From Wikipedia, the free encyclopedia
Sport Lisboa e Benfica (shtjellimi portugalisht: sɨˈpɔɾ liʒˈβo.ɐ i βɐ̃jˈfikɐ), njohur zakonisht si Benfica, është një klub profesionist futbolli me seli në Lisbonë, Portugali, e cila garon në Primeira Liga, elita e futbollit portugez.
Emri i plotë | Sport Lisboa e Benfica | |||
---|---|---|---|---|
Pseudonimi(et) | As Águias (Shqiponjat) Os Encarnados (Të kuqtë) O Glorioso (E madhërishmja) | |||
Themeluar | 28 shkurt 1904 si Sport Lisboa | |||
Stadiumi | Estádio da Luz | |||
Kapaciteti | 64,642 | |||
Presidenti | Rui Costa | |||
Trajneri | Roger Schmidt | |||
Liga | Primeira Liga | |||
2023–24 | Primeira Liga, 3të | |||
Faqja zyrtare | Faqja zyrtare e klubit | |||
| ||||
Benfica u themelua më 28 shkurt 1904 me emrin Sport Lisboa. Ajo konsiderohet si një nga "tre klubet e mëdha" të Portugalisë që nuk është rrëzuar kurrë nga Primiera Liga, sëbashku me rivalët Sporting CP dhe Porto. Pseudonimi i Benficës është As Águias (Shqiponjat) për simbolin që kanë në fanellë, si dhe Os Encarnados (Të kuqtë) për ngjyrën e fanellës. Që nga viti 2003, Benfica i luan ndeshjet si vendas në Estádio da Luz. Ky stadium zëvëndësoi atë të vjetrin me të njëtin emër që ishte ndërtuar në vitin 1954. Benfica është klubi portugez me më shumë tifozë dhe klubi evropian me përqindjen më të madhe të tifozëve në shtetin e tyre; ata kanë më shumë se 250,000 tifozë të antarësuar dhe më shumë se 14 milion tifozë në mbarë botën.[1][2][3] Himni i klubit, "Ser Benfiquista", i referohet tifozëve, të cilët quhen "benfiquistas". Motoja e klubit është E pluribus unum kurse maskota quhet Águia Vitória.
Benfica është nderuar me Urdhërat Portugez të Krishtit, të Princ Harryt, dhe të Meritës. Ata kanë fituar 83 trofe të madhor, 84 përfshirë me Kupën Latine, duke qënë klubi më i dekruar në Portugali.[4][5] 80 nga këto trofe janë fituar në Portugali, përfshirë 37 kampionate (rekord), 26 kupa (rekord), 7 kupa të ligës (rekord), 8 superkupa dhe 3 Campeonato de Portugal. Në nivel ndërkombëtar, Benfica ka fituar Kupën Evropiane dy herë rresht në vitet 1961 dhe 1962, një arritje në futbollin portugez. Gjatë këtyre viteve, ata ishin finalist në Kupën Ndërkontinentale. Përvëc kësaj, ata kanë qënë finalist në vitet 1963, 1965, 1968, 1988 dhe 1990 në Kupën Evropiane, si dhe në vitet 1983, 2013 dhe 2014 në Kupën UEFA/Ligën e Evropës. Dhjetë finalet evropiane të Benficës janë një rekord në Portugali; ata janë renditur të shtatët në listën e klubeve të të gjitha kohërave të UEFAs në vitin 2014.[6]
Më 28 shkurt 1904, pas një seance stërvitore në atë ditë, grupi Catataus dhe antarët e Associação do Bem u takuan në Farmácia Franco të Rua Direita de Belém me qëllimin për të krijuar një klub kultural dhe shoqëror futbolli i cili u quajt Sport Lisboa. Klubi përbëhej vetëm nga lojtarë portugezë.[7] Njëzetekatër njerëz morën pjesë në këtë takim, përfshirë Cosme Damião. Gjatë takimit, José Rosa Rodrigues u emërua president i klubit, kurse Daniel dos Santos Brito dhe Manuel Gourlade u emëruan respektivisht si sekretar dhe financier. Themeluesit e klubit vendosën që ngjyrat e klubit do të ishin e kuqja dhe e bardha kurse stema do të përbëhej nga një shqiponjë, motoja E pluribus unum si dhe nga një top futbolli.[8][9][10] Sport Lisbona luajti ndeshjen e saj të parë më 1 janar 1905, duke shënuar edhe golin e parë. Pavarësisht fitorve të rëndësishme, klubi vuajti nga kushtet e vështira infrakstrukturore, duke përfshirë fushën me dhe të quajtur Terras do Desembargador.[11] Si rezultat i kësaj, tetë lojtarë u transferuan te Sporting CP në vitin 1907, duke nisur edhe rivalitetin mes dy klubeve.[10]
Më 13 shtator 1908, Sport Lisboa bleu Grupo Sport Benfica dhe arritën një marrëveshje për të ndryshuar emrin e klubit në Sport Lisboa e Benfica. Pavarësisht bashkimit, të dy shoqatat vazhduan operacionet e tyre përkatëse. Sport Lisboa mbajti ngjyrat, moton dhe simbolet e stemës kurse Grupo Sport Benfica mbajti fushën Campo da Feiteira,[11] drejtorët kryesor ai dhe selinë e klubit. Të dy klubet vendosën që data e themelimit të ishte ajo e Sport Lisboa, e cila ishte klubi më popullor dhe i njohur në Lisbonë falë meritave të saj sportive. Për sa i përket stemës, një gomë biçiklete u shtua, e cila simbolizonte çiklizmin, që ishte sporti kryesor i Grupo Sport Benficës. Për më tepër, dy subjektet e klubit "të ri" kishin anëtarë të njëkohshëm që ndihmuan në stabilizimin e operacioneve, gjë që më vonë rriti suksesin e bashkimit.[10]
Pavarësisht përmirësimeve në organizim, klubi vazhdoi të kishte probleme me fushën Campo da Feiteira, të cilën e kishte me qera. Në vitin 1913, klubi lëvizi për herë të parë në një fushë me bar sportiv, e quajtur Campo de Sete Rios. Katër vite më vonë, pasi refuzuan rritjen e qerasë, ata u zhvendosën në Campo de Benfica. Në vitin 1925, Benfica më në fund u transferua në stadiumin e saj, Estádio das Amoreiras, ku do të luante për 15 vitet e ardhshme. Në vitin 1940, ata kaluan te Estádio do Campo Grande.[11] Liga portugeze nisi në vitin 1934, dhe pasi përfundoi në vendin e tretë në edicionin e parë, Benfica do të fitonte tre edicionet e ardhshme (1935–36, '36–37, '37–38) nën drejtimin e trajnerit Lippo Hertzka. Në vitet 1940', Benfica do të fitonte edhe tre kampionate të tjerë (1941–42, '42–43, '44–45) dhe katër kupa (1940, '43, '44, '49). Në vitin 1943, trajneri János Biri udhëhoqi klubin drejtë dopietës së parë në historinë e tyre.
Suksesi i parë ndërkombëtar i Benficës ndodhi në vitin 1950, duke fituar Kupën Latine.[12] Në finale ata mposhtën klubin francez Bordeaux me një gol të artë të shënuar nga Julinho në Estádio Nacional të Lisbonës. Benfica u bë klubi i parë dhe i vetëm portugez që e fitonte këtë trofe.[13] Trajneri i këtij suksesi ishte Ted Smith.[14] Ky ishte gjithashtu edhe trofeu i parë ndërkombëtar i fituar nga një klub portugez.[15] Ata arritën një tjetër finale në këtë kompeticion në vitin 1957, por u mposhtën nga Real Madridi në Stadiumin Santiago Bernabéu.[13] Me emërimin e Joaquim Ferreira Bogalhos si president në vitin 1952 dhe mbërritjen e trajnerit Otto Glória në vitin 1954,[14] Benfica u bë një klub modern dhe profesionist, duke u zhvendosur në Estádio da Luzin e parë, i cili kishte një kapacitet fillestar 40,000 ulësë; stadiumi u rinovua në vitin 1960, duke u bërë me 70,000 ulëse.[11][16][17] Gjatë viteve 1950, Benfica fitoi edhe tre kampionate (1949–50, '54–55, '56–57) dhe gjashtë kupa (1951, '52, '53, '55, '57, '59). Pavarësisht se ishin kampionët në fuqi në vitin 1955, Benfica nuk u ftua në edicionin e parë të Kupës Evropiane nga organizatorët. Ata debutuan në këtë kompeticion në sezonin 1957–58 kundër Seviljes.[18][19]
Benfica fitoi dy Kupa Evropiane rresht në vitet 1961 dhe 1962, duke mposhtur respektivisht në finale Barcelonën (3–2)[20] dhe Real Madridin (5–3).[21][22][23] Trajneri i ekipit ishte Béla Guttmann, i cili ishte firmosur nga Maurício Vieira de Brito.[14][24] Falë këtij suksesi, Benfica luajti në Kupën Ndërkontinentale, duke humbur kundër Peñarol në vitin 1961 dhe kundër Santos një vit më pas.[25][26] Në vitet në vazhdim, Benfica arriti finalen e Kupës Evropiane në tre raste të tjera, duke humbur kundër Milanit në 1963,[27] Interit në 1965 dhe Manchester United në 1968.[10] Falë performancës së tyre ndërkombëtare, Benfica u rendit e para në futbollin evropian në vitet 1965, 1966 dhe 1969,[28][29][30] kurse në vitin 1968 shpallën "Skuadra e Vitit" nga revista France Football. Në vitet 1960, përveç dy Kupave Evropiane, Benfica fitoi tetë kampionate (1959–60, '60–61, '62–63, '63–64, '64–65, '66–67, '67–68, '68–69) dhe tre kupa (1962, '64, '69). Shumë nga këto suksese u arritën me lojtarë si Eusébio – i vetmi lojtar që ka fituar Topin e Artë me një klub portugez[31] – Coluna, José Águas, José Augusto, Simões, Torres dhe të tjerë. Në sezonin 1963–64, ata vendosën një rekord me 103 gola të shënuar në 26 ndeshje në kampionat.[32]
Benfica vazhdoi dominimin në futbollin portugez në vitet 1970' nën drejtimin e presidentit Borges Coutinho. Ata fituan kampionatin në gjashtë sezone (1970–71, '71–72, '72–73, '74–75, '75–76, '76–77) dhe kupën në dy sezone (1970, '72). Në sezonin 1971–72, Benfica arriti në gjysëm-finalen e Kupës Evropiane, por ata u eliminuan nga Ajaxi i Johan Cruyff. Në sezonin e ardhshëm, nën drejtimin e trajnerit Jimmy Hagan, Benfica u bë ekipi i parë portugez që e mbyllte kampionatin pa asnjë humbje;[32] ata regjistruan 28 fitore, përfshirë 23 rresht dhe vetëm 2 barazime. Ata shënuan 101 gola dhe Eusébio fitoi sërisht Këpucën e Artë Evropiane me 40 gola të shënuar, dy më pak se rekordi i tij personal. Në periudhën tetor 1976-shtator 1978, Benfica qëndroi e pamposhtur në kampionat për 56 ndeshje.[33] Në këtë dekadë, Benfica pranoi për herë të parë në historinë e tyre lojtarë të huaj në klub, duke u bërë klubi i fundit portugez që e bënte këtë gjë.[10]
Në vitet 1980', Benfica vazhdoi të kishte sukses në Portugali.[34] Në sezonin 1980–81 me trajner Lajos Baróti, Benfica u bë klubi i parë portugez që fiton të tre trofetë vendor në një sezon: Supertaça de Portugal, Primeira Liga dhe Taça de Portugal. Pas kësaj, me suedezin Sven-Göran Eriksson, Benfica fitoi edhe dy kampionate të tjera (1982–83, '83–84) dhe një kupë (1983). Ata gjithashtu arritën finalen e Kupës UEFA në vitin 1983, por u mposhtën nga Anderlecht.[10] Pasi stadiumi Estádio da Luz j'u nënshtrua një rinovimi, klubi hapi një tribunë të tretë në vitin 1985, duke e bërë stadiumin më të madh në Evropë dhe të tretin më të madh në botë.[35] Në atë vit, ata fituan superkupën kurse një vit më pas fituan edhe kupën. Më pas, nga viti 1988 e deri në vitin 1994, Benfica fitoi tre kampionate (1988–89, '90–91, '93–94), një kupë (1993) dhe një superkupë (1989); ata gjithashtu arritën finen e Kupës Evropiane në vitet 1988 dhe 1990, duke u mposhtur respektivisht nga PSV Eindhoven dhe Milan.[10]
Problemet financiare në fillim të viteve 1980[36] dhe një investim i madh te lojtarët gjatë asaj dekade rëndoi financat e klubit nën drejtimin e Jorge de Brito si president.[37][38] Shpenzimet e shumta dhe blerjet jo shumë të suksesshme (mbi 100 lojtarë u blenë gjatë periudhës së Manuel Damásio)[39] e acaruan më shumë problemin.[40][41] Pas kësaj, me João Vale e Azevedo si president, Benfica hyri në borxh dhe në disa raste nuk kishte mundësi të paguante taksat dhe rrogat e lojtarëve.[42][43][44] Nga viti 1994 e deri në vitin 2004,[14] Benfica ndërroi 11 trajnerë. Gjatë kësaj periudhe, ata fituan kupën në sezonin 1995–96, pësuan humbjen më të madhe në kompeticionet evropiane (7–0 kundër Celta Vigos) në vitin 1999,[45] arritën rezultatin më të keq në histori në një kampionat (vendi i 6të në sezonin 2000–01) si dhe nuk morën pjesë në kompeticionet evropiane në dy vite rresht.[10] Në vitin 2000, drejtuesit e klubit miratuan ndërtimin e Estádio da Luzit të ri pak kohë pas emërimit të Manuel Vilarinho si president.
Në sezonin 2003–04, me Luís Filipe Vieira si president, Benfica i dha fund pritjes për trofe, duke fituar kupën. Ata mposhtën në finale Porton e drejtuar nga José Mourinho.[46] Në sezonin e ardhshëm, ata fituan kampionatin e parë që nga viti 1994,[47] si dhe superkupën.[48] Ata më pas pritën deri në vitin 2009 për të fituar kupën e ligës (Taça da Liga), duke u bërë klubi i parë që i fitonte të gjitha trofetë në Portugali. Në sezonin 2007–08, ata nuk kishin fituar asnjë trofe dhe ishin renditur të katërtit në kampionat. Në Evropë, Benfica mori pjesë në fazën e grupeve të UEFA Ligës së Kampioneve në tre edicione rresht, duke arritur çerek-finalen në sezonin 2004–05 ku ata u eliminuan nga Liverpooli me rezultatin e përgjithshëm 3–0.[49][50]
Në sezonin 2009–10, klubi emëroi Jorge Jesus si trajnerin e ri.[51] Ai do t'a mbante këtë pozicion deri në vitin 2015. Gjatë gjashtë viteve të qëndrimit të tij në klub, Benfica fitoi dhjetë trofe vendor,[52] përfshirë një tripletë historike në sezonin 2013–14 (kampionat, kupë dhe kupa e ligës)[53] dhe dy kampionate rresht, gjë që nuk ndodhte që nga viti 1984.[54][55] Në Evropë, Benfica renditej e gjashta në ranglistën e UEFAs në vitin 2015.[56] Në sezonin 2010–11, ata arritën në gjysëm-finalen e Ligës së Evropës; kjo ishte gjysëm-finalja e parë në një kompeticion evropian pas 17 vitesh.[57] Pas kësaj, ata arritën çerek-finalen në Ligën e Kampioneve në sezonin 2011–12[58] dhe dy finale rresht në Ligën e Evropës në vitet 2013 dhe 2014.[59][60]
Pas largimit të Jesus, Rui Vitória u emërua trajneri i ri i ekipit. Ai udhëhoqi klubin drejt titullit të katërt rresht kampion në Portugali,[61] një arritje kjo për herë të parë në histori. Përveç kampionatit, ai fitoi edhe një kupë,[5] një kupë lige[62] dhe dy superkupa rresht;[63] me fitimin e kampionatit, kupës dhe superkupës në vitin 2017, Benfica përsëriti tripletën e arritur 36 vite më parë.[64] Në Evropë, një vit pasi ata e kishin arritur fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve rresht,[65] Benfica pësoi humbjen më të rëndë në histori në këtë kompeticion, duke u mposhtur 5–0 nga Baseli. Në atë sezon, Benfica i humbi të gjitha ndeshjet në fazën e grupeve, duke vendosur rekordin më negativ të një klubi portugez.[66]
Stema e Benficës përbëhet nga një shqipojnë, e cila është simboli i pavarësisë, autoritetit dhe shquarsisë. Shqiponja është pozicionuar sipër një mburoje me ngjyrat e bardhë dhe të kuqe, të cilat respektivisht simbolizojnë paqen dhe trimërinë; motoja "E pluribus unum" (Nga shumë, një) përkufizon bashkimin e të gjithë anëtarëve. Inicialet e klubit SLB, ndodhen pjerrtazi një topi futbolli brënda mburojës. Mburoja është brënda një gome biçiklete e cila përfaqëson një nga sportet e para të klubit, çiklizmin.[9][67]
Klubi ka pasur katër stema të ndryshme që nga krijimi në vitin 1904. Origjina e stemës aktuale daton që nga viti 1908, kur Sport Lisboa u bashkua me Grupo Sport Benfica. Pas kësaj, forma e stemës u ndryshua në vitin 1930 dhe 1999. Ndryshimet më të rëndësishme dhe të fundit janë ndryshimi i pozicionit të shqiponjës dhe zvogëlimi i madhësisë së gomës së biçikletës.[68]
Që nga sezoni 2008–09, fanella e Benficës ka shfalosur stemën me tre yje në krye të saj; çdo yll përfaqëson dhjetë kampionate të fituar nga klubi. Megjithatë, në sezonet 2010–11 dhe 2011–12, fanella shfaqi një stemë përkujtimore respektivisht me një dhe dy yje. Këto yje përkujtonin 50 vjetorin e suksesit të parë dhe të dytë në Kupën Evropiane. Ekipet e sporteve të tjera të Benficës nuk i shfaqin yjet në krye të stemës në fanellë.[69][70]
José da Cruz Viegas ishte përgjegjës për përzgjedhjen e fanellës së Benficës në vitin 1904. Ai zgjodhi ngjyrat e bardha të kuqe pasi dukeshin më mirë në syrin e lojtarëve. Një vit më pas, klubi vendosi që fanella të ishte e kuqe dhe me kollare të bardhë, mëngë, e cila do të kombinohej me të shkurtra të bardha dhe çorape të zeza.[71]
Fanella e dytë e Benficës u përdor zyrtarisht për herë të parë në sezonin 1944–45. Kjo ndodhi për shkak se S.C. Salgueiros, e cila luante gjithashtu me uniforma të kuqe, u ngjit në Primeira Liga.[72]
Benfica gjithnjë ka veshur fanella të kuqe; për këtë arsye, në Portugali, Benfica dhe tifozët e tyre (benfiquistas) njihen me pseudonimin "Vermelhos" (të kuqtë). Kjo ndryshoi në vitin 1936 me nisjen e Luftës civile spanjolle; komisioni portugez i censurimit të Estado Novo ndaloi përdorimin e fjalës "vermelhos", kjo për shkak se komunistët e fronit popullor në Spanjë njiheshin me të njëjtin emër. Që nga ajo kohë, Benfica u bë e njohur me pseudonimin "Encarnados", një fjalë e ngjashme me "të kuqtë", por me një konotacion të ndryshëm.[73]
Periudha | Prodhuesi | Sponsori kryesor[74] |
---|---|---|
1977–1984 | Adidas[75][76] | — |
1984–1987 | Shell | |
1987–1990 | FNAC | |
1990–1992 | Hummel[76][77] | |
1992–1994 | Casino Estoril | |
1994–1996 | Olympic[77] | Parmalat |
1996–1997 | Telecel | |
1997–2000 | Adidas[78] | |
2000–2001 | Netc | |
2001–2005 | Telecel/Vodafone | |
2005–2009 | PT/TMN | |
2010–2011 | TMN/MEO | |
2012–2015 | MEO | |
2015–vazhdon | Emirates |
Në vitin 2008, Benfica lançoi rrjetin e saj televiziv të orientuar drejt sportit, Benfica TV (shkurt BTV). BTV është kanali i parë nga një klub portugez dhe Benfica e ka operuar që atëherë.[79][80][81] Kanali i tij premium transmeton ndeshjet e drejtpërdrejta të Benficës si pritës në Primeira Liga, ndeshjet si pritës të ekipit B në LigaPro,[82] ndeshjet e ekipeve nën 19 vjeç në shtëpi dhe ndeshjet e tjera sportive të klubit, duke përfshirë kategoritë e të rinjve.[83] Deri në vitin 2016, ajo transmetoi tre sezone të Premier Ligës,[84] dhe një sezon të Serie A dhe Ligue 1.[85] Në janar 2020, Benfica lançoi Benfica Play (shkurt BPlay), një shërbim mediatik më i lartë që përmban ekskluzivitet përmbajtje të tilla si intervista me lojtarë aktualë dhe ish-lojtarë të Benficës dhe video nga prapaskenat nga ditët e ndeshjeve dhe seancave stërvitore.[86][87]
Për më tepër, klubi boton gazetën javore "O Benfica" çdo të premte që nga 28 nëntori 1942. Gazeta përmban informacione për gjithçka mbi klubi në formën e lajmeve dhe artikujve (kryesisht të parët). Deri në vitin 2005, ai kishte një tirazh afër 10,000.[88][89] Benfica boton gjithashtu revistën tremujore "Mística" që nga 6 dhjetori 2007. Ajo është pa pagesë për anëtarët e Benficës;[90] gazeta përfshin intervista me lojtarët dhe personelin e klubit, raporte rreth historisë së klubit dhe ngjarjeve të fundit, lajme, opinione, përmbledhje të sporteve të klubit, me futbollin që është fokusi kryesor dhe një seksion i dedikuar anëtarëve të klubit.[91] Numri 33 kishte një tirazh prej 115,602 në Portugali.[92] "O Benfica Ilustrado" ishte ish-revista e klubit; u lançua më 1 tetor 1957 si një suplement mujor i gazetës "O Benfica".[93]
Museu Benfica – Cosme Damião, i vendosur pranë stadiumit, u përurua më 26 korrik 2013 dhe u hap për publikun tre ditë më vonë.[94] I emëruar në nder të Cosme Dasmião, një nga themeluesit e klubit, muzeu u konsiderua Muzeu më i mirë portugez i vitit 2014 nga Shoqata Portugeze e Muzeologjisë.[95][96]
Benfica luajti më së shumti në fusha ne qera gjatë dekadave të para të ekziztencës. Stadiumi i tyre i parë ishte Estádio das Amoreiras, e cila u ndërtua dhe u hap në vitin 1925. Ata luajtën në këtë stadium deri në vitin 1940. Një vit më pas, ata kaluan te Estádio do Campo Grande, një fushë që j'a kishin marrë me qera bashkisë. Trembëdhjetë vite më pas, ata u zhvendosën në stadiumin e tyre të dytë.[11][17]
Nga viti 1954 e deri në 2003, Benfica luajti në Estádio da Luz në Lisbonë. Stadiumi kishte kapacitet 120,000, dhe në vitet 1985–1987 ishte stadiumi më i madh në Evropë dhe i treti më i madh në botë.[35][97] Estádio da Luz u prish në vitet 2002 dhe 2003, kurse Estádio da Luz i ri u përurua në fund të vitit 2003; vlera e ndërtimit të stadiumit të ri ishte 163 milion €, 25 milion më shumë nga se ishte planifikuar.[98]
Ashtu si stadiumi i parë, stadiumi i ri u emërua me emrin zyrtar Estádio do Sport Lisboa e Benfica. Bën pjesën në kategorinë e katërt të UEFAs,[99][100] dhe ka mbajtur disa ndeshje të UEFA Euro 2004, përfshirë finalen. Aty gjithashtu janë zhvilluar finalet e viteve 2014 dhe 2020 të UEFA Ligës së Kampioneve.[101][102] Stadiumi u ndërtua me 65,647 ulëse,[103][104] kurse aktualisht ka 64,642.[105]
Fusha stërvitore dhe akademia e të rinjëve, Benfica Campus, ndodhet në Seixal të Lisbonës. Ndërtimi i saj filloi në vitin 2005 dhe fusha u përurua më 22 shtator 2006.[106]
Tifozët e Benficës njihen si benfiquistas. Ata këndojnë himnin e klubit para fillimit të çdo ndeshje dhe ndonjëherë edhe gjatë ndeshjes.[107] Ata e quajnë klubin O Glorioso (E lavdishmja) si dhe këndojnë edhe korin "Glorioso SLB".[1][108] Në disa vende, që nga viti 1952, Benfica ka pasur klube tifozësh të njohura si Casas do Benfica (shtëpitë e Benficës), vende për ndërveprim kulturor, social dhe sportiv midis benfiquistas.[109][110] Në vitet e fundit, benfiquistas i kanë festuar trofetë e klubit sëbashku me ekipin në Sheshin Marquis of Pombal të Lisbonës.[111][112]
Benfica është klubi më popullor në Portugali[113] dhe është parë gjithmonë si klubi i klasës punëtore të Portugalisë.[114] Sipas një studimi të botuar në vitin 2006 nga profesorët Luís Reto dhe Jorge de Sá, me vulën e miratimit nga Instituto Nacional de Estatística dhe Secretaria de Estado das Comunidades, Benfica ka afërsisht 14 milion tifozë në mbarë botën: mbi 5,5 milion në Evropë (4,7 në Portugali); mbi 6 milionë në Mozambik (3.8) dhe Angola (2.7); mbi 1 milion në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada; dhe pjesa tjetër në Brazil, Venezuelë, Karaibe, Indokinë, Kinë, Australi dhe Indi.[1][2][3] Sipas një studimi të kryer nga UEFA në vitin 2012, Benfica është klubi evropian me përqindjen më të lartë të tifozëve të futbollit në vendin e saj (47%).[113]
Në sezonin 2016–17, Benfica kishte një mesatare të pjesëmarrjes së tifozëve në shtëpi prej 55,952 në ligën portugeze;[115] kjo është rekordi aktual në Estádio da Luz.[116] Ishte gjithashtu mesatarja më e lartë e kompeticionit dhe e 9-ta më e larta mes klubeve të tjera evropiane. Rekordi më i lartë i pjesëmarrjes në shtëpi u thye gjithashtu – 64,519 spektatorë panë fitoren 5–0 të Benficës ndaj Vitória de Guimarães në ndeshjen e fundit të sezonit në Da Luz.[117]
Së bashku me shtëpitë, filiacionet dhe delegacionet e Benficës, anëtarët e klubit, të cilët quhen sócios, zgjedhin presidentin e klubit për një mandat katërvjeçar (tre vjet deri në vitin 2010)[118][119][120] duke votuar në secilën listë të kandidatëve, duke formuar kështu organin më të lartë drejtues të klubit. Anëtarët e Benficës gjithashtu mund të marrin pjesë dhe të votojnë në asambletë e përgjithshme, të paraqesin propozime, të marrin pjesë në diskutime, të zgjidhen në organet drejtuese, të caktohen për poste ose funksione në klub, e kështu me radhë.[9]
Në vitin 2003, klubi vendosi votimin elektronik[121] – një metodë votimi që është kritikuar nga anëtarët e Benficës, duke përfshirë kandidatët presidencialë dhe të jashtëmit[122][123][124] – dhe që nga viti 2010 vetëm njerëz me 25 vjet anëtarësim të vazhdueshëm si të rritur — d.m.th anëtarë efektivë të moshës së paku 43 vjeç – mund të kandidojë për president të klubit.[119][120] Për më tepër, sipas statutit aktual të klubit, të miratuar nga pak më shumë se 100 sócios,[120] çdo anëtar ka të drejtë për një ose më shumë vota në varësi të viteve të anëtarësimit: mbi 1 dhe deri në 5 vjet, 1 votë; mbi 5 dhe deri në 10, 5 vota; mbi 10 dhe deri në 25, 20 vota; mbi 25 si anëtar efektiv, 50 vota. Përveç kësaj, një delegat mund të votojë gjithashtu: kur përfaqëson një shtëpi të Benficës, 50 vota; një filiacion ose një delegacion, 20 vota.[118]
Më 9 nëntor 2006, Benfica vendosi Rekordin Botëror Guinness për "klubin e futbollit më të mbështetur gjerësisht", me 160,398 anëtarë të paguar.[125] Në vitin 2014, sipas një studimi nga Movimento Por Um Futebol Melhor, Benfica kishte 270,000 anëtarë dhe ishte klubi më i madh në botë për sa i përket anëtarësimit.[126][127] Më 31 mars 2015, Benfica raportoi se kishte 246,401 anëtarë;[128] megjithatë, pas një rinumërimi të planifikuar nga klubi në gusht të atij viti, numri u ul në 156,916.[129] Deri më 9 tetor 2021, Benfica kishte mbi 250,000 anëtarë, nga të cilët 115,681 kishin të drejtë të votonin në zgjedhjet e klubit atë ditë.[130]
Benfica ka rivalitet me Sporting CP dhe FC Porton. Këto klube formojnë "Tre të mëdhajat" dhe janë klubet më të suksesshme dhe të dekoruara në Portugali. Asnjëra nuk ka rënë nga kategoria që nga themelimi i Primeira Ligës në vitin 1934.[131][132]
Benfica dhe Sporting kanë një rivalitet mbi 100-vjeçar të vjetër, kjo për shkak se të dyja klubet ndodhen në Lisbonë. Rivaliteti nisi në vitin 1907, kur shtatë lojtarë të Benficës kaluan te Sporting.[114] Ndeshja midis të dy klubeve quhet dérbi de Lisboa ("Derbi i Lisbonës"), dérbi eterno ("derbi i përjetshëm"), dérbi da Segunda Circular, dhe dérbi dos dérbis ("derbi i derbeve").[133] Derbi shihet në Evropë, Afrikë dhe Amerikë, dhe konsiderohet si ndeshja më e rëndësishme e futbollit portugez.[114]
Rivaliteti i Benficës me Porton daton që më 28 prill 1912, kur dy ekipet luajtën ndeshjen e parë miqësore. Lisbona dhe Porto janë dy qytetet më të mëdha në Portugali, gjë që shton më shumë rivalitetin. Benfica dhe Porto janë ekipet me më shumë trofe në Portugali, me këtë të fundit që ka pasur historikisht më shumë.[34] Ndeshja midis tyre quhet O Clássico (Klasikja) dhe konsiderohet si një nga më të rëndësishmet në futbollin portugez.[134]
Nené është lojtari me më shumë ndeshje të luajtura si lojtari i Benficës. Ai luajti 575 ndeshje nga viti 1968 e deri në vitin 1986.[135] Eusébio është golashënuesi më i mirë në historinë e klubit,[136] me 473 gola në 440 ndeshje zyrtare.[137] Ai është gjithashtu lojtari me më shumë gola në kompeticionet evropiane të UEFAs, me 56 të tillë.[45] Mbrojtësi brazilian Luisão mban disa rekorde si lojtar i Benficës: ai është lojtari me më shumë trofe të fituar (20), më shumë ndeshje të luajtura si kapiten dhe më shumë ndeshje të luajtura në kompeticionet evropiane.[45][138]
Cosme Damião është trajneri që ka shërbyer më gjatë në klub, me plot 18 vite.[139] Otto Glória ishte trajneri që kishte fituar më shumë kampionate (4) dhe trofe gjithsej (9), para se kupa e ligës të krijohej.[140][141] Jorge Jesus është trajneri me më shumë trofe të fituar (10); ai ka fituar 3 kampionate, 1 kupë, 5 kupa lige dhe 1 superkupë.[142] Rui Vitória është trajneri me përqindjen më të madhe të fitoreve në kampionat me të paktën 34 ndeshje të luajtura (85.29%).[143]
Benfica u bë ekipi i parë në futbollin portugez që mbyll dy sezone pa asnjë humbje: ata e arritën këtë gjë respektivisht në sezonet 1972–73 dhe 1977–78.[144] Në sezonin e parë, ata fituan kampionatin si dhe vendosën dy rekorde: 58 pikë në 30 ndeshje, duke marrë 96.7% të pikëve të mundshme, si dhe diferenca më e madhe në pikë midis fituesit dhe vendit të dytë (18 pikë; në atë kohë fitorja shpërbleheshe me dy pikë).[145] Në sezonin 2015–16, Benfica mblodhi 88 pikë në 34 ndeshje, duke vendosur një rekord të ri që nga koha që liga ka 18 ekipe.[146][147]
Në Evropë, Benfica mban rekordin për numrin e fitoreve rresht në kampionat (29), e arritur midis sezoneve 1971–72 dhe 1972–73.[148] Benfica gjithashtu mbajti rekordin për ndeshjet pa humbje në të gjitha kompeticionet – me 48 ndeshje – e arritur nga dhjetori 1963 deri më 14 shkurt 1965. Tashmë ky rekord qëndron në vendin e tretë.[149]
Në Kupën Evropiane 1965–66, Benfica i shënoi 18 gola në dy ndeshje ekipit luksemburgas Stade Dudelange, duke vendosur rekordin për diferencën më të madhe të golave në rezultatin e përgjithshëm në Kupën Evropiane.[150] Kjo ishte gjithashtu edhe fitorja më e madhe e Benficës në kompeticionet evropiane.[45] Në UEFA Ligën e Evropës, Benfica u bë klubi i parë në historinë e kompeticionit që arrin dy finale rresht, duke u mposhtur në të dyja rastet.[151] Deri në sezonin 2021–22, Benfica ka 41 pjesëmarrje në Kupën Evropiane/UEFA Ligën e Kampioneve dhe 21 pjesëmarrje në Kupën UEFA/UEFA Ligën e Evropës. Ata gjithashtu kanë 7 pjesëmarrje në Kupën UEFA të fituesve të kupës dhe 2 pjesëmarrje në Kupën Ndërkontinentale.[45] Deri në tetor 2017, Benfica ishte klubi i pestë me më shumë gola në kompeticionet evropiane 655 gola në 405 ndeshje (1.62 gola për ndeshje).[152]
Benfica ka fituar Primeira Ligën plot 37 herë, një rekord kombëtar.[153] Ata gjithashtu kanë fituar 26 herë Taça de Portugal (një rekord, përfshirë edhe katër vite rresht, gjithashtu një rekord),[154] 8 herë Supertaça Cândido de Oliveira dhe 3 herë Campeonato de Portugal (përfshirë dy herë rresht, një rekord). Ata gjithsej kanë fituar 81 trofe vendor dhe dy trofe evropian. Kjo gjë e bën Benficës klubin më të titulluar të Portugalisë.[4][155][156][a]
Në vitin 2014, Benfica arriti tripletën e parë duke fituar Primeira Ligën, Taça de Portugal dhe Taça da Ligën.[158][159] Benfica ishte klubi i parë që arriti të fitonte Primeira Ligën dhe Taça da Ligën në një sezon; ata e kanë arritur këtë gjë katër herë gjithsej. Benfica është klubi i vetëm në Portugali që ka mbrojtur me sukses të gjithë titujt e futbollit portugez (Campeonato de Portugal, Primeira Liga, Taça de Portugal, Supertaça Cândido de Oliveira dhe Taça da Liga). Përveç kësaj, ata janë klubi i vetëm që kanë fituar dy Kupa Evropiane rresht.
Tipi | Kompeticioni | Tituj | Sezone |
---|---|---|---|
Vendor | Primeira Liga | 37 | 1935–36, 1936–37, 1937–38, 1941–42, 1942–43, 1944–45, 1949–50, 1954–55, 1956–57, 1959–60, 1960–61, 1962–63, 1963–64, 1964–65, 1966–67, 1967–68, 1968–69, 1970–71, 1971–72, 1972–73, 1974–75, 1975–76, 1976–77, 1980–81, 1982–83, 1983–84, 1986–87, 1988–89, 1990–91, 1993–94, 2004–05, 2009–10, 2013–14, 2014–15, 2015–16, 2016–17, 2018–19 |
Taça de Portugal | 26 | 1939–40, 1942–43, 1943–44, 1948–49, 1950–51, 1951–52, 1952–53, 1954–55, 1956–57, 1958–59, 1961–62, 1963–64, 1968–69, 1969–70, 1971–72, 1979–80, 1980–81, 1982–83, 1984–85, 1985–86, 1986–87, 1992–93, 1995–96, 2003–04, 2013–14, 2016–17 | |
Taça da Liga | 7 | 2008–09, 2009–10, 2010–11, 2011–12, 2013–14, 2014–15, 2015–16 | |
Supertaça Cândido de Oliveira | 8 | 1980, 1985, 1989, 2005, 2014, 2016, 2017, 2019 | |
Campeonato de Portugal | 3 | 1929–30, 1930–31, 1934–35 | |
Kontinental | Kupa Evropiane | 2 | 1960–61, 1961–62 |
Kupa Latine | 1 | 1950 |
|
|
|
Nr. | Lojtari | Pozicioni | Debutimi me Benficën | Ndeshja e fundit |
---|---|---|---|---|
29 | Miklós Fehér | Sulmues | 24 gusht 2002 | 25 janar 2004 |
Më 27 janar 2004, Benfica tërhoqi fanellën me numër 29 në nder të sulmuesit hungarez Miklós Fehér, i cili kishte ndërruar jetë dy ditë parë duke luajtur me ekipin.[171][172]
Pozicioni | Emri |
---|---|
Presidenti | Rui Costa |
Zëvendës-president | Luís Mendes Jaime Antunes Domingos Almeida Lima Fernando Tavares Sílvio Cervan Manuel Brito Rui do Passo (zëvëndësues) José Gandarez (zëvëndësues) |
Presidenti i asamblesë së përgjithshme | Fernando Seara |
Presidenti mbikqyrës | Fernando Fonseca Santos |
Burimi: [173]
Pozicioni | Emri |
---|---|
Trajneri | Roger Schmidt |
Ndihmës-trajner | Jörn-Erik Wolf Jens Wissing Yann-Benjamin Kugel Javi García |
Trajneri i portierëve | Fernando Ferreira |
Analizat dhe vëzhgimet | Nuno Cesário Rúben Soares |
Burimi: [174]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.