politikan shqiptar From Wikipedia, the free encyclopedia
Qazim Mulleti (Tiranë, 20 dhjetor 1893 - Vicolo delle Grotte, Rocca di Papa 28 gusht 1956) ka qenë nëpunës i shtetit shqiptar, i përfshirë në Lëvizjen e qershorit u largua nga Shqipëria si antizogist, qe pjesë e atentatit që emigracioni politik i bëri Mbretit Zog në Vjenë, u kthye pas pushtimit italian të Shqipërisë dhe shërbeu si kryebashkiak dhe prefekt i Tiranës përgjatë Luftës së Dytë Botërore.
Qazim Mulleti | |
---|---|
Prefekt i Tiranës | |
Në detyrë 1942–1944 | |
Kryetar i Bashkisë Tiranë | |
Në detyrë 1939–1940 | |
Paraprirë nga | Abedin Nepravishta |
Pasuar nga | Ali Erebara |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 20 dhjetor 1893 Tiranë, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 28 gusht 1956 Rocca di Papa, Itali |
Nënshtetësia | shqiptar |
Partia politike | Blloku Kombëtar Indipendent |
Bashkëshortja/et | Hajrije Kusi |
Fëmijët | Reshit Mulleti |
Punësimi | nëpunës |
U lind në lagjen "Sulejman Pasha", sot tek Pazari i Ri,[1] i biri i Reshit bej Mulletit dhe Naile Këlliçit. Mësimet e para i mori në Manastir, vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kreu studimet e larta në liceun “Gallatasaraj” të Stambollit.[2]
Në 1912-ën, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë. Në 1914-ën është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty, me ndërhyrjen direkte të mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Ishte poliglot, dinte Turqisht, Arabisht, Gjermanisht, Frëngjisht, Italisht, Latinisht, Greqisht dhe Serbo-Kroatisht. Dinte të kalëronte dhe të patinonte.
Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, myftiut Mytesim efendi Këlliçit, Abdi bej Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë).
Më vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin më të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. (Tirana, de jure u bë Kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925). Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë. Më 25 prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia–Zgjimi”, së bashku me Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Musa Maçi, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe Avni Rustemi të shoqërisë “Bashkimi”.
Majin e 1924 qe pjesë e një komisioni të demonstrantëve që takuan kryeministrin Vërlaci, të cilit i kërkonin masa serioze për zbardhjen dhe dënimin e komplotistëve për vrasjen e Avni Rustemit.[3] Në qeverinë e Fan Nolit shërbeu si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të qeverisë së Lëvizjes së qershorit, largohet nga Shqipëria.
Në fillim vendoset në Zara asokohe territor italian, ndërsa më vonë në Vjenë ku qe në grupin e italofilëve të emigracionit antizogist,[3] si indipendent, ndihmohej nga Italia dhe ishte në kontakt me autoritetet jugosllave.[4] Mori pjesë në organizimin e atentatit ndaj Mbretit Zog I më 1931 në kryeqytetin austriak, duke u qëndruar mbrapa Ndokë Gjeloshit e Aziz Çamit për t'i mbrojtur eventualisht. Pasi shkrehën plumbat duke ngatërruar majorin Llesh Topallaj me mbretin dhe duke plagosur Eqrem Libohovën, Mulleti flaku armën dhe u fsheh në turmën e porsakrijuar.[5] Më pas organet vjeneze të rendit e gjetën pranë atentatit dhe e arrestuan,[3] u lirua në korrik,[4] më pas iu lirua i vëllai Hakiu dhe u mbajtën dy procese gjyqësore për përfshirjen e Qazimit në organizimit të atentatit. Në gjyqin e parë në qytetin Ried të Austrisë, ku u dënuan Gjeloshi dhe Çami, emri i Mulletit vetëm sa u përmet gjatë gjyqit; në gjyqin e Tiranës pak kohë më pas, Mulleti u dënua me vdekje në mungesë.[5]
Më pas u largua drejt Parisit.[4]
Në qershor të 1939 u kthye në Shqipërinë e pushtuar nga italianët,[6] dhe më pas u zgjodh kryetar i bashkisë së Tiranës deri më 1940. Shumë plane të nisura në kohën e Zogut, si godina e korpusit universitar, kolonadat apo sot Muzeu i Arkeologjisë, Akademia e Arteve, ku në atë kohë u vendos edhe opera, Kryeministria dhe hotel “Dajti” morën drejtim në kohën e kryebashkiakut Mulleti. U çelën çezma, u ndërtuan banjo publike dhe u larguan varrezat nga qendra e qytetit, gjë që e nisi nga varrezat e familjes së vet.[1]
Më 20 korrik 1942, me detyrën e prefektit, mblodhi parinë e Tiranës për t'u bërë të tretënh erë apelin për të bashkëpunuar me ushtrinë italiane dhe të ndërprenin rezistencën pasive në vend. Më 28 gusht 1942 iu bë një atentat i pasuksesshëm,[7] nga një i ri i njësitit guerril me mbiemrin Pekmezi, i cili me bombën që hodhi në drejtim të prefektit vrau dy shoqëruesit italianë. Si pasojë një patrullë italiane e vrau të riun.[8]
Më 1944, me përparimin e komunistëve u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Itali, ku do të organizohej me Bllokun Kombëtar Indipendent, pjesë e kryesisë së tij.[9]
Që më 2004 poeti Gëzim Hajdari zbuloi vendprehjen e eshtrave të tij, në varrezat "San Sebastiano Martire" të lokalitetit Rocca della Papa në qytezën Vicolo delle Grotte.[10][11]
Kur qëndronte në Vienë gjatë emigracionit antizogist, u martua më 1929 me Hajrije Kusin, duke u trashëguar me një djalë, Reshitin. Pas ardhjes në pushtet të komunistëve dhe largimit të Qazimit drejt Italisë, e shoqja me të birin kaluan jetën ndër internime nëpër kampet e Tepelenës, Savrës, Gradishtit, Porto Palermos, etj. Hajrija ndërroi jetë në dhjetor të 1980 në kampin e Savrës, Lushnje.[12] I vëllai, Hakiu, megjithëse nuk qe përfshirë në politikë u arrestua dhe familja e tij u nxorr në rrugë.[1]
Enver Hoxha dhe historiografia komuniste do ta portretizonin si tradhëtar, agjent, kriminel dhe prefekti gjakatar.[13][14]
Në periudhën komuniste do të portretizohej ndër komedi, me skenar nga Besim Levonja, personazhi i tij u luajt nga Mihal Popi dhe më pas Robert Ndrenika. Versioni më popullor është komedia "Prefekti" me regji nga Pirro Mani më 1974 dhe përshtatur për film nga Vera Grabocka më 1976; këtu personazhin e interpretoi Ndrenika, duke u shndërruar me kohën ndër simbolet e komedisë shqiptare.[15] Simbolet tek të cilat mbështetet në steriotipe dhe prodhon vetëm të tillë: prefekti dhe vartësi i tij, shefi i policisë Mon Kukaleshi, si përfaqësues të vendalive tiranas përfaqësohen si të korruptuar, të trashë, fetarë dhe e folura e tyre është mëshuar qëllimisht për stigmatizimin e grupeve shoqërore nga e vinin këta personazhe.[16]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.