From Wikipedia, the free encyclopedia
Kuvendi i Vlorës ishte një kuvend shqiptar i konstituuar gjatë Kongresit të Pavarësisë Shqiptare në Vlorë, më 28 nëntor 1912.
Kongresi Gjithë Shqipëtar[1] ishte një kongres i mbajtur në Vlorë (atëkohë pjesë e Perandorisë Osmane, tash Republika e Shqipërisë) më 28 nëntor 1912.[2] Në fillimin e seancës, Ismail Qemali mori fjalën dhe i shpjegoi pjesëmarrësve të kongresit se duhej bërë gjithçka që ishte e mundur për ta shpëtuar Shqipërinë, duke iu referuar të drejtave shqiptare në rrezik si pasojë e kryengritjeve shqiptare të katër viteve paraprake.[3] Pas fjalimit, pjesëmarrësit filluan t'i kontrollojnë dokumentet.[4]
Pasi u kontrolluan dokumentet, Ismail Qemali mori sërish fjalën dhe dha një fjalim ku konstatoi që e vetmja mënyrë për ta ndaluar përçarjen e territorit të vilajetit shqiptar mes aleatëve ballkanikë ishte që ta ndanin nga Perandoria Osmane.[5] Propozimi i Qemalit u pranua njëzëri dhe u vendos që të nënshkruhej deklarata e pavarësisë së Shqipërisë në emrër të Kuvendit të Vlorës. Përmes deklaratës së pavarësisë shqiptare, Kuvendi i Vlorës refuzoi autonominë që Perandoria Osmane ia dha vilajetit shqiptar, e projektuar veç disa muaj më përpara.[6] Marrëveshja e Kuvendit ishte për pavarësi të plotë.[7]
Më pas u përfundua seanca dhe deputetët e Kuvendit Kombëtar të sapoformuar shkuan tek shtëpia e Ismail Qemalit, i cili ngriti flamurin e Skënderbeut në ballkonin e shtëpisë së vet, para një turme njerëzish.[8]
Seanca e dytë e Kuvendit të Vlorës u mbajt më 4 dhjetor 1912. Gjatë seancës, anëtarët e kuvendit themeluan Qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë. Ajo ishte një qeveri e përbërë prej dhjetë anëtarëve, e drejtuar nga Ismail Qemali deri në dorëheqjen e tij më 22 janar 1914.[9] Kuvendi themeloi Pleqëninë, një senat për Shqipërinë me një rol këshilltar ndaj qeverisë, përbërë prej 18 anëtarëve të Kuvendit.[10]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.