futbollist portugez From Wikipedia, the free encyclopedia
Bernardo Mota Veiga de Carvalho e Silva (lindur më 10 gusht 1994) është një futbollist profesionist portugez i cili luan si mesfushor-sulmues ose anësor i djathtë për klubin anglez Manchester City dhe kombëtaren portugeze. Silva dallohet për krijueshmërinë e tij, driblimet, shkathtësinë dhe rezistencën, veti që e bëjnë atë një nga mesfusborët më të mirë në botë.[3][4] Ai është konsideruar nga trajneri Pep Guardiola si një nga "lojtarët më të mirë" që "ai ka parë ndonjëherë".[5]
Silva me Portugalinē në FIFA Kupën e Botës 2018 | |||
Të dhënat vetjake | |||
---|---|---|---|
Emri i plotë | Bernardo Mota Veiga de Carvalho e Silva[1] | ||
Datëlindja | [2] | 10 gusht 1994||
Vendlindja | Lisbon, Portugali | ||
Gjatësia | 1.73 m (5 ft 8 in)[2] | ||
Pozicioni | Mesfushor-sulmues Anësor i djathtë | ||
Të dhënat e klubit | |||
Klubi aktual | Manchester City | ||
Numri | 20 | ||
Karriera me të rinjtë | |||
2002–2013 | Benfica | ||
Karriera me klube* | |||
Vitet | Klubi | Ndeshje | (Golat) |
2013–2015 | Benfica B | 38 | (7) |
2013–2015 | Benfica | 1 | (0) |
2014–2015 | → Monaco (huazim) | 15 | (2) |
2015–2017 | Monaco | 86 | (22) |
2017– | Manchester City | 205 | (34) |
Karriera ndërkombëtare‡ | |||
2013 | Portugalia U19 | 13 | (2) |
2013–2015 | Portugalia U21 | 14 | (6) |
2015– | Portugalia | 85 | (11) |
*Ndeshjet dhe golat me klubet llogariten vetëm për ligën vendase – redaktuar më 22:50, 14 tetor 2023 (UTC) ‡ Ndeshjet dhe golat me ekipin kombëtar të redaktuar më 22:50, 14 tetor 2023 (UTC) |
Silva është produkt i akademisë së Benficës. Ai filloi të luante me ekipin B në vitin 2013 kurse një vit më pas u bë pjesë e ekipit të parë, duke luajtur vetëm disa minuta. Ai u huazua te Monaco në sezonin 2014–15. Pas huazimit, klubi francez e bleu përfundimisht lojtarin, i cili u bë një nga më të rëndësishmit në ekip. Pasi fitoi titullin e Ligue 1, Silva u transferua te Manchester City për 43.5 milion £. Ai fitoi kampionatin dhe Kupën e Ligës në sezonin e tij të parë në Angli, e cila u pasua nga një tripletë e titujve vendor në sezonin 2018–19. Ai u shpall Lojtari i Vitit 2019 i klubit si dhe ishte pjesë e Ekipit të Vitit të Premier Ligës. Pas kësaj, Silva ishte mes 30 të nominuarve për Topin e Artë. Në sezonin 2020–21, ai ndihoi ekipin të arrinte finalen e parë të Ligës së Kampioneve kurse dy vite më pas ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit që arriti një tripletë historike, përfshirë edhe trofeun e parë të Ligës së Kampioneve.
Silva debutoi me Portugalinë në vitin 2015 pasi kishte luajtur më parë me ekipet e moshave. Ai ka qënë pjesë e ekipit në Kupën e Konfederateve 2017, Kupën e Botës 2018, Ligën e Kombeve 2019, UEFA Euro 2020 dhe Kupën e Botës 2022.
Silva e nisi karrierën e tij si pjesë e akademisë së Benficës. Në sezonin 2012–13, ai fitoi Kampionatin Portugez të të Rinjëve. [6] Ai bëri debutimin e tij me Benficën B më 10 gusht 2013 në një ndeshje kundër Trofense në Segunda Liga.[7]
Më 19 tetor 2013, Silva luajti ndeshjen e tij të parë me Benficën në fitoren 1–0 kundër C.D. Cinfães në raundin e tretë të kupës, duke u aktivizuar si zëvëndësues në minutën e 80të.[8] Përgjatë sezonit 2013–14, Silva u dallua me performancat e tij për ekipin B, duke fituar çmimin "Zbulimi i Vitit" i kampionatit.[9] Po në atë sezon, Benfica fitoi kampionatin, kupën kombëtare dhe kupën e ligës; Silva luajti 31 minuta në 3 ndeshje.[10]
Më 7 gusht 2014, Silva i'u bashkua Monacos në formë huazimi për një sezon.[11] Ai debutoi dhjetë ditë më pas në një ndeshje në tranasfertë kundër Bordeaux, duke zëvendësuar argjentinasin Lucas Ocampos në pjesën e dytë.[12] Më 21 shtator, ai luajti ndeshjen e parë si titullar në fitoren minimale 1–0 kundër Guingamp.[13] Më 14 dhjetor, Silva shënoi golin e parë me klubin në fitoren në shtëpi kundër Marseille.[14]
Më 20 janar 2015, Benfica njoftoi se Monaco kishte blerë kartonin e Silvës për 15.75 milion €;[15] lojtari firmosi një kontratë deri në qershor 2019 me klubin francez.[16] Më 10 prill, Silva shënoi dopietën e parë në karrierë në fitoren 3–0 kundër Caen.[17] Pas përfundimit të sezonit, ai e rinovoi kontratën me klubin edhe me një vit.[18]
Më 18 tetor 2016, Silva shënoi golin e parë në UEFA Ligën e Kampioneve në barazimin 1–1 kundër CSKA Moskës në fazën e grupeve.[19] Ai vazhdoi të zhvillonte performanca pozitive, duke shënuar një dopietë në fitoren 4–1 kundër Marseille më 15 janar 2017; kjo fitore e ngjiti Monacon në vendin e parë në Ligue 1.[20] Dy javë më pas, ai shënoi një gol në minutat shtesë duke i dhënë ekipit barazimin 1–1 kundër kampionëve në fuqi të Paris Saint-Germain në Parc des Princes.[21] Ai e mbylli sezonin me 8 gola dhe 9 asiste në kampionat dhe 11 gola dhe 12 asiste në 58 ndeshje në të gjitha kompeticionet.[22][23]
Silva ra në syrin e trajnerit Guardiola dhe stafit të tij pas performancave të tij në dy ndeshjet e Ligës së Kampioneve kundër Manchester Cityt.[24] Kjo gjë bëri që Guardiola të kërkonte transferimin e tij në klub, e cila u konfirmua nga City më 26 maj 2017. Lojtari u bashkua zyrtarisht me ekipin më 1 korrik.[25] Shuma e transferimit nuk u zbulua zyrtarisht edhe pse media raportoi se klubi anglez pagoi 43.5 milion £ e cila mund të rritej më shumë në bazë të bonuseve.[26]
Silva bëri debutimin e tij në Premier Ligë më 12 gusht duke u aktivizuar në minutat e fundit të fitores 2–0 në transfertë kundër Brighton & Hove Albion.[27] Më 13 shkurt 2018, ai shënoi golin e parë në Ligën e Kampioneve për Cityn në fitoren 4–0 kundër ekipit zviceran Basel në ndeshjen e parë të raundit të 16-tave.[28] Tre javë më pas, ai shënoi golin e vetëm të ndeshjes vendimtare kundër Çelsit në Premier Ligë, duke i dhënë fitoren Cityt që tashmë kishte nevojë vetëm për tre fitore të tjera për t'a fituar matematikisht titullin kampion.[29] Silva e fitoi menjëherë vendin e titullarit në ekip në sezonin e tij të parë në Angli, duke dhuruar vazhdimisht performanca pozitive. Ai e mbylli sezonin me 53 ndeshje në të gjitha kompeticionet[30][31] – më shumë se çdo lojtar tjetër i ekipit – duke ndihmuar ekipin ta fitonte Premier Ligën me numër rekord pikësh (100) dhe Kupën e Ligës.[32]
Silva luajti 51 ndeshje dhe regjistroi 13 gola dhe 14 asiste në të gjitha kompeticionet në sezonin 2018–19.[33] Më 24 prill 2019, Silva shënoi një nga dy golat e fitores kundër Manchester United në Old Trafford, një fitore që e ngjiti Cityn në vendin e parë në kampionat.[34] Përgjatë këtij sezoni, Silva u dallua sërisht për performancat dhe ndikimin e tij në ekip, duke luajtur në rolin e Kevin De Bruyne i cili humbi shumicën e sezonit për shkak të një dëmtimi. Si rezultat i kësaj, ai u përfshi në PFA Ekipin e Vitit sëbashku me katër lojtarë të tjerë të Cityt si dhe u shpall Lojtari i Sezonit i klubit.[35][36]
Në sezonin 2019–20, Silva shënoi një tregolësh në fitoren 8–0 kundër Watford në kampionat më 21 shtator.[37] Disa ditë më pas, ai u akuzua për rracizëm ndaj shokut të ekipit Benjamin Mendy pasi pëlqeu një postim në Twitter që e krahasonte pamjen e lojtarit me atë të një maskote reklamimi me lëkurë të errët;[38] Mendy deklaroi se ai nuk ndihej i ofenduar.[39] Federata Angleze e pezulloi portugezin me një ndeshje dhe e gjobiti me 50,000 £. Ata shtuan që postimi nuk kishte qëllim të ishte fyes apo rracist.[40] Në tetor, ai ishte mes 30 të nominuarve për çmimin prestigjoz Topi i Artë.[41]
Më 10 janar 2021, Silva shënoi një dopietë në fitoren 3–0 kundër Birmingham City në raundin e tretë të FA Cup.[42] Dhjetë ditë më pas, ai shënoi golin e parë në kampionat për sezonin 2020–21 në fitoren 2–0 në shtëpi kundër Aston Villës.[43] Më 24 shkurt, ai regjistroi golin e parë në Ligën e Kampioneve në fitoren 2–0 kundër Borussia Mönchengladbach në ndeshjen e parë të raundit të 16-tave.[44] Manchester City në fund arriti në finalen e Ligës së Kampioneve për herë të parë në histori, duke gjetur Çelsit në një finale të gjithën angleze;[45] në finalen e luajtur në Porto, Silva luajti si titullar për 64 minuta me Cityn që u mposht 1–0.[46]
Në nisjen e sezonit 2021–22, trajneri Guardiola deklaroi se Silva ishte një nga tre lojtarët që kishin kërkuar të largoheshin nga klubi.[47] Ishte raportuar se lojtari ishte i pakënaqur në klub dhe se disa klube ishin të interesuar për të, përfshirë Atlético Madrid dhe Milan.[47] Pasi nuk u largua nga klubi në merkaton e verës, Silva e nisi sezonin duke zhvilluar performanca të nivelit të lartë; ai ishte një nga më të mirët në fushë në fitoren 5–0 kundër Arsenalit,[48] shënoi golin e vetëm në ndeshjen kundër Leicester City[49] si dhe u shpall lojtari më i mirë në ndeshjen kundër Çelsit,[50] duke bërë që Guardiola t'a etikonte si "një nga lojtarët më të mirë në botë".[51] Për këto performanca ai u shpall lojtari i muajit i klubit nga tifozët për shtatorin dhe tetorin.[52][53]
Më 6 nëntor, Silva shënoi në fitoren 2–0 kundër Manchester United në derbin e Manchesterit në Old Trafford.[54] Tetëmbëdhjetë ditë më pas, ai u bë lojtari i parë në historinë e Ligës së Kampioneve që regjistronte një mesatare 100% të pasimeve të sakta, duke e arritur këtë në fitoren 2–1 kundër Paris Saint-Germain në fazën e grupeve; ai gjithashtu asistoi golin e brazilianit Gabriel Jesus dhe u shpall lojtari i ndeshjes. Kjo fitore e kualifikoi Cityn në raundin e 16-tave.[55] Pas kësaj, ai u shpall sërisht lojtari i muajit, duke i bërë i pari në historinë e klubit që e fiton këtë çmim tre muaj rresht.[56][57] Në raundin e 16-tave, Manchester City u përball me ekipin portugez Sporting CP, me të cilën Silva regjistroi dy gola dhe një asist në fitoren 5–0 në transfertë në ndeshjen e parë, duke u shpallur lojtari më i mirë sërisht.
Përgjatë sezonit 2021–22, Silva u aktivizua në disa pozicione të tjera përveç pozicionit të tij të zakonshëm. Ai u aktivizua si qëndër-sulmues (duke i shënuar Manchester Unitedit) dhe mesfushor-mbrojtës.[58] Ai shënoi 13 gola dhe 7 asiste në të gjitha kompeticionet.[59]
Më 17 maj 2023, Silva shënoi një dygolësh në fitoren 4–0 kundër Real Madridit në shtëpi në ndeshjen e dytë të gjysëm-finales së Ligës së Kampioneve. Manchester City u kualifikua në finalen e dytë evropiane në histori.[60] Në finalen e madhe kundër Interit në Stamboll, Silva asistoi golin vendimtar të Rodrit në pjesën e dytë që i dha Cityt fitoren dhe trofeun e parë të Ligës së Kampioneve.[61] Ata gjithashtu fituan Premier Ligën dhe Kupën FA, duke arritur tripletën kontinentale. Për performancat e tij në Ligën e Kampioneve, Silva u emërua në "Ekipin e Sezonit".[62]
Më 23 gusht 2023, Silva firmosi një kontratë të re me klubin deri në qershor 2023.[63]
Në vitin 2013, Silva ishte pjesë e ekipit nën-19 që arriti gjysëm-finalet e UEFA Kampionatit Evropian.[64] Ai u dallua gjatë turnamentit, duke u përfshirë në listën e dhjetë talenteve më të mira nën moshën 19 vjeç në Evropë nga një grup gazetarësh të UEFAs.[65][66][67]
Më 31 mars 2015, Silva luajti ndeshjen e parë me ekipin e parë në humbjen 2–0 kundër Kepit të Gjelbër në një ndeshje miqësore.[68] Dy muaj më pas, ai u thirr në ekipin nën-21 për UEFA Kampionatin Evropian 2015; në ndeshjen gjysëm-finale kundër Gjermanisë, Silva shënoi një nga golat e fitores 5–0.[69] Në qershor 2016, Silva humbi mundësinë për të luajtur në UEFA Euro 2016 për shkak të një dëmtimi.[70]
Silva mori pjesë në FIFA Kupën e Konfederateve 2017. Ai shënoi golin e parë në turnament në fitoren 4–0 kundër Zelandës së Re në fazën e grupeve.[71] Portugalia u eliminua në gjysëm-finale nga Kili me penallti pasi koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim pa gola. Ai humbi ndeshjen për vendin e tretë ku Portugalia fitoi 2–1 me Meksikës.[72]
Silva ishte pjesë e 23 lojtarëve që u zgjodhën për të luajtur në FIFA Kupën e Botës 2018 në Rusi.[73] Ai luajti katër ndeshje gjithsej, me Portugalinë që u eliminua në raundin e 16-tave nga Uruguaji.[74]
Pas kësaj, Silva dhe Portugalia morën pjesën në edicionin e parë të UEFA Ligës së Kombeve.[75] Ai luajti tre ndeshje në fazën e grupeve, duke shënuar në fitoren 3–2 kundër Polonisë.[76] Në fazën finale të turnamentit, Silva asistoi golin e vetëm në ndeshjen finale kundër Holandës, duke ndihmuar Portugalinë të fitonte trofeun;[77] ai gjithashtu u shpall lojtari i turnamentit.[78]
Në qershor 2021, Silva luajti në UEFA Euro 2020; ai u aktivizua në të gjitha ndeshjet e Portugalisë e cila u eliminua në raundin e 16-tave nga Belgjika.[79] Një vit më pas, ai ishte pjesë e 26 lojtarëve të thirrur nga Fernando Santos që do të luanin në FIFA Kupën e Botës 2022 në Katar.[80] Silva ishte sërisht titullar në formacion, me Portugalinë që u eliminua në çerek-finale nga Maroku.[81]
Silva është një organizator elegant, i shkathët, këmbë-majtë dhe me një fizik shtatshkurtër i cili është i aftë të luajë në disa pozicione në mesfushë dhe sulm:[82] ai mund të luaj si anësor në të dyja krahët (edhe pse krahu i tij i preferuar është e djathta),[83] si mesfushor qëndror, organizator i tërhequr, mesfushor-sulmues dhe sulmues i dytë.[84] Në disa raste të rralla ai është aktivizuar në rolin e "numrit 9 fallco" (sulmues i fshehur) si dhe në rolin e anësorit të tërhequr.[85][86]
Silva njihet më së miri për teknikën e tij, shkathtësinë, pasimin, kontrollin e topit, vizionin, krijueshmërinë dhe driblimet.[87] Ai gjithashtu dallohet për kontributin në mbrojtje, aty ku ai lufton për të rifituar zotërimin e topit për të nisur aksione sulmuese.[88] Silva ka reputacionin e një lojtari altruist me një personalitet të fortë, i cili preferon ndërtimin e aksioneve me shokët e skuadrës në vend të inkursioneve personale.[89] Përveç aftësive si mesfushor dhe organizator, Silva gjithashtu është i aftë të shënojë gola.[90]
Anglishtja e Silvës është përshkruar si "e përkryer" nga media,[91][87] kjo edhe falë prindërve të tij që vendosën t'a dërgonin në një shkollë anglisht-folëse në Lisbonë kur ai ishte gjashtë vjeç.[92] Përveç anglishtes dhe portugalishtes, Silva flet frëngjisht dhe spanjisht.[93] Kushurira e tij, Matilde Fidalgo, është gjithashtu futbolliste e cila luan me kombëtaren portugeze të grave; ajo gjithashtu ishte pjesë e Manchester Cityt në vitin 2019.[94] Silva është tifoz i klubit portugez Benfica, me të cilën nisi karrierën.[95] Më 1 korrik 2023, ai u martua me partneren e tij Inês Tomaz.[96]
Klubi | Sezoni | Liga | Kupa Kombëtare[lower-alpha 1] | Kupa e Ligës[lower-alpha 2] | Evropa | Tjetër | Gjithsej | |||||||
---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
Divizioni | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | ||
Benfica B | 2013–14 | Segunda Liga | 38 | 7 | — | — | — | — | 38 | 7 | ||||
Benfica | 2013–14 | Primeira Liga | 1 | 0 | 1 | 0 | 1 | 0 | 0 | 0 | — | 3 | 0 | |
Monaco (huazim) | 2014–15 | Ligue 1 | 15 | 2 | 1 | 1 | 2 | 0 | 3[lower-alpha 3] | 0 | — | 21 | 3 | |
Monaco | 2014–15 | Ligue 1 | 17 | 7 | 2 | 0 | 1 | 0 | 4[lower-alpha 3] | 0 | — | 24 | 7 | |
2015–16 | Ligue 1 | 32 | 7 | 3 | 0 | 1 | 0 | 8[lower-alpha 4] | 0 | — | 44 | 7 | ||
2016–17 | Ligue 1 | 37 | 8 | 3 | 0 | 3 | 0 | 15[lower-alpha 3] | 3 | — | 58 | 11 | ||
Gjithsej | 101 | 24 | 9 | 1 | 7 | 0 | 30 | 3 | — | 147 | 28 | |||
Manchester City | 2017–18 | Premier League | 35 | 6 | 3 | 1 | 6 | 1 | 9[lower-alpha 3] | 1 | — | 53 | 9 | |
2018–19 | Premier League | 36 | 7 | 4 | 2 | 2 | 0 | 8[lower-alpha 3] | 4 | 1[lower-alpha 5] | 0 | 51 | 13 | |
2019–20 | Premier League | 34 | 6 | 4 | 1 | 6 | 1 | 7[lower-alpha 3] | 0 | 1[lower-alpha 5] | 0 | 52 | 8 | |
2020–21 | Premier League | 26 | 2 | 3 | 2 | 3 | 0 | 13[lower-alpha 3] | 1 | — | 45 | 5 | ||
2021–22 | Premier League | 35 | 8 | 3 | 2 | 0 | 0 | 11[lower-alpha 3] | 3 | 1[lower-alpha 5] | 0 | 50 | 13 | |
2022–23 | Premier League | 34 | 4 | 5 | 0 | 2 | 0 | 13[lower-alpha 3] | 3 | 1[lower-alpha 5] | 0 | 55 | 7 | |
2023–24 | Premier League | 5 | 1 | 0 | 0 | 0 | 0 | 2[lower-alpha 3] | 0 | 1[lower-alpha 5] | 0 | 8 | 1 | |
Gjithsej | 205 | 34 | 22 | 8 | 19 | 2 | 63 | 12 | 5 | 0 | 314 | 56 | ||
Gjithsej karriera | 345 | 65 | 32 | 9 | 27 | 2 | 93 | 15 | 5 | 0 | 502 | 91 |
Ekipi kombëtar | Viti | Ndsh | Gola |
---|---|---|---|
Portugalia | 2015 | 5 | 0 |
2016 | 4 | 1 | |
2017 | 12 | 1 | |
2018 | 12 | 1 | |
2019 | 10 | 3 | |
2020 | 8 | 1 | |
2021 | 13 | 1 | |
2022 | 14 | 0 | |
2023 | 7 | 3 | |
Gjithsej | 85 | 11 |
Nr. | Data | Vendi | Ndsh | Kundërshtari | Goli | Rezultati | Kompeticioni |
---|---|---|---|---|---|---|---|
1 | 1 shtator 2016 | Estádio do Bessa, Porto, Portugali | 7 | Gjibraltari | 4–0 | 5–0 | Ndeshje miqësore |
2 | 24 qershor 2017 | Krestovsky Stadium, Shën Petersburg, Rusi | 14 | New Zealand | 2–0 | 4–0 | FIFA Kupa e Konfederatave 2017 |
3 | 11 tetor 2018 | Silesian Stadium, Chorzów, Poloni | 32 | Polonia | 3–1 | 3–2 | UEFA Liga e Kombeve A 2018–19 |
4 | 7 shtator 2019 | Red Star Stadium, Beograd, Serbi | 38 | Serbia | 4–2 | 4–2 | Kualifikueset e UEFA Euro 2020 |
5 | 11 tetor 2019 | Estádio José Alvalade, Lisbon, Portugal | 40 | Luksemburgu | 1–0 | 3–0 | Kualifikueset e UEFA Euro 2020 |
6 | 14 nëntor 2019 | Estádio Algarve, Faro, Portugali | 42 | Lituania | 5–0 | 6–0 | Kualifikueset e UEFA Euro 2020 |
7 | 14 tetor 2020 | Estádio José Alvalade, Lisbon, Portugali | 48 | Suedia | 1–0 | 3–0 | UEFA Liga e Kombeve A 2020–21 |
8 | 7 shtator 2021 | Olympic Stadium, Baku, Azerbajxhan | 61 | Azerbajxhani | 1–0 | 3–0 | Kualifikueset e FIFA Kupës së Botës 2022 |
9 | 23 mars 2023 | Estádio José Alvalade, Lisbon, Portugali | 79 | Lihtenshtajni | 2–0 | 4–0 | Kualifikueset e UEFA Euro 2024 |
10 | 26 mars 2023 | Stade de Luxembourg, Luxembourg City, Luksemburg | 80 | Luksemburgu | 4–0 | 6–0 | Kualifikueset e UEFA Euro 2024 |
11 | 17 qershor 2023 | Estadio da Luz, Lisbon, Portugali | 81 | Bosnja dhe Hercegovina | 1–0 | 3–0 | Kualifikueset e UEFA Euro 2024 |
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.