futbollistë italian From Wikipedia, the free encyclopedia
Ciro Immobile (Italisht: [ˈtʃiro imˈmɔbile]; lindur më 20 shkurt 1990) është një futbollist profesionist italian i cili luan si sulmues për klubin turk Beşiktaş dhe kombëtaren italiane.
Immobile në vitin 2015 | |||
Të dhënat vetjake | |||
---|---|---|---|
Emri i plotë | Ciro Immobile | ||
Datëlindja | 20 shkurt 1990 | ||
Vendlindja | Torre Annunziata, Itali | ||
Gjatësia | 1.85 m (6 ft 1 in)[1] | ||
Pozicioni | Sulmues | ||
Të dhënat e klubit | |||
Klubi aktual | Beşiktaş | ||
Numri | 17 | ||
Karriera me të rinjtë | |||
2002–2008 | Sorrento | ||
2008–2009 | Juventus | ||
Karriera me klube* | |||
Vitet | Klubi | Ndeshje | (Golat) |
2007 | Sorrento | 0 | (0) |
2009–2012 | Juventus | 3 | (0) |
2010–2011 | → Siena (huazim) | 4 | (1) |
2011 | → Grosseto (loan) | 16 | (1) |
2011–2012 | → Pescara (loan) | 37 | (28) |
2012–2013 | Genoa | 33 | (5) |
2013–2014 | Torino | 33 | (22) |
2014–2016 | Borussia Dortmund | 24 | (3) |
2015–2016 | → Sevilla (huazim) | 8 | (2) |
2016 | Sevilla | 0 | (0) |
2016 | → Torino (huazim) | 14 | (5) |
2016–2014 | Lazio | 270 | (169) |
2024– | Beşiktaş | 0 | (0) |
Karriera ndërkombëtare‡ | |||
2009–2010 | Italia U20 | 6 | (0) |
2009–2013 | Italia U21 | 14 | (10) |
2014– | Italia | 57 | (17) |
*Ndeshjet dhe golat me klubet llogariten vetëm për ligën vendase – redaktuar më 26 maj 2024 ‡ Ndeshjet dhe golat me ekipin kombëtar të redaktuar më 9 shtator 2023 |
Immobile e nisi karrierën e tij si futbollist te Sorrento në vitin 2002 para se të kalonte te akademia e Juventusit në vitin 2008. Pas një viti ai u bë pjesë e ekipit të parë ku u aktivizua pak para se të huazohej në tre klube të ndryshme në Serie B në tre vitet e ardhshme. Në vitin 2012, ai u transferua te Genoa, duke luajtur për një sezon para se të kalonte te Torino, klubi rival i Juventusit. Immobile shkëlqeu në sezonin e tij të parë te Torino, duke fituar çmimin e golashënuesit më të mirë të Serie A para se të shitej në Gjermani te Borussia Dortmund për 18 milion €. Pas një sezoni pa shkëlqim, Immobile e shpenzoi sezonin 2015–16 fillimisht si i huazuar te Sevilja në La Liga dhe më pas te Torino, duke u rikthyer. Në korrik 2016, ai u transferua te Lazio ku shënoi 26 gola në sezonin e parë. Në sezonin e dytë, ai fitoi çmimin Capocannoniere si golashënuesi më i mirë në Serie A për herë të dytë pasi regjistroi 29 gola në 33 ndeshje.
Në nivel ndërkombëtar, Immobile luajti me ekipet nën-20 dhe -21 te të rinjtë para se të debutonte me ekipin e parë në vitin 2014. Ai ka përfaqsuar Italinë në FIFA Kupën e Botës 2014 dhe UEFA Euro 2016.
Lindur në Torre Annunziata, Itali, Immobile filloi karrierën e tij të hershme me Sorrenton, ku në sezonin 2007–08 shënoi 30 gola, duke ndezur interesin e gjigandit italian Juventus.[2]
Në 2008, në moshën 18 vjeçare, ai u ble për 80 mijë € nga Juventus, nën rekomandimin e Ciro Ferraras. Ai u vendos për të luajtur me Primaverën.[3][4] Më 23 shkurt 2009, ai kontriboi në fitoren e Turnamentit Viareggio 2009 duke shënuar dy gola në finale kundër Sampdorias.[5]
Ai bëri debutimin e tij në Serie A në të njëjtin vit më 14 mars në fitoren 4–1 kundër Bolonjës, duke u aktivizuar në momentet e fundit të ndeshjes në vend të sulmuesit Alessandro Del Piero.[6] Më 25 nëntor 2009, ai bëri debutimin e tij në Ligën e Kampioneve në humbjen 2–0 kundër francezëve të Bordeaux.[7] Në shkurt 2010, ai shënoi një tregolësh kundër Empolit në finalen e Torneo di Viareggio 2010 duke i dhuruar Juventusit titullin e dytë rresht.[8]
Pas Torneo di Viareggio, Immobile kaloi në skuadrën e parë duke lënë sektorin e të rinjëve. Më 1 korrik, Immobile sëbashku me shokun e tij Luca Marrone u huazuan te Siena në Serie B.[9] Në shkëmbim të dy huazimeve, Juventus mori Niccolò Giannetti, Leonardo Spinazzola dhe mesfushorin austriak Marcel Büchel.[10] Megjithatë, ai nuk la mbresa te Siena, duke u larguar në janar 2011 pas vetëm katër ndeshjesh dhe një goli.[11] Pas largimit nga Siena, ai u huazua sërisht nga Juventusi te klubi tjetër i Serie B, Grosseto, për pjesën e mbetur të sezonit 2010–11[12] Immobile bëri debutimin e tij me Grosseton më 29 janar 2011 në fitoren 1–0 në transfertë kundër Vicenzës.[13] Ai e përfundoi sezonin me 16 paraqitje përpara se të rikthehej te Juventus më 30 qershor 2011.
Më 17 gusht 2011, u njoftua se Immobile do të bashkohej me klubin e Serie B Pescara për një sezon të plotë në huazim nga Juventus.[14] Ai shënoi golin e tij të parë më 26 gusht gjatë debutimit të tij me klubin në ndeshjen e parë të sezonit në ligë kundër Hellas Verona. Deri në pjesën e parë të sezonit, Immobile kishte shënuar plot 14 gola. Më 30 janar 2012, Genoa kishin paguar katër milion € për gjysmën e kartonit të lojtarit nga Juventus, pas performancave të tij të mira në Serie B.
Immobile e kompletoi sezonin e tij me Pescarën në divizionin e dytë italian, duke ndihmuar klubin të ngjitej në Serie A. Ai gjithashtu u bë golashënuesi më i mirë në atë sezon me plot 28 gola,[15] shtatë më shumë se vendi i dytë që mbahej nga Marco Sau i Juve Stabias.[16] Immobile gjithashtu u emërua Lojtari i Vitit i Serie B. Më 20 qershor, u rinovua bashkpronësia midis Juventusit dhe Genoas, me Kuqeblutë që e regjistruan si lojtarin e tyre italianin për sezonin 2012–13. Pas mori katër milion € nga Genoa, Juventus mori gjithashtu edhe gjysmën e kartonit të Richmond Boakye në korrik 2012.
Immobile më në fund u bë lojtari i Genoas më 1 korrik 2012 pas mbarimit të huazimit te Pescara.[17] Më 26 gusht, ai shënoi golin e parë në Serie A në fitoren 2–0 në shtëpi kundër Cagliarit.[18] Ai shënoi edhe golin e dytë më 16 shtator në humbjen 1–3 kundër klubit të tij Juventus në Stadio Luigi Ferraris. Ai gjitashtu shënoi gola edhe kundër Napolit dhe Sampdorias respektivisht më 11 dhe 18 nëntor, me Genoan që dështoi të fitonte ndeshjet.
Immobile e përfundoi sezonin me pesë gola në 33 ndeshje në Serie A, 21 prej të cilave si titullar. Të gjithë golat e tij erdhën në pjesën e parë të sezonit. Genoa u rendit në vendin e 17të, vetëm një pozicion më lartë nga pozicionet e rënjes. Më 19 qershor 2013, Genoa dhe Juventus rinovuan bashkpronësitë e Immobiles dhe Boakye.[19]
Më 12 korrik 2013, Juventus bleu pjesën e të drejtave të Genoas për Immobilen për 2.75 milion €.[20] Në të njëjtën ditë, ai u shit te rivalët e qytetit Torino në formën e bashkpronësisë për 2.75 milion €.[21] Immobile bëri debutimin e tij me Torinon gjatë raundit të parë të Kupës së Italisë kundër ish klubit të tij Pescara, ku arriti të shënojë golin e parë të sezonit.[22] Ai dhuroi një asist në debutimin e tij me Torinon në Serie A, dhe shënoi golin e parë për sezonin 2013–14 në barazimin 2–2 kundër Sampdorias më 7 tetor.[23] Ky ishte goli i tij i parë në Serie A që nga dhjetori i vitit 2012.[23] Ky ishte fillimi i një forme fantastike për sulmuesin italian, i cili regjistroi 12 gola në 15 ndeshjet e rradhës,[24] përfshirë edhe dopietën e tij të parë kundër Chievo Veronës.
Më 22 mars 2014, Immbile shënoi tregolshin e parë në Serie A në fitoren 3–1 kundër Livornos.[25] Tre ditë më vonë, ai shënoi një gol spektakolar me këmbën të majtë kundër Romës në Stadio Olimpico.[26] Më 6 prill, ai shënoi golin e fitores kundër Catanias në fitoren 2–1.[27]
Më 13 prill, gjatë ndeshjes kundër ish klubit të tij Genoa, Immobile shënoi golin e barazimit të përkohshëm në kohën shtesë e cila u pasua nga një gol i Alessio Cercit disa momente më pas për ti dhënë Torinos një fitore 2–1 me përmbysje.[28][29] Ai shënoi sërisht në ndeshjen tjetër në barazimin 3–3 në transfertë kundër Lazios.[30] Më 27 prill, ai shënoi për të gjashtën ndeshje rresht në fitoren 2–0 kundër Udineses.[31] Ky ishte goli i 21të në sezonin 2013–14 për të,[32] duke barazuar numrin e golave të shënuar në një sezon nga një lojtar i Torinos, një rekord i mbajtur nga Paolo Pulici dhe Francesco Graziani.[33][34]
Më 11 maj, Immobile shënoi në ndeshjen e fundit të tij të sezonit 2013–14 kundër Parmës. Në atë ndeshje, ai u përjashtua me karton të kuq duke humbur ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Fiorentinës.[35] Ai e mbylli sezonin me 23 gola në 33 ndeshje, përfshirë një gol të shënuar në Kupën e Italisë.[36] Ai u bë lojtari i parë i Torinos që fiton çmimin Capocannoniere që nga Ciccio Graziani në sezonin 1976–77.[37]
Më 2 qershor 2014, klubi gjerman i Bundesligës Borussia Dortmund njoftoi blerjen e Immobiles, pavarësisht se marrëveshja e bashkpronësisë midis Torinos dhe Juventusit nuk u zgjidh.[38][39] Më 10 maj 2014, presidenti i Torinos, Urbano Cairo, akuzoi Dortmundin dhe Juventusin se kishin shkelur rregulloren e FIFA-s në lidhje me këtë transferim, kurse FIGC deklaroi se këto lloje transferimesh duhet të kenë një konsensus midis klubeve bashkpronare.[40] Cairo gjithshtu synonte ta mbante Immobilen edhe për një sezon për arsye sportive dhe për përfitime. Më 18 qershor 2014, Juventus shiti 50% të kartonit të sulmuesit te Torino për 8 milion €.[41]
Më 13 gusht 2014, Immobile bëri debutimin e tij zyrtar duke luajtur si titullar për 90 minuta në suksesin 2–0 kundër rivalëve të Bayern München në ndeshjen e DFL-Supercup, gjë që i solli Dortmundit trofeun e parë të sezonit.[42] Dhjetë ditë më pas, Immobile startoi në ndeshjen e parë të sezonit 2014–15 në Bundesligë; Dortmundi u mund 2–0 nga Bayer Leverkusen në shtëpi. Në debutimin e tij në Ligën e Kampioneve më 17 shtator, Immobile shënoi golin e parë të skuadrës së tij që mposhti me rezultatin 2–0 Arsenalin në Signal Iduna Park.[43]
Më 12 korrik 2015, Immobile u huazua për një sezon në La Liga te Sevilja pas vetëm një sezoni me Dortmundin në Gjermani.[44] Klubi spanjoll gjithashtu kishte të drejtën e blerjes në përfundim të sezonit. Më 31 korrik, duke luajtur në një ndeshje miqësore kundër Watfordit në Vicarage Road, Immobile u nxorr nga fusha me barrelë duke pasur një maskë oksigjeni dhe një mbajtës qafe pas një përplasje të rëndë me një lojtar kundërshtar.[45] Ai u dërgua menjëherë në spital për të kryer teste.[46] Më vonë u përcaktua se ai kishte dëmtuar septumin e tij hundor, i cili dukej si një dëmtim i madh, por doli të ishte një dëntim i vogël.[47]
Immobile u rikthye nga ky dëmtim dhe bëri debutimin e tij zyrtar me ekipin më 11 gusht në ndeshjen e UEFA Super Kupës kundër Barcelonës, duke zëvëndësuar sulmuesin francez Kevin Gameiro në minutën e 80të. Ai asistoi golin e barazimit të përkohëshëm të shënuar Yevhen Konoplyanka që e dërgoi ndeshjen në kohën shtesë, ku Sevilja u mposht me rezultatin 5–4.[48]
Më 8 nëntor, Immobile regjistroi golin e parë me Seviljen në fitoren 3–2 në shtëpi kundër Real Madridit në La Liga.[49][50] Po nëntor, pasi Immobile zhvilloi paraqitjen e tij të pestë në kampionat, Sevilja ushtroi të drejtën e blerjes së kartonit të tij, duke i paguar Dortmundit 11 milion € plus 3 milion € për huazimin.[51]
Më 14 janar 2016, Immobile u rikthye te Torino në formë huazimi deri në përfundim të sezonit 2015–16.[52][53] Dy ditë pas rikthimit të tij në Torino, Immobile shënoi një nga golat e fitores 4–2 kundër Frosinones.[54] Më 14 shkurt, ai shënoi një dopietë në fitoren 3–1 në transfertë kundër Palermos.[55] Më 22 mars, Immobile pësoi një dëmtim muskular në pjesën e parë të derbit të Torinos kundër Juventusit, duke u detyruar të qëndrojë jashtë fushave për rreth një muaj.[56]
Më 27 korrik 2016, Immobile u ble nga Lazio për 8.75 milion € (plus 700,000 € komision për agjentët).[57][58] Ai bëri debutimin e tij më 21 gusht në ndeshjen hapëse të Serie A kundër Atalantës, duke shënuar një nga golat e fitores 4–3 në transfertë.[59] Më 1 tetor, ai regjistroi dopietën e parë sezonale në fitoren 3–0 në transfertë kundër Udineses.[60] Më 1 mars 2017, Immobile shënoi golin e tij të parë në Derby della Capitale kundër Romës, duke ndihmuar Lazion të fitonte 2–0 në ndeshjen e vlefshme për gjysëm-finalen e Kupës së Italisë.[61] Ai luajti në ndeshjen finale më 17 maj kundër Juventusit, ku Lazio u mposht me rezultatin 2–0.[62] Immobile e mbylli sezonin e tij të parë në kryeqytet me 23 gola në 36 ndeshje në kampionat, duke kaluar shifrën që regjistroi në sezonin 2013–14 ku fitoi çmimin Capocannoniere, por në këtë sezon ai e humbi çmimin ndaj sulmuesit boshnjak të Romës Edin Džeko, i cili shënoi 29 gola.[63]
Më 13 gusht 2017, Immobile e nisi sezonin e ri duke i shënuar një dopietë Juventusit në ndeshjen e Superkupës së Italisë. Lazio fitoi ndeshjen me rezultatin 3–2 duke fituar trofeun e parë të sezonit; ky ishte edhe trofeu i parë i Immobiles me klubin.[64][65] Më 10 shtator, në ndeshjen e javës së tretë të Serie A, Immobile shënoi tregolëshin e parë me Lazion në fitoren 4–1 në shtëpi kundër Milanit,[66] ku ai asistoi edhe golin e katërt të shënuar nga Luis Alberto.[67] Më 21 tetor, Immobile firmosi një kontratë të re me Lazion deri në vitin 2022.[68] Në Ligën e Evropës ku Lazio ishte vendosur në Grupin K, Immobile shënoi dy gola dhe ndihmoi ekipin ta mbyllte grupin në vendin e parë.[69][70]
Ai e nisi vitin e ri 2018 duke shënuar katër gola në fitoren në fitoren 5–2 në transfertë kundër SPAL-it;[71] ai u bë lojtari i parë i Lazios në 16 vitet e fundit që shënon tre ose më shumë gola në ndeshje të ndryshme.[72] Më 22 shkurt, Immobile shënoi tregolëshin e parë në kompeticionet evropiane në ndeshjen e kthimit të raundit të 32-tave të Ligës së Evropës kundër Steaua Bucureștit, duke i dhënë Lazios fitoren 5–1 dhe kualifikimin në raundin tjetër pas humbjes 1–0 në ndeshjen e parë.[73] Me këto gola, ai hyri në listën e dhjetë golashënuesve më të mirë të të gjitha kohrave të Lazios. Më 31 mars, Immobile shënoi dy herë në fitoren tenistike 6–2 kundër Beneventos, duke regjistruar golin e 36të në të gjitha kompeticionet për këtë sezon; me këto gola, ai they rekordin e Giorgio Chinaglias për numrin e golave të shënuar në një sezon të vetëm për Lazion.[74]
Më 20 maj, me përfundimin e kampionatit, Immobile u shpall golashënuesi më i mirë sëbashku me Mauro Icardin e Interit me 29 gola në 33 ndeshje.[75] Ai u bë lojtari i tretë pas Zlatan Ibrahimović dhe Luca Tonit që fiton Capocannonieren me dy ekipe të ndryshme.[76] Në Ligën e Evropës, ai u shpall sërisht golashënuesi më i mirë sëbashku me spanjollin Aritz Aduriz, duke regjistruar 8 gola në 9 ndeshje.[77] Immobile e mbylli sezonin 2017–18 me 41 gola në 47 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke vendosur një rekord personal.
Më 25 tetor 2018, Immobile luajti ndeshjen e tij të 100të me Lazion në të gjitha kompeticionet në fitoren 3–1 në transfertë kundër klubit francez Olympique de Marseille.[78] Sezoni 2018–19 nuk ishte në pritshmëritë e Immobiles pasi ai shënoi vetëm 19 gola në 46 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Megjithatë, ai fitoi trofeun e dytë me Lazion, Kupën e Italisë, duke luajtur 66 minuta në finalen e fituar 2–0 kundër Atalantës më 15 maj 2019.[79]
Në ndeshjen e parë të sezonit 2019–20, i katërti i tij në Romë, më 25 gusht, Immobile shënoi dy gola kundër Sampdorias për të arritur në shifrën 100 gola në Serie A.[80] Më 3 nëntor, ai shënoi golin e parë të fitores 2–1 kundër Milanit në San Siro, duke arritur edhe golin e 100të me fanellën e Lazios;[81] ai u bë lojtari i gjashtë në historinë e klubit që shënon 100 ose më shumë gola. Më 22 dhjetor, ai luajti 82 minuta në ndeshjen e Superkupës së Italisë 2019 kundër Juventusit, ku Lazio fitoi me rezultatin 3–1; ky ishte trofeu i tretë i Immobiles me Bardhekaltrit.[82]
Më 26 korrik 2020, Immobile shënoi një tregolësh në fitoren 5–1 kundër Veronës, duke rimarrë sërisht kreun e renditjes së golashënuesve; me këto tre gola, ai barazoi polakun Robert Lewandowski në garën për Këpucën e Artë Evropiane.[83][84] Gjashtë ditë më pas, në ndeshjen e fundit të kampionatit, Immobile shënoi golin e vetëm të ekipit të tij në distafën 3–1 kundër Napolit, duke arritur në shifrën e 36 golave. Ai barazoi rekordin e të gjitha kohërave për numrin e golave të shënuar në një sezon të Serie A të vendosur nga Gonzalo Higuaín.[85] Me 36 gola në 37 ndeshje, Immobile fitoi Këpucën e Artë Evropiane për herë të parë në karrierë,[86] duke u bërë lojtari i parë nga Serie A që e fiton këtë çmim që nga Francesco Totti në viti 2007, si dhe çmimin Capocannoniere për herë të tretë.[87] Për më tepër, ai vendosi një rekord për numrin e golave nga penalltia në një sezon në Serie A (14).[88] Lazio e mbylli sezonin në vendin e 4të dhe siguroi rikthimin në Ligën e Kampioneve pas 13 vitesh.
Më 31 gusht 2020, Immobile firmosi një kontratë të re pesë-vjeçare me klubin.[89] Më 20 tetor, ai bëri debutimin e tij në Ligën e Kampioneve me Lazion në fitoren 3–1 kundër ish klubit të tij Dortmund në fazën e grupeve.[90] Më 12 maj 2021, ai shënoi golin e vetëm të ndeshjes kundër Parmës, duke arritur në kuotën e 150 golave në të gjitha kompeticionet me Lazion;[91] ky gol bëri që ai të kalonte legjendën e klubit Silvio Piola si golashënuesi më i mirë i Lazios në kompeticionet zyrtare.[92][93]
Gjatë fazës përgatitore në verën e vitit 2021, Immobile u bë kapiteni i ri i ekipit pas largimit të kapitenit Senad Lulić dhe zëvëndësuesit të tij Marco Parolo.[94] Më 30 tetor, ai shënoi golin e 159të me klubin në fitoren 2–1 kundër Atalantës, duke barazuar rekordin e të gjitha kohërave të Piolës.[95] Ai e theu rekordin pesë ditë më vonë kundër Marsejës në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.[96] Me këtë gol, ai u bë gjithashtu golashënuesi më i mirë i klubit në Ligën e Evropës me 11 gola, duke kaluar ish sulmuesin Pierluigi Casiraghi, i cili kishte shënuar 10 gola.[97] Më 7 nëntor, Immobile shënoi një nga tre golat e fitores kundër Salernitanës për t'u bërë lojtari i parë në historinë e Lazios që shënon 10 ose më shumë gola në gjashtë sezone rresht në Serie A.[98]
Më 6 janar 2022, Immobile shënoi në barazimin 3–3 kundër Empolit, duke u bërë lojtari i katërt në historinë e Serie A që shënon 15 ose më shumë gola në shtatë sezone të ndryshme.[99] Pas kësaj, ai luajti ndeshjen e 200të me Lazion në Serie A në fitoren 3–0 kundër Cagliarit në transfertë, duke shënuar me penallti.[100] Me këtë gol ai barazoi Silvio Piolën si golashënuesi më i mirë i Lazios në Serie A (143) si dhe u bë lojtari i tretë në histori që shënon 20 ose më shumë gola në gjashtë sezone në Serie A.[101]
Më 16 prill, Immobile shënoi në minutat shtesë të barazimit 1–1 kundër Torinos, duke regjistruar golin e tij të 180të në Serie A, gjë që e bëri golashënuesin e 13të më të të mirë të të gjitha kohrave të ligës pasi barazoi veteranin Fabio Quagliarella. Përveç kësaj, ai u bë lojtari i parë në historinë e Serie A që shënon 25 ose më gola në tre sezone të ndryshme si dhe arriti në kuotën e 30 golave për herë të tretë në karrierë.[102] Tetë ditë më pas, ai shënoi në suksesin 2–1 kundër Milanit, duke u bërë lojtari i katërt, pas Robert Lewandowskit, Lionel Messit, dhe Cristiano Ronaldos që shënon 25 gola në kampionat në tre sezone të ndryshme në një nga pesë ligat e mëdhaja të Evropës që nga sezoni 2016–17.[103] Immobile e mbylli sezonin me 27 gola në kampionat, duke fituar çmimin Capocannoniere për herë të katërt në karrierë, gjë që e bëri atë italianin e parë që e fiton këtë çmim katër herë;[104] falë performancave të tij, ai u nderua me çmimin "Sulmuesi më i mirë".[105]
Më 13 tetor 2022, Immobile shënoi në barazimin 2–2 kundër Sturm Gaz në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, duke kaluar Simone Inzaghin si golashënuesi më i mirë i klubit në kompeticionet evropiane.[106] Lazio nuk e kaloi grupin e Ligës së Evropës, duke rënë në UEFA Ligën e Konferencave; më 16 shkurt 2023, Immobile shënoi golin e parë të Lazios në këtë kompeticion në fitoren minimale 1–0 kundër CFR Cluj në ndeshjen e parë në fazën me eliminim direkt.[107] Tre ditë më pas, ai shënoi një dopietë në fitoren 2–0 kundër Salernitanës në transfertë, duke kaluar suedezin Kurt Hamrin si golashënuesi i 8të më i mirë i Serie A.[108] Më 14 prill, Immobile shënoi me penallti në fitoren 3–0 kundër Spezias për t'u bërë lojtari i tretë, pas Francesco Tottit dhe Antonio Di Natales që shënon 10 ose më shumë gola në shtatë sezone me të njëjtin ekip.[109]
Më 2 shtator 2023, Immobile luajti ndeshjen e tij të 300të në të gjitha kompeticionet me Lazion në fitoren 2–1 kundër Napolit në javën e 3të të Serie A.[110] Në fitoren 1–0 kundër Feyenoordit në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, Immobile shënoi golin e tij të 200të me Lazion.[111] Më 25 nëntor, ai shënoi me penallti kundër Salernitanës, duke u bërë lojtari i parë në historinë e Serie A që shënon 100 gola në ndeshjet në transfertë.[112] Tre muaj më vonë, më 10 shkurt 2024, Immobile shënoi golin e tij të 200të në Serie A në fitoren 3–1 në transfertë kundër Cagliarit.[113] Në ndeshjen e parë të raundit të 16-tave të Ligës së Kampioneve, Immobile shënoi golin e golin e vetëm të fitores në shtëpi kundër Bayern München; ky ishte goli i tij i parë në fazën me eliminim direkt në këtë kompeticion, fitorja e parë Lazios kundrejt këtij kundërshtari si dhe fitorja e parë në fazën me eliminim të Ligës së Kampioneve që nga sezoni 1999–2000.[114] Ai e mbylli sezonin e tij të 8të në Romë me vetëm 11 gola të shënuar, duke treguar për herë të parë në karrierën e tij një rënie të konsiderueshme fizike aq shumë sa, së pari Maurizio Sarri dhe më pas Igor Tudor, preferuan të riun Valentín Castellanos si titullar në sulm.[115]
Më 13 korrik 2024, Immobile firmosi një kontratë dy-vjeçare me klubin turk Beşiktaş.[116]
Immobile bëri debutimin e tij me kombëtaren nën-19 në kualifikueset e Kampionatit Evropian të Futbollit 2009 në tetor 2008, por Italia dështoi të arrinte në play-off. Më 25 mars 2009, ai bëri debutimin e tij me ekipin nën-21 në një ndeshje miqësore kundër Austrisë.[117] Ai shënoi golin e parë më 25 prill 2012 në ndeshjen e rradhës miqësore kundër Skocisë, duke ndihmuar Italinë të fitonte 4–1. Ai gjithashtu shënoi edhe kundër Holandës pasi dribloi tre mbrojtës dhe portierin. Immobile ishte një nga 23 lojtarët e thirrur për Kampionatin Evropian 2013 në Izrael.[118]
Më 2 mars 2014, ai mori thirrjen e parë në kombëtaren e parë nga trajneri Cesare Prandelli, për miqësore kundër Spanjës tre ditë më vonë.[119] Ai bëri debutimin e tij si zëvëndësim në humbjen 1–0.[120]
Më 13 maj 2014, Immobile ishte në listën paraprake me 30 lojtarë për Kupën e Botës 2014,[121] kurse më 1 qershor u përfshi në listën përfundimtare me 23 lojtarë.[122] Shtatë ditë më pas, Immobile shënoi një tregolësh në ndeshjen e fundit përgatitore të Italisë para fillimit të turnamentit, në një fitore 5–3 kundër klubit brazilian Fluminenses. Ai bëri debutimin e tij në një Kupë Bote në ndeshjen e parë të fazës së grupeve kundër Anglisë më 14 qershor, duke u aktivizuar në vend të sulmuesit Mario Balotelli i cili kishte shënuar golin e fitores.[123]
Më 31 maj 2016, Immobile ishte pjesë e listës së 23 lojtarëve të përzgjedhur nga Antonio Conte për UEFA Euro 2016.[124] Ai u aktivizua në ndeshjet e fazës së grupeve kundër Belgjikës dhe Republikës së Irlandës.[125][126]
Në qershor 2021, Immobile u ftua nga trajneri Roberto Mancini për të luajtur në UEFA Euro 2020.[127] Në ndeshjen hapëse të grupit, ai shënoi dhe asistoi në fitoren 3–0 kundër Turqisë.[128] Immobile shënoi edhe në ndeshjen e dytë të grupit kundër Zvicrës, me Italinë që fitoi, duke siguruar kualifimin në fazën me eliminim direkt.[129] Në ndeshjen gjysëm-finale kundër Spanjës më 6 korrik, Immobile asistoi golin e Federico Chiesës, para se të zëvëndësohej nga Domenico Berardi; koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim 1–1, por Italia avancoi në finale pasi fitoi me penallti 4–2.[130] Në finalen e madhe më 11 korrik, Immobile e nisi ndeshjen kundër Anglisë si titullar, por u zëvëndësua sërisht në pjesën e dytë nga Berardi; Italia u shpall kampione evrope pasi fitoi 3–1 nga gjuajtjet e penalltive.[131][132]
Edhe pse pozicioni i tij parësor është qëndër-sulmues, Immobile mund të luajë pa problem në çdo repart të sulmit. Ai është një sulmues i shpejtë, i njohur për lëvizjet e tij pa top, si dhe aftësitë për të kryer inkursione drejt sulmit dhe të shfrytëzojë hapsirat.[133] Karakteristikat e tij kryesore janë instikti për gol dhe finalizimi i saktë me të dyja këmbët, si dhe fiziku u tij; ai gjithashtu zotëron një teknik të mirë, dhe është i aftë në duelet ajërore.[133][134][135] Përveç aftësive në sulm dhe golave të shumtë, Immobile është një lojtar me intensitet të lartë pune, i njohur për vullnetin e tij për të ndjekur topin dhe për të bërë presion për ta fituar atë;[133] ai gjithashtu di të kombinohet me shokët e tij,[136] qjë që e lejon të dhurojë asiste për ta.[137]
Në maj 2014, Immobile u martua me të dashurën e tij Jessica Melena.[138] Ata sëbashku kanë katër femijë.[139]
Më 16 prill 2023, Immobile, i shoqëruar nga dy vajzat e tij, u përfshi në një aksident automobilistik pasi makina e tij u godit nga një tramvaj në Romë, duke pësuar dëmtime në shpinë dhe në brinjë.[140][141]
Klubi | Sezoni | Liga | Kupa | Evropa | Tjetër | Gjithsej | ||||||
---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
Divizioni | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | ||
Juventus | 2008–09 | Serie A | 1 | 0 | 0 | 0 | 0 | 0 | — | 1 | 0 | |
2009–10 | 2 | 0 | 1 | 0 | 1[lower-alpha 1] | 0 | — | 4 | 0 | |||
Gjithsej | 3 | 0 | 1 | 0 | 1 | 0 | 0 | 0 | 5 | 0 | ||
Siena (huazim) | 2010–11 | Serie B | 4 | 1 | 2 | 1 | — | — | 6 | 2 | ||
Grosseto (huazim) | 2010–11 | Serie B | 16 | 1 | 0 | 0 | — | — | 16 | 1 | ||
Pescara (huazim) | 2011–12 | Serie B | 37 | 28 | 0 | 0 | — | — | 37 | 28 | ||
Genoa | 2012–13 | Serie A | 33 | 5 | 1 | 0 | — | — | 34 | 5 | ||
Torino | 2013–14 | Serie A | 33 | 22 | 1 | 1 | — | — | 34 | 23 | ||
Borussia Dortmund | 2014–15 | Bundesliga | 24 | 3 | 3 | 3 | 6[lower-alpha 1] | 4 | 1[lower-alpha 2] | 0 | 34 | 10 |
Sevilla (huazim) | 2015–16 | La Liga | 8 | 2 | 3 | 2 | 3[lower-alpha 1] | 0 | 1[lower-alpha 3] | 0 | 15 | 4 |
Torino (huazim) | 2015–16 | Serie A | 14 | 5 | 0 | 0 | — | — | 14 | 5 | ||
Lazio | 2016–17 | Serie A | 36 | 23 | 5 | 3 | — | — | 41 | 26 | ||
2017–18 | 33 | 29 | 4 | 2 | 9[lower-alpha 4] | 8 | 1[lower-alpha 5] | 2 | 47 | 41 | ||
2018–19 | 36 | 15 | 5 | 3 | 5[lower-alpha 4] | 1 | — | 46 | 19 | |||
2019–20 | 37 | 36 | 2 | 1 | 4[lower-alpha 4] | 2 | 1[lower-alpha 5] | 0 | 44 | 39 | ||
2020–21 | 35 | 20 | 1 | 0 | 5[lower-alpha 1] | 5 | — | 41 | 25 | |||
2021–22 | 31 | 27 | 2 | 1 | 7[lower-alpha 4] | 4 | — | 40 | 32 | |||
2022–23 | 31 | 12 | 1 | 0 | 6[lower-alpha 6] | 2 | — | 38 | 14 | |||
2023–24 | 31 | 7 | 3 | 0 | 8[lower-alpha 1] | 4 | 1[lower-alpha 7] | 0 | 43 | 11 | ||
Gjithsej | 270 | 169 | 23 | 10 | 44 | 26 | 3 | 2 | 340 | 207 | ||
Beşiktaş | 2024–25 | Süper Lig | 0 | 0 | 0 | 0 | 0 | 0 | — | 0 | 0 | |
Gjithsej karriera | 442 | 236 | 34 | 17 | 54 | 30 | 6 | 2 | 536 | 285 |
Ekipi kombëtar | Viti | Ndsh | Gola |
---|---|---|---|
Italia | |||
2014 | 9 | 1 | |
2015 | 3 | 0 | |
2016 | 8 | 4 | |
2017 | 10 | 2 | |
2018 | 5 | 0 | |
2019 | 4 | 3 | |
Gjithsej | 39 | 10 |
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.