From Wikipedia, the free encyclopedia
Kryengritja shqiptare e vitit 1912 ishte kryengritje e fundit e shqiptarëve në Perandorinë Osmane dhe zgjati nga janari deri në gusht të vitit 1912. Kryengritja përfundoi, kur qeveria osmane ra dakord për të përmbushur kërkesat e kryengritësve shqiptarë më 4 shtator 1912.
Kryengritja shqiptare e 1912-s | |||||||
---|---|---|---|---|---|---|---|
Shkupi pasi u çlirua nga Luftëtarët Shqiptarë | |||||||
| |||||||
Palët pjesëmarrëse | |||||||
Kryengritësit Shqiptarë | Perandoria Osmane | ||||||
Komandantët dhe udhëheqësit | |||||||
Isa Boletini Ismail Qemali Hasan Prishtina Nexhip Draga Bajram Curri Riza bej Gjakova Essad Pasha Toptani | Mehmed V | ||||||
Fuqia ushtarake | |||||||
60,000 – 80,000 | 50,000 |
Arsyet kryesore për të gjitha këto kryengritje ishin ndryshimet e futura për shqiptarët nga xhonturqit, duke përfshirë rritjen e taksave, rekrutimin e shqiptarëve në ushtrinë Osmane dhe çarmatimin e popullatës civile shqiptare[1].
Shqiptarët nuk ishin të vetmit që filluan kryengritjet kundër qeverisë së xhonturqve në këtë periudhë. Kishte kryengritje në Siri dhe në Gadishullin Arabik [2].
Në Kosovë u formuan çeta të cilat ndërmorën edhe sulme kundër komisionit të reformave.[3] Pakënaqësia e popullit u shtua si pasojë e moszbatimit të marrëveshjes së gushtit 1911, vënies së taksave të reja, përkeqësimit të gjendjes ekonomike dhe përpjekjeve për të penguar çeljen e shkollave shqipe.[4] Me organizimin e forcave kryengritëse merreshin Hasan Prishtina, të cilin osmanët u munduan më kot ta vrisnin me anën e një atentati, dhe komandantët e çetave. Shqiptarët shtuan aksionet kundër autoriteteve turke.[5]
Autoritetet u munduan ta lokalizonin revoltën para se të merrte përpjestime të gjera. Për këtë qëllim sulmuan kryengritësit në Has, por u thyen. Më 6 maj ngritën krye Peja dhe Shala. Më 11 maj, kryengritësit hynë në Gjakovë, por për shkak të mungesës së municionit u detyruan të bënin armëpushim. Ndërkohë në drejtim të Pejës u dërguan dy batalione osmane të cilat u shpartalluan nga kryengritësit shqiptarë. Sulmet kundër garnizonit osman të Pejës vazhduan edhe 10 ditë të tjera, duke lënë të vrarë 400 ushtarë osmanë, por pas ardhjes së reparteve ushtarake nga Mitrovica u vendos një armëpushim. Kryengritja u shtri edhe në sanxhakun e Prishtinës, në Llap dhe Vuçitërnë, ku çetat shqiptare ndërmorën disa sulme ndaj xhandarmërisë. Të ndodhur nën trysninë e kryengritësve, autoritetet osmane nuk guxuan ta shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme.[6]
Qeveria osmane përqendroi në Kosovë forca të mëdha ushtarake, numri i të cilave kalonte 19 mijë ushtarë dhe kalorës, të pajisur me topa e mitralozë. Sipas shtypit të kohës numri i kryengritësve shqiptarë kishte arritur në 15 mijë.[7]
Udhëheqësit e forcave kryengritëse ndien nevojën e bashkërendimit dhe organizimit të kryengritjes në shkallë kombëtare, prandaj i drejtuan një thirrje popullit shqiptar për t'u bashkuar nën drejtimin e një komiteti të vetëm. Ministri i brendshëm turk deklaroi në parlament se "kryengritësit shqiptarë po u krijonin udhëheqësve të tyre mundësinë për të mbajtur lirisht kuvendin në Junik". Kuvendi u mblodh në Junik më 21-25 maj 1912 me nismën e Hasan Prishtinës dhe në të morën pjesë 250 delegatë nga vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit. Falë përpjekjeve të Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit u paralizuan veprimet e elementëve turkomanë në radhët e lëvizjes.[8] Kuvendi vendosi vazhdimin e kryengritjes dhe miratoi programin politik i cili përmbante kërkesa për autonominë e Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabet kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit shqiptar në gjithë vendin dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave.[9]
Qeveria turke mori masa të reja ushtarake për të penguar zgjerimin e kryengritjes, ndërsa me anën e elementëve proturq ndërmori një fushatë shpifjesh kundër kryengritësve të cilët i quanin vegla të të huajve. Në Ferizaj u sollën tri regjimente të divizionit të Stambollit. Regjimente osmane u përqendruan edhe në qytete tjera të Kosovës.[10]
Në fund të majit, kryengritësit shqiptarë rifilluan veprimet luftarake kundër trupave turke. Një pjesë e kryengritësve të drejtuar nga Isa Boletini sulmuan Pejën dhe asgjësuan pozicionet ushtarake, por pas ardhjes së përforcimeve të reja osmane u detyruan të tërhiqeshin për mungesë municionesh. Kryengritës të Hasit, Gashit dhe Bytyçes nën drejtimin e Bajram Currit thyen keqas 4 batalione osmane në qafë të Prushit, të cilat lanë në duart e shqiptarëve municione, armë dhe topa. Jehona e këtij suksesi i dha shtytje lëvizjes së armatosur edhe në viset tjera. Ndërkohë 4000 ushtarë osmanë rrethuan Isë Boletinin në fshatin Boletin (fshat në rrethinën e qytetit të Mitrovicës) dhe pas 2 javësh luftime të rrepta e detyruan të tërhiqet tok me kryengritësit e tij në drejtim të Novi Pazarit.[11]
Autoritetet osmane ushtruan terror mbi popullsinë shqiptare, megjithatë valiu i Kosovës njoftonte me telegram ministrin e Punëve të Brendshme se kjo nuk i trembte shqiptarët, por i nxiste edhe më shumë.[12] Nga ushtria osmane dezertuan shqiptarët, madje reparte të tëra dhe u bashkuan me kryengritësit. Për t'i ndjekur të arratisurit u formuan reparte të veçanta.[13]
Kryngritja ishte përhapur edhe në viset tjera shqiptare sidomos në Shqipërinë e Veriut. Më 22 qershor, malësorët e Bregut të Matës thyen forcat osmane që po shkonin prej Lezhës në Tiranë. Pas sukseseve të para kryengritja u zgjerua më shumë. Kryengritësit vendosën kontrollin mbi rrugën Tiranë-Shkodër dhe ndërprenë linjën telegrafike, kurse në Shqipërinë e Mesme, kryengritësit zhvilluan luftime me njësitë osmane në Tiranë, Shijak dhe Krujë. Në Dibër kryengritësit kërkuan largimin e forcave ushtarake nga vendi, hapjen e shkollave shqipe dhe kryerjen e shërbimit ushtarak në vend.[14]
Kryengritja shqiptare e futi qeverinë osmane në krizë të rëndë prandaj ajo dha dorëheqje më 17 korrik. Po atë ditë kryengritësit çliruan Gjakovën, më 21 korrik Prishtinën, më 22 korrik Novi Pazarin. Nga Novi Pazari Isa Boletini u nis në krye të 6000 luftëtarëve drejt Mitrovicës të cilën e mori pa luftë. Më pas u çliruan Vuçitërna, Peja, Ferizaj, Gjilani dhe Bujanovci. Idriz Seferi kishte çliruar krahina të tëra në trevën juglindore të Kosovës.[15]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.