shkrimtar shqiptar (1936-2024) From Wikipedia, the free encyclopedia
Ismail Kadare (frëngjisht: Ismaïl Kadaré; Gjirokastër, 28 janar 1936 - Tiranë, 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-'82), zv/kryetar i Frontit Demokratik[1] dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.[2][3][4][5] Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë krijuesi i prozave kryesor në shqipëri.[6][7] Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.[2][3][4][5][8]
Ismail Halit Kadare Ismaïl Kadaré | |
---|---|
U lind më | Gjirokastër, Mbretëria Shqiptare | 28 janar 1936
Vdiq më | 1 korrik 2024 vjeç) Tirana, Shqipëri | (88
Emri i letrave | Gent Arbana |
Occupation | Novelist, poet, eseist, skenarist, dramaturg |
Kombësia | Shqiptar |
Edukimi | Universiteti i Tiranës, Instituti Gorki |
Gjinitë letrare | poet, prozator, dramaturg, skenarist |
Punët e shquara | |
Çmime |
|
Vite aktiv | 1954 - 2024 |
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin «Man Booker International» më 2005,[9] çmimin «Princesa de Asturias» për Artet më 2009 dhe Çmimin «Jeruzalem» më 2015. Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Qëndrimet kritike janë të ndara nëse Kadareja duhet parë si disident apo si konformist gjatë regjimit komunist.[10][11] Ai qe ndër zërat e pakët kritikë, por mendohet se kjo qe e mundur në sajë të mbrojtjes nga vetë diktatori Enver Hoxha. Është parë njëherësh si ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohor, por edhe si nacionalist mendjengushtë.[12]
Janë disa akademikët që janë përsiatur rreth përshkrimit që shkrimtari i ka bërë Shqipërisë nën Perandorinë Osmane si të ndikuar nga prodhimi artistik Orientalist i kohës së regjimit,[13][14] e përkufizojnë si eurocentrist, esencialist, fundamentalist dhe anti-modernist,[15] duke u bërë shkak i rritjes së islamofobisë dhe racizmit.[14] Duke u parë kësodore si përfaqësuesi i mitologjisë anti-myslimane.[16]
U lind më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës,[17] në një familje bektashie qytetare,[12][18] i biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhes nga Dobatët,[19] duke patur kështu nga e ëma paraardhës bejtexhiun Hoxhë Dobi.[20] Emrin ia dhanë në kujtim e nderim të gjyshit;[17] çifti pati edhe dy fëmijë të tjerë, Kadrijen (1937-2022) dhe Shahinin (1943-2021).[21] Në vogëli kalonte shumë kohë te biblioteka e gjyshit nga e ëma,[12] që ishte gjykatës i shkolluar në Stamboll.[22] I ati ka punonte postier i gjykatës së qytetit, më 1920 qe ndër 218 vullnetarët gjirokastritë që morën pjesë në Luftën e Vlorës.[23]
Kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri ai ishte vetëm 8 vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër.[24] Në moshën 12 vjeçare u arrestua nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ia kishin treguar gjithkujt me hare. Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dy ditë përpara ditës së votimeve dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur.[25][26]
Kur ishte 13 vjeç zbuloi Makbethin e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista "Pionieri" në Tiranë.[27] Në moshën 17 vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18 vjeçare,[28] një përmbledhje poetike e titulluar Frymëzime djaloshare.
Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku jetonte te shtëpia e tezeve dhe pasi e ftoi, për gati dy vjet (1957-58) jetoi me Nasho Jorgaqin.[29] Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë Mjegullat e Tiranës, të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve në Bashkim Sovjetik.[30] Në vitet 1958-1960 studioi në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki", gjatë periudhës së zbutjes hrushoviane. Atje pati mundësi të lexonte letërsi bashkëkohore perëndimore, e cila kishte filluar të përkthehej në rusisht.[31] Në institutin Gorki, vendosi t'i hedhë poshtë kanonet e realizmit socialist dhe të shkruajë të kundërtën e asaj që dogma komuniste e quante letërsi "të mirë".[32] U detyrua t'i braktisë studimet për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. U kthye në atdhe ku nisi punën si gazetar dhe i mëshoi karrierës letrare,[4] por edhe si redaktor i seksionit të letërsisë së huaj në revistën letrare "Drita".[33]
Përgjatë viteve '50 dhe në fillimet e viteve '60 u njoh për poezi,[34] kurse duke filluar nga vitet '60 edhe për prozë.[35] Në atë periudhë pjesa më e madhe e shkrimtarëve i përkisnin brezit të dalë nga lufta. Konflikti mes tyre dhe brezit të ri, Kadare, Agolli dhe Arapi kulmoi në një mbledhje të shkrimtarëve të të dy brezave në vitin 1961, ku ishte i pranishëm dhe vetë Enveri. Kadare që i përkiste brezit të ri mbrojti letërsinë e re dhe Hoxha këtu mori anën e të rinjve. Kjo manovër e Hoxhës ishte edhe goditje ndaj brezit të vjetër ish-partizan,[36] dhe brezin e ri e shndërroi në nomenklaturën e re kulturore.[37]
Pas kthimit nga Moska, veprën Qyteti pa reklama e këshilluan që ta mbante të fshehur. Nga ky roman shkëputi një fragment, i cili u botua si novelë me titullin Ditë kafenesh më 1962 te "Zëri i Rinisë".[38] Sapo doli nga shtypi u ndalua,[39] si vepër dekadente.[40] Në vitin 1963 e botoi romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, që trajtonte temën e një gjenerali italian dhe një prifti që vijnë në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Luftën e Dytë Botërore.[41][42] Romani pasues, Përbindëshi, u botua në revistën "Nëntori", por u ndalua.[43]
Në parapërgatitjet për Revolucionin Kulturor shqiptar, ashtu si shkrimtarët e intelektualët e tjerë, u zotua të shkonte me leje krijuese në fshat.[44] Kadare u dërgua në Berat ku qëndroi dy vjet si korrespodent i gazetës "Drita", e ku u njoh me punëtorët e kombinatit të tekstilit. U ngarkua të njihej me punëtorët e kombinatit të tekstilit; duke shfrytëzuar një tregim që kish botuar në fillim të viteve '60 me titull Dasma e çuditshme dhe në njohje me realitetin e jetës, mori formë fondi i Lëkurës së daulles, i cili u botua pranverën e 1967 në revistën "Nëntori".[45]
Më 1967 u caktua në delegacionin e Lidhjes së Shkrimtarëve që u dërgua në Kinë, bashkë me disa delegacione të tjera.[46] Në atë kohë Revolucioni Kulturor në Kinë ishte në kulmin e vet. Përvojat atje do t'i trajtonte më vonë në veprën e tij.[47] Pas Kinës, delegacioni i Kadaresë qëndroi dy javë në Vietnam, ku lufta vazhdonte. Ditën e fundit kur po kalonin lumin Mekong me një trap të madh i zuri bombardimi midis lumit.[48]
Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze Albin Michel botoi në frëngjisht romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur.[41][49] Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë.[41] Më tej iu rikthye prapë temave historike.[50] Shkroi e botoi romanet Kështjella (1970) dhe Kronikë në gur (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës.[51] Gjatë këtyre viteve drejtonte po ashtu revistën e vetme në gjuhë të huaj të Lidhjes së Shkrimtarëve, "Les Lettres albanaises".[52] Pas suksesit në Francë, e caktuan deputet,[53] dhe pas dy vitesh u anëtarësua në Partinë e Punës të Shqipërisë.[32][54][55]
Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare u përball prapë me kritikat për shmangien e temave "aktuale", prandaj mendoi të shkruante një roman me temë prishjen e Shqipërisë me vendet tjera komuniste në dimrin e viteve 1960-1961,[56] që pastaj t'i kishte duart e lira t'i rikthehej historisë dhe legjendave shqiptare për të cilat kritikohej që e kishte lënë pas dore Shqipërinë e Re.[57] Romanit i vuri titullin Dimri i vetmisë së madhe. Sapo doli në fillim të vitit 1973, në sajë të kritikave,[57] u përpunua dhe u ribotua në vitin 1977 nën titullin e ndryshuar Dimri i madh dhe u përkthye edhe në frëngjisht.[58]
Fillimin e tetorit të 1975 çoi për botim poemën Pashallarët e kuq, botimi i saj u pezullua me t'u lexuar boceti nga redaktori.[59] Pas një autokritike,[60] Kadare u ndëshkua me vërejtje të rëndë në kartën e regjistrimit dhe paralajmërim për përjashtim nga Partia".[61] Iu ndalua botimi,[32] dhe me propozim e bërë vetë gjatë autokritikës[28] shkoi së bashku me Luan Qafëzezin me "leje krijuese" fillimisht në Fier,[62] e më pas në Seman dhe në kooperativën "Agimi" të Libofshës,[63] ku duhej të hiqte dorë nga shkrimi dhe të mësonte të "kontribonte në mënyrë produktive në të mirën e kombit".[64]
I ndaluar për të shkruar romane,[32] më 1978 kur u prishën marrëdhëniet me Kinën botoi përmbledhjen e parë me novela Muzgu i perëndive të stepës, Ura me tri harqe, Kamarja e turpit dhe Komisioni i festës në një vëllim të përbashkët.
Pas arrestimit të mikut të vet, piktorit Maks Velo, ia shpëtoi një pikturë nga sekuestrimi dhe djegia duke e fshehur në shtëpinë e vet.[65] Iu gjet pranë mikut të tij, poetit Lasgush Poradeci dhe i ndihmoi t'i regjistronte vajzat në universitet.[66]
Në vjeshtën e 1980 vizitoi Kosovën me rastin e botimit të parë të kompletit të veprave të tij në Prishtinë. U prit institucionalisht dhe pati takime të shumta me lexues dhe intelektualë të Kosovës dhe u njoh me preokupimet e shqiptarëve.[67]
Më 17 dhjetor 1981 kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu u gjet i vdekur, më pas u shpall tradhtar dhe poliagjent.[68][47] Një ditë para varrimit të Shehut, shkrimtarët dhe artistët u ftuan në një ekspozitë arti ku do të merrte pjesë vetë Enver Hoxha, mirëpo Kadare nuk u ftua.[68] Po atë vjeshtë kishte dorëzuar për botim romanin Koncerti në faqet e të cilit përmend mënyrën me të cilën diktatori kinez Mao Ce Duni kishte eliminuar zëvendësin e tij Lin Biao duke e paraqitur si aksident ajror.[47][68] Në janar të vitit 1982 dritaret e shtëpisë së Kadaresë u thyen me gurë, ndërkaq para shtëpisë u organizuan mitingje duke ulëritur "Kadare, agjent i borgjezisë, agjent i Mehmet Shehut."[69][70]
Vitet 1981-1982 situata u bë e nderë, edhe për shkak të dëshmive që dhanë në hetuesi familjarët dhe bashkëpunëtorët e kryeministrit që u gjet i vdekur, Kadaresë po i përflitej akuza për sabotazh të Partisë në letërsi, art, kulturë dhe pjesëtar i grupit të Shehut.[71][72] Në një mbledhje të fshehtë të shtatorit 1982, Hoxha e përmend si pjesë të një grupit të Lubonjës dhe Paçramit.[73]
Duke iu bërë bashkë akuzat si bashkëpunëtor i Shehut dhe përmbajtja e romanit Pallati i ëndrrave, qe gati për t'u dënuar, por i shpëtoi arrestimit për shkak të njohjes ndërkombëtare.[74] Në një shkrim të revistës franceze Lire, Bernard Pivot shkroi se Franca ishte e shqetësuar për faktin që Kadare nuk po i përgjigjej ftesës për të shkuar në Paris, duke shkruar "Ne presim Ismail Kadarenë dhe jo kokën e tij në pjatë ...".[75][76] Më 1983 e lejuan t'i përgjigjet ftesës franceze dhe të vizitojë Francën pa familje ndërsa gruaja dhe vajzat mbaheshin në Shqipëri si mjet presioni.[77]
Romani i radhës Nata me hënë i dalë në fillim të 1985, u ndalua.[78] Të nesërmen e vdekjes së diktatorit, më 10 prill, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste organizuan me ngut një mbledhje për të dënuar romanin e fundit të tij.[79]
Romanin tjetër "Vajza e Agamemnonit", ku në mënyrë të hapur shpreh mendime kundër regjimit komunist, e shkroi më 1985 dhe bashkë me disa vepra të tjera antikomuniste e nxori fshehtas jashtë shtetit nëpërmjet botuesit dhe mikut të tij francez Claude Durand, me udhëzimin që të botoheshin në rast se Kadare pësonte ndonjë "aksident" në Shqipëri.[80] Me qëllim që t'i bënte të njohur perëndimit situatën në Shqipëri, i dha botuesit të tij francez të dhëna të detajuara mbi burgjet dhe kampet e internimit të Shqipërisë komuniste të cilat më pas u botuan në një gazetën L'Express në Paris.[81]
Në vitin 1986 botoi romanin Krushqit janë të ngrirë që fliste për dhunën dhe terrorin që përdornin serbët kundër shqiptarëve në Kosovë. Romani ishte frymëzuar nga demonstratat e shqiptarëve të Kosovës më 1981.[67]
Në vitin 1988 u bë anëtar i Institutit Francez.[82] Në vitin 1989 ishte në listën e 12 të ftuarve personalë, të presidentit francez François Miterrand në kremtimin e 200 vjetorit të Revolucionit francez, me ç'rast Ramiz Alia nuk mori fare ftesë. Atje Kadare u takua me personalitete të kulturës dhe të politikës, mes të cilëve dhe me presidentin e Jugosllavisë, sllovenin Janez Dërnovshek, me të cilin bisedoi për çështjen e Kosovës. Me 22 korrik u ftua të hajë mëngjes me presidentin Miterran në pallatin presidencial francez, Elize.[83]
Në vitin 1989 autoritetet e caktuan zv/kryetar të Frontit Demokratik.[84] Duke shfrytëzuar famën e tij në Shqipëri dhe jashtë saj bëri deklarata gjithnjë e më të zëshme mbi domosdoshmërinë e ndryshimeve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut. Në parathënien e romanit të guximshëm Thikat (1989) nga Neshat Tozaj që denonconte shkeljet e Sigurimit, Kadare pohoi se vetëm duke pranuar dhe korrigjuar gabimet e mëparme mund të ecte Shqipëria përpara. Në shkurt 1990 Kadare kërkoi një takim me Ramiz Alinë ku i kërkoi të respektonte të drejtat e njeriut, të zbatonte reforma demokratike, reforma ekonomike dhe të hapej ndaj botës së jashtme.[85]
Në fund të tetorit të vitit 1990 u lejua të ikte për mjekim në Francë sipas një burimi,[86] sipas një tjetri e iku me vizë të rregullt për gjithë familjen e tij.[87] Ikja e tij u mirëprit nga ata që donin demokratizimin e Shqipërisë, kurse pas arratisjes u shpall tradhtar dhe Ramiz Alia kërkoi ndjekjen penale të tij. ATSH deklaroi: "Kadare dezertoi!".[71] Disa intelektualë, përkundër rrezikut që u kanosej, e përkrahën publikisht Kadarenë, të cilin autoritetet e kishin shpallur tradhëtar. Për shkak të popullaritetit të tij, autoritetet nuk gjetën përkrahje të mjaftueshme kundër tij dhe librat e tij nuk u ndaluan.[85][87] Pak ditë pas arratisjes së Kadaresë, në një konferencën kombëtare të letrarëve e artistëve të rinj në Korçë, ku morën pjesë me qindra, u përshëndet me brohorima emri i shkrimtarit, arratisja e të cilit e kishte bërë të ndaluar përmendjen e emrit të tij.[88]
Pasi la Tiranën dhe aplikoi për azil politik në Francë, mundi të ushtrojë profesionin e tij në liri të plotë. Mërgimi i tij në Paris qe i frytshëm dhe i mundësoi sukses të mëtejshëm, si në shqip ashtu edhe në frëngjisht.[89]
Pas fitores së Partisë Demokratike në vitin 1992, Kadare u kthye në Shqipëri.[90] Nga viti 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare, brenda dhe jashtë vendit. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar, duke shtuar lirinë e autorit për të trajtuar tema që më parë nuk mund të trajtoheshin lirshëm.
Në vitin 1996 u pranua në Akademinë e shkencave sociale dhe politike në Francë, ku zëvendësoi filozofin Karl Popper. Nga viti 1994 deri 2004 shtëpia botuese franceze Fayard botoi veprën komplete të Kadaresë në frëngjisht dhe shqip. Gjatë viteve të 90-ta ai ndihmoi botimin e shumë autorëve shqiptarë në Francë, qoftë duke ua sugjeruar botuesve francezë, qoftë duke ua shkruar parathëniet. Në vitet '90 Kadare loboi për Kosovën dhe përkrahu bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.
Ndër vite ka deklaruar se ka hequr dorë nga shkrimi i poezive (1997) dhe letërsisë artistike (2011).[91]
Kadare është martuar me shkrimtaren, Helena Kadare, dhe kanë dy vajza. E madhja, Gresa, gjatë viteve '80 shoqërohej me bashkëmoshatarin Renato Rrapi - marrëdhënie e cila u ndërpre sipas të ëmës së Renatos - Janullës, nga familja Kadare. Po sipas Janulla Rrapit me ndërhyrjen e Kadaresë që ua la në dorë sigurimsave, familja Rrapi u dënua me 5 vjet internim në Kosovë të Madhe dhe i biri pas torturave përfundoi në spital psikiatrik dhe e lanë invalid të përjetshëm. Për këtë ngjarje, Janulla Rrapi shkroi librin Djali i ëndrrës së vrarë. Sipas Kadaresë, siç e portretizoi tek vepra Pesha e kryqit botuar në Francë pas ikjes nga Shqipëria, portretizohet si ndjekje që i bënte Sigurimi i Shtetit.[92] Sipas ish-hetuesit të çështjes, Riza Hiska, Kadare i kishte kërkuar që djali të mos arrestohej pasi i kishte dhunuar shtëpinë.[93]
Gresa mbaroi Fakultetin e Shkencave ë Natyrës, në Francë vijoi dhe kreu studimet në Universitetin e Sorbonës dhe punon si shkencëtare dhe pedagoge në Francë.[93]
E vogla, Besiana ka qenë ambasadore e përhershme e Shqipërisë në UNESCO,[94] e liruar nga detyra më 2016 u emërua ambasadore e Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke mbuluar edhe përfaqësuesen e Shqipërisë në Kubë, jo rezidente.[95]
Gjatë viteve '60 në shkrimet e kritikës zyrtare kryesisht injorohet ose përmendet rrallë, në kontrast me shkrimtarët e mëdhenj të kohës të cilët kritika i pëlqente.[96] Në vitet '60 ishte i çmuar realisht për talentin e tij nga Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami.[97] Pas njohjes ndërkombëtare konsiderohej si shkrimtar i talentuar, por talenti i të cilit anonte kah dekadenca dhe subjektivizmi.[98]
Sipas disa studjuesve të veprës së tij, Kadare u përpoq të shkruajë letërsi normale në një vend jonormal (Shqipëria komuniste mund të krahasohej vetëm me Korenë e Veriut ose Bashkimin Sovjetik gjatë viteve '30),[99] duke e quajtur veprën e tij letërsi rezistence,[100] sfidoi realizmin socialist me realizëm subjektiv.[101] Iu shmang realizmit socialist dhe censurës shtetërore përmes mjeteve alegorike, simbolike, historike dhe mitologjike.[102] Për Elsie, ai shfrytëzoi çdo rast për të sulmuar regjimin në veprat e tij nëpërmjet alegorive politike, të cilat kuptoheshin nga lexuesit e edukuar shqiptarë.[99]
Duke u njohur për këtë shmangie nga realizmi socialist veprat e tij u përkthyen dhe u pritën mirë nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare.[103] Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe akademikët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjera historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Temë qendrore e veprave të tij është totalitarizmi, mekanizmat e tij dhe kompliciteti që e bën atë të mundur.[104]
Vëllimi i tij i parë poetik i titulluar Frymëzime djaloshare u botua më 1954. Më pas do t'i botoheshin Ëndërrimet (1957), Shekulli im (1961),[105] Poemë blindazh (1962)[106] dhe më i çmuari Përse mendohen këto male (1964),[105] Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Që në vitin 1966 trajtoi në poezi temën e Kosovës,[67] ashtu edhe për Vietnamin.[107]
Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1970). Në romanin Kronikë në gur (1971) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). Më 1981 botoi në një përmbledhje të përbashkët romanet Prilli i thyer, Kush e solli Doruntinën së bashku me dy kapitujt e parë të romanit Pallati i ëndrrave në trajtë novelash.[108] Vepra bënte fjalë për një shtet totalitar, që në shikim të parë dukej si Perandoria Osmane, por shpejt e vunë re atmosfera e frikës, arrestimeve dhe burgosjeve ishte e ngjashme me Shqipërinë komuniste.[109]
Ka shkruar tregime me temën e Sigurimit në revistën "Në shërbim të popullit".[29]
Më 1971 botoi Autobiografia e popullit në vargje, ku trajtoi poezinë dhe legjendat popullore.[86] Në sprovën Eskili, ky humbës i madh paraqet atë që vetë quan "tragjedinë shqiptare", që është ngelja anash historisë pas periudhës romake dhe bizantine. Qëndrim të cilin vijoi ta mbante edhe pas rënies së komunizmit, që çoi drejt polemikave të disafishta me akademikun Rexhep Qosja.[110] Në fund të viteve '80 do t'i bënte parathënie sprovës Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe botuar së pari më 1990 në mënyrë të pavarur në Prishtinë.[111]
Një ndër fushat më pak të lakuara të veprimtarisë së Kadaresë janë përkthimet, hulli të cilën e nisi më 1955, kur shqipëroi poemat Lisi, Fëminija, Në pyllin afër fronit, Katjusha, Pranvera, etj. të shkrimtarit rus M. Isakovski. Autorë të tjerë të shqipëruar prej tij janë: Eskili, Heminguej, Pushkin, Majakovski, Eminescu, Gogol, Esenin, Mihallkov, Shçipaçov, Mickieviç, Buske, Sendrar, Bodler, Andrade, Vijon, Kejler, Seferis, Kavafis, Elitis, Li Bo, Du Fu, Jan Czjun, etj.[27]
Sipas studiueses kineze Ke Jing, ka retushuar disa nga veprat e tij. Në rastin e veprës Kështjella, vepra që përshkruante luftën kundër osmanëve është shndërruar në një betejë fetare ku janë shtuar elementët kishtarë duke e paraqitur Shqipërinë sikur ka dhënë kontribut të madh në Mesjetë për mbrojtjen e Evropës. Sipas studjueses kjo gjë nuk mund të bëhej kur ka shkruar veprën, sepse nuk mund t'i jepej aq rëndësi elementit fetar.[112][113] Konstatim i bërë edhe nga studjuesi i shkrimtarit, Shaban Sinani, që vëren se tek Nëpunësi i pallatit të ëndrrave personazhi e ka Ebu Qerimi në variantin e parë dhe Mark Alemi në variantin e dytë.[114]
Kristo Frashëri rishkrimet e veprave letrare të Kadaresë i sheh si trashëgimi të regjimit komunist, në analogji me ndryshimin e referateve që bënte Enver Hoxha sa herë që Partia e Punës e ndryshonte orientimin e politikës së jashtme të saj. Ky ndryshim i pjesëve me përmbajtje realizmin socialist për t'ia përshtatur shijeve postkomuniste do ta dëmtojë si shkrimtar, sipas Frashërit.[18]
Me ribotimin e sprovës Ardhja e Migjenit më 2015 vetë autori dha shpjegime për retushimin e saj, në dritën e rrethanave kur u shkrua dhe kur e rishkroi.[115]
Sipas mikut të tij, shkrimtarit, skenaristit dhe ish-ministrit Teodor Laço në një intervistë shprehet "Në sytë e njeriut të zakonshëm që nuk kishte qenë afër tij dhe që nuk mund t’i dinte dertet, hallet, atmosferën përgjuese që e rrethonte, Kadareja shihej si një njeri i privilegjuar."[87] Në vitet '60 i çmuar realisht për talentin e tij, e përkrahën figura të tilla si Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami,[97][116] të cilët kur u dëbuan nga kryeqyteti dhe ishin në përpunim nga Sigurimi, i përmend në një artikull duke i denoncuar si "anti-shqiptarë dhe kozmopolitanë" më 1974.[117] Qe deputet në Kuvendin Popullor për tri legjislatura (1970-1982).[118][119] U anëtarësua në Partinë e Punës më 1972.[32][54][55] Me romanin Dimri i madh, Kadaresë iu forcua pozita si shkrimtar i brendshëm i partisë, duk qenë sipas tij edhe romani që e shpëtoi fizikisht.[44] Ndaj kritikave që buruan nga strukturat shtetërore, e mbrojti vetë diktatori Enver Hoxha.[120] Historiani anglez Noel Malcolm ia ka sjellur në dukje gjatë një polemike se megjithëse u "internua" me propozimin e vetë atij, vijoi të ishte deputet.[28] Komoditetet që i kishte mundësuar regjimi qenë një shtëpi e bollshme, tashmë e shndërruar në muze,[121] makinë,[29][87] dhe ka qenë ndër të paktët intelektualë që gëzonte lirinë për të udhëtuar jashtë shteti,[119][122] kur shumica e shkrimtarëve rrinin të izoluar në Shqipëri.[123] Më 1989 u emërua zv/kryetar i Frontit Demokratik.[84]
Kristo Frashëri e përshkruan si ndër gjërat pozitive të Enver Hoxhës që i dha "mundësinë, për të mos thënë përkrahjen" bashkëqytetarit të vet nga po e njëjta lagje, natyrisht pa i mohuar talentin, që të bëhej shkrimtar i madh. Duke e parë si përkrahje edhe vënien në dispozicion të përkthyesit Jusuf Vrioni dhe se pa subvencionimin e regjimit komunist dhe lejen e diktatorit vepra e shkrimtarit nuk do t'i kalonte kufijtë.[18] Liri kjo që përshfaqej tek letërsia e udhëtimeve, që e bënte prurës dhe ofrues të perceptimit të Tjetrit fenomenologjik.[124] Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha, Kadare ka qenë konformist në një shkallë të caktuar.[74] Kritikët e tij shkuan aq larg sa marrëdhënien që pati me regjimin komunist ta përkufizonin "diktatura Hoxha-Kadare".[125]
Kadare është shkrimtari i vetëm shqiptar me njohje ndërkombëtare të gjerësishme[126] dhe është përkthyer në 45 gjuhë.[127] Para Kadaresë, letërsia shqipe njihej pak në botë,[128] falë tij u bë e njohur, e lexuar dhe e çmuar. Për herë të parë në historinë e vet, nëpërmjet saj letërsia shqipe është integruar në letërsinë evropiane dhe botërore, dhe përfaqësohet denjësisht në hartën e tyre.[129] Letërsia e Kadaresë ka dhënë një kontribut të çmuar në krijimin e gjuhës dhe letërsisë kombëtare.[36]
Është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca. Në vitin 2005 fitoi çmimin "Man Booker Prize" i nominuar krahas nobelistëve Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj. Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t'i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët: "Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri". Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet - çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea.[130]
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. U bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe nga viti 2018 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Malit të Zi.
Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.[131][132]
Me studimin e veprës së Kadaresë janë marrë autorë të huaj në gjuhët amtare gjegjëse si Eric Faye dhe Jean-Paul Champseix në frëngjisht, Piet de Moor në hollandisht, Peter Morgan në anglisht, Bernardo Joffily në portugalisht, Jose Carlos Rodrigo Breto në spanjisht,[8] dhe Ece Dillioğlu në turqisht.[133]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.