Mali i Zi
shtet në Evropën Juglindore From Wikipedia, the free encyclopedia
shtet në Evropën Juglindore From Wikipedia, the free encyclopedia
Mali i Zi (në gjuhën malazeze: Crna Gora, Црна Гора) është një shtet i pavarur në Evropën juglindore. Laget nga Deti Adriatik në jugperëndim dhe kufizohet nga Kroacia në perëndim, Bosnja dhe Hercegovina në veriperëndim, Serbia në verlindje, Kosova në lindje, dhe Shqipëria në jug. Kryeqyteti dhe qyteti më i madh është Podgorica, ndërsa Cetina njihet si qyteti i fronit.[1]
Mali i Zi Crna Gora Црна Гора | |||||
---|---|---|---|---|---|
| |||||
Vendndodhja e Malit të Zi (e gjelbër e errët)
– në Europë ( gri e errët) | |||||
Himni Kombëtar | Oj, svijetla majska zoro? (Oh, agim i ndritshëm maji) | ||||
Kryeqyteti | Podgorica | ||||
Gjuha zyrtare | Malizisht Shqip, Serbisht, Kroatisht, Boshnjakisht | ||||
Pavarësia | 21 maj 2006 Pas referendumit | ||||
Anëtarësimi në OKB | 28 qershor 2006 | ||||
Forma e qeverisjes | Republikë Parlamentare | ||||
President | Milo Gjukanoviqi | ||||
Kryeministër | Dritan Abazi | ||||
Sipërfaqja – totale – % ujë | Vëndi i 161-të 13.812 km² 1,5 | ||||
Popullsia (2011) – totale – dendësia | Vëndi i 166-të 640.029 banorë 45 banorë/km² | ||||
PBB (2015) PBB për banor | 3,985 miliard dollarë 6.373 dollarë | ||||
Monedha | Euro (€), (EUR) | ||||
Zona kohore – zakonisht – në verë |
UTC+1 UTC+2 | ||||
Prefiksi telefonik | +382 | ||||
Kodi i internetit | .me | ||||
Kodi ISO 3166-1 | ME |
Në shekullin IX, tre principata sllave ishin të vendosura në territorin e sotëm të Malit të Zi: Dukla, duke përfshirë gjysmën jugore, Travunia, në perëndim, dhe Rashka, në veri.[2][3][4] Në vitin 1043, arkoni Stefan Vojislav udhëhoqi një kryengritje, e cila rezultoi në pavarësimin e Duklës nga Perandoria Bizantine dhe themelimin e dinastisë së Vojislavleviqëve. Pasi u sundua nga disa fuqi rajonale dhe nga Perandorisë Osmane në shekujt që pasuan, u bë pjesë e Mbretërisë së Jugosllavisë në vitin 1918, e cila u pasua nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1992, republika e Serbisë dhe ajo e Malit të Zi së bashku themeluan një federatë, të quajtur Republika Federative e Jugosllavisë, e cila në vitin 2003 u riemërua si Serbia dhe Mali i Zi. Në bazë të referendumit për pavararësi të mbajtur më 21 maj 2006, Mali i Zi u shpall shtet i pavarur fale votuesve shqiptar qe jetojne ne te (9%) më 3 qershor të ati viti.
I kategorizuar nga Banka Botërore si një vend me të ardhura të mesme, Mali i Zi është anëtar i OKB-së, NATO-s, Organizatës Botërore të Tregtisë, OSBE-së, Këshillit të Evropës, dhe Bashkimit për Mesdheun.
Shumë gjuhë, veçanërisht ata pranë, përdorin përkthimin e tyre të drejtpërdrejtë të termit "mal i zi", shembuj janë gjuha shqipe e cila përdor emrin Mali i Zi, gjuha greke me emrin Μαυροβούνιο, gjuha kineze me emrin "黑山" (Hēishān), dhe gjuha turke me emrin Karadağ. Në shumicën e gjuhëve evropiane të perëndimit, emri i vendit pasqyron një përshtatje të emrit venedikas Montenegro (latinisht mons "mal" + niger "i zi"). Të gjitha gjuhët sllave përdorin variantin e përshtatur malazez të emrit Crna Gora; shembuj janë gjuha çeke Černá Hora dhe gjuha polake Czarnogóra. Popujt çeçenë dhe ingushë e quajn Ӏаьржаламанчоь (Ъärjalamanchö).
Emri Crna Gora filloi të përcaktonte shumicën e territorit të sotëm të Malit të Zi vetëm në shekullin XV.[5] Fillimisht, ai emër u përdor vetëm për një rrip të vogël toke nën sundimin e Pashtroviqëve, por emri filloi të përdoret për rajonin më të gjerë malor pasi dinastia e Crnojeviqëve mori kontorillin e Zetës së Sipërme.[5]
Rajoni i lartpërmendur u bë i njohur si "Mali i Zi i Vjetër" (Stara Crna Gora) duke filluar nga shekulli XIX, për ta dalluar atë nga territoret e sapopushtuara, të njohur si Brda ("Malësitë"). Mali i Zi më tej u zgjerua disa herë në shekullin XX, si rezultat i luftërave kundër Perandorisë Osmane, duke aneksuar Hercegovinën e Vjetër dhe pjesë të Rrafshit të Dukagjinit dhe Rashkës jugore. Kufijtë e Malit të Zi kanë ndryshuar pak që atëherë, duke humbur Rrafshin e Dukagjinit dhe duke fituar Grykën e Kotorrit.
Kodi ISO Alpha-2 për Malin e Zi është ME dhe kodi Alpha-3 është MNE.[6]
Për më shumë informacione shikoni artikullin Historia e Malit të Zi |
Mali i Zi është shtet i pavarur dhe sovran. Për të parën herë në burimet historike emri Mali i Zi u përmend në shekullin 13. Hapësira që quhej Mal i Zi paraqiste vetëm një krahinë gjeografike. Ai territor përfshinte hapësirën mes liqenit të Shkodrës dhe Llovqenit, që ishte pjesë e territorit të Duklës dhe Zetës. Ne gjysmën e dytë të shek. 15 në këtë hapësire zyrtarisht u formua shteti i quajtur Mali i Zi. Kishte sipërfaqen 1500 km². Me forcimin e Malit të Zi si shtet, sipërfaqja u rrit, kështu që kah fundi i shek. 18 dhe fillimi i shek. 19 u dyfishua. Ne betejën e Grahovës ne vitin 1858 Mali i Zi zyrtarisht fitoi kufirin me Turqinë dhe u rrit per 1500 km² territore te reja te çliruara. Mbas këtyre rezultateve Mali i Zi fitoi praninë ndërkombëtare në Kongresin e Berlinit më 1878 atëherë fitoi zgjerim territorial dhe sipërfaqja e Malit te Zi u bë 9475 km2. Në fillim të shekullit 20 mbas luftërave Ballkanike territori i Malit të Zi u rrit në 14000 km². Në kuadër të Malit te Zi hyri një pjesë e Sanxhakut të Pazarit të Ri, një pjesë e Rrafshit të Dukagjinit, Polimjes, si dhe një pjesë në juglindje të Podgoricës. Qytetet të cilat hynë nën Malin e Zi ishin: Plevël, Bellopojë, Beranë, Mojkoci, Koloshini, Pejë, Gjakovë. Nga viti 1918 Mali i Zi humbi statusin e shtetit dhe hyri në përbërjen e Mbretërise Serbo-Kroato-Sllovene. Më vonë ky shtet do të quhet Mbretëria e Jugosllavisë. Mbas Luftës së 2-të Botërore u formua RFD e Jugosllavisë (07.03.1945), në të cilën Mali i Zi ishte njëra nga gjashtë Republikat Federative. Atëherë territorit të Malit të Zi iu bashkangjit Gryka e Kotorrit. Kufijtë e sotshem të Malit të Zi janë konstatuar me 1945 në kuadër të RFD Jugosllavisë. Lulëzimin më të rëndësishëm territorial, shoqëror e kulturor, Mali i Zi përjetoi në kohën e pushtetit të familjes Petroviq-Njegosh. Mali i Zi mbas shpartallimit të RFS Jugosllavisë më 1992 mbeti në kuadër të RF Jugosllave, deri në vitin 2003 e pastaj së bashku me Serbinë krijoi bashkësinë Serbia dhe Mali i Zi, e cila egzistoi deri në vitin 2006. Në referendumin e 21 majit 2006 Mali i Zi u pavarësua dhe fitoi praninë ndërkombëtare. Gjatë historisë Mali i Zi ndërroi rregullimin shtetëror, ishte shtet i Vlladikës, i knjazit, mbretëri, republikë sociale. Sot simbas kushtetutës në fuqi është shtet parlamentar.
Për më shumë informacione shikoni artikullin Njësitë administrative të Malit të Zi |
Mali i Zi është i ndarë në 23 komuna (opština), dhe dy komuna urbane (gradska opština), pjesë të Komunës së Podgoricës. Secila komuna mund të përfshijë disa qytete dhe qyteza. Historikisht, territori i vendit ishte i ndarë në nahije.
Lista e komunave:
Kryeministri i Malit të Zi është Dritan Abazi.
Për më shumë informacione shikoni artikullin Gjeografia e Malit të Zi |
Mali i Zi karakterizohet me male të larta dhe rrafshnalta të larta, lugina të thella lumore dhe me gropën tektoniko-kartike të Liqenit të Shkodrës. Pjesa lindore dhe qendrore janë më të larta, kurse bregdeti është i ngushtë dhe më i ulët dhe shtrihet prej Grykës së Kotorrit e deri te Lumi Buna në kufi me Shqipërinë.
Malet më të njohura të Malit të Zi janë: Sinjaevica, Bjellasica, Durmitori, Komovi, Magnik, Llovqen,Bjeshkët e Nemuna, Orjen e Rumia, kurse fushat e njohura janë: fusha e Podgoricës dhe e Ulqinit, zgjerimet e luginave të lumenjëve të Beranës, Bellopojës, Plevlës, Nikshiqit.
Klima e Malit të Zi ndryshon varësisht nga relievi dhe afërsia e detit, prej asaj malore, kontinentale, e ndryshuar mesdhetare në fushën e Podgoricës dhe mesdhetare në bregdet.
Mali i Zi i ka këta lumenj: Moraça, Limi, Tara, Piva, Zeta, Cemi, Cërnojeviq Rijeka. Këta lumenj kanë rëndësi të madhe ekonomike për Malin e Zi.
Liqeni i Shkodrës i takon Malit të Zi dhe Shqipërisë, është liqeni më i madh në Gadishullin Ballkanik dhe ka prejardhje tektoniko-karstike, kurse Liqeni i Plavës ka prejardhje glaciale-morenike.
Mali i Zi ka edhe shumë liqene të tjera glaciale në malet e larta dhe kanë vlera të mëdha turistike si Liqeni i Zi ne Durmitor, liqeni i Biogradit ne malin Bjellasicë dhe liqeni i Plavës në Bjeshkët e Nemuna.
Për më shumë informacione shikoni artikullin Ekonomia e Malit të Zi |
Mali i Zi është vend bujqësoro-industrial i pazhvilluar. Ka pasuri të pakta minerale, si: boksit, plumbzinku në Shupla Stenë dhe sasi të vogla qymyri dhe kripe. Industria bazohet në energjinë e prodhuar nga hidrocentralet. Në Mal të Zi është zhvilluar industria e aluminit (Podgoricë), e hekurit (Nikshiq), elektroenergjetike (Cetinë), industria tekstile (Podgoricë dhe Bjellopole), ajo ushqimore, industria e letrës dhe celulozës (Ivangrad etj.).
Bujqësia në Mal të Zi është e pazhvilluar. Mbillen drithëra, pemë dhe perime. Ndër llojet e blegtorisë më të përhapura janë: gjedhët, dhentë, derrat e dhitë.
Turizmi përbën një degë të rëndësishme ekonomike. Bregdeti malazias i Adriatikut ka plazhe të gjata ranore, vecanërisht në Ulqin. Në qytetet bregdetare është ngritur infrastruktura e përshtatshme turistike me hotele, restorante, shtëpi pushimi etj. Qendrat më të mëdha turistike janë: Hercegnovi, Igallo, Tivati, Budva, Shën-Stefani, Ulqini etj.
Për më shumë informacione shikoni artikullin Demografia e Malit të Zi |
|
Sipas censusit të vitit 2003, Mali i Zi kishte 620,145 banorë. Nëse do të përdorej metodologjia e përdorur deri në vitin 1991, Mali i Zi sipas censusit të vitit 2003 do të kishte 673,094 banorë. Rezultatet e censusit të vitit 2011 treguan se Mali i Zi ka 620,029 banorë.
Mali i Zi është shtet multietnik, në të cilin asnjë grup etnik nuk formon një shumicë.[7][8] Grupet më të rëndësishme etnike janë malazezët dhe serbët, grupet tjera përfshijnë boshnjakët, shqiptarët dhe kroatët. Numri i "malazezëve" dhe "serbëve" luhatet gjerësisht nga censusi në census për shkak të ndryshimeve në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë, përjetojnë ose zgjedhin të shprehin identitetin e tyre dhe përkatësinë etnike.[9]
Struktura etnike sipas censusit të vitit 2011:[10]
Numri | % | |
Gjithësej | 620,029 | 100 |
Malazezë | 278,865 | 45.0 |
Serbë | 178,110 | 28.7 |
Boshnjakë | 53,605 | 8.6 |
Shqiptarë | 30,439 | 4.9 |
Myslimanë sipas kombësisë | 20,537 | 3.3 |
Kroatë | 6,021 | 0.97 |
Romë | 5,251 | 0.8 |
Serbo-malazezë | 2,103 | 0.34 |
Egjiptianë | 2,054 | 0.33 |
Malazezo-serbë | 1,833 | 0.30 |
Jugosllavë | 1,154 | 0.19 |
Rusë | 946 | 0.15 |
Maqedonët | 900 | 0.15 |
Bosnjanas | 427 | 0.07 |
Sllovenë | 354 | 0.06 |
Hungarezë | 337 | 0.05 |
Myslimano-malazezë | 257 | 0.04 |
Goranë | 197 | 0.03 |
Myslimano-boshnjakë | 183 | 0.03 |
Boshnjako-myslimanë | 181 | 0.03 |
Malazezo-myslimanë | 175 | 0.03 |
Italianë | 135 | 0.02 |
Gjermanë | 131 | 0.02 |
Turq | 104 | 0.02 |
klasifikim rajonal | 1.202 | 0.19 |
të padeklaruar | 30.170 | 4.87 |
të tjerë | 3.358 | 0.54 |
Gjuha zyrtare e Malt të Zi është gjuha malazeze. Gjithashtu, në përdorim zyrtarë janë gjuha serbe, boshnjake, shqipe dhe kroate. Të gjitha këto gjuhë, përveç shqipes, janë të kuptueshme reciprokisht. Sipas censusit të vitit 2011, shumica e qytetarëve deklaruan gjuhën serbe si gjuhë amtare. Gjuha malazeze është gjuhë amtare e shumicës së popullsisë nën 18 vjeç, ndonëse me një diferencë shumë të ngushtë – 39.2% krahasuar me 37.5% të qytetarëve me gjuhë amtare serbishten.[11] Në vitin 2013, Amëza malazeze (Matica crnogorska) shpalli rezultatet e hulumtimit të opinionit publik në lidhje me qëndrimet e identitetit të qytetarëve të Malit të Zi, duke treguar se shumica e popullatës pretendon gjuhën malazeze si gjuhën e tyre amtare.[12] Kushtetutat e mëparshme miratuan serbokroatishten si gjuhë zyrtare në Republikën Socialiste të Malit të Zi dhe standardin ijekav të gjuhës serbe gjatë periudhës 1992–2006.
Struktura gjuhësore sipas censusit të vitit 2011:[10]
Number | % | |
Total | 620,029 | 100 |
Gjuha serbe | 265,895 | 42.88 |
Gjuha malazeze | 229,251 | 36.97 |
Gjuha bosnjane | 33,077 | 5.33 |
Gjuha shqipe | 32,671 | 5.27 |
Gjuha serbokroate | 12,559 | 2.03 |
Gjuha rome | 5,169 | 0.83 |
Gjuha boshnjake | 3,662 | 0.59 |
Gjuha kroate | 2,791 | 0.45 |
Gjuha ruse | 1,026 | 0.17 |
Gjuha serbo-malazeze | 618 | 0.10 |
Gjuha maqedone | 529 | 0.09 |
Gjuha malazezo-serbe | 369 | 0.06 |
Gjuha hungareze | 225 | 0.04 |
Gjuha kroato-serbe | 224 | 0.04 |
Gjuha angleze | 185 | 0.03 |
Gjuha gjermane | 129 | 0.02 |
Gjuha sllovene | 107 | 0.02 |
Gjuha rumune | 101 | 0.02 |
gjuha zyrtare | 3.318 | 0.54 |
gjuhë rajonale | 458 | 0.07 |
të padeklaruar | 24.748 | 3.99 |
të tjera gjuhë | 2.917 | 0.47 |
Mali i Zi ka qenë historikisht në udhëkryq të multikulturalizmit dhe gjatë shekujve është themeluar një formë unike e bashkëjetesës mes popullatës myslimane dhe të krishtere.[13] Malazezët, kanë qenë historikisht anëtarë të Kishës ortodokse serbe (të qeverisur nga Metropolitanati i Malit të Zi dhe Bregdetit) dhe krishtërimi ortodoks serb është feja më e popullarizuar sot në Mal të Zi. Kisha ortodokse malazeze u themelua kohët e fundit dhe ndiqet nga një pakicë e vogël e malazezëve edhe pse nuk është në bashkësi me ndonjë kishë tjetër të krishterë ortodokse, pasi ajo nuk është e njohur zyrtarisht.
Gjatë tensioneve të intensifikuara midis grupeve fetare gjatë luftës në Bosnje, Mali i Zi ka mbetur mjaft i qëndrueshëm, kryesisht për shkak se popullsia e tij ka një perspektivë historike mbi tolerancën fetare dhe diversitetin e besimit.[14] Institucionet fetare nga Mali i Zi kanë të drejta të garantuara dhe janë të ndara nga shteti. Feja e dytë më e madhe është Islami, që përbën 19% të popullsisë së përgjithshme të vendit. Një e treta e shqiptarëve janë katolikë (8,126 në censusin e vitit 2003) ndërsa dy të tretat (22,267) janë kryesisht myslimanë synitë. Në vitin 2012 një protokoll i miratuar nga qeveria malazeze e njeh Islamin si fe zyrtare në Mal të Zi, siguron që ushqime hallall do të shërbehen në objekte ushtarake, spitale, konvikte dhe të gjitha objektet sociale; si dhe grave myslimane do t'i lejohet mbajtja e shamisë në shkolla dhe institucione publike, si dhe të sigurojnë që myslimanët të kenë të drejtën të marrin të premten ditë pushimi, në mënyrë të pjesmarrjes në namazin e xhumasë.[15] Ekziston edhe një popullsi e vogël katolike, përveç shqiptarëve ka edhe disa kroatë, të ndarë në mes Kryedioqezës së Tivarit dhe Dioqezës së Kotorrit, që është pjesë e Kishës së Kroacisë.
Struktura fetare sipas censusit të vitit 2011:[10]
Feja | Numri | % |
Gjithësej | 620,029 | 100 |
Ortodoksë | 446,858 | 72.07 |
Myslimanë | 118,477 | 19.11 |
Katolikë | 21,299 | 3.44 |
Ateistë | 7,667 | 1.24 |
Të krishterë | 1,460 | 0.24 |
Adventistë | 894 | 0.14 |
Agnostikë | 451 | 0.07 |
Dëshmitarë të Jehovait | 145 | 0.02 |
Protestantë | 143 | 0.02 |
Budistë | 118 | 0.02 |
të tjerë | 6,337 | 1.02 |
të padeklaruar | 16,180 | 2.61 |
Si qendër e telekomunikacionit në Mal të Zi ndër tjera merret qendra publike e Radio Televizionit Publik të Malit të Zi (shkurtesa "RTCG"). Nga kjo qendër emitohen emisione në disa kanale. Tri nga to janë televizive dhe dy radiofonike: "TV CG 1", "TV CG 2" "TV CG Sat" (kanal satelitor), "Radio CG 1" dhe "Radio CG 2".[16]
Republika e Shqipërisë e njohu zyrtarisht Republikën e Malit të Zi si shtet të pavarur dhe sovran me ligjin nr. 9562 të datës 19 qershor 2006, në mbështetje të Aktit Normativ të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nr.1 të datës 9 qershor 2006, duke u shprehur njëkohësisht e gatshme të vendosë lidhje diplomatike me Malin e Zi. Në datën 5 korrik 2006, edhe Ish Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu dekretoi ligjin në formë akti normativ të miratuar nga qeveria dhe Kuvendi “Për njohjen e Republikës së Malit të Zi”.
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Malit të Zi vendosën marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes të dy vendeve u krye me shkëmbimin e notave diplomatike mes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Malit të Zi me datë 1 gusht 2006.
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.