Klub futbolli nga Milano From Wikipedia, the free encyclopedia
Football Club Internazionale Milano,[4] njohur zakonisht si Internazionale (Italisht: [internatt͡sjoˈnaːle]) ose thjesht Inter ose Inter Milan jashtë Italisë, është një klub profesionist italian futbolli me seli në Milano, Lombardi.
Emri i plotë | Football Club Internazionale Milano S.p.A.[1] | |||
---|---|---|---|---|
Pseudonimi(et) | I Nerazzurri (Zikaltrit) La Beneamata (E Mirëdashura) Il Biscione (Gjarpëri i Madh) | |||
Themeluar | 9 mars 1908 | |||
Stadiumi | Giuseppe Meazza | |||
Kapaciteti | 75,923 | |||
Pronari | Oaktree Capital Management (99.6%) Aksionerë të tjerë (0.04%) | |||
Presidenti | Giuseppe Marotta[2] | |||
Trajneri | Simone Inzaghi[3] | |||
Liga | Serie A | |||
2023–24 | 1rë në 20 | |||
Faqja zyrtare | Faqja zyrtare e klubit | |||
|
Themeluar në 1908 nga një grup anëtarësh disidentë të Milanit, klubi ka luajtur vazhdimisht në kategorinë më të lartë të kampionatit italian duke filluar që nga ndeshja e parë zyrtare, në 1909, dhe është i vetmi që ka marrë pjesë në të gjitha edicionet e Serisë A, krijuar në sezonin 1929–30. Që nga themelimi klubi përdor uniformë me vija vertikale zikaltër, përjashtuar një periudhë të shkurtër në 1928 kur përdori një fanellë të bardhë me kryq të kuq.
Internazionale ka fituar 37 trofe brenda Italisë, përfshirë fitimin e kampionatit 20 herë, kupën nëntë herë dhe superkupën tetë herë. Nga viti 2006 e deri në vitin 2010, klubi e fitoi ligën pesë herë rresht, duke barazuar dhe rekordin e të gjitha kohërave deri ne atë moment.[5] Ata kanë fituar Ligën e Kampioneve tre herë: dy herë rresht në vitet 1964 dhe 1965 ndërsa të tretën në 2010, e fundit për një skuadër italiane. Inter në sezonin 2009–10 përveç se fitoi Ligën e Kampioneve, fitoi gjithashtu edhe Scudetton dhe Kupën e Italisë duke u bërë skuadra e parë dhe e vetme italiane që fiton tripletën kontinentale.[6] Klubi gjithashtu ka fituar tre herë Kupën UEFA, dy herë Kupën Ndërkontinentale dhe një herë FIFA Kupën e Botës për Klube.
Inter i luan ndeshjet si vendas në stadiumin Giuseppe Meazza, i njohur gjithashtu edhe si Stadio San Siro. Stadiumi, i cili ndahet me rivalët e Milanit, është stadiumi me kapacitetin më të madh në Itali, me plot 75,923 vende.[7] Milan është rivali më i madh i Interit dhe sfidat midis tyre njihen si Derby della Madonnina, që është një nga derbit më të ndjekur në rang botëror.[8] Që nga viti 2010, Inter është skuadra e dytë italiane me më shumë tifozë,[9] dhe e teta në Evropë. Inter është një nga klubet më të vlefshme në Itali dhe në botë.[10] Inter ishte një nga anëtarët themelues në 1998 të grupit G-14 udhëheqës të futbollit europian, grup i cili nuk ekziston më pas shpërbërjes në vitin 2008.[11]
Klubi u themelua më 9 mars 1908 si Football Club Internazionale Milano pas një përçarje të Milan Cricket & Football Club (tani A.C. Milan). Emri i klubit buron nga dëshira e anëtarëve themelues për të pranuar lojtarët e huaj mes atyre italianë.
|
|
Klubi fitoi kampionatin e parë në vitin 1910 dhe të dytin në vitin 1920. Kapiteni dhe trajneri i Scudettos së parë ishte Virgilio Fossati, i cili ra dëshmor në front gjatë Luftës së Parë Botërore në betejën e Monfalcones midis ushtrisë italiane dhe asaj austriake. Në vitin 1922, Interi rrezikoi të binte nga kategoria, por fitoi dy ndeshje play-off duke siguruar qëndrimin.
Gjashtë vite më vonë, gjatë epokës Fashiste, klubi u detyrua të bashkohej me Unione Sportiva Milanese dhe u riemërua Società Sportiva Ambrosiana.[14] Gjatë sezonit 1928–29, ekipi luajti me fanella të bardha me një kryq të kuq në mes; modeli i fanellës u frymëzua nga flamuri dhe stema e qytetit të Milanos. Në vitin 1929, pronari i ri i klubit Oreste Simonotti ndryshoi emrin e klubit në Associazione Sportiva Ambrosiana dhe riktheu fanellat zikaltër; pavarësisht kësaj, tifozët vazhduan ta quanin ekipin Inter, dhe në vitin 1931, presidenti i ri Pozzani iu dorëzua presioneve të aksionerëve dhe e ndryshoi emrin e klubit në Associazione Sportiva Ambrosiana-Inter.[14]
Coppa Italia (Kupa e Italisë) e parë u fitua në sezonin 1938–39, ku ekipi udhëhiqej nga legjenda Giuseppe Meazza, emrin e të cilit mban zyrtarisht sot stadiumi San Siro. Kampionati i pestë u fitua në vitin 1940, pavarësisht dëmtimit të Meazzës. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, klubi rivendosi emrin e tij të vjetër. Pas luftës, Interi fitoi kampionatin e gjashtë në vitin 1953 dhe të shtatin në 1954.
Në 1960, trajneri Helenio Herrera u bashkua me Interin nga Barcelona,[15] duke marrë me vete "gjeneralin" e mesfushës Luis Suárez, i cili kishte fituar çmimin Futbollisti Evropian i Vitit në të njëjtin vit për rolin e tij në fitimin e La Ligës dhe Kupës së Panaireve. Ai do ta transformonte Interin në një nga skuadrat më të mëdhaja në Evropë,[16] duke modifikuar formacionin 5–3–2 që njihej si "Verrou".[17] Ky formacion i zgjedhur nga Helenio Herrera kishte për qëllim forcimet e kundërsulmeve. Formacioni "Catenaccio" ishte shpikur nga trajneri austriak me emrin Karl Rappan.[18] Formacioni në të vertetë kishte katër mbrojtësa të mirëfilltë ku secili duhej të mbronte një kundërshtar të caktuar, plus një organizator në mesin e fushës i cili duhej të luante me dy mesfushorë krahu. Herrera shtoi dhe mbrojtësin e pestë duke e vendosur pak përpara mbrojtjes. Mbrojtësi i pestë do të lëvizte i lirë dhe do të merrej me çdo sulmues që do të shkonte përmes dy qëndër-mbrojtësave. Interi përfundoi i treti në Serie A në sezonin e tij të parë, i dyti në vitin e dytë dhe i pari në sezonin e tretë. Kjo gjë u pasua me ty triumfe rresht në Kupën Europiane në vitet 1964 dhe 1965. Herrera mori titullin ll Mago, që do të thotë magjistar. Formacioni i skuadrës së tij ishin mbrojtësit Tarcisio Burgnich dhe Giacinto Facchetti, lojtari i lirë Armando Picchi, organizatori Suárez, anësori Jair, mesfushori i majtë Mario Corso, dhe Sandro Mazzola që luante në të djathtë.[19]
Në vitin 1964, Interi arriti finalen e Kupës Europiane duke mposhtur Partizanin e Beogradit në çerek-finale dhe Borusian e Dortmundit në gjysëm-finale. Në finale, ata u përballën kundër Real Madridit që kishte arritur shtatë nga nëntë finalet që nga themelimi i kompeticionit. Mazzola shënoi dy gola në fitoren 3–1,[20] dhe më vonë skuadra fitoi Kupën Ndërkontinentale kundër Independientes. Një vit më vonë, Inter e përsëriti suksesin duke mposhtur Benficën në finalen kontinentale me golin e Jair[21] dhe duke fituar një tjetër Kupë Ndërkontinentale, ku në finale Zikaltërit mposhtën sërish Independienten.
Në 1967, me Jair të larguar dhe Suárezin e dëmtuar, Inter u mposht në finalen e Kupës Evropiane me rezultatin 2–1 nga Celtic.[22] Në të njëjtin vit, klubi ndryshoi emrin duke e bërë Football Club Internazionale Milano.
Pas epokës së artë të viteve '60, Inter arriti të fitonte kampionatin e njëmbëdhjetë në vitin 1971 dhe të dymbëdhjetin në vitin 1980.[23][24] Inter u mposht për herë të dytë brënda pesë viteve në finalen e Kupës Europiane, duke u mposhtur 2–0 nga Ajaxi i Johan Cruyff në vitin 1972.[25] Gjatë viteve '70 dhe '80, Inter gjithashtu shtoi edhe dy Kupa të Italisë në koleksion, trofetë e sezoneve 1977–78 dhe 1981–82.
I udhëhequr nga dyshja gjermane Andreas Brehme e Lothar Matthäus, dhe nga argjentinasi Ramón Díaz, Interi fitoi kampionatin e vitit 1989.[26] Gjermani tjetër Jürgen Klinsmann dhe Superkupa Italiane erdhën në sezonin e ardhshëm por kjo nuk ishte shumë e dobishme pasi Interi nuk e mbrojti dot titullin e fituar një sezon më parë.
Vitet '90 ishin një periudhë zhgënjyese për Interin. Gjatë kësaj kohe, rivalët e tyre Milan dhe Juventusi kishin arritur suksese në Itali dhe Europë, kurse Inter ishte lënë mbrapa krahëve duke arritur rezultate zhgënjyese në kampionat, ku rezultati më negativ ishte ai i sezonit 1993–94 ku ishin vetëm një pikë larg zonës së rënies nga kategoria. Megjithatë, ata arritën disa suksese europiane duke triumfuar tre herë në Kupën UEFA në vitet 1991, 1994 dhe 1998.[27]
Pasi Massimo Moratti mori drejtimin e klubit nga Ernesto Pellegrini në vitin 1995,[28] Inter theu dy herë rekordin për blerjen më të shtrenjtë në botë gjatë asaj periudhe (19.5 milionë £ për Ronaldon nga Barcelona në 1997-tën dhe 31 milionë £ për Christian Vierin nga Lazio dy vite më vonë).[29][30] Megjithatë, vitet '90 vazhduan të ishin vite zhgënjyese, duke qënë dekada e vetme ku Inter nuk arriti ta fitojë asnjë herë të vetme titullin e Serie A. Për tifozët e Interit ishte e vështirë për të fajësuar veçanërisht ndonjërin dhe kjo gjë solli një marrëdhënje të akullt mes tyre dhe presidentit, trajnerëve dhe madje disa lojtarëve.
Moratti më vonë u bë shënjestër e tifozëve, menjëherë pasi ai shkarkoi trajnerin e shumëdashur të tyre Luigi Simoni pas vetëm pak ndeshjeve të luajtura në sezonin 1998–99, pasi kishte marrë çmimin "Trajneri Italian i Vitit" për sezonin 1997–98 një ditë para se të shkarkohej.[31] Në atë sezon Inter dështoi të kualifikohej në ndonjë kompeticion europian për herë të parë pas gati dhjetë viteve, duke e mbyllur sezonin në vendin e tetë.[32]
Në sezonin e ardhshëm, Moratti punësoi ish trajnerin e Juventusit Marcello Lippi,[33] dhe firmosi me lojtarë si Angelo Peruzzi dhe Laurent Blanc sëbashku me ish lojtarët e Juventusit Vieri dhe Vladimir Jugović. Skuadra ju afrua suksesit të parë vendor që nga viti 1989 ku ata arritën në finalen e Kupës së Italisë ku u mposhtën nga Lazio.[34]
Edhe sezoni tjetër ishte dëshpërues për klubin. Inter impresionoi në ndeshjen e Superkupës Italiane kundër Lazios duke marrë kryesimin falë blerjeve të reja Robbie Keane dhe Hakan Şükür – megjithatë, ata u mposhtën 4–3.[35] Ata gjithashtu u eleminuan në raundin paraeleminator të Ligës së Kampioneve nga klubi suedez Helsingborgs IF, Álvaro Recoba humbi një penallti vendimtare në çastet e fundit të ndeshjes së kthimit në shtëpi.[36] Lippi u shkarkua pas vetëm një ndeshje të vetme në ligë e cila rezultoi humbja e parë në historinë e Interit kundër Regginës.[37][38] Marco Tardelli, i zgjedhur për të zëvëndësuar Lippin,[39] dështoi për të sjellë rezultate, dhe mbahet mend nga tifozët e Interit si trajneri që humbi derbin e qytetit me rezultatin 6–0 kundër Milanit në sezonin 2000–01.[40] Pjesëtarët e tjerë të "familjes" Inter gjatë kësaj periudhë që vuajtën ishin lojtarë si Vieri dhe Fabio Cannavaro, ku të dyve ju dëmtuan restorantet në pronësi në Milano pas humbjeve kundër Milanit.
Në vitin 2002, Inter jo vetëm që shkoi në gjysmë-finalen e Kupës UEFA, por ishte 45 minuta larg fitimit të "Scudettos", ku ata duhej të mbanin avantazhin prej një goli në ndeshjen jashtë fushe kundër Lazios. Inter kryesonte 2–1 pas 24 minutash, por Lazio barazoi në kohën shtesë në fund të pjesës së parë dhe shënoi edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë duke i hapur rrugë Juventusit që të fitonte titullin.[36] Në sezonin e ardhshëm, Interi e përfundoi kampionatin në vendin e dytë dhe gjithashtu arriti të shkonte në gjysëm-finalen e Ligës së Kampioneve kundër Milanit, duke u eleminuar për shkak të rregullit të golit jashtë fushe.[41]
Më 1 korrik 2004, Inter punësoi ish trajnerin e Lazios Roberto Mancini si trajnerin e ri të ekipit.[42] Në sezonin e parë, ekipi mblodhi 72 pikë nga 18 fitore, 18 barazime dhe nga vetëm dy humbje, si dhe fitoi Kupën e Italisë dhe më vonë Superkupën. Më 11 maj 2006, Inter mbrojti titullin e kupës duke mposhtur Romën me rezultatin e përgjithshëm 4–2 (1–1 në Romë dhe 3–1 në Milano).[43]
Interit iu dorezua trofeu i Serie A për sezonin 2005–06 pasi Juventusit dhe Milanit ju zbritën pikë për shkak të skandalit të trukimit të ndeshjeve.[44][45] Gjatë sezonit të ardhshëm, Inter arriti të thyente rekordin e fitoreve rresht duke fituar 17 ndeshje rresht në Serie A,[46] e cila nisi me fitoren 4–1 në shtëpi kundër Livornos dhe mbaroi më 28 shkurt 2007 pas barazimit 1–1 ndaj Udineses.[47] Më 22 prill 2007, Inter fitoi Scudetton e dytë rresht — të parën në fushë që nga viti 1989 — pasi mposhtën 2–1 Sienën në Stadio Artemio Franchi. Mbrojtësi italian fitues i Kupës së Botës Marco Materazzi shënoi të dy golat.[48]
Inter filloi sezonin 2007–08 me objektivin për të fituar Serie A edhe Ligën e Kampioneve. Ekipi bëri një nisje të mirë në kampionat, duke qënë në krye të renditjes në ndeshjet e para, si dhe arriti të kualifikohej në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve. Megjithatë, atje ata u eliminuan me rezultatin e përgjithshëm 2–0 nga Liverpooli më 19 shkurt,[49] duke vendosur në pikëpyetje të ardhmen e Roberto Mancinit në klub ndërsa forma e ekipit në kampionat filloi të përkeqsohej pas dështimin për të fituar tre ndeshje rresht. Pasi u eleminua nga anglezët në Ligën e Kampioneve, Mancini lajmëroi qëllimin e tij për të lënë drejtimin e skuadrës, por ndryshoi mendjen vetëm një ditë më vonë. Në ditën e fundit të sezonit 2007–08 në Serie A, Inter luajti kundër Parmës në transfertë, dhe dy gola nga Zlatan Ibrahimović i siguruan klubit titullin e tretë rresht kampion. Mancini u shkarkua më vonë pas shkak të deklaratës së tij të mëparshme për lënjen e klubit.[50]
Më 2 qershor 2008, Inter punësoi ish trajnerin e Portos dhe Çelsit José Mourinho si trajnerin e ri.[51] Në sezonin e tij të parë, Zikaltërit fituan Superkupën Italiane dhe titullin e katërt rresht,[52][53] por u eleminuan në raundin e parë me eliminim direkt të Ligës e Kampioneve për të tretin vit rresht, këtë herë nga Manchester United, që në fund arriti në finale.[54] Me fitimin e titullit për herë të katërt rresht, Inter u bë klubi i parë pas 60 vitesh që fiton katër tituj rresht dhe j'u bashkua Torinos dhe Juventusit si skuadrat e vetme që e kanë bërë këtë gjë, duke u bërë gjithashtu klubi i parë jashtë qytetit të Torinos.
Interi shijoi shumë sukses në Ligën e Kampioneve 2009–10, duke mposhtur kampionët në fuqi Barcelonën në gjysëm-finale dhe më pas Bayern München në finale 2–0 falë dy golave të Diego Militos.[55] Ekipi gjithashtu fitoi titullin e Serie A 2009–10 me dy pikë para Romës, si dhe Kupën e Italisë duke mposhtur në finale të njëjtin ekip me rezultatin 1–0.[56] Kjo gjë e bëri Interin klubin e parë italian që fiton tripletën. Në përfundim të sezonit, Mourinho u largua nga klubi për të drejtuar Real Madridin;[57] ai u zëvëndësua nga Rafael Benítez.[58]
Më 21 gusht 2010, Interi mposhti Romën 3–1 dhe fitoi Superkupën e Italisë 2010, duke siguruar titullin e katërt të vitit.[59] Në dhjetor, ata triumfuan edhe në FIFA Kupën e Botës për Klube për herë të parë pas një fitore 3–0 në finale kundër TP Mazembes.[60] Megjithatë, pas kësaj fitoreje, më 23 dhjetor, për shkak të rezulteve në rënje në kampionat, klubi shkarkoi Benítezin.[61] Ai u zëvëndësua nga Leonardo në ditën e ardhshme.[62]
Leonardo e nisi me 30 pikë në 12 ndeshjet e para, me një mesarate 2.5 pikë për ndeshje, më mirë se paraardhësit e tij Benítez dhe Mourinho.[63] Më 6 mars 2011, Leonardo vendosi rekord të ri në Serie A duke mbledhur 33 pikë në 13 ndeshje; rekordi i mëparshëm ishte 32 pikë në 13 ndeshje nga Fabio Capello në sezonin 2004–05.[63] Ai e udhëhoqi ekipin në çerek-finalen e Ligës së Kampioneve ku u eliminuan nga Schalke 04,[64][65] kurse në kupë triumfuan sërisht.[66] Megjithatë, në përfundim të sezonit, ai dha dorëheqjen dhe u pasua nga trajnerët jo të suksesshëm Gian Piero Gasperini, Claudio Ranieri dhe Andrea Stramaccioni.[67][68][69][70]
Më 1 gusht 2012, klubi njoftoi se Moratti mendon të shesë një kuotë të pakicës së klubit një konsorciumi kinez të udhëhequr nga Kenneth Huang.[71] Në të njëjtën ditë, Inter njoftoi arritjen e një marrëveshjeje me China Railway Construction Corporation Limited për një projekt të ri stadiumi, megjithatë, kjo marrëveshje u prish.[72] Sezoni 2012–13 ishte më i keqi në historinë e viteve të fundit të Interit, që e mbylli kampionatin në një vend zhgënjyes të nëntë, duke mos u kualifikuar në asnjë kompeticion evropian.[73] Walter Mazzarri u vendos trajneri i ri i skuadrës në vend të Stramaccionit më 24 maj 2013.[74]
Më 15 tetor 2013, një konsorcium indonezian (International Sports Capital HK Ltd.) i udhëhequr nga Erick Thohir, Handy Soetedjo dhe Rosan Roeslani, firmosën një marrëveshje për të blerë 70% të aksioneve të Interit nga Internazionale Holding S.r.l.[75][76][77] Menjëherë pas marrëveshjes, Internazionale Holding S.r.l i Morattit majti 29.5% të aksioneve të FC Internazionale Milano S.p.A.[78] Pas marrëveshjes, aksionet e Interit ishin në pronësi të një kompanie mbajtëse, me emër International Sports Capital S.p.A të Italisë (për 70% të aksioneve), International Sports Capital HK Limited dhe Asian Sports Ventures HK Limited të Hong Kongut. Asian Sports Ventures HK Limited, në vetvete një kompani tjetër mbajtëse e ndërmjetme, ishte në pronësi të Nusantara Sports Ventures HK Limited (60% të aksioneve, një kompani në pronësi të Thohir), Alke Sports Investment HK Limited (20% të aksioneve) dhe Aksis Sports Capital HK Limited (20% të aksioneve).
Thohir, i cili gjithashtu ishte në pronësi të klubit Major League Soccer (MLS) D.C. United dhe Super Ligës Indoneziane (ISL) Persib Bandung, njoftoi më 2 dhjetor 2013 se Inter dhe D.C. United kishin formuar partneritet strategjik.[79] Gjatë epokës Thohir, klubi filloi të modifikojë strukturën financiare nga i varur në investime të vazhdueshme të pronarit në një model biznesi më të vetë-qëndrueshëm, megjithëse klubi ende shkelte rregullat e Fair Play Financiar të UEFA-s në vitin 2015. Klubi u gjobit dhe mori reduktim të ekipit në kompeticionet e UEFA-s, si dhe mori gjoba shtesë të pezulluara në periudhën e provës. Gjatë kësaj kohe, Roberto Mancini u kthye si trajner më 14 nëntor 2014.[80]
Më 6 qershor 2016, Suning Holdings Group (përmes një kompanie anësore me qendër në Luksemburg, Great Horizon S.á rl) një kompani në pronësi të Zhang Jindong, bashkëthemelues dhe kryetar i Suning Commerce Group, fitoi një shumicë të aksioneve të Interit nga konsorciumi International Sports Capital S.p.A. i Thohir dhe pjesët e mbetura të familjes Internazionale Holding S.r.l. të Morattit.[81] Sipas regjistrimeve të ndryshme, investimi i përgjithshëm nga Suning ishte rreth 270 milion €.[82] Marrëveshja u miratua nga një mbledhje e jashtëzakonshme e përgjithshme në 28 qershor 2016, nga e cila Suning Holdings Group kishte fituar një 68.55% të aksioneve në klub.[83]
Në ndeshjen e fundit të sezonit 2017–18, Interi arriti një fitore dramatike 3–2 në Stadio Olimpico kundër Lazios, duke siguruar vendin e katërt në kampionat dhe një vend në Ligën e Kampioneve për herë të parë pas shtatë vitesh.[84][85] Edhe sezoni 2018–19 u mbyll në të njëjtën mënyrë, me Interin që fitoi 2–1 kundër Empolit në San Siro në javën e fundit për të siguruar një tjetër vend të katërt në kampionat.[86]
Për sezonin 2019–20, Antonio Conte u emërua trajneri i ri i ekipit, në vend të Luciano Spallettit;[87] duke u bërë trajneri më i paguar në Serie A.[88] Falë këmbënguljes së tij, Interi siguroi transferimin e sulmuesit belg Romelu Lukaku nga Manchester United për 74 milionë €, duke u bërë blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit.[89] Pasi e mbylli sezonin e parë me një vend të dytë në kampionat dhe me humbje në finale të Europa League kundër Seviljes, Conte udhëhoqi ekipin në fitoren e kampionatit të 19-të në sezonin 2020-21, 11 vjet pas fitores së fundit, duke i dhënë fund hegjemonisë gati dhjetëvjeçare të Juventusit. Gjithsesi, pavarësisht arritjeve në sezonin e fundit, më 26 maj 2021, Inter njoftoi se Conte do të largohet nga drejtimi i ekipit pasi u arrit një marrëveshje midis palëve për ndërprerjen e bashkëpunimit. Largimi njoftohet të ketë ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve që Conte kishte me klubin në lidhje me fushatën e transferimeve për sezonin e ardhshëm.[90][91]
Më 3 qershor 2021, Simone Inzaghi u emërua trajner duke firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin zikaltër.[92]
Që nga krijimi në vitin 1908, Interi ka luajtur me fanella me vija vertikale të zeza dhe të kaltërta.[93] Ata zgjodhën ngjyrën e zezë për të përfaqësuar natën dhe ngjyrën e kaltërt për të përfaqësuar qiellin. Përveç një periudhe në Luftën e Dytë Botërore që Inter i braktisi këto dy ngjyra, nuk ka pasur ndonjë periudhë tjetër kohore pa këto ngjyra, duke fituar edhe pseudonimin Nerazzurri.[94] Në vitin 1928, filozofia dhe emri i klubit i solli Partisë Fashiste shqetësim. Si rezultat i kësaj, gjatë atij viti, klubi tashmë me histori 20-vjeçare u bashkua me Unione Sportiva Milanese. Klubi i ri u quajt Società Sportiva Ambrosiana në nder të shenjtorit mbrojtës të Milanos.[95] Flamuri i Milanos zëvëndësoi ngjyrat tradicionale zi e kaltër.[96] Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Partia Fashiste kishte rënë nga pushteti, klubi rimori emrin e tyre të vjetër dhe ngjyrat. Në vitin 2008, Inter festoi 100 vjetorin duke vendosur një kryq të kuq në fanellën e bardhë; kryqi i Shën Gjergjit është pjesë e stemës dhe flamurit të qytetit të Milanos dhe vazhdon të përdoret nga klubi, zakonisht në fanellat e treta.[95]
Një nga themeluesit e Interit ishte edhe ilustruesi i njohur asokohe Giorgio Muggiani, i cili kishte përgjegjësinë për modelin e stemës së parë të Interit në vitin 1908.[97] Modeli i parë, i frymëzuar nga modelet e klubeve angleze, ka pasur gërmat FCIM të mbivendosura të bardha në një sfond të përbërë nga një rreth i artë i rrethuar nga një rreth i zi dhe një tjetër përmbyllës i kaltër. Disa elemente bazike të modelit të parë vazhdojnë ende të qëndrojnë edhe pse stema është modifikuar disa herë ndër vite.[97] Që nga sezoni 1999–2000, stema origjinale e klubit u zvogëlua në përmasa, për t'i dhënë hapësirë vendosjes së emrit të klubit në pjesën e sipërme dhe vitin e themelimit në pjesën e poshtme.[98]
Në vitin 2007, Inter ju rikthye modelit të stemës së epokës para sezonit 1999–2000.[97] Ajo mori një pamje më moderne, e kishte yllin e Scudettos më të vogël dhe kishte ngjyra më të hapura. Ky version u përdor deri në korrik 2014, ku klubi vendosi t'i nënshtrohej një rimodelimi.[99] Diferenca më e veçantë midis stemës aktuale dhe atyre të shkuara ishte heqja e yllit nga të gjitha mediat përveç fanellave.[100]
Më 20 mars të 2021 zbuloi për publikun logon e re, që është një version i rishikuar i stemës së realizuar nga Muggiani: në monogramë mbeten vetëm gërmat I dhe M, braktiset ngjyra e artë ndërsa e kaltërta zëvendësohet me një blu intense.[101]
Shumica nga skuadrat e Serie A përdorin kafshë për të përfaqësuar simbolet dhe historinë e tyre. Një prej këtyre skuadrave është edhe Interi, i cili për simbol ka gjarpërin, i quajtur Il Biscione ose Serpente.[102] Gjarpëri është një simbol i rëndësishëm për qytetin e Milanos. Simboli është i famshëm për përdorimin e tij nga familja milaneze e Sforzave e cila sundoi mbi veriun e Italisë gjatë periudhës së rilindjes.[102]
Himni i Interit, kompozuar nga Elio dhe interpretuar nga Graziano Romani, titullohet C'è solo l'Inter dhe është publikuar në 2002.[103][104]
Pazza Inter është një këngë e 2003 e regjistruar në studio nga lojtarët zikaltër të asaj periudhe;[105] duke parë suksesin e jashtëzakonshëm që pati në tifozerinë zikaltër dhe jo vetëm, kënga është përdorur deri në gusht të 2019 para çdo ndeshje në San Siro pas himnit zyrtar.[106]
Periudha | Prodhuesi | Sponsori |
---|---|---|
1979–1981 | Puma | |
1981–1982 | Inno-Hit[107] | |
1982–1986 | Mecsport | Misura[107] |
1986–1988 | Le Coq Sportif | |
1988–1991 | Uhlsport | |
1991–1992 | Umbro | FitGar[107] |
1992–1995 | Cesare Fiorucci[107] | |
1995–1998 | Pirelli[107] | |
1998–2016 | Nike | |
2016–2021 |
| |
2021– |
|
Stadiumi i Interit është San Siro me 75,923 vende, i cili njihet zyrtarisht si Stadio Giuseppe Meazza në nder të lojtarit i cili ka luajtur me të dyja skuadrat e qytetit.[111] Për këtë stadium përdoret më shpesh emri San Siro, sepse zona rreth stadiumit e ka emrin San Siro.[112] Giuseppe Meazza ka qënë stadiumi i Milanit që në vitin 1926, kur u ndërtua privatisht nga presidenti i asaj kohe i klubit Piero Pirelli.[111] Ndërtimi u krye nga 120 punëtorë dhe u deshën 13 muaj e gjysëm që të përfundonte. Stadiumi ishte në pronësi të klubit deri kur iu shit bashkisë së qytetit në vitin 1935, dhe që nga viti 1947, është ndarë me klubin tjetër të qytetit, Interin.[112][113]
Ndeshja e parë në këtë stadium u luajt në vitin 1926, kur Inter mposhti Milanin me rezultatin 6–3 në një ndeshje miqësore.[113] Milan luajti ndeshjen e parë zyrtare të kampionatit në San Siro më 19 shtator 1926, duke u mposhtur 1–2 nga Sampierdarenese (U.C. Sampdoria). Kapaciteti fillestar i stadiumit ishte 35,000 vende,[113] por pas disa rinovimeve madhore, ku e fundit ishte në përgatitje për Kupën e Botës 1990, stadiumi arriti në kapacitetin 85,700 vende, të gjitha të mbuluara çati polikarbonate.[112] Në vitin 2008, kapaciteti u zvogëlua në 80,018 vende për të plotësuar kriteret e UEFA-s.
I ndërtuar sipas modelit anglez, San Siro është modeluar kryesisht për ndeshje futbolli, në kontrast me shumicën e stadiumeve shumë-funksionale të përdorura nga klubet e Serie A.[113] Në Itali njihet për afmosferën fantastike gjatë ndeshjeve për shkak të distancës së afërt midis ulëseve dhe fushës. Përdorimi i shpeshtë i flakadanëve kontribuon në rritjen e atmosferës, por kjo praktikë ndonjëherë ka shkaktuar edhe probleme.[114]
Fushat e para të stërvitjes të përdorura nga Inter ishin ato të Aeronautikës në Idroscalo dhe të historikes Arena Civica.[115]
Në vitin 1962 u inagurua qendra e re e stërvitjes së Appiano Gentiles, në provincë te Comos. Nga viti 2016 qendra ka marrë emrin aktual Suning Training Center in Memory of Angelo Moratti. Ajo përmban pesë fusha loje nga të cilat dy me përmasa të reduktuara; një nga to është e mbuluar me një tensostrukturë të lëvizshme dhe që përdoret kryesisht kur ka mot të keq. Gjithashtu, qendra përmban një pishinë, dy palestra, një sallë mjekësore, pesë dhoma zhveshje dhe dy magazina. Në brendësi të strukturës gjendet dhe Club House ku akomodohen lojtarët e skuadrës së parë, restoranti, dhoma e pritjes, kuzhina dhe hapësira të tjera në dispozicion të stafit dhe kryesisë. Në këtë ndërtesë gjenden dhe një sallë lojërash, një sallë për mbledhjet teknike, studiot televizive të Inter TV dhe salla e shtypit që përdoret për konferencat e shtypit.
Suning Youth Development Centre in Memory of Giacinto Facchetti në Milano, ështe qendra sportive e ekipeve të grupmoshave dhe e skuadrës së femrave. Ka një fushë loje me bar natyral, 2 fusha loje dhe stërvitje me bar artificial, 2 fusha artificiale për stërvitje, 1 fushë artificiale për stërvitje me 7 lojtarë, 1 fushë me bar natyral për stërvitje me 9 lojtarë, 1 palestër të kompletuar, 1 sallë mjekësore, 10 dhoma zhveshje, 1 Club House dhe qendër edukimi.[116]
Inter është një nga ekipet më të mbështetura në Itali sipas një kërkimi të gushtit 2007 nga gazeta italiane La Repubblica.[117] Historikisht, pjesa më e madhe e tifozëve të Interit nga qyteti i Milanos janë milanezë kryesisht të shtresës borgjeze dhe së mesme (Baüscia), kurse të Milanit zakonisht kanë qënë të klasës punëtore (Casciavit).[117]
Grupi ultras tradicional i Interit është Boys San;[118] ata kanë një pjesë të rëndësishme në historinë e ultrasve në përgjithësi për shkak se ata janë nga më të vjetrit, duke u themeluar në vitin 1969.[119] Nga pikëpamja politike, ultrasit e Interit kanë kryesisht tendenca të spektrit të djathtë dhe kanë marrëdhënië binjakëzimi me ultrasit e Lazios. Përveç grupit kryesor që është Boys San, janë gjithashtu edhe katër grupe të tjera gjithashtu të rëndësishme: Viking, Irriducibili, Ultras, dhe Brianza Alcoolica.[119][118]
Tifozët më të flaktë të Interit mblidhen në sektorin Curva Nord, ose ndryshe në pjesën e veriut të stadiumit San Siro.[118] Kjo traditë e gjatë ka bërë që Curva Nord të jetë sinonim për mbështetësit më të fortë të klubit, të cilët shpalosin flamuj dhe banera në mbështetje të ekipit.[118]
Tifozët thirren në përgjithësi me emrat Interisti ose Nerazzurri.[120]
Inter ka disa rivalitete, dy prej të cilave kanë domethënie të madhe në futbollin italian; së pari, ata marrin pjesë në derbin e qytetit i quajtur Derby della Madonnina me Milanin; rivaliteti ka ekzistuar që kur Inter u themelua në 1908.[94] Emri i derbit i referohet virgjëreshës Mari, statuja e së cilës ndodhet në krye të katedrales së Milanos dhe është një nga tërheqjet turistike të qytetit.[121] Ndeshjet midis tyre zakonisht krijojnë një atmosferë fantastike, ku të dyja tifozeritë shpalosin banderola (humoristike ose ofenduese) para fillimit të tyre. Flakadanët janë gjithashtu prezentë; ato sollën edhe anullimin e ndeshjes së dytë çerek-finale së Ligës së Kampioneve ndërmjet dy ekipeve më 12 prill 2005, pasi portieri Dida u godit nga tifozët e Interit me flakadan në shpatull.[122][123]
Rivaliteti tjetër madhor i Interit është ai kundër Juventusit; të dy marrin pjesë në Derby d'Italia.[124][125] Deri para skandalit të Calciopolit në vitin 2006, ato ishin dy ekipet e vetme që nuk kishin rënë nga kategoria.[124] Të dy klubet kanë numrin më të madh të tifozëve në Itali dhe rivaliteti i tyre arriti në nivele të larta pas viteve '90.[124]
Nga fillimi i shekullit të 21-të, Interi ka krijuar një rivalitet të veçantë edhe me klubin kryeqytetas Roma pas sfidave të Kupës UEFA në vitet '90.[126] Kulmi i këtij rivaliteti ishte në periudhën 2005–2010, ku të dy ekipet garonin për titullin kampion, me Romën që doli e dyta në katër nga pesë kampionatet e fituara nga Interi dhe njëkohësisht ndanë midis tyre pesë Kupa dhe katër Superkupa të Italisë që nga viti 2006. Interi ka rivalitet, edhe pse lokal, edhe me klubin e Atalantës.[127][128]
Javier Zanetti është lojtari i cili ka zhvilluar më shumë ndeshje në histori me fanellën e Interit, plot 858 në të gjitha kompeticionet; ai është gjithashtu lojtari i Interit (njëkohësisht dhe lojtari i huaj) me më shumë ndeshje në Serie A (615) dhe në kompeticionet evropiane (160).[129] Në vendin e dytë renditet mbrojtësi Giuseppe Bergomi, i cili luajti 756 ndeshje gjithsej, duke e shpenzuar të gjithë karrierën e tij 20-vjeçare me Zikaltërit;[130] Bergomi është lojtari që ka luajtur më shumë ndeshje për Interin në Kupë dhe Superkupë (120).[131] Ai ndiqet nga një tjetër mbrojtës, Giacinto Facchetti, i cili zhvilloi 634 ndeshje.[132] Ai, ashtu si Bergomi, luajti me Interin përgjatë gjithë karrierës së tij.[133]
Giuseppe Meazza është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Interin, duke regjistruar 248 gola në 408 paraqitje; ai luajti me klubin në dy periudha të ndryshme (1927–1940 dhe 1946–1947).[134] Alessandro Altobelli renditet në vendin e dytë me 209 gola, të shënuar në 11 sezone me klubin. Me 35 gola, ai është shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i klubit në kompeticionet evropiane. Përveç kësaj, ai mban rekordin për numrin e golave të shënuar me Interin në kupë (46). Në vendin e tretë renditet Roberto Boninsegna me 171 gola në të gjitha kompeticionet; ai luajti me klubin në tetë sezone.[135] Hungarezi István Nyers është lojtari i huaj me më shumë gola i Interit me 133, të gjitha të shënuar në Serie A.[136] Luigi Cevenini mban rekordin për numrin e golave të shënuar në një sezon në Serie A me Interin; italiani regjistroi 37 gola në kampionatin e sezonin 1913–14.[137] Meazza është lojtari zikaltër i cili e ka fituar çmimin Capocannoniere tre herë, respektivisht në sezonet 1929–30, 1935–36 dhe 1937–38. Meazza dhe Antonio Valentín Angelillo janë lojtarët që kanë shënuar më shumë gola në një ndeshje të vetme me Interit; i pari shënoi 5 gola në fitoren 9–2 ndaj Barit në 1937–38 kurse i dyti shënoi 5 gola në fitoren 8–0 kundër SPAL-it në sezonin 1958–59.[138][139]
Helenio Herrera është trajneri që ka shërbyer më gjatë në klub. Ai drejtoi ekipin nga viti 1960 e deri në vitin 1968, duke qënë një nga elementët më të rëndësishëm të epokës legjendare Grande Inter të klubit.[15] Herrera gjatë kësaj kohe fitoi tre tituj të Serie A, dy Kupa Evropiane dhe dy Kupa Ndërkontinentale.[15] Ai është, sëbashku me Roberto Mancinin, trajneri që ka fituar më shumë me Interin, duke pasur secili nga 7 trofe. Portugezi José Mourinho qëndroi si trajner i klubit për dy sezone, duke fituar pesë trofe, përfshirë edhe tripletën historike në sezonin 2009–10.[140]
Interi ka vendosur disa rekorde në Itali dhe Evropë; ata janë klubi i vetëm në Itali që nuk kanë rënë asnjëherë nga kategoria, duke i shpenzuar të 104 sezonet në elitë.[141] Ata janë klubi i vetëm që kanë luajtur në çdo sezon të Serie A që nga themelimi i ligës në vitin 1929. Në sezonin 1988–89, Interi vendosi disa rekorde në një kampionat me 18 ekipe; ata arritën numrin më të madh të fitoreve (26 nga 34 ndeshje), përfshirë fitoret në transfertë (11 nga 17 ndeshje), si dhe arritën 58 pikë, një tjetër rekord (në atë kohë fitoret vlerësoheshin me dy pikë). Klubi gjithashtu ka rekordin për fitoret rresht në Serie A (17),[142] si dhe për pikët e marra në transfertë në një sezon të vetëm (49).[142] Të dy rekordet u arritën në sezonin 2006–07, ku klubi siguroi 97 pikë,[142] një rekord në atë kohë, si dhe nuk humbi asnjë ndeshje në transfertë (një rekord që u barazua nga Juventusi në sezonin 2011–12).[142] Zikaltërit janë klubi i vetëm italian që ka fituar tripletën si dhe një nga dy klubet (sëbashku me Barcelonën) që ka fituar pesë tituj në një vit kalendarik (2010). Fitorja më e madhe e klubit është 16–0 kundër Vicenzës më 10 janar 1915 kurse humbja më e madhe është 9–1 kundër Juventusit më 10 qershor 1961.[143]
Inter ka fituar gjithsej 46 trofe zyrtarë.[144] Në Itali, Zikaltërit kanë fituar 20 kampionate,[145] nëntë kupa dhe tetë superkupa. Nga viti 2005 deri në vitin 2010, Inter fitoi kampionatin pesë herë rresht duke barazuar rekordin e të gjitha kohërave të vendosura nga Torino, por në vitin 2017, Juventus theu rekordin me titullin e gjashtë rresht. Në skenën evropiane, klubi ka fituar Ligën e Kampioneve, kompeticionin kryesor të UEFA-s, tre herë: dy herë rresht në vitet 1964 dhe 1965 dhe një tjetër në vitin 2010. Klubi gjithashtu ka fituar edhe tre herë Kupën UEFA, kompeticionin e dytë të UEFA-s për nga rëndësia. Në vitet 1964 dhe 1965, ata fituan Kupën Ndërkontinentale, duke u konsideruar de facto kampion bote nga FIFA.[146] Në vitin 2010, ata fituan FIFA Kupën e Botës për Klube.[147]
Tipi | Kompeticioni | Tituj | Sezone |
---|---|---|---|
Vendor | Serie A | 20 | 1909–10, 1919–20, 1929–30, 1937–38, 1939–40, 1952–53, 1953–54, 1962–63, 1964–65, 1965–66 , 1970–71, 1979–80, 1988–89, 2005–06,[nb 1] 2006–07, 2007–08, 2008–09, 2009–10, 2020–21, 2023–24 |
Coppa Italia | 9 | 1938–39, 1977–78, 1981–82, 2004–05, 2005–06, 2009–10, 2010–11, 2021–22, 2022–23 | |
Supercoppa Italiana | 8 | 1989, 2005, 2006, 2008, 2010, 2021, 2022, 2023 | |
Kontinental | UEFA Liga e Kampioneve | 3 | 1963–64, 1964–65, 2009–10 |
Kupa UEFA | 3 | 1990–91, 1993–94, 1997–98 | |
Botëror | Kupa Ndërkontinentale | 2 | 1964, 1965 |
FIFA Kupa e Botës për Klube | 1 | 2010 |
|
|
|
|
F.C. Internazionale Milano Primavera është skuadra nën-19 e Interit. Ata luajnë në grupin B të Campionato Nazionale Primavera. Ekipi ka fituar nëntë kampionate (Campionato Nazionale Primavera) dhe gjashtë kupa (Coppa Italia).[150] Ata kanë fituar gjithashtu 6 herë Torneo di Viareggio.[150] Në mars të 2012 Inter nën-19 fitoi edicionin e parë të NextGen Series, pararendëse e Ligës së Kampioneve për të rinjtë.[151]
Nr. | Lojtari | Kombësia | Pozicioni | Debutimi | Ndeshja e fundit |
---|---|---|---|---|---|
1 | Piero Campelli | Italia | Portier | 30 janar 1910 | 9 nëntor 1924 |
2 | Ermanno Aebi | Italia | Sulmues | 10 prill 1910 | 12 nëntor 1922 |
3 | Armando Castellazzi | Italia | Mesfushor | 23 shkurt 1924 | 8 mars 1936 |
4 | Giacinto Facchetti | Italia | Mbrojtës | 3 maj 1961 | 7 maj 1978 |
5 | Sandro Mazzola | Italia | Mesfushor-Sulmues | 10 qershor 1961 | 8 nëntor 1977 |
6 | Giuseppe Bergomi | Italia | Mbrojtës | 30 janar 1980 | 23 maj 1999 |
Presidenti i parë në historinë e klubit ishte Giovanni Paramithiotti, një drejtor sportiv italian me origjinë shqiptare.[155] Ai qëndroi për një vit para se të zëvëndësohej nga zvicerani Ettore Strauss. Në vitin 1955, Angelo Moratti u bë presidenti i ri i klubit, duke e drejtuar atë në epokën legjendare të Grande Inter. Dyzetë vite më pas, do të ishte djali i tij Massimo që do të bëhej president i ri i klubit. Me të në krye, Interi përjetoi periudhën më të suksesshme në histori, duke fituar 11 trofe. Ai drejtoi klubin në periudhën 1995–2013, me përjashtim të dy viteve ku president ishte ish lojtari Giacinto Facchetti.[156] Pas vdekjes së tij, Moratti u riemërua president. Në vitin 2013, Moratti e shiti klubin te biznesmeni indonezian Erick Thohir, i cili u bë presidenti i parë i huaj i klubit. Pas pesë vitesh, ai i shiti të gjithë aksionet e tij te kompania kineze Suning Holdings Group; Steven Zhang djali i pronarit të kompanisë Zhang Jindong, u emërua president në tetor 2018, duke u bërë presidenti më i ri në historinë e klubit.[157][158] Gjithsej, klubi ka pasur 21 presidentë të ndryshëm.[159]
Pozicioni | Stafi |
---|---|
President | Steven Zhang |
Zv/President | Javier Zanetti[162] |
Bordi drejtues | Steven Zhang Alessandro Antonello Giuseppe Marotta Ren Jun Yang Yang Zhu Qing Zhou Bin Daniel Kar Keung Tseung Carlo Marchetti Amedeo Carassai |
Bordi i auditorëve | Luca Nicodemi Giacomo Perrone Alessandro Padula |
Administrator i deleguar Corporate | Alessandro Antonello |
Administrator i deleguar Sport | Giuseppe Marotta |
Drejtor sportiv | Piero Ausilio |
Zv/Drejtor sportiv | Dario Baccin |
First Team Technical Manager | Gabriele Oriali |
Team manager | Matteo Tagliacarne |
Trajneri aktual është Simone Inzaghi, i cili e mori detyrën më 3 qershor 2021.[163]
José Mourinho është trajneri fitues i tripletës së parë në historinë e Interit në sezonin 2009–10 dhe në historinë e futbollit italian.[164] Trajneri që ka qëndruar më gjatë tek Interi është argjentinasi Heleno Herreira, i cili qëndroi për 8 vjet duke fituar edhe dy Kupa Evropiane dhe dy Kupa Ndërkontinentale, kurse trajneri që ka qëndruar më pak kohë është italiani Gian Piero Gasperini, i cili qëndroi në detyrë për dy muaj e tre javë.[165]
Gjithsej, që nga themelimi i klubit e deri tani Inter ka ndërruar 83 trajnerë, ku trajneri i parë ka qënë Virgilio Fossati, i cili njëkohësisht ka qënë edhe lojtar.[166]
Pozicioni | Emri |
---|---|
Trajner | Simone Inzaghi |
Zëvendës-trajner | Massimliano Farris |
Ndihmës-teknikë | Mario Cecchi Ferruccio Cerasaro Ricardo Rocchini |
Trajnerë të fitnesit | Fabio Ripert Claudio Spicciariello |
Trajnerë të portierëve | Adriano Bonaiuti Gianluca Zappalà |
Përgjegjës i dietës së lojtarëve | Matteo Pincella |
Menaxher i analizës futbollistike | Alessandro Davite |
Analist tekniko-taktik | Giacomo Toninato |
Përgjegjës i stafit mjekësor | Piero Volpi |
Doktorë të ekipit | Alessandro Corsini Luca Pulici Alessandro Quaglia |
Kooordinator i fizioterapisë | Marco Dellacasa |
Fizioterapistë | Leonardo Arici Ramon Cavallin Dario Fort Andrea Galli |
Fizioterapist/Osteopat | Andrea Veschi |
Përgjegjës i rehabilitimit funksional | Andrea Belli |
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.