From Wikipedia, the free encyclopedia
Arkitektura Hojsala është stili i ndërtimit të zhvilluar nën sundimin e perandorisë Hoysala midis shekujve të XI dhe të XIV, në rajonin e Karnatakas së sotme. Stili arkitekturor Hojsala është i rrjedhur nga Stili Çalukja perëndimore, që ishte popullor në shekujt e X dhe të XI.[1][2] Është në mënyrë të dallueshme dravidian dhe për shkak të veçorive të saj unike, Arkitektura Hojsala cilësohet si një stil i pavarur.[3] Skulptura Hoysala me të gjithë pasurinë e saj është thënë se përbën një sfidë ndaj fotografisë.[4] Arti i perandorisë Hoysala në gurë ka qenë krahasuar me finesën e një punimi fildishi ose argjendarie. Tepria e argjendarisë të mbajtur nga figurat skulpturore dhe larmia e stileve të flokëve dhe kurorave të paraqitura japin një ide të mirë të stilit të jetesës në periudhën Hojsala.
Ndikimi Hojsala e arriti kulmin në shekullin e XIII, kur dominonte rajonin jugor të rrafshirës së Dekanit. Tempuj të mëdhenj dhe të vegjël të ndërtuar gjatë kësaj periudhe mbeten si shembuj të stilit arkitekturor Hoysala, që përfshin Tempullin Çenakesava në Belur, Tempullin Hojsalesvara në Halebidu dhe Tempullin Kesava në Somanathapura.[5][6] Shembuj të tjerë të mjeshtrisë Hojsala janë tempujt në Belavadi, Amruthapura, Hosaholalu, Mosale, Arasikere, Basaralu, Kikeri dhe Nugehalli.[5][6][7] Studimi i stilit arkitekturor Hojsala ka treguar një ndikim të parëndësishëm indo-arjan ndërsa ndikimi i stilit indiano-jugor është më i rëndësishëm.[8]
Tempujt e ndërtuar para pavarësisë Hoysala në mes të shekullit të XII pasqyrojnë ndikime të rëndësishme Kalyani Chalukya, ndërsa tempujt e mëvonshëm mbajnë disa veçori të rëndësishme të artit chalukyan por kanë risi shtesë dekoruese dhe zbukuruese, veçori unike të artizanëve Hojsala. Në Karnatakan moderne njihen rreth treqind tempuj të mbijetuar dhe shumë më tepër janë të përmendur në mbishkrime, megjithëse vetëm rreth shtatëdhjetë janë dokumentuar. Përqëndrimi më i madh i këtyre tempujve është një distriktet Malnad, atdheu i mbretërve Hojsala.[9]
Tradita Karnata Dravida që mbulon një periudhë prej rreth shtatë shekujsh fillon në shekullin e VII në patronazhin e Dinastisë Chalukya të Badamit, e zhvilluar më tej nën sundimin e Dinastisë Rashtrakuta të Manjakhetas gjatë shekujve të IX dhe të X dhe perandorinë Kaljani Chalukya (ose Dinastia e Vonë Chalukya) e Basavakaljanit në shekujt e XI dhe të XII. Faza e saj përfundimtare e zhvillimit dhe transformimi në një stil të pavarur ishte gjatë sundimit të Dinastisë Hojsala në shekujt e XII dhe të XIII.[10] Mbishkrimet e shquara mesjetare të shfaqura në tempuj japin informacione rreth dhurimeve të bëra për mirëmbajtjen e tempujve, detaje të shenjtërimit dhe me raste edhe detaje arkitekturore.[11]
Hinduizmi është një kombinim i besimeve laike dhe të shenjta, ritualeve, praktikave të përditshme dhe traditave që kanë evoluar përgjatë dy mijë vjetëve dhe përfshijën një simbolizëm kompleks që kombinon botën natyrore me filozofinë.
Tempujt hindu nisën si faltore të thjeshta që bujtnin një hyjni dhe me kalimin e kohës gjatë Dinastisë Hojsala evoluan në ndërtesa të mirë-artikuluara në të cilat adhuruesit kërkonin transhendenten në botën e përditshme. Tempujt Hojsala nuk ishin të kufizuar në ndonjë traditë të veçantë të organizuar të Hinduizmit dhe i inkurajonte pelegrinët e lëvizjeve të ndryshme hindu. Dinastia Hojsala zakonisht ia kushtoi tempujt e saj Shivas ose Vishnus (dy nga hyjnitë popullore hindu), por me raste ata ndërtuan po ashtu edhe tempuj për besimin xhainist. Adhuruesit e Shivës janë quajtur shaivitë ndërsa adhuruesit e Vishnut janë quajtur vaishnavitë.[12][13] Ndërsa mbreti Vishnuvardhana dhe pasardhësit e tij ishin adhurues vaishnavit,[14] të dhënat tregojnë se Dinastia Hojsala e ruajti harmoninë fetare duke ndërtuar po aq tempuj kushtuar Shivës sa dhe Vishnut.[15] Shumica e këtyre tempujve kanë veçori laike me tema të gjera që shfaqen në skulpturat e tyre. Kjo mund të shihet në Tempullin e famshëm Çenakesava në Belur, kushtuar Vishnut dhe në Tempullin Hojsaleshvara në Halebidu kushtuar Shivës. Tempulli Kesava në Somanathapura është i ndryshëm në zbukurimet e tij ngushtësisht vaishnavite.[16] Përgjithësisht tempujt vaishnavitë i janë kushtuar Keshavas (ose Çenakeshavas, që do të thotë "Vishnu i bukur") ndërsa një numër i vogël i janë kushtuar Lakshminarajanas dhe Lakshminarasimhas (Narajana dhe Narasimha janë të dy avatarë, ose mishërime të Vishnut) me Lakshmin, bashkëshorten e Vishnut, të ulur në këmbët e tij. Tempujt kushtuar Vishnut janë gjithmonë të emërtuar sipas emrit të manifestimit hyjnor.
Tempujt e shaivizmit kanë një Shiva linga, simbol i pjellorisë i Shivës, në faltore. Emrat e tempujve të Shivës mund të mbarojnë me mbaresën eshvara që do të thotë "zoti i". Emri "Hojsalesvara", për shembull, do të thotë "zoti i Hojsalas". Tempulli mund të emërtohet gjithashtu sipas besimtarit që financon ndërtimin e tempullit, një shembull i këtij rasti është Tempulli Buçesvara në Koravangala, i emërtuar sipas besimtarit Buçi.[17] Dekorimet skulpturore më befasuese janë rreshtat horizontalë me relieve të detajuara dhe imazhe të rafinuara të hyjnive dhe ndihmësve të tyre në panelet e jashtme të mureve të tempullit.[18]
Tempulli i Lakshmi Devit ("hyjnesha e pasurisë") në Dodagadavalli është një përjashtim pasi nuk i është kushtuar as Shivës as Vishnut. Mundja e Dinastisë xhainiste Perëndimore Ganga (në jugun e Karnatakas së sotme) nga Dinastia Chola në fillim të shekullit të XI dhe numri në rritje i ndjekësve të hinduizmit vaishnavit dhe Virashaivizmit në shekullin e XII u pasqyrua nga një interes i zvogëluar kundrejt Xhainizmit.[19] Megjithatë, dy vende të shquara të adhurimit xhainist në territorin Hojsala ishin Shravanabelagola dhe Kambadahalli. Dinastia Hojsala ndërtoi tempuj xhainistë për të kënaqur nevojat e popullsisë së saj xhainiste, pak nga të cilët kanë mbijetuar në Halebidu që përmbajnë ikona të tirthankarave (shenjtë të hyjnizuar) xhainistë. Ata ndërtuan puse të shkallëzuar të quajtur Pushkarni ose Kaljani, ujëmbledhësi tempullor i zbukuruar në Hulikere është një shembull i tillë. Ujëmbledhësi ka dymbëdhjetë faltore dytësore që paraqesin hyjni hindu.[20]
Dy hyjnitë kryesore të gjendura në skulpturat Hojsala janë Shiva dhe Vishnu në format dhe avatarët (mishërimet) e tyre të ndryshme. Shiva zakonisht është i paraqitur me katër krahë duke mbajtur një trident dhe një tambur të vogël midis emblemave të tjera që simbolizojnë objekte të adhuruara në mënyrë të pavarur të imazheve hyjnore me të cilët ata janë të asociuar.[21] Çdo ikonë mashkullore e portretizuar në këtë mënyrë është Shiva megjithëse ndonjëherë e portretizuar me këto atribute është edhe bashkëshortja e Shivës, Parvati. Ekzistojnë portretizime të larmishme të Shivës: duke e shfaqur atë të zhveshur (plotësisht ose pjesërisht), duke vrarë një demon (Andhaka) ose duke kërcyer mbi kokën e një elefanti të vrarë (Gaxhasura) etj. Shpesh është i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Parvati ose i shfaqur me demin Nandi. Ai mund të portretizohet edhe si Bhairava, një tjetër nga shumë mishërimet e Shivës.[21]
Një figurë mashkullore e treguar duke mbajtur disa objekte si një guackë (simbol i përjetësisë, hapësirës qiellore) dhe një rrotë (koha e përjetshme dhe fuqia shkatërruese) është Vishnu. Nëse një figurë femërore është shfaqur duke mbajtur këto objekte, ajo është bashkëshortja e tij, Lakshmi. Në të gjitha paraqitjet Vishnu është duke mbajtur katër objekte: një guackë, një rrotë, një zambak dhe një çomangë. Këto mund të mbahen në ndonjë nga ikonat e duarve, duke bërë të mundur njëzet e katër forma të ndryshme të Vishnut, secila me një emër unik.[22] Përveç këtyre, Vishnu është treguar edhe në ndonjë nga dhjetë avatarët e tij, që përfshijnë Vishnun të ulur mbi Ananthan (gjarpëri qiellor dhe mbajtësi i energjisë jetësore i njohur edhe si Shesha), Vishnu me Lakshmin të ulur në prehërin e tij (Lakshminarajana), me kokën e një luani duke shkyer një demon (Lakshminarasimha), me kokën e një derri të egër duke ecur mbi një demon (Varaha), në avatarin Krishna (si Venugopala ose lopçari duke i rënë venus (fyellit), duke kërcyer mbi kokën e gjarpërit Kalija, duke ngritur një kodër si Govardhana), me këmbët e tij mbi kokën e një figure të vogël (Vamana), bashkë me Indran të hipur mbi një elefant, me Lakshmin të hipur mbi Garudan dhe shqiponjë (duke vjedhur pemën parijata).[22]
Fokusi i një tempulli është qendra ose shenjtërorja (garbhagriha) ku qëndron imazhi i hyjnisë, kështu që arkitektura e tempullit është dizajnuar që besimtarët të ecin nga jashtë deri te garbhagriha nëpërmjet kalimeve ambulatore dhe salloneve ose dhomave (mandapave) që u bënë gjithmonë e më shumë të shenjta me afrimin e hyjnisë.
Tempujt Hoysala kanë pjesë të veçanta që janë bashkuar për formuar një tërësi organike të unifikuar, në ndryshim nga tempujt rajonit Tamil Nadu ku pjesët e ndryshme të një tempulli qëndrojnë të pavarura.[23] Megjithëse sipërfaqësisht unikë, tempujt Hoysala i ngjajnë njëri-tjetrit strukturalisht. Ata janë të karakterizuar nga një mori dekorimesh komplekse skulpturore të skalitura me gurin e butë të steatitit, një material i mirë për skalitje të rafinuara, të realizuara kryesisht nga artizanët vendorë dhe shfaqin veçori arkitekturore që i dallojnë ata nga arkitekturat e tjera tempullore të Indisë së Jugut.[24]
Shumica e tempujve Hojsala kanë një hyrje të thjeshtë verande të mbajtur nga kolona rrotullake ose në formë kambane që ndonjëherë ishin të skalitura më tej me hulli të thella dhe modanatura me motive dekoruese. Tempujt mund të jenë të ndërtuar mbi një platformë të ngritur rreth një metër të quajtur "jagati". Jagati, përveç se i jep një pamje të ngritur tempullit, shërben si një pradakshina-patha (ose "kalim cirkumambulacioni") për të ecur përreth tempullit, pasi Garbhagriha (Latin: Sanctum sanctorum) nuk e ofron një mundësi të tillë.[25] Tempuj të tillë do të kenë një set shtesë shkallësh që të çojnë në një mandapa të hapur (sallon i hapur) me mure parapete. Një shembull i mirë i këtij stili është Tempulli Kesava në Somanathapura. Xhagati që është një unitet me pjesën tjetër të tempullit[26] ndjek një dizajn në formë ylli dhe muret e tempullit ndjekin një model zig-zagesh, një risi Hojsala.[27]
Besimtarët mund të kryejnë fillimisht një ecje përreth rituale mbi xhagati duke filluar nga hyrja kryesore duke ecur në drejtim orar përpara se të hyjnë te mandapa, duke ndjekur sekuencën e relieveve në drejtim orar në muret nga jashtë tempullit që shfaqin një sekuencë të skenave epike nga eposet hindu. Tempujt që nuk janë ndërtuar mbi një xhagati mund të kenë shkallë të shoqëruara nga balustra (parapete) elefantore që të çojnë te mandapa nga niveli dysheme. Një shembull i një tempulli që nuk ka një platformë të ngritur është Tempulli Buçesvara në Korvangla, distrikti i Hassanit. Në tempujt me dy faltore (dvikuta), vimanat mund të jenë vendosur si pranë njëra-tjetrës ashtu dhe në skajet e kundërta.[28] Tempulli Lakshmidevi në Dodagadavalli është unik për Arkitekturën Hojsala pasi ka katër faltore rreth një qendre të përbashkët dhe brenda të njëjtit kompleks gjendet edhe një faltore e pestë për hyjninë Bhairava (një formë e Shivës).[29] Për më tepër, ekzistojnë katër faltore dytësore në secilin kënd të oborrit (prakaram).[30]
Mandapa është salloni ku mblidhen grupet e njerëzve gjatë lutjeve. Hyrja në mandapa normalisht ka një trabeacion tepër të zbukuruar mbi të, të quajtur makaratorana (makara është një pamje përbindëshore ndërsa torana është një dekorim mbi hyrje).[25] Mandapa e hapur që shërben si një sallon i jashtëm (mandapa e jashtme) është një veçori e rregullt në tempujt më të mëdhenj hojsala që të çon në një mandapa të brendshme më të vogël të mbyllur dhe shenjtërorja (ose shenjtëroret). Mandapat e hapura që shpesh janë të gjera kanë zonë për tu ulur (asana) të bëra prej guri me parapetin muror të mandapas që funksionon si një mbështetëse. Ndenjëset mund të ndjekin të njëjtën formë të lakuar katrore të parapetit muror.[31][32] Tavani këtu është i mbajtur nga kolona të shumta që krijojnë shumë kube.[33] Forma e mandapas së hapur është e përshkruar më mirë si katror i lakuar dhe është stili i përdorur në shumicën e tempujve hojsala.[34] Madje edhe mandapa më e vogël e hapur ka 13 kube tavani. Muret kanë parapete që kanë gjysmë-kolona që mbajnë skajet e jashtme të çatisë që lejon dritë të mjaftueshme për ti bërë të gjitha detajet skulpturore të dukshme. Tavani i mandapas përgjithësisht është i zbukuruar me relieve mitologjike dhe floreale. Tavani konsiston në sipërfaqe të thella kubeore dhe përmban relieve me motive lulesh bananeje dhe dekorime të tjera.[35]
Nëse tempull është i vogël ai do të konsistoi në vetëm një mandapa të mbyllur (të mbyllur me mure që shtrihen deri në tavan) dhe një shenjtërore. Mandapa e mbyllur, e dekoruar mjeshtërisht brenda dhe jashtë, është më e madhe se vestibuli që lidh shenjtëroren me mandapan si dhe ka katër kolona rrotullame që mbajnë tavanin, që mund të ketë kube të thella. Katër kolonat e ndajnë sallonin në nëntë ndarje. Nëntë ndarjet rezultojnë në nëntë kube të dekoruara në tavan.[36] Dritare guri me vrima (Xhali ose në formë rrjete) që shërbejnë si dritare në navaranga (holl) dhe Sabhamandapa (holl mbledhjeje) është një element stilistik karakteristik hojsala.[25]
Një verandë zbukuron hyrjen në një mandapa të mbyllur, që konsiston në një strehë të mbajtur nga dy gjysmë-kolona dhe dy parapete, të gjitha të dekoruara pasurisht. Mandapa e mbyllur lidhet me shenjtëroren nga një vestibul, një zonë katrore që lidhe po ashtu me faltoret. Muret e saj të jashtme janë po ashtu të dekoruar, por meqë madhësia e vestibulit nuk është e madhe, kjo nuk është një pjesë e spikatur e tempullit. Vestibuli ka gjithashtu një kullë të shkurtër të quajtur sukanasi (që do të thotë "hunda") mbi të cilën është vendosur emblema Hojsala. Në Belur dhe Halebidu, këto skulptura janë mjaftë të mëdha dhe janë të vendosura në të gjitha hyrjet.[37] Mandapa e jashtme dhe e brendshme (e hapura dhe e mbyllura) kanë kolona në formë rrotullake[38] duke patur katër kllapa në krye. Mbi çdo kllapë qëndrojnë figura skulpturore të quajtura salabhanxhika ose madanika. Kolonat mund të shfaqin skalitje zbukuruese në sipërfaqe dhe dy kolona janë të njëllojta.[39] Kjo është se si arti Hojsala ndryshoi nga punimet e tutorët e tyre të hershëm, mbretëria Kaljani Çalukja, që i shtuan detaje skulpturore bazës së kolonave rrotullake duke e lënë kreun të thjeshtë. Kolonat rrotullake janë me 16, 32, ose 64 kënde; disa janë në formë kambane dhe kanë cilësinë që pasqyrojnë dritën. Parsvanatha Basadi në Halebidu është një shembull i mirë i këtij lloji.[40] Sipas Percy Brown, kolonat me katër kllapa monolitike sipër tyre mbajnë imazhe salabhanxhika dhe madanika (skulpturë e një gruaje, që paraqet cilësi femërore të stilizuara). Kjo është një veçori e përbashkët e tempujve Chalukya-Hojsala. Sipas K. A. Nilakanta Sastrit, forma e kolonës dhe kapitelit të saj, baza e të cilës është katrore dhe trungu është një monolit që është punuar për të arritur forma të ndryshme, është një "veçori e shquar" e Artit Hojsala.[41][42]
Vimana përmban faltoren më të shenjtë ku qëndron imazhi i hyjnisë kryesore. Vimana është shpesh e kryesuar nga një kullë që është mjaft e ndryshme nga jashtë sesa nga brenda. Brenda, vimana është e thjeshtë dhe katrore, ndërsa nga jashtë është e dekoruar me tempri dhe mund të jetë në formë yjore ose si një katror i lakuar, ose të jetë një kombinim i këtyre formave, duke dhënë shumë projeksione dhe kamare që duken se e shumë-fishojnë dritën që bie mbi të.[23] Çdo projeksion dhe kamare ka një artikulim të plotë dekorues që është ritmik dhe përsëritës si dhe i kompozuar prej blloqesh dhe modanaturash, duke e errësuar profilin e kullës. Në varësi të numrit të faltoreve (dhe në këtë mënyrë të kullave), tempujt janë klasifikuar si ekakuta (një faltoresh), dvikuta (dy faltoresh), trikuta (tri faltoresh), chatushkuta (katër faltorësh) dhe panchakuta (pesë faltoresh). Shumica e tempujve Hojsala janë ekakuta, dvikuta ose trikuta, ndërsa ata vaishnavit janë kryesisht trikuta.[13][43] Ka raste ku një tempull është trikuta por ka vetëm një kullë mbi faltoren kryesore në qendër. Në këtë mënyrë termi trikuta mund të mos plotësisht i saktë.[26] Në tempujt me faltore të shumë-fishta të shkëputura, si tempujt dysh në Mosale, gjithë pjesët thelbësore janë dyfishuar për ti dhënë simetri dhe balancë.[32][44]
Pika më e lartë e tempullit (kalasa) ka formën e një çajniku dhe qëndron në krye të kullës. Ky porcion i vimanas shpesh humbet për shkak të moshës dhe ka qenë zëvendësuar me një majëz metalike. Poshtë kalasas është një strukturë e madhe, e skalitur lartësisht që ngjan me një kube që është bërë nga gurë të mëdhenj dhe duket si një helmet.[45] Ajo mund të jetë 2 m me 2 m në madhësi dhe ndjek formën e faltores. Poshtë kësaj strukture janë çatitë kubeore në një plan katror, të gjithë këto shumë më të vogla dhe të kurorëzuar me kalasa të vogla. Ato janë të përziera me çati të tjera më të vogla prej formash të ndryshme dhe që janë të dekoruara. Kulla e faltores zakonisht ka tre ose katër nivele rreshtash të çative dekoruese ndërsa kulla në kry të sukanasit ka një nivel më pak, duke e bërë kullën të duket si një shtim i kullës kryesore (Foekema e quan atë "hunda"). Një nivel pullazor shtrihet deri në krye të murit të një mandape të mbyllur sipër strehëve të rënda të një mandape të hapur sipër verandave.[46]
Poshtë kullës së vimana janë strehët e tempullit[47] duke u projektuar gjysmë metri nga muri. Poshtë strehëve mund të gjenden dy skema të ndryshme dekoruese, në varësi nëse një tempull u ndërtua në periudhën e hershme ose të vonë të perandorisë Hojsala. Në tempujt e hershëm përpara shekullit të XIII, është një strehë dhe poshtë saj gjenden kulla dekoruese në miniaturë. Poshtë këtyre kullave gjendet një panel me hyjni hindu dhe ndihmës të tyre, të ndjekur nga një set prej pesë modanaturash të ndryshme që formojnë bazën e murit. Në tempujt e vonë gjenden një strehë e dytë që shtrihet rreth një metër poshtë strehëve të sipërme me kulla dekoruese në miniaturë të vendosura midis tyre. Imazhet e zotave në mur janë poshtë strehëve të poshtme, të ndjekura nga gjashtë modanatura të ndryshme me madhësi të njëjtë. Kjo emërtohet në mënyrë të përgjithshme "trajtim horizontal".[18] Gjashtë modanaturat në bazë janë të ndara në dy seksione. Duke kaluar nga fundi i murit, shtresa e parë horizontale përmban një procesion elefantësh, sipër të cilëve gjenden kalorës dhe pastaj një fashë gjethnaje. Seksioni i dytë horizontal ka skena të epikave hindu si dhe skena puranike të realizuara në hollësi. Sipër kësaj gjenden dy friza jalli ose makara (imazhe përbindshash) dhe hamsa (mjellma). Vimana (kulla) është e ndarë në tre seksione horizontale dhe është më e zbukuruar se muret.[48]
Në Artin Hojsala Hardy identifikon dy shkëputje të rëndësishme nga arti më i përmbajtur Kaljani (i vonë) Chalukya: përpunimi zbukurues dhe një tepri ikonografike me skultura figurative, të dy këto të gjetura me shumicë edhe në kullën sipër faltores. Materiali i tyre, guri i butë i steatitit mundësonte një stil virtuoz skalitjeje.[13] Artistët hojsalas janë të njohur për vëmendjen e tyre ndaj detajeve skulpturore qofshin ato paraqitje nga eposet dhe hyjnitë hindu ashtu dhe në përdorimin e tyre në motive si jalli, kirtimukha (kokat e ulluqeve), kulla dekoruese në miniaturë (Latin: aediculae) mbi kolona të ngjitura me murin, makara (përbindësh ujor), shpend (hamsa), gjethe të spërdredhura, kafshë si luanë, elefantë dhe kuaj si dhe aspekte të jetës së përditshme si stili në modë i flokëve.[49]
Salabhanxhika, një formë e zakonshme e skulpturës Hoysala, është një traditë e vjetër indiane që arrin që nga skulptura budiste. Sala është pema sala dhe bhanxhika është shërbyesja e përkorë. Në stilin hojsala, figurat madanika janë objekte dekoruese të vendosura në një kënd në muret e jashtme të tempullit afër çatisë kështu që adhuruesit që ecin përreth tempullit ti shikojnë ato.[16] Sthamba buttalikat janë imazhe kolone që tregojnë gjurmë të artit Chola me shije chalukyane. Disa nga artistët që punonin për perandorinë Hojsala mund të kenë qenë nga mbretëria Chola, një rezultat i ekspansionit të perandorisë në rajonet tamil-folëse të Indisë së Jugut. Imazhi i mohinit mbi një nga kolonat e mandapas së mbyllur të Tempullit Çenakeshava është një shembull i Artit Chola.[16]
Tema të përgjithshme të jetës janë portretizuar në panelet e murit si ato të mënyrës se si u vihej freri kuajve, tipi i yzengjive të përdorura, paraqitja e kërcimtarëve, muzikantëve, instrumentistëve dhe rreshta kafshësh si luanë dhe elefantë (ku nuk gjenden dy kafshë të identike). Ndoshta asnjë tempull tjetër në vend nuk paraqet eposet Ramajana dhe Mahabharata më efektivisht se sa Tempulli Hojsaleshvara në Halebidu.[16][50]
Erotika ishte një subjekt që artistët hojsalas e përdornin me masë. Në këtë temë nuk ka ekzibicionizëm dhe temat erotike u skalitën në kamare dhe nike, përgjithësisht në formë miniature, duke i bërë ato që të mos bien shumë në sy. Këto paraqitje erotike janë të asociuara me praktikën Shakta.[16]
Përveç këtyre skulpturave, të gjitha sekuencat nga eposet hindu (zakonisht Ramajana dhe Mahabharata) kanë qenë skalitur në drejtim orar duke filluar nga hyrja kryesore.[51] Sekuenca është e njëjtë me atë të ndërmarr nga besimtarët në ecjen e tyre rituale rreth tempullit. Pamje nga mitologjia si heroi epik Arjuna duke gjuajtur peshk, zoti me kokë elefanti Ganesha, zoti i diellit Surja, zoti i motit dhe luftës Indra dhe Brahma me Sarasvatin janë të zakonshme. Gjithashtu shpeshë në këta tempuj shihen edhe Durga, me shumë krahë duke mbajtur armë të dhëna asaj nga zota të tjerë, në aktin e vrasjes së një bualli demoniak dhe Harihara (një shkrirje e Shivës dhe Vishnut) duke mbajtur një guackë, një rrotë dhe tridentin. Shumë nga këto friza janë punime të shquara në Indi.[52]
Sipas S. Settarit, studimet në kohën moderne kanë treguar se Dinastia Hojsala ka ndërtuar 1000-1500 struktura, nga të cilat, deri më sot kanë, mbijetuar rreth njëqind tempuj.[14][53] Stili Hojsala është i rrjedhur nga stili Kaljani Chalukya, që ishte popullor në shekujt e X dhe të XI.[18] Është në mënyrë të dallueshme një Stil dravidian dhe sipas Brown, për shkak të veçorive të saj, Arkitektura Hojsala cilësohet si një stil i pavarur.[3] Ndërsa Dinastia Hojsala futi veçori inovative në arkitekturën e saj, ajo huazoi gjithashtu veçori nga ndërtuesit më të hershëm të Karnatas si Arkitektura Kadamba dhe Arkitektura Kaljani Chalukya. Këto veçori përfshinin përdorimin e gurit të steatitit si materiali bazë i ndërtimit.[24][54] Veçori të tjera ishin stili i shkallëzuar i kullës vimana të quajtur Kadamba shikhara, që u trashëgua nga Dinastia Kadamba.[55] Skulptorët hojsalas përdorën efektin e dritës dhe hijes në muret e skalitur, që paraqesin një sfidë për fotografimin e tempujve.[16] Punimet artistike Hoysala në gurë kanë qenë krahasuar me finesën e punimit të fildhishit dhe argjendarinë. Tepria e stolive të mbajtura nga figurat skulpturore dhe larmia e modelit të flokëve dhe kurorave të paraqitura japin një ide të stilit të jetesës në periudhën Hojsala.[42]
Ndërsa artizanët indianë të mesjetës parapëlqenin të mbeteshin anonim, artizanët hojsalas i nënshkruanin punimet e tyre, që u ka dhënë kërkuesve detaje rreth jetës, familjes dhe punishteve të tyre. Përveç arkitektëve dhe skulptorëve, njerëz nga punishtet e tjera si argjendarët, gdhendësit e fildishit dhe marangozët kontribonin gjithashtu në realizimin e tempujve. Artizanët ishin nga origjina të ndryshme gjeografike dhe përfshinin edhe vendorë të shquar.
Arkitektët prodhimtarë përfshinin Amarashilpi Jakanacharin,[56] një me origjinë nga Kaidala i distriktit Tumkur, i cili ndërtoi tempuj për për Dinastinë Kalyani Chalukya. Ruvari Malithamma ndërtoi Tempullin Kesava në Somanathapura dhe punoi në dyzetë monumente të tjera, duke përfshirë Tempullin Amruteshvara në Amruthapura. Malithamma u specializuar në zbukurimet dhe veprat e tij shtrihen në gjashtë dekada. Skulpturat e tij ishin tipikisht të nënshkruara shkurtimisht Malli ose thjeshtë Ma.[57][58] Dasoja dhe djali i tij Chavana nga Balligavi ishin arkitektët e Tempullit Çenakesava në Belur; Kedaroja ishte kryearkitekti i Tempullit Hojsalesvara në Halebidu.[25] Ndikimi i tyre shihet po ashtu në tempuj të tjerë të ndërtuar nga Dinastia Hojsala.
Emrat e artizanëve të tjerë vendorë që gjenden në mbishkrime janë Maridamma, Baicoja, Caudaya, Nanjaya dhe Bama,[25][59] Malloja, Nadoja, Siddoja,[60] Masanithamma, Chameya dhe Rameya. Artistë tamilas përfshinin Pallavacharin dhe Cholavacharin.[61]
Disa nga tempujt e famshëm të stilit arkitekturor Hoysala janë Tempulli Kesava në Somanathapura, Tempulli Çenakesava në Belur, Tempulli Çikamagalur Amruthapura, Tempulli Çenakesava në Aralagupe, Tempulli Hojsalesvara në Halebidu, Tempulli Çeluvanarajana Svami në Melukote.
Emri | Vendi | Periudha | Mbreti | Hyjnia |
---|---|---|---|---|
Lakshmidevi[62][63] | Dodagadavalli | 1113 | Vishnuvardhana | Lakshmi |
Çenakesava[64][65] | Beluri | 1117 | Vishnuvardhana | Vishnu |
Hojsalesvara[66][67] | Halebidu | 1120 | Vishnuvardhana | Shiva |
Kompleksi Basadi[67][68] | Halebidu | 1133 | Vishnuvardhana | Parshvanatha |
Rameshvara[69][70] | Kudli | shek. XII | Vishnuvardhana | Shiva |
Brahmeshvara[69][71] | Kikeri | 1171 | Narasimha I | Shiva |
Buçeshvara[69][72] | Koravangala | 1173 | Vira Ballala II | Shiva |
Basadi Akkana[73][74] | Shravanabelagola | 1181 | Vira Ballala II | Parshvanatha |
Amruteshvara[75][76] | Amruthapura | 1196 | Vira Ballala II | Shiva |
Shantinatha[69] | Xhinanathapura | 1200 | Vira Ballala II | Shantinatha |
Nageshvara[77][78] | Mosale | 1200 | Vira Ballala II | Shiva, Vishnu |
Viranarajana[79][80] | Belavadi | 1200 | Vira Ballala II | Vishnu |
Kedareshvara[67][81] | Halebidu | 1200 | Vira Ballala II | Shiva |
Ishvara[82][83] | Arsikere | 1220 | Vira Ballala II | Shiva |
Harihareshvara[84][85] | Harihar | 1224 | Vira Narasimha II | Shiva, Vishnu |
Mallikarxhuna[80][86] | Basaralu | 1234 | Vira Narasimha II | Shiva |
Someshvara[84][87] | Haranhalli | 1235 | Vira Someshvara | Shiva |
Lakshminarasimha[84][87] | Haranhalli | 1235 | Vira Someshvara | Vishnu |
Pançalingeshvara[88][89] | Govindanhalli | 1238 | Vira Someshvara | Shiva |
Lakshminarasimha[90][91] | Nugehalli | 1246 | Vira Someshvara | Vishnu |
Sadashiva[90][91] | Nugehalli | 1249 | Vira Someshvara | Shiva |
Lakshminarajana[92][93] | Hosaholalu | 1250 | Vira Someshvara | Vishnu |
Lakshminarasimha[94][95] | Xhavagall | 1250 | Vira Someshvara | Vishnu |
Çenakesava[83][96] | Aralagupe | 1250 | Vira Someshvara | Vishnu |
Kesava[97][98] | Somanathapura | 1268 | Narasimha III | Vishnu |
Somanathapura është e famshme për Tempullin Çenakesava (i quajtur edhe Tempulli Kesava ose Keshava) i ndërtuar nga Soma, një dandanajaka (komandant) i mbretit hojsala Narasimha III në vitin 1268, kur perandoria Hojsala ishte fuqia kryesore në Indinë Jugore. Tempulli Keshava është një nga shembujt më të shkëlqyer të arkitekturës Hojsala dhe është në kushte shumë të mira ruajtjeje. Somanathapura, megjithatë, është me të vërtetë unike në dizajnë, e përkryer në simetri dhe skalitjet në gurë janë mrekulli të skalitura në gurë.[99]
Tempulli Çenakesava në Belur, fillimisht i quajtur Tempulli Vixhajanarajana, i ndërtuar në brigjet e Lumit Jagaçi në Belur, kryeqytet i hershëm i perandorisë Hojsala, është një nga shembujt më të bukur të arkitekturës Hojsala. Është ndërtuar nga mbreti Vishnuvardhana në përkujtim të fitores së tij ndaj Dinastisë Chola në Talakad në vitin 1117. Façata e tempullit është e mbushur me skulptura të rafinuara dhe friza pa porcion të lënë bosh. Brenda tempullit janë një numër kolonat të zbukuruara. Tempulli është rreth 30 m i lartë dhe ka një gopuram (kullë) mbresëlënëse në hyrje, të ndërtuar në stilin dravidian. Një grup faltoresh dytësore e rrethojnë faltoren kryesore në qendër të një navaranga (salloni) drejtkëndor. Navaranga mbahet nga dyzet e gjashtë kolona, secila me një dizajn të ndryshëm, ka tre hyrje të ruajtur nga portierë dekorues.[100]
Tempulli Hojsalesvara në Halebidu, u ndërtua nga Ketamala i atribuohet Vishnuvardhanas. Kompleksi i tempullit përfshin dy tempuj hindu, Tempulli Hojsalesavara dhe Tempulli Kedareshvara si dhe dy basidi xhainistë. Faltoret e tij, Hojsalesvara dhe Shantalesvara, janë emërtuar sipas ndërtuesve të tempullit, Vishnuvardhana Hojsala dhe gruaja e tij, mbretëresha Shantala.
Tempulli Hojsalesvara, i datuar në vitin 1121, është mahnitës për pasurinë e detajeve skulpturore. Tempulli ësthë një dvikuta vimana (me dy faltore) i thjeshtë, njëra për "Hojsalesvaran" dhe tjera për "Shantalesvaran" (e emërtuara sipas Shantala Devit, mbretëreshës së mbretit Vishnuvardhana) dhe ësthë ndërtuar me gurë steatiti. Kompleksi tempullor si një i tërë është i ngritur mbi një xhagati (platformë), një veçori që u bë popullore në dizajnet bashkëkohëse Hojsala. Muret e tempullit janë të mbuluar me një larmi të pafund pamjesh nga mitologjia hindu, kafshësh, zogjsh dhe Shilabalika ose figurë duke kërcyer. Në tempull nuk gjen dot dy skulptura të njëjta. Ky tempull mjeshtëror i ruajtur nga demi Nandi nuk u përfundua kurr, megjithë 86 vitet e punës. Tempulli i Halebidus, ka qenë përshkruar si një "shembull i shquar i Arkitekturës Hindu" dhe si "kulmi sipëror i Arkitekturës indiane".
Tempulli Ishvara në Arasikere, daton nga viti 1220 nën sundimin e perandorisë Hojsala.[101] Arasikere (do të thotë "ujëmbledhësi i mbretëreshës"; 'Arasi' do të thotë "mbretëresh" ose "princesh" dhe 'kere' do të thotë "depozitë" ose "ujëmbledhës" në gjuhën kannada). Tempulli, megjithëse me madhësi dhe skulptura modeste, është konsideruar më kompleksi në arkitekturë midis monumenteve të mbijetuara Hojsala për shkak të planit të tij: një mandapa me 16 cepa në formë ylli, përveç një faltoreje asimetrike në formë ylli, cepat e yllit të të cilës janë prej tre tipesh të ndryshme.[101]
Tempulli, që drejtohet nga lindja si të gjitha ndërtimet Hojsala, përdor gurin e steatitit si materialin bazë ndërtimor[102] dhe është një faltore ekakuta (me shenjtërore të vetme) me dy mandapa, një e hapur dhe një e mbyllur.[103] Tre njësitë janë të lidhura për të formuar një unitet.[104] Tavanet e dekoruara në mënyrë elegante, tavani kube i mandapas së hapur, skulpturat e Dvarapalakave (portierët gardianë) në mandapan e mbyllur (të quajtur edhe navaranga), imazhet e paneleve të murit janë 120 (në gjysëm-kolonat midis kullave-aedikula në miniaturë) të skalitura në muret e jashtme janë për tu vënë në dukje.
Tempulli Çeluvanarajana Svami, i gjendur në Melukote ndërtuar mbi kodrat shkëmbore është një ndërtesë katrore me përmasa të mëdha por shumë i thjeshtë, kushtuar zotit Çeluva-Narajana Svami ose Tirunarajana. Departamenti Arkeologjike i Mysores, mbi fortësinë e dëshmisë mbishkrimore pohon se hyjnia kryesuese e këtij tempulli ishte tanimë një idhull i mirënjohur i adhuruar përpara Sri Ramanuxhaçarjas, shenjti Srivaishnava i adhuruar në faltore në dhjetorin e vitit 1098 dhe madje përpara se ai të vinte në rajonin e Mysores dhe që me shumë gjasa ai e përdori ndikimin e tij për të rindërtuar ose rinovuar tempullin. Tempulli është i financuar bujarisht, duke qenë nën patronazhin e veçantë të Wodeyarëve të Mysores dhe ka një koleksion stolish shumë më të çmuar.[105][106]
Tempulli Lakshminarasimha Svami është një shembull i mirë i një tempulli Hojsala të dekoruar pasurisht ndërtuar në stilin trikuta vimana (tre kulla) me skulptura të mrekullueshme që zbukurojnë muret.[43] Materiali i përdorur është guri i steatitit dhe tempulli është ndërtuar mbi xhagati (platformë) që ndjek planin e tempullit. Kjo përfaqëson një risi të futur nga arkitektët Hojsala.[107] Xhagati është një unitet të përsosur me pjesën tjetër të tempullit. Madhësia e tempullit zanafillor mund të konsiderohet e vogël, të cilit më vonë iu shtua një mandapa e hapur më e madhe. Tre faltoret janë të vendosura rreth një mandape të mbyllur qendrore me 9 xhepa.[33] Tavani i mandapas së mbyllur është i mbajtur nga katër kolona tornoje të rrotulluara dhe në qendër ka një kube të lartë.[38] Faltorja qendrore është më e shquara dhe ka një kullë të lartë. Kjo faltore ka një vestibul që lidh faltoren me mandapan. Për rrjedhojë, vestibuli ka gjithashtu një kullë që duket si një shtim i kullës kryesore dhe është quajtur sukanasi (domethënë hunda).[108] Dy faltoret e tjera kanë kulla më të vogla dhe për shkak se nuk kanë vestibul për ti lidhur ato me mandapan qendrore, nuk kanë as sukanasi.
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.