Remove ads
From Wikipedia, the free encyclopedia
Rexhep Krasniqi (Gjakovë, 24 prill 1906 - 13 shkurt 2000) ka qenë mësues, nëpunës, ministër i shtetit shqiptar, veprimtar e mbrojtës i të drejtave shqiptare n'arenën ndërkombëtare.
Rexhep Krasniqi | |
---|---|
Ministër sekretar shteti i Arsimit | |
Në detyrë 12 shkurt – 28 prill 1943 | |
Paraprirë nga | Ndoc Naraçi |
Pasuar nga | Anton Kosmaçi |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 24 prill 1906 Gjakovë, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 13 shkurt 2000 Shtetet e Bashkuara të Amerikës |
Nënshtetësia | shqiptar |
Punësimi | arsimtar, nëpunës |
Rexhepi lindi në Gjakovë më 24 prill 1906, i biri i Hoxhë Dedës, familja e të cilit ishte me origjinë nga Margegajt e Malësisë së Gjakovës. E ëma i vdiq më 1908, ndërsa i ati më 1914 duke e lënë djalin 8 vjeç. Do rritej nën kujdesin e njeriut më me ndikim në Malësinë e Gjakovës, i afërmi i tij, Bajram Curri.
Nxuri mësimet fillore në vendlindje në gjuhën shqip gjatë pushtim-administrimit austro-hungarez, ku bëri 4 klasë për t'i vijuar në Shkodër dy të tjerat.[1] Me ndikimin e Bajram Currit, djaloshit iu sigurua një bursë shtetnore për ta shkolluar në Austri. Më 1920 Rexhepi përcillet nga Bajram Curri drejt Barit.
Mbasi kryen shkollimin e duhur në Gratz dhe në gjimnazin e mirënjohur të "Theresianum"-it në Vienë gjer më 1929, nisi studimet për histori pranë Universitetit të Vienës duke përgatitur për tezë doktorate "Kongresi i Berlinit dhe Shqipëria Verilindore" me relator prof. Carl Patsch, kryetar i Institutit të Balkanologjisë pranë Universitetit të Vienës, albanolog dhe historian i mirënjohur.
Kthehet më 1935 në Shqipëri, ministria e arsimit e cakton mësues historie dhe gjeografie në Gjimnazin e Gjirokastrës, më pas n'atë të Tiranës (1937). Emërohet Drejtor Arsimi në ministrinë e arsimit deri me pushtimin e Italisë. Internohet në Porto-Palermo por lirohet dhe i kthehet detyrës së arsimtarit duke e vënë min. i Arsimit Ernest Koliqi si drejtor të Gjimnazit të Prishtinës ku jepte dhe mësim historie e gjeografie, më pas emërohet Komisar i Naltë i Shkollave Shqipe në Tokat e Lirueme.
Në shtator të 1943 në Lidhjen e Dytë të Prizrenit vendohet n/kryetar. Me kapitullimin e italianëve dhe shpalljen e pavarësisë në tetor 1943, u emërua deputet në parlamentin shqiptar në Tiranë. Në qeverinë e R. Mitrovicës merr postin e ministrit të Arsimit.[2]
Nga fundi i 1944 largohet bashkë me Xh. Devën, Tahir Zajmin, Rexhep e Xhelal Mitrovicën lëvizën drejt Kroacisë e më pas në Vienë të Austrisë ku bien në kontakt me aleatët të cilët i strehojnë në një hotel. Nga Austria, në vitin 1947 doli në Itali, nga Italia në Egjipt, nga Egjipti në Damask, Siri. Thirret në Europë nga ambasada amerikane më 1948 për të bashkëpunuar me aleatët për gjendjen matanë 'perdes së hekurt'. Më 1951 niset drejt Australisë, së bashku me Xhelal Mitrovicën do të botonin gazetën “Vatra shqiptare”. Punon në industrinë e makinave, pranë firmës "General Motors".
Në fillim të vitit 1956 një zyrtar i ministrisë së jashtme amerikane shkoi në Australi dhe u takua me R. Krasniqin, me rekomandim të Devës. Në prill të atij viti z. Krasniqi merr një telegram nga kjo ministri me anë të cilit ftohet në Washington për bisedime rreth riorganizimit të Komitetit. Pas pak ditesh z. Krasniqi shkoi në Washington dhe filloi bisedimet me kushte.
Krasniqi riorganizoi Komitetin "Shqipëria e Lirë" brenda disa ditësh dhe filloi menjëherë nga puna. Nga 40-të antarët e Komitetit të mëparshëm ai zgjodhi vetëm katër persona: Ing. Vasil Gërmenjin, Kapidan Ndue Gjomarkajn, Prof. Nexhat Peshkëpinë dhe Sotir Avramin. Sekretar të zyrës emroi prof. Konstandin Vangjeri. Një vit më vonë Krasniqi emëroi tre këshilltarë të Komitetit: Mehdi Frashërin, Prof. Karl Gurakuqin dhe z. Ali Këlcyrën.
Deva i dërgon Krasniqit një plan sekret të Jugosllavisë për një valë të re shpërnguljesh të shqiptarve nga Kosova. Për këtë Kryetari i Komitetit "Shqipëria e Lirë" shkoi në Washington dhe e shtroi direkt këtë çështje me autoritetet amerikane.
"Albanian Desk”, zyre e ministrisë së Jashtme amerikane për çeshtje shqiptare, i shkruan z. Krasniqit më 21 gusht, 1957: "Një zyrtari ynë me kompetencë të ministrisë së Jashtme e ka njoftuar Beogradin se Washingtoni ka dieni të plotë rreth planifikimit sekret jugosllav për një valë tjetër shpërnguljeje të shqiptarëve nga Kosova në Turqi. Zyra jonë këtë çështje nuk do ta lej në heshtje".
Në shtator të vitit 1958, përfaqësuesi i Komitetit "Shqipëria e Lirë", pranë Asamblesë së Kombeve Evropiane të Robëruara, ing. Vasil Gërmenji, e ngriti çështjen e Kosovës në një sesion të veçantë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Aty ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi jugosllav i cili u largua nga salla në shenjë proteste. Për këtë konflikt të z. Gërmenji me përfaqesuesin jugosllav, shkroi edhe gazeta New York Post (18/9/1958).
Më 1962, prof. Rexhep Krasniqi, organizoi në New York "Lidhjen e Prizrenit në Mërgim", të cilën e drejtoi Xhaferr Deva derisa vdiq. Komitetin "Shqipëria e Lirë" do e udhëhiqte gjer më 1992.[3]
Më 1994 dekorohet nga Presidenti Sali Berisha me titullin "Naim Frashëri" të klasit të parë.[4]
Vdiq më 13 shkurt 1999, duke lënë amanet që biblioteka e tij e pasur t'i dhurohej "Vatrës". Për varrimin e tij u kujdes miku i tij, publicisti, shkrimtari e studiuesi, z. Idriz Lamaj.[2]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.