbol i rëndësishëm fetar i komunitetit serb.
Me përfshirjen e Kosovën nën Perandorinë Osmane, u përhap edhe feja islame, së pari përmes edukimit të të rinjve kosovarë në shkollat perandorake dhe përpjekje proselituese të misionarëve osmane, e pastaj edhe për shkak të tatimit të rëndë në baza fetare — taksës së xhizjes. Islami u pranua nga shqiptarët dhe një pjesë e sllavëve. Shqiptarët, edhe pse të ndarë në myslimanë dhe të krishterë, vazhduan të identifikoheshin si një komb.[85] Kurse për sllavët ndarja fetare solli edhe ndarje etnike; boshnjakët më parë njiheshin si myslimanë dhe gjithmonë theksonin dallimin etnik nga serbët. Megjithatë, islami që praktikohet sot në Kosovë është kryesisht tolerant dhe përkrah zhvillimin kulturor të kosovarëve si popullatë me kulturë evropiane.[86] Shumica e myslimanëve në Kosovë janë synitë, por ka edhe ndjekës të urdhrit shiit.
Pas përfundimit të luftës, në Kosovë u vendosën organizata misionare myslimane dhe të krishtera, të cilat kanë arritur që në masë të vogël të përhapin shkolla radikale të islamit, përkatësisht denominime protestante.
Gjuhë parësore e folur në Kosovë është dialekti gegë verilindor i gjuhës shqipe, i folur si gjuhë amtare nga shqiptarët e ashkalinjtë dhe si gjuhë e dytë nga shumica e kombësive tjera, me përjashtim të serbëve që kanë njohuri më të vogël. Shqipja standarde është gjuhë zyrtare në nivel të njëjtë me gjuhën serbe, të folur nga komuniteti serb dhe të njohur mirë nga brezat më të vjetër të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera. Gjuhët boshnjake, turke dhe rome gëzojnë përdorim zyrtar në nivel komunal; përveç komunitetit turk, gjuha turke flitet si gjuhë e parë dhe si gjuhë e dytë nga një numër shqiptarësh. Në Rahovec, flitet nga komuniteti shqiptar një dialekt lindor i gjuhëve sllave të jugut, i quajtur rahovecianshe ose sllavishtja e Rahovecit, ndërsa nga komuniteti goran flitet një dialekt i maqedonishtes. Komunitetet kanë të drejtën dhe mundësinë e shkollimit në gjuhën e tyre amtare.
Anglishtja, ndërkaq, ka zëvendësuar serbishten si gjuhë e komunikimin ndëretnik në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Ndonëse nuk është e sanksionuar me Kushtetutë, anglishtja përdoret zyrtarisht nga institucionet qeverisëse, sidomos në nxjerrjen e ligjeve dhe dokumenteve qeveritare. Njëherësh, anglishtja është gjuha e huaj më e njohur nga kosovarët, e përcjellë nga gjermanishtja dhe frëngjishtja. Ndikimi i mediave popullore ka bërë gjithashtu që të rinjtë të kuptojnë në nivel të lartë gjuhët spanjolle dhe portugeze.
Kosova ka gjithsej 1.466 vendbanime, që shpërndahen në 30 komuna.
Regjistrimi i vitit 1981 merret si regjistrim i fundit valid në Kosovë. Në regjistrimin e popullsisë të vitit 1981 dhe vlerësimit të vitit 1991 Kosova kishte numër të popullsisë prej 1,584,440 respektivisht 1,956,196 banorë. Gjatë këtyre dy regjistrimeve Kosova kishte këtë strukturë të përbërjes etnike.
Kombësia | Gjithsej (1981) | Në përqindje | Gjithsej (1991) | Në përqindje | Ndryshimi |
---|---|---|---|---|---|
Shqiptarë | 1.226.736 | 77.4 % | 1.596.072 | 81.6 % | + 369.336 |
Serbë | 209.798 | 13.2 % | 194.190 | 9.9 % | - 15.608 |
Turq | 12.513 | 0.8 % | 10.445 | 0.5 % | - 2.068 |
Romë | 34.126 | 2.2 % | 45.745 | 2.3 % | + 11.619 |
Të tjerë | 101.267 | 6.4 | 109.744 | 5.6 % | + 8.477 |
Gjithsej | 1.584.440 | 100 % | 1.956.196 | 100 % | + 371.756 |
Qeveria kosovare ka bërë përpjekje për ndërtimin e një ekonomie të tregut, mirëpo me gjithë përparimet e shënuara në vitet e fundit, Kosova mbetet ndër vendet më të varfra të Evropës. Prodhimi vendor bruto (PVB) i Kosovës numëron vetëm 5 miliard dollarë amerikanë (me barazim të fuqisë blerëse), ndërsa me 2.300$ PVB për krye, Kosova renditet e fundit në Evropë. Papunësia, që sipas vlerësime zyrtare ka kapluar 40% të fuqisë punëtore, është brenga kryesore për Republikën e Kosovës.[9]
Megjithëse Kosova shërbeu si burim i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Jugosllavisë, pushtimi serb gjatë viteve nëntëdhjetë,[88] lufta, si dhe qeverisja e ligsht e UNMIK-ut e sollën ekonominë kosovare në gjendje kolapsi. Të hyrat financiare për rindërtimin e vendit pas përfundimit të luftës sollën rritje ekonomike në tri vjetët e para, kurse më 2003-04 pati rënie për shkak të pamjaftueshmërisë së burimeve të brendshme dhe zvogëlimit të ndihmave ndërkombëtare. Inflacioni është i ulët, ndërsa tepricat buxhetore të herëpashershme janë kritikuar si mungesë e përpjekjeve të qeverisë për ta nxjerrë vendin nga skamja. Sidoqoftë, më 2007 pati deficit buxhetor; u shpenzuan 1.22 miliard dollarë amerikanë, ndërsa pati 1.19 miliard të hyra.[9] Industria e nxjerrjes dhe përpunimit të xeheve është pothuajse jashtë funksionit.
Për t’i hapur rrugë zhvillimit ekonomik, janë privatizuar sipas numrit gjysma dhe sipas vleftës 90% e ndërmarrjeve shtetërore. Për dallim nga vendet e zhvilluara, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara, Kosova ka shënuar rritje ekonomike gjatë viteve të fundit, mirëpo jo në shkallë të dëshirueshme për ta lehtësuar gjendjen e rëndë të popullsisë. Me gjithë shënimet që tregojnë dyfishim të investimeve nga ulja e taksave të korporatave për 50% më 2008,[89] recedimi ekonomik ka penguar ndryshimet pozitive të pritshme. Edhe sot, ndihma financiare dhe teknike e bashkësisë ndërkombëtare, kryesisht Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, përbëjnë shtyllë mbajtëse të ekonomisë së Kosovës; gjatë vitit 2007, në buxhetin e Kosovës u derdhën 11.643.000 euro në formë grantesh të huaja.[90] Njëherësh, 15% e PVB-së grumbullohet nga remitancat e mërgimtarëve shqiptarë, të ndodhur kryesisht në Zvicër dhe Gjermani.[9]
Papunësia e lartë në Kosovë ka bërë që PVB të përqendrohet në sektorin e shërbimeve (60%), ndërsa pjesa tjetër është në mënyrë të barabartë e ndarë mes bujqësisë dhe industrisë. Për dallim nga shtetet e zhvilluara, ku sektori i shërbimeve ngërthen përqindje të lartë të të punësuarve në korporata të mëdha financiare, të teknologjisë informative dhe shëndetësore, shërbimet në Kosovë përfshijnë kryesisht veprimtare të vogla private, të përqendruara në tregti me pakicë dhe ndërtimtari. Vetëm 0,25% e të punësuarve në vitin 2006 punonin për sipërmarrje të mesme dhe të mëdha me më shumë se 49 punëtorë.[91] Në vitin 2007, 74.366 persona kanë qenë të punësuar në sektorin buxhetor.[nevojitet citimi]
Shkalla e lartë e papunësisë sillet rreth 40%,[9] ndërsa pati arritur kulmin prej 50% më 2006.[92] Në vitin 2007, numri i personave që kanë kërkuar punë ka qenë 334.595 persona, shumica të moshës 25 deri në 39. Vetëm 1.5% e tyre janë me universitet apo shkollë të lartë të kryer. Të punësuarit, ndërkaq, vuajnë nga pagat e ulëta që mesatarisht sillen rreth 190 eurove në sektorin publik dhe 211 eurove në atë privat.[nevojitet citimi] Në këto kushte vazhdon të lulëzojë ekonomia e zezë, duke pamundësuar mbledhjen e statistikave precize. Sondazhe të reja tregojnë se janë shënuar humbje të vendeve të punës për shkak të krizës dhe popullata ndjehet tejet e shqetësuar.[93]
Shkalla e varfërisë mbetet e rëndë — 42 % jetojnë në varfëri, ndërsa 15% në varfëri të skajshme[94] — dhe nevoja për programe të mirëqenies sociale sfidon qeverinë, e cila më 2006 ndau asistencë për 40.569 familje me gjithsej 174.131 anëtarë.[nevojitet citimi] 127.356 pensionistë filluan të përfitojnë nga pensione mujore në fundvitin 2006; në janar 2008 pensionet u rritën nga 40 euro në 75 për muaj, ndonëse fondet e pensioneve u vodhën nga Serbia gjatë luftës[95] dhe së fundi u tkurrën në skema të dështuara të kursimit.[nevojitet citimi] Në vitin 2007, Kosova ka filluar edhe me pensionet e posaçme për invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve, fillimisht me 7.500 përfitues, numër ky që u rrit bashkë me sasinë e pensionit. Në Prishtinë ndodhet shtëpi e pleqve, ku më 2006 ishin të vendosur 106 individë (81 shqiptarë, 11 serb dhe 14 të tjerë). 136 vetë të tjerë (57 serb, 55 shqiptar dhe 24 të tjerë) ishin të vendosur në Institucionin e Shtimes për personat me kërkesa të veçanta.[nevojitet citimi] Vetëm gjatë vitit 2006, shteti mori nën kujdes 66 fëmijë të braktisur (39 vajza, 27 djem).[nevojitet citimi]
Bujqësia nuk i plotëson nevojat e popullsisë, mirëpo ka shënuar së fundmi përparime të dukshme në sajë të ndihmës nga jashtë. Sipas vlerësimeve të vitit 2007, bujqësia kontribuon 7% të PVB.[96] Prodhimet kryesore bujqësore janë misri, gruri dhe elbi, patatet, mollat, kumbullat dhe duhani. Njëherësh, shitja me shumicë e drurit ka ngjallur shqetësime rreth zhveshjes së pyjeve. Janë zgjeruar edhe hortikultura vitikultura, kurse blegtoria ka qitur hapur përmirësimi. Ndërkaq, mbajtja e kafshëve për qumësht dhe mish, gjithashtu e shpezëve dhe bletëve, përbën rrafshin e blegtorisë.
Hapësira e mbjellë me drithëra është ngushtuar në krahasim me vitet ’80. Gruri, drithi kryesor, mbillet në 70.000 hektarë tokë dhe ka mesatare të rendimentit prej 3.26 ton/ha. Rënie e madhe është shënuar në prodhimtari blegtorale si leshi dhe lëkura, mirëpo në vitet e fundit është rritur prodhimi i qumështit. Në Kosovë janë regjistruar 381.995 krerë gjedhesh, shumica lopë qumështore.[97] Përkundër rritjes në bujqësi, Kosova mbetet shumë prapa vendeve evropiane dhe vazhdon të jetë importues madhor i prodhimeve ushqimore.
Përkundër hapësirës së vogël territoriale, Kosova është e kamur me burime energjetike; janë vlerësuar 10-12 miliard tonë qymyr linjit të shtrirë përgjatë dy rrafsheve të vendit. Me 1.800-2.000 kalori, qymyri kosovar është i përshtatshëm për prodhim të rrymës elektrike, gazra për plehra artificiale, si dhe për nxemje qendrore. Prej viteve ’60, qymyri nxirret në afërsi të Kastriotit në sasi që së fundmi sillet rreth 6 milion tonë në vit.
Energjia elektrike në Kosovë mbështetet kryesisht në energjinë e prodhuar nga termocentralet (97%) dhe ky sektor konsiderohet si një nga sektorët me potencialin më të madh për zhvillim. Kapacitetet e instaluara të termocentraleve janë 1,478 MW, mirëpo aktualisht për shkak të vjetërsisë kapaciteti operativ i tyre është rreth 900 MW.[98] Deri tani janë bërë përpjekje për diversifikimin e gjenerimit të energjisë elektrike, ku ndër të tjera përmendim parkun e erës në Bajgorë dhe në Kitkë. [99]
Sidoqoftë, dy termocentralet e ngritura për prodhim të rrymës elektrike përballen prej më se një dekade me mungesë kapacitetesh, telashe të teknologjisë së vjetruar, riparime gjysmake dhe keqmenagjim, duke mos arritur të përmbushin kërkesën për furnizim me rrymë. Më 2006 u prodhuan vetëm 832 milion kWh rrymë, ndërsa u konsumuan 4,281 miliard kWh, pesëfish më shumë.[9] Që prej vitit 1999, reduktimet në furnizim kanë qenë të zakonshme, sidomos në periudhën menjëhershme të pasluftës, kur orari i reduktimeve ishte 8 orë me rrymë e 2 pa të. Fushata 24:0 për të promovuar kursimin e rrymës dhe larjen e borxheve të konsumatorëve përmes pagesave me këste nuk kanë shënuar sukses të theksuar. Ministria e Energjisë dhe Minierave është angazhuar për ndërtimin e një termocentrali të ri me koncesion.[9]
Që prej vitit 2002, Euro zëvendësoi markën gjermane si valuta zyrtare e Kosovës, ndonëse nuk ekziston ndonjë marrëveshje zyrtare për përdorimin e kësaj valute me institucionet evropiane. Dinari serb përdoret ilegalisht nëpër enklava serbe. Megjithëse përdorimi i euros është parë si mundësi për kontrollimin e inflacionit, Kosova qe vendi më i shtrenjtë në rajon në vitin 2008.[100]
Më 29 qershor 2009, Republika e Kosovës u pranua zyrtarisht anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.[16] Projektimet e FMN-së tani vlerësojnë se rritja ekonomike do të ngrehet në 5% më 2010.[89]
Më 2007, Kosova nënshkroi marrëveshjen e tregtisë së lirë, CEFTA, me vendet e rajonit.[101] Megjithatë, mungesa e prodhimeve kosovare dhe pengesa nga Serbia kanë bërë që CEFTA të mos tregohet përparësi e madhe për Kosovën. Në partneritet tregtar me BE-në dhe vendet e rajonit, Kosova përballet me mungesë bilanci tregtar; eksporti më 2007 arriti në 527 milion dollarë, ndërsa importi kalonte 2,6 miliard.[9]
Kosova eksporton kryesisht prodhime xeherore dhe metale të përpunuara, mbeturina metalesh, lëkurë, makineri dhe pajisje transporti në vendet e BE-së, Serbi, Shqipëri, Maqedoni, Zvicër etj. Kurse importon ushqim, dru, karburante, kemikale, makineri dhe pajisje elektrike, kryesisht prej BE-së, Maqedonisë dhe Serbisë.[9] Si shtet i vetëm, Maqedonia është partneri kryesor tregtar i Kosovës; më 2006, përbëri 19,7% të importit dhe 8,8% të eksportit.[102][103]
Në Kosovë sipas statistikave të vitit 2011, janë 1.963 km rrugë, prej të cilave 38 km ndërkombëtare, 630 km janë magjistrale dhe 1.294 km rajonale. Shumica e këtyre rrugëve janë të asfaltuara, gjithsej 1.843 km dhe 120 km të paasfaltuara. Gjithashtu janë edhe 430 km hekurudhë, prej të cilave 333 km shfrytëzohen për transport të udhëtarëve dhe 97 km për transport industrial.[9]
Kosova ka Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, që gjendet në Sllatinë të Lypjanit. Në vitin 2011, u realizuan 6738 fluturime me gati 1,4 milion udhëtarë. Njëherësh, Kosova ka edhe nëntë aeroporte të tjera, pesë prej tyre me pista të shtruara.[9]
Sipas shënimeve të vitit 2006, në Kosovë funksionin 106.300 linja të telefonisë fikse dhe 562.000 të telefonisë mobile,[9] numër ky që duhet të jetë rritur me shtimin e konkurrencës në treg. Kosova ka dy operatorë të telefonisë mobile, Vala e operuar nga Posttelekomi i Kosovës dhe iPKO, kompani private. Më 2009, PTK-ja fitoi të drejtën për të operuar telefoni mobile në Republikën e Shqipërisë.[104]
Mësimi fillor në Kosovë zhvillohet në pesë gjuhë — shqipe, serbe, boshnjake, turke dhe kroate — dhe është i obligueshëm dhe falas në shkollat publike për të gjithë qytetarët. Së fundmi, qeveria e Kosovës ka shpaluar planet për ngritjen e shkollim të mesëm në nivel obligativ; sipas aftësive dhe suksesit të treguar, nxënësit ndjekin shkollimin e mesëm në gjimnaze e përgjithshme dhe të profilizuara ose shkolla profesionale. Reformimi i sistemit arsimor është prioritet qeveritar, megjithëse mungesa e fondeve, lehtësimeve teknologjike dhe e përgatitjes profesionale të mësimdhënësve, si dhe numri të madh të nxënësve për klasë, pengojnë arsimin efektiv në Kosovë.
Gjatë vitit akademik 2011/2012, në Kosovë pati 24.945 nxënës në arsimin parafillor, 161.624 në arsimin fillor, 132.795 në arsimin e mesëm të ulët, si dhe 109.513 në institucione të arsimit të mesëm. Nevojat e këtyre nxënësve u përmbushën nga 1.333 mësimdhënës në marrëdhënie punë në arsimin parafillor, 7.700 në atë fillor, 10.122 në arsimin e mesëm të ulët, dhe 6.095 në shkolla të mesme. Ndërkaq, vetëm 138 mësimdhënës punuan me 703 nxënës me nevoja speciale në arsimin fillor dhe 51 me 94 nxënës në shkolla të mesme speciale. Pas luftës është hapur edhe një numër shkollash private.
Në vitin 1970, u hap në Kosovë Universiteti i Prishtinës, që ngërtheu në vete të gjitha institucionet e arsimit të lartë, shkolla të lartë dhe fakultete të themeluara deri atëherë.[52] Në vitin 2005/2006 pati 980 mësimdhënës dhe 28,707 studentë të regjistruar. Ndërkaq, funksionimi i universiteteve private është lejuar nga qeveria pas një fusha për akreditim. I vetmi universitet privat është Universiteti Amerikan në Kosovë, ndërsa institucione tjera të arsimit të lartë privat përfshijnë kolegjet AAB-Riinvest, Iliria etj.
Shërbimet mjekësore në Kosovë janë të kufizuara, sidomos në institucionet publike ku mungojnë kushtet e punës dhe nxitjet financiare për profesionistët. Sistemi privat i sigurimit shëndetësor nuk është i përhapur, ndërsa sektori privat i shëndetësisë funksionin sipas tregut të lirë. Çmimet janë tejet më të lira në krahasim me vendet tjera të Evropës, por shumë të larta për të ardhurat kosovare. Grevat e vazhdueshme të të punësuarve publikë,[105] skandalet në klinika private nën pronësi të shtetasve të huaj,[106] si dhe mungesa e medikamenteve kanë krijuar një imazh të lig për Ministrinë e Shëndetësisë.[105]
Kultura kosovare ngërthen në vete kulturën e kombit shqiptar, si trashëguese të kulturës vendëse ilire, të ndikuar më vonë kryesisht nga kultura romake dhe osmane e më pak nga ajo sllave. Përcaktimi kulturor kosovar është perëndimor, mirëpo ruan në vete elemente konservatore evropiane dhe disa veti të kulturës lindore, të përfituara nga shekujt e sundimit osman. Ndikimi i thellë vërehet sidomos nga e drejta dokesore e shqiptarëve, e përkufizuar nga katër parime — nderin vetjak, barazinë e vetëve, lirinë e veprimit në kuadër të ligjit, si dhe besën.[107]
Letërsia në Kosovë nis me librin kishtar Meshari, të parin libër të botuar në gjuhën shqipe nga Gjon Buzuku, me prejardhje nga krahina e Hasit. Andre Bogdani botoi gramatikën e parë të gjuhës shqipe, mirëpo kjo vepër humbi gjatë luftimeve kundër osmanëve dhe për të mësohet vetëm nga shkrimet e nipit Pjetër Bogdani, autor i Çetës së Profetëve, kryevepër e letërsisë së vjetër shqiptare.[108]
Zhvillmi i letërsisë në Kosovë nuk arriti nivel të duhur deri pas Luftës së Dytë Botërore, kur themelimi i shtëpisë botuese Rilindja hapi rrugët për botimin e një morie veprash letrare. Esad Mekuli konsiderohet si nismëtari i letërsisë moderne në Kosovë.[109] Në prozë u dalluan Anton Pashku, Anton Çetta, Nazmi Rrahmani, Zejnullah Rrahmani, Rexhep Qosja, Sinan Hasani etj. Prej poetëve më të përmendur janë Ali Podrimja, Azem Shkreli, Sabri Hamiti, Jeton Kelmendi, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj etj. Autorët bashkëkohorë kosovarë kryesisht trajtojnë tema të lëvizjes kombëtare, transformimit shoqëror, mërgimit, si dhe luftës e pavarësisë.
Kosova ka edhe katër teatre kombëtare dhe profesioniste, të cilët numërojnë 65 punëtorë dhe rreth 18.440 spektatorë në vit. Njëherësh, funksionojnë edhe 21 teatre amatore si dhe teatri i fëmijëve. Ndonëse popullariteti i teatrit ka rënë në vitet e fundit, gjatë vitit 2006 u dhanë 612 shfaqje teatrale, ndërsa arte tjera si baleti u vunë në skenë vetëm një herë. Më popullore ishin koncertet, prej të cilave u dhanë 117 dhe mblodhën rreth 100 mijë spektatorë. Në galeri arti u organizuan 109 ekspozita.
Më 2006, 14 kinematë e vendit mblodhën 56.791 shikues, kryesisht për filma të huaj, përderisa industria vendore e filmit vuan nga mungesa e sasisë, por edhe cilësisë. Megjithatë, në Kosovë janë nxjerrë prodhime cilësore si Era dhe Lisi i regjisorit Isa Qosja, Njeriu prej Dheut dhe Vjeshta e Trëndafilave të Agim Sopit etj.
Më popullore janë serialit e prodhimit vendor dhe të huaj. Kafeneja Jonë, e drejtuar nga veterani Adem Mikullovci, dhe Familja Moderne, me skenariste Visare Aliun dhe regjisor Fatos Berishën, kanë grumbulluar filmbërësit dhe artistët më të suksesshëm të vendit dhe kanë arritur shikueshmëri rekorde, ndonëse vazhdojnë të kritokohet për mungesë të punës profesionale dhe për përmbajtje.[110]
Në Kosovë veprojnë katër televizione me licensë për transmetim mbarëkombëtar, Radiotelevizioni Publik i Kosovës, Radiotelevizioni 21, KohaVision dhe Klan Kosova. Veç tyre, ka edhe një numër televizionesh vendore e kombëtare që transmetojnë përmes sistemeve kabllore.
Sporti më popullor në Kosovë është futbolli, i përcjellë nga basketbolli, hendbolli, volejbolli dhe sportet luftarake. Që prej 20 vjetësh, sporti kosovar ka vuajtur nga mungesa e kushteve për zhvillim, fondeve dhe izolimi ndërkombëtar. Federatat e vetme të rëndësishme që janë pranuar ndërkombëtarisht janë ajo e hendbollit[111] dhe e pingpongut.
Themeluar më 1922, KF Prishtina është klubi më i vjetër sportiv në Kosovë, i cili me pjesëmarrjen në Ligën e Parë të Jugosllavisë në vitet ’80 u shndërrua në simbol të lëvizjes kombëtare shqiptare. Sot, kombëtarja e Kosovës udhëhiqet nga ylli i dikurshëm i Prishtinës, Fadil Vokrri, dhe është në pritje të përvojës ndërkombëtare. Ndeshja e fundit, e zhvilluar më 2007 kundër Arabisë Saudite, përfundoi me fitoren e kosovarëve.[112]
Me gjithë nivelin e lartë në Jugosllavi, loja e koshave u popullarizua në Kosovë vetëm pas luftës, kur filloi zhvillimi i kampionatit në salla sportive. Mirëpo, interesimi i sponsorëve u venit me mosndërkombëtarizimin e këtij sporti, ndërsa derdhja e të hollave në lojtarë të importuar dhe mosinvestimi në talentët e rinj vendorë ka penguar zhvillimin e pritur të basketbollit.
Ndërkaq, suksesi më i madh në arenën ndërkombëtare gjatë historisë është korrur në boks, mundje, karate dhe sporte tjera luftarake. Kosova nxori fitues medaljesh në lojëra olimpike, ndërsa klubi i boksit Prishtina vargoi tituj kampioni në Jugosllavia.
Portal:Kosovë – Informacione të mëtejshme mbi Kosovë
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.