From Wikipedia, the free encyclopedia
Fjala Kisha ortodokse e Lindjes ose Kishë ortodokse nënkupton ata që janë thirrur si një popull i veçantë për të kryer një detyrë të caktuar. Kisha e krishterë është asambleja e popullit të zgjedhur të Perëndisë, që besojnë në Jesu Krishtin, e thirrur për të mbajtur fjalën e Tij dhe për të bërë punën dhe vullnetin e Tij në botë dhe në Mbretërinë Qiellore.
Neutraliteti i këtij artikulli ose seksioni është i dyshimtë. Jeni të lutur të shikoni faqen e diskutimit si dhe të ndihmoni këtë artikull duke korrigjuar informacionet. |
Emërtimi "ortodoks" ose "orthodhoks" (nga greq. oρθός, orthos, "i drejtë", dhe δόξα, dhóksa, "lavdi", "mendim, mësim, besim") - fjalë për fjalë "besimi i drejtë, i vërtetë". Rreth kuptimit të parë, tradita kishtare shton edhe një të dytë, që plotëson te parin: atë të "lavdërimit/adhurimit të drejtë".
Në Krishterimin e hershëm, ky term përdorej për të treguar besimin e vërtetë, duke e dalluar nga herezitë apo skizmat. Kishë Ortodokse pra, quheshin ato Kisha (Komunitete të krishtera) që nuk largohen nga besimi i drejtë, në kundërshtim me Kishat heterodokse, skizmatike dhe heretike. Megjithatë, historikisht, vetëm Kishat Lindore të traditës bizantine ia kanë atribuar vetes në mënyrë përkufizuese cilësimin Ortodoks. Këto Kisha janë ato që mbajnë ritin bizantin dhe janë të rregulluara në jetën e tyre sakramentale dhe disiplinore, pa devijime, nga Kanonet e Shenjta, pra nga kanonet (rregullat) e dala drejtpërdrejt ose thjesht të përforcuara nga ana e shtatë Sinodeve (Koncileve ose Këshillave) Ekumenike (Universale) të mijëvjeçarit të parë të krishterë. [1]
Në mijëvjeçarin e parë (shek.I - shek.XI) në Lindje dhe në Perëndim kemi Një Kishë unike, të vetme, me të njëjtën doktrinë besimi, thjesht të ndarë në juridiksione administrative. Emërtimi "Ortodoksi" u përdor edhe më tepër pas Skizmës së Madhe në vitin 1054, për të dalluar Kishën Lindore nga Kisha Perëndimore. Kishë quhet edhe tempulli ku mblidhet për të adhuruar Komuniteti ortodoks, që për ta dalluar ortografikisht shkruhet me “k” të vogël.
Kisha është dhuratë e Perëndisë në botë. Ajo është dhurata e shpëtimit, e njohurisë dhe e ndriçimit, e faljes së mëkateve dhe e fitores mbi errësirën dhe vdekjen. Ajo është dhurata e kungimit me Perëndinë, me anë të Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë. Ajo mbetet përgjithmonë, deri në mbarim të kohës: e pathyeshme dhe e pamposhtur.[2]
Kisha është një institucion i shenjtë që u themelua nga Fjala e Trupëzuar e Perëndisë, Jesu Krishti, për shpëtimin dhe shenjtërimin e njerëzve, që mbart autoritetin e Zotit dhe autenticitetin e Tij dhe përbëhet nga njerëz që kanë një besim dhe të njëjtat mistere, klerikë dhe laikë (popull). Kisha e ka fillesën e saj tek apostujt me anë të trashëgimisë së tyre të pashkëputur e me anë të tyre te Zoti. Kisha është Një, e Shenjtë, Katholike (e Përgjithshme) dhe Apostolike.
Anëtarë të Kishës janë të gjithë ata që ndër shekuj besojnë në Krishtin dhe u pagëzuan në emrin e Tij e në këtë mënyrë u regjistruan si qytetarë të saj, duke u quajtur të krishterë (pasues të Krishtit). Besimtarët e gjallë, që përpiqen të jetojnë besimin e krishterë në jetën e tyre këtu mbi tokë përbëjnë Kishën militante, ndërsa të besimtarët e fjetur (që vdiqën) që ndodhen në qiejt dhe shenjtorët, përbëjnë Kishën triumfale. Ajo nuk është themeluar nga ndonjë autoritet njerëzor apo fuqi juridike.[3]
Të krishterët orthodhoksë besojnë në Kishën ashtu siç besojnë në Perëndinë, në Krishtin dhe në Shpirtin e Shenjtë. Besimi në Kishën është pjesë e pohimit të besimit të besimtarëve të krishterë. Kisha është në vetvete një objekt besimi si realiteti hyjnor i Mbretërisë së Perëndisë dhënë njerëzve nga Krishti dhe Shpirti i Shenjtë; komuniteti hyjnor i themeluar nga Krishti, kundër së cilës "dyert e ferrit nuk do të kenë fuqi" (Mattheu 16:18). Pa Kishën, si një realitet hyjnor, mistik, shpirtëror dhe me jetën në misteret, në mes të botës së rënë dhe mëkatare, nuk mund të ketë kungim të plotë dhe të përkryer me Perëndinë.
Besimi dhe jeta e Kishës Ortodokse shprehet në doktrinën dhe veprimtarinë saj, misteret, shkrimet, shërbesat, shenjtorët, organizimi etj. dhe të cilët mbajnë unitetin esencial të Kishës.
Perëndia e ka shfaqur Vetveten tek krijesat e Tij. Ai nuk e ka zbuluar qenien e Tij më të thellë, sepse esenca e brendshme e Perëndisë nuk mund të kuptohet nga krijesat. Por, Perëndia ka treguar çfarë njeriu mund të shohë dhe të kuptojë nga natyra dhe vullneti i Tij hyjnor[4]. Këtë Ai e shfaqi me krijimin e botës, me mesazhet e profetëve e Dhiatës së Vjetër etj. Plotësia dhe përkryerja e Vetëzbulesës së Perëndisë gjendet në Birin e Tij Jesu Krisht [5], i Cili është edhe përmbushja e zbulesës graduale dhe të pjesshme të Perëndisë në Dhiatën e Vjetër.
Traditë quhet vazhdimësia e jetës së popullit të Perëndisë. Tradita e Krishterë apo e Dhiatës së Re quhet dhe Traditë Apostolike. Pjesa qendrore e shkruar e saj janë Shkrimet e Dhiatës së Re. Ungjijtë dhe Shkrimet e tjera biblike të Kishës formojnë zemrën e traditës së krishterë dhe janë burimi dhe frymëzimi kryesor i tërë zhvillimeve të mëvonshme. Kjo traditë është pasuar brez pas brezi, në kohë dhe hapësirë. Tradita, si term, ka po atë kuptim: është ajo që pasohet dhe transmetohet nga njëri tek tjetri.[6]
Pra, Tradita e Shenjtë është ajo që është pasuar dhe transmetuar brenda Kishës që prej kohës së Apostujve të Krishtit, deri në ditët tona. Por, Tradita e Shenjtë nuk është kufizuar vetëm në dokumentet e shkruara. Ajo është jeta dhe përvoja tërësore e Kishës (komunitetit), nga brezi në brez, nga njëri vend në tjetrin. Është jeta e vetë Kishës, që udhëhiqet dhe frymëzohet prej Shpirtit të Shenjtë.
Bibla është fjala e Perëndisë e frymëzuar prej Tij[7] (2 Timoteut 3:16) dhe një pjesë kryesore e Vetëzbulesës që bëri Perëndia tek njerëzit. Përbëhet nga Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re. Dhiata e Vjetër tregon historinë e kësaj zbulese që nga krijimi i botës deri në kohën e profetëve. Dhiata e Re fillon me jetën dhe veprën e Jesu Krishtit dhe disa apostujve, vazhdon me disa nga ngjarjet e Kishës së hershme dhe veçanërisht paraqet doktrinën apostolike të Kishës.
Megjithëse këto shkrime lexoheshin nëpër kisha, që kur ato u dukën për herë të parë, radhitja më e hershme e librave të Dhiatës së Re, ashtu siç është sot, u themelua me Kanonin 33 të Sinodit (Këshillit) lokal të Kartagjenës më 318, dhe në një fragment të letrës së shën Athanasit të Aleksandrisë në Pashkën e vitit 367. Një Sinod lokal i mbajtur në Romë më 382, në drejtimin e shën Damaskinit, vendosi një radhitje të plotë të librave kanonikë të Dhiatës së Vjetër dhe të Re. Librat e Dhiatës së Vjetër janë 49 dhe të Dhiatës së Re janë 27[8]. Shkrimet janë zemra e lutjes dhe e adhurimit ortodoks.
Artikulli kryesor: Liturgjia hyjnore në kishën ortodokse
Fjala liturgji do të thotë punë apo veprim i përbashkët i një grupi të veçantë njerëzish, për hir të të gjithëve. Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia urdhëroi një model adhurimi (shih librat e Eksodit dhe Levitikut). Në Dhiatën e Re e shohim Kishën si vazhduese të adhurimit të Izraelit të Dhiatës së Vjetër, sjellë në një perspektivë të re dhe të përjetshme, e përmbushur në Jesu Krishtin. Elementet kryesore në Liturgji (apo Meshë) përfshijnë himne, leximin dhe shpalljen e Ungjillit, lutjet dhe Eukaristinë - Falënderimin (të themeluar nga vetë Krishti në Darkën Mistike), duke kulmuar me Kungimin e Trupit dhe Gjakut të Krishtit.
Gjatë zhvillimit të saj historik, Kisha hasi në mjaft vendime të vështira. Por, ajo gjithmonë i zgjidhi problemet dhe i mori vendimet nëpërmjet konsensusit të të gjithë besimtarëve, duke u mbledhur në sinode (këshilla). Ajo frymëzohej nga Perëndia dhe udhëhiqej nga drejtuesit e caktuar të saj, në fillim apostujt dhe pastaj peshkopët/episkopët. Në këtë mënyrë, në Kishën Ortodokse mbizotëroi sistemi sinodial hierarkik i administrimit, në përputhje me të cilën asnjë episkop nuk mund të jetë mbartësi i vetëm i tërësisë së pushtetit të Kishës. Por është sinodi i të gjithë peshkopëve,të cilët përbëjnë autoritetin kolektiv më të lartë dhe autenticitetin e Kishës.[9]
Sinodi i parë në historinë e Kishës u mbajt në kohën e apostujve, për të vendosur kushtet se si mund të hynin jo hebrenjtë në Kishën e Krishterë (shih Veprat e Apostujve 15).
Nga ajo kohë e në vazhdim, gjatë gjithë historisë, u mbajtën sinode për të marrë vendime të rëndësishme të Kishës. Peshkopët takoheshin rregullisht me priftërinjtë e tyre dhe me popullin.
Në Kishën Ortodokse vetëm shtatë sinode të tillë morën miratimin universal të tërë Kishës, në të gjitha kohët dhe vendet. Këto sinode janë emërtuar Shtatë Sinodet Ekumenike. Përkufizimet dogmatike dhe kanonet e tyre, Kisha i beson të frymëzuara nga Perëndia dhe shprehje e vullnetit të Tij për njerëzit. Kështu, ato janë burime esenciale të Doktrinës së Krishterë Orthodhokse.
1) Nikea I, v. 325 - Formuloi Pjesën e Parë të Besores, duke përcaktuar Hyjninë e Birit të Perëndisë.
2) Kostandinopojë I, v. 381 - Formuloi Pjesën e Dytë të Besores, duke përcaktuar Hyjninë e Shpirtit të Shenjtë.
3) Efes, v. 431 - Përcaktoi Krishtin si Fjalën e Perëndisë dhe Marinë si Hyjlindëse (Theotokos).
4) Kalqedoni, v. 451 - Përcaktoi Krishtin si Perëndi të Përsosur dhe Njeri të Përsosur në Një Person.
5) Kostandinopojë II, v. 553 - Rikonfirmoi doktrinën e Trinisë dhe të Krishtit.
6) Kostandinopojë III, v. 680 - Afirmoi Njerishmërinë e Vërtetë të Jisuit, duke këmbëngulur në realitetin e veprimit dhe vullnetit të Tij njerëzor.
7) Nikea II, v. 787 - Afirmoi përdorimin e ikonave si shprehje e vërtetë e Besimit të Krishterë.
Kisha ka një numër shenjtorësh, të cilët ishin mësues shpirtërorë dhe që mbrojtën e shpjeguan doktrinat e Besimit të Krishterë. Këta janë quajtur Etërit e Shenjtë të Kishës dhe mësimet e tyre janë quajtur mësime patristike (nga pater, që do të thotë átë). Etërit mbrojtën, përshkruan dhe shpjeguan doktrinat teologjike dhe mënyrat e jetës shpirtërore prej përvojës së tyre personale dhe përjetimit të besimit të krishterë.
Në tërësi, shkrimet e Etërve janë bazuar në themelet biblike dhe liturgjike të besimit dhe jetës së krishterë dhe në Kishën Ortodokse konsiderohen si burime kryesore për kuptimin e doktrinës së krishterë.
Shenjtorë janë ata, që marrin pjesë në shenjtërinë e Perëndisë. "Bëhuni të shenjtë, sepse Unë Perëndia juaj jam i shenjtë" (Levitiku 11:44; 1 Petro 1:16). Jetët e shenjtorëve dëshmojnë për autenticitetin dhe vërtetësinë e Ungjillit të Krishterë.
Kisha i klasifikon shenjtorët, sipas disa aspekteve karakteristike të veprimtarisë së tyre. Apostujt, janë ata që u dërguan për të përhapur besimin e krishterë; Ungjillorët janë ata që shkruan ungjijtë; Profetët janë ata njerëz të shenjtë të Dhiatës së Vjetër që u frymëzuan nga Perëndia për të folur fjalët e Tij tek njerëzit; Etërit janë ata që përshkruan, shpjeguan dhe mbrojtën doktrinat teologjike dhe mënyrat e jetës shpirtërore të besimit të krishterë; Rrëfyesit (Omologjetët/Konfesorët), janë ata që pohuan dhe vuajtën për besimin; Dëshmorët/Martirët janë ata që vuajtën dhe i martirizuan duke dhënë jetën për besimin; Oshënarët janë ata murgj apo murgesha, që i përkushtuan jetën e tyre Perëndisë në manastire; Asketë janë ata murgjër apo murgesha që jetuan të veçuar në vetmi jetën e përkushtuar; të Drejtët ndër laikët por edhe persona të drejtë që jetuan në kohën e Dhiatës së Vjetër.
Kanonet e Kishës u vendosën nga Sinodet Ekumenike ose Sinodet lokale apo nga disa Etër të Kishës dhe janë pranuar nga e tërë Kisha Ortodokse, si normë për doktrinën dhe praktikën e krishterë. Fjala “kanon” do të thotë rregull, normë ose njësi matjeje e gjykimit. Ato janë një burim i pasur për të zbuluar të Vërtetën e gjallë të Perëndisë në Kishë.
Kanonet e Kishës ndahen në dogmatike ose doktrinale dhe në kanonet praktike, etike ose të karakterit strukturor. Gjithashtu, ndahen në kanone që mund të ndryshohen dhe që nuk mund të ndryshohen kurrsesi.
Ato u formuluan në pjesën më të madhe si përgjigje ndaj disa pyetjeve ose devijimeve dogmatike apo morale në jetën e Kishës.
Artikulli kryesor: Arti në Kishën Ortodokse të Shqipërisë
Kisha Ortodokse ka një traditë të pasur në ikonografi, si edhe në artet e tjera kishtare: muzikë, arkitekturë, skulpturë, qëndisje, poezi etj.
Kjo traditë artistike është bazuar në doktrinën ortodokse të krijimtarisë njerëzore, që është e rrënjosur në dashurinë e Perëndisë për njeriun dhe botën në krijim.
Meqenëse njeriu është krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë dhe meqenëse Perëndia e deshi kaq shumë njeriun dhe botën, sa që i krijoi, i shpëtoi dhe i lavdëroi ata me anë të Mishërimit të Tij, shprehjet artistike të njeriut dhe bekimet e frymëzimet e Perëndisë, bashkohen në një krijimtari të shenjtë artistike, e cila shpreh të vërtetat më të thella të vizionit të krishterë për Perëndinë, njeriun dhe natyrën.
Pohimi më i rëndësishëm i besimit në Krishterim është Besorja ose sic thuhet ndryshe edhe Simboli i Besimit, dhe është rezultat i dy Sinodeve Ekumenike në shek.IV. Besorja përmban esencën e doktrinës së Dhiatës së Re për Trininë e Shenjtë, duke ruajtur të vërtetën e Besimit Ortodoks kundër atyre që donin të shtrembëronin besimin duke pohuar se Krishti nuk është Perëndia i mishëruar dhe Krijues, por krijesë. Ky Simbol i Besimit thuhet në shumë shërbesa të Kishës dhe i kujton të krishterit ortodoks çfarë ai beson personalisht, duke e ruajtur besimin e tij në rrugë të drejtë.
I. Besoj në një Perëndi, Atë të Tërëfuqishëm, krijues të qiellit dhe të dheut dhe të gjithë të dukurave dhe të padukurave.
II. Dhe në një Zot Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin, që lindi prej Atit përpara gjithë shekujve. Dritë prej Drite, Perëndi të vërtetë prej Perëndie të vërtetë, të lindur, jo të bërë, që ka të qenët një me Atin, me anën e të cilit u bënë të gjitha.
III. Që për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiejve, edhe u mishërua prej Shpirtit të Shenjtë edhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri.
IV. Dhe u kryqëzua për ne në kohën e Pontit Pilat, dhe pësoi e u varros,
V. Dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve.
VI. Dhe u ngjit në qiejt dhe rri në të djathtë të Atit.
VII. Dhe do të vijë përsëri me lavdi të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit, mbretëria e të cilit nuk do të këtë mbarim.
VIII. Dhe në Shpirtin e Shenjtë, Zot, jetëbërës, që buron prej Atit, që adhurohet e lavdërohet bashkë me Atin e me Birin, që foli me anën e profetëve.
IX. Në një Kishë të shenjtë, katholike (të përgjithshme) dhe apostolike.
X. Pohoj një pagëzim për ndjesën e mëkateve.
XI. Pres ngjalljen e të vdekurve.
XII. Dhe jetën e ardhshme të amshuar. Amin.
Besimi është themeli i jetës së krishterë. Në Shkrimin e Shenjtë besimi është cilësuar me thënien klasike, si "të qenët e gjërave që shpresojmë, siguria e gjërave që nuk shihen"' (Hebrenjtë 11:1).
Besimi ka dy aspekte kryesore: a) besimi "në" dikë ose diçka, pra besimi si njohje e këtyre personave ose gjërave si reale, të vërteta dhe të vlefshme, p.sh. besimi në Perëndinë, në Krishtin, në Trininë e Shenjtë, në Kishën. b) besimi në kuptimin e besimit dhe të mbështetjes, p.sh. dikush mund të besojë në Perëndinë, thjesht në ekzistencën, vërtetësinë dhe mirësinë e Tij; por, ai duhet të besojë dhe në Të, t’i besojë fjalët e Tij, të mbështetet në praninë e Tij, të varet plot besim në premtimet e Tij. Të dy aspektet janë të nevojshme, të besojë në disa gjëra me mendje, zemër dhe shpirt dhe pastaj të rrojë me to në jetën e përditshme.
Besimi është gjithmonë personal. Asnjë nuk mund të besojë për tjetrin. Shumë njerëz mund të besojnë të njëjtën gjë, për shkak të një uniteti njohurie, arsyeje, përvoje dhe bindjeje. Kështu, mund të jetë një komunitet besimi dhe një unitet besimi. Por, ky komunitet dhe unitet fillon dhe mbaron në pohimin e besimit personal.
Perëndia është qenie frymore, i palëndshëm, pa kohë, i përjetshëm, i panxënë, i padukshëm, i pandryshuar, i gjithëpushtetshëm, i shenjtë, i pamëkatshëm, i drejtë, i gjithëmirë, një pasuri e pamatur dhe absolute e forcave dhe energjive të përjetshme hyjnore. Të krishterët ortodoksë besojnë se Perëndia është Perëndi Triadik, ashtu siç vetë Perëndia e zbuloi Veten e Tij: Një Perëndi, në tre persona: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, të bashkuar përsosmërisht, kurrë të ndarë. Këta nuk janë tre Perëndi, por Një Perëndi i vetëm, një qenie dhe një natyrë hyjnore, një esencë e vetme, një veprim dhe një vullnet hyjnor, një njohuri dhe një dashuri hyjnore, një shenjtëri.
Ati, Biri edhe Shpirti i Shenjtë, Trini e njëqenëshme dhe e pandarë, Nga qenia dhe nga natyra s’ka asnjë diferencë midis personave të Trinisë së Shenjtë, prandaj ashtu si adhurohet Ati, kështu adhurohet edhe Biri edhe Shpirti i Shenjtë[10]. Por ka diferencë në personat e Trinisë së Shenjtë vetëm nga kjo: se Ati është i palindur; Biri, personi i dytë i Trinisë është lindur prej Atit në përjetësi dhe pa kohë; dhe Shpirti i Shenjtë buron prej Atit, në përjetësi dhe pa kohë.
Mister është se si Perëndia shquhet në tre persona, të cilët përbëjnë vetëm një Perëndi, sepse nuk është e mundur të kuptohet prej mendjes së njeriut. Por shpjegimin e së vërtetës e zbuloi dhe e mësoi vetë Jisu Krishti (Biri i Perëndisë që u bë njeri), i Cili i porositi nxënësit e Tij që të pagëzojnë “Në emër të Atit e të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë” (Matth. 28:19); dhe Trinia e shenjtë u shfaq në Pagëzimin e Jisu Krishtit, kur Ati dëshmoi duke thirrur: “Ky është Biri im i dashur, të Cilin e pëlqeva”, dhe Shpirti i Shenjtë zbriti në formë pëllumbi (Llk. 3:21, Mk.1:10-11).
Doktrina Ortodokse e krijimit thotë që Perëndia ka krijuar nga asgjëja (hiçi) çdo gjë që ekziston. Në Shkrimin e Shenjtë, krijimi tregohet në kapitullin e parë të Gjenezës. Pika doktrinore kryesore rreth krijimit është, që vetëm Perëndia është i pakrijuar dhe ka ekzistuar përherë. Çdo gjë tjetër përveç Perëndisë është krijuar nga Ai.
Sipas Besimit Ortodoks, gjithçka që Perëndia bën është "shumë e mirë": qiejt, toka, bimët, kafshët dhe së fundi vetë njeriu (Gjeneza 1:31). Perëndia është i kënaqur me krijimin dhe e bëri atë jo për tjetër qëllim, por vetëm që ky krijim të marrë pjesë në Hyjninë e Perëndisë, në ekzistencën e pakrijuar dhe të jetojë prej "frymës së jetës" së Tij (Gjeneza 1:30; 2:7). Nuk ka doktrinë në Ortodoksi që të mësojë se "shpirti" është i mirë dhe "materia" e keqe, që "qielli" është i mirë dhe "toka" e keqe. Perëndia e do tërë krijimin e Tij material me dashurinë e Tij të përjetshme, si do të shohim, që kur krijimi fizik u prish nga mëkati, Ai bën gjithçka për ta shpëtuar atë.
Përveç botës së dukshme Perëndia krijoi dhe botën e padukshme. Ajo nuk ekziston në hapësirë dhe nuk ka dimensione fizike. Realiteti i krijuar i padukshëm përbëhet prej ushtrive të fuqive pa trup, përgjithësisht të quajtur engjëj. Engjëjt nuk kanë trupa dhe nuk kanë veçori trupore të asnjë lloji. Ata janë qenie shpirtërore të pastra.
Engjëjt (që do të thotë "lajmëtarë") janë vetëm një rang i Fuqive pa trup të botës së padukshme. Sipas Traditës dhe Shkrimit Ortodoks, ka nëntë rangje të Fuqive pa trup ose Ushtrive. Ata janë: Engjëjt, Kryeengjëjt, Prijësit, Fuqitë, Pushtetet, Zotërimet, Fronet, Keruvimet dhe Serafimet.[11]
Përveç fuqive të krijuara, që bëjnë vullnetin e Perëndisë, janë gjithashtu shpirtrat që kanë ngritur krye kundër Perëndisë dhe që bëjnë keq. Këta janë demonët ose djajtë (që do të thotë "të ndarët"). Satanai (që do të thotë kundërshtari ose armiku), është emri për djallin, princin e frymëve të liga. Ai është identifikuar me gjarprin e Gjenezës (kap. 3) dhe si tunduesin e Jovit dhe të Jisuit (Jobi 1:6; Marku 1:33). Ai emërtohet nga Krishti, si "ati i gënjeshtrës" (Joani 8:44) dhe si "princi i kësaj bote" (Joani 12:31; 14:30; 16:11). Ai ra nga qielli së bashku me demonët për shkak të krenarisë, sepse donin të ishin të barabartë me Perëndinë (Lluka 10:18; Isaia 14:12). Ky i "hyri Judës" kur ai tradhtoi Krishtin (Lluka 22:3). Sipas Doktrinës Ortodokse nuk ka rrugë të mesme ndërmjet Perëndisë dhe Satanait. Njeriu është ose me Perëndinë, ose me djallin, duke i shërbyer njërit apo tjetrit.
Fitorja përfundimtare i përket Perëndisë dhe atyre që janë me Perëndinë. Satanai dhe ushtria e tij do të shkatërrohen në fund.
Njeriu është krijimi i veçantë i Perëndisë. Ai është i vetmi "i krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë" (Gjeneza 1:26). Ai u krijua nga Perëndia prej dheut në mbarim të procesit të krijimit të botës ("ditën e gjashtë"). Ai është bërë të marrë frymë prej "frymës së jetës" (Gjeneza 2:7), të njohë Perëndinë dhe të këtë pushtet mbi gjithçka që Perëndia ka bërë.
Perëndia krijoi "mashkull e femër" (Gjeneza 1:27; 2:21) - dhe që të "shtohej e shumohej" (Gjeneza 1:28). Adami dhe Eva ishin dy njerëzit e parë.
Si shëmbëlltyrë e Perëndisë, sundues mbi gjithë krijimin dhe bashkëkrijues me Krijuesin e Pakrijuar, njeriu ka detyrën që "të reflektojë" Perëndinë në krijimin: duke shpërndarë vullnetin, praninë dhe fuqinë e Perëndisë në tërë universin dhe të transformojë gjithçka që ekziston në parajsë të Perëndisë.
Sipas besimit të krishterë, njeriu është krijuar me një dinjitet të madh, dhe konsiderohet si "më i rëndësishmi" i krijesave.
Burri dhe gruaja, mashkulli e femra, janë krijuar nga Perëndia të jetojnë së bashku në një bashkim jete, dashurie dhe të qenurit. Nuk mund të ketë burrë pa gruan; ashtu si nuk mund të ketë grua pa burrin. Të dy jetojnë së bashku, në kungim dhe harmoni të përsosur, për përmbushjen e natyrës dhe jetës njerëzore.
Ndryshimet ndërmjet burrit dhe gruas janë reale dhe të pandryshueshme. Ato nuk kufizohen vetëm në ndryshimet biologjike apo fizike. Ato janë më tepër "mënyra ekzistence", brenda së njëjtës njerishmëri.
Mëkat do të thotë "të mos qëllosh në shenjë", të dështosh, të mos arrish atje ku duhet të shkosh. Në fillim njeriu u krijua që të ishte shëmbëlltyra e krijuar e Perëndisë, të jetonte i bashkuar me jetën hyjnore të Perëndisë dhe të sundonte mbi tërë krijimin.
Ai nuk iu bind urdhërimit të Perëndisë, nga krenaria, xhelozia dhe mungesa e mirënjohjes ndaj Tij, duke iu dorëzuar tundimit të Satanait. Dështimi i njeriut në këtë detyrë është mëkati i tij, që quhet gjithashtu rënia e tij. Njeriu u mashtrua nga i ligu (gjarpri), duke besuar se do të mund të bëhej "si Perëndia" me anë të vullnetit dhe përpjekjes së tij. Nga mëkati i tij - dhe mëkatet e tij - njeriu sjell vetveten dhe tërë krijimin nën sundimin e të ligut dhe të vdekjes.
Njeriu përsëri mbetet shëmbëlltyra e krijuar e Perëndisë - kjo nuk mund të ndryshohet - por ai dështoi ta mbajë shëmbëlltyrën e tij të pastër dhe ngjashmërinë hyjnore. Ai e ndyn njerishmërinë e tij me të keqen, e prish dhe e deformon atë, sa që nuk mundet më të jetë pasqyrimi i pastër i Perëndisë, siç duhet të ishte. Bota mbetet përsëri e mirë, madje "shumë e mirë", por ajo vuan pasojat e hidhura të mëkatit të zotërisë së saj të krijuar dhe vuan me të, në agoninë e vdekjes dhe në prishje. Kështu, nga mëkati i njeriut, e tërë bota ra nën sundimin e Satanait dhe "gjendet në të ligët" (1 Joani 5:19; shih gjithashtu Romanët 5:12) dhe “rënkon në dhimbje" deri sa të shpëtohet përsëri nga Perëndia (Romanët 8:19-23). Të gjithë pasardhësit e Adamit, d.m.th. gjithçka që i përket racës njerëzore, merr pjesë në këtë fat tragjik. Njeriu dhe bota kanë nevojë të shpëtohen, Perëndia e dha premtimin e shpëtimit qysh prej fillimit, premtim që filloi të përmbushet në histori në përzgjedhjen e popullit hebre në personin e Abrahamit, të profetëve të Dhiatës së Vjetër dhe realizohet me ardhjen e Jisu Krishtit.
Për Të pohohet në Simbolin e Besimit në pikat II-VII. Emri Jisu do të thotë Shpëtimtar (në hebraisht Je’shua). Jisui është Krishti (= i Lyeri / i Vajosuri), Mesia i Izraelit.
Jisui është Mesia, ai që i ishte premtuar botës nëpërmjet Abrahamit dhe profetëve. Krishti është Zoti, i Vetmi Zot, i identifikuar me Perëndinë Jahveh të Dhiatës së Vjetër, që nga populli i Izraelit quhej gjithmonë Adonai-Zoti, në greqisht u shkruajt Kirios-Zoti.
Jisui është Shpëtimtari i botës, Ai ka dy natyra, Perëndi i plotë dhe njeri i plotë. Jisui është një me Perëndinë, si Biri i Tij i vetëmlindur, që quhet gjithashtu edhe Fjala (ose Logos) e Perëndisë. Biri është i vetmi i lindur nga Perëndia Atë, "përpara gjithë shekujve", d.m.th. përpara krijimit, përpara fillimit të kohës, pa fillim e pa fund, jo i krijuar, pa kohë. Biri i Perëndisë është çfarë Perëndia është.
Biri i Perëndisë erdhi prej ekzistencës hyjnore që është krejtësisht "tjetër", jashtë kufijve të hapësirës dhe kohës, dhe mori tërësinë e natyrës njerëzore, trupin dhe shpirtin njerëzor. Ai u lind si njeri prej Virgjëreshës Mari me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë (Matth. 1; Llk. 1). Ai u bë njeri i vërtetë në çdo gjë, pati jetë familjare, përjetoi të gjitha përvojat normale njerëzore: rritjen, zhvillimin, urinë, etjen, lodhjen, dëshpërimin, dhimbjen, zhgënjimin, tundimin njerëzor, vuajtjen dhe vdekjen, por nuk mëkatoi. Ai ishte i përsosur në çdo gjë, krejtësisht i bindur tek Perëndia Atë; duke folur fjalët e Tij, duke bërë veprat e Tij dhe duke plotësuar vullnetin e Tij.
Lindja prej një virgjëreshë është plotësimi i profecisë së Dhiatës së Vjetër (Isaia 7:14), dhe gjithashtu plotësimi i dëshirës së gjithë njerëzve për shpëtim, dëshirë dhe shpresë që gjendet në tërë fetë dhe filozofitë e historisë njerëzore.
Biri hyjnor i Perëndisë, që lindi në mish njerëzor për shpëtimin e botës, bëhet Shëmbëlltyra e përsosur e jetës njerëzore, Pajtuesi i njeriut me Perëndinë dhe shkatërruesi i vdekjes. Vetëm Perëndia mund ta shpëtojë botën. Njeriu vetëm nuk mund ta bëjë, sepse edhe ai vetë ka nevojë për shpëtim. Për këtë arsye, Shpëtimtari i botës nuk mund të jetë thjesht si njeri prej racës së Adamit. Ai duhet të jetë "jo i kësaj bote", që të mund të shpëtojë botën.
Krishti na çliroi ne të gjithëve që ishim marrë peng nga Satanai, duke u bërë Çliruesi ynë. Ndonëse Jisui nuk mëkatoi, Ai vullnetarisht ofroi jetën e Tij në kryq si flijim për mëkatin dhe mëkatet e njerëzve, duke zbuluar dashurinë hyjnore të mbibollshme të Perëndisë për krijimin e Tij, duke na "blerë me një çmim", çmimin e madh të gjakut të Krishtit (Veprat 20:28; 1 Korinthianët 6:20).
Krishti u ngjall të tretën ditë, ashtu siç edhe ishte profetizuar në Dhiatën e Vjetër. Jisui kishte fuqinë të jepte jetën e tij dhe gjithashtu, kishte fuqinë ta merrte atë përsëri (Joani 10:17-18), sepse Ai kishte jetë në vetvete (Joani 5:26). Ngjallja e Krishtit nuk ishte thjesht ngritje trupi (që u shtri i vdekur dhe pastaj u gjallërua biologjikisht dhe eci në të njëjtën mënyrë si para se të vritej). Në ngjalljen, Jisui është në një formë të re dhe të lavdishme, Ai shfaqet përnjëherë në vende të ndryshme, Ai njihet me vështirësi (Lluka 24:16, Joani 20:14), Ai ha e pi për të treguar që nuk është hije (Lluka 24:30, 39), Ai i lejon që ta prekin (Joani 20:27; 21:9), Ai shfaqet në mes të nxënësve të tij kur "dyert ishin të mbyllura" (Joani 20:19, 26), Ai "humbi prej syve t'atyre" (Lluka 24:31).
Fitorja e Krishtit mbi vdekjen është çlirimi i njeriut prej mëkatit dhe fitorja e njeriut mbi robërinë e djallit, sepse në dhe nëpërmjet vdekjes së Krishtit, njeriu vdes dhe lindet përsëri në jetën e përjetshme. Në vdekje mëkatet nuk janë llogaritur më. Në vdekje djalli nuk e mban më atë. Në vdekje ai ka lindur përsëri në jetën e re dhe është çliruar prej gjithçkaje që është e keqe, e rreme, demoniake dhe mëkatare.
Mbas ngjalljes, Jisui iu shfaq shumë njerëzve, për një periudhë prej dyzet ditësh. Pastaj Ai u ngjit në qiej (Marku 16:19; shih gjithashtu Lluka 24:50 dhe Veprat 1:9-11). Ngjitja e Jisu Krishtit është akti final i misionit tokësor të shpëtimit. Biri i Perëndisë zbriti "nga qielli" për të bërë veprën që Ati i dha për të bërë; dhe mbasi kreu gjithçka u kthye tek Ati, duke mbartur përjetësisht njerishmërinë e plagosur dhe të lavdëruar që Ai mori mbi vete (Shih Joani 17). Kështu Ngjitja shfaqet si lavdërimi i natyrës njerëzore, bashkimi i njeriut me Perëndinë, depërtimi i njeriut në thellësitë hyjnore pambarim.
Krishti do të vijë përsëri me lavdi, në fund, në mbarim të jetëve dhe atëherë do të jetë Dita e Gjykimit, Dita e Zotit e parathënë në Dhiatën e Vjetër (p.sh. Danieli 7) dhe e paratreguar nga Jisui vetë (Mattheu 24). Koha e saktë se kur do të ndodhë, nuk është parathënë, as nga vetë Jisui, kështu që njerëzit duhet të jenë gjithmonë të përgatitur me anë të veprave të mira dhe vigjëlimit shpirtëror.
Prania e Krishtit si e Vërteta dhe Drita është në vetvete gjyqi i botës. Në këtë kuptim të gjithë njerëzit dhe e tërë bota janë tashmë gjykuar, ose më saktë, tashmë jetojnë në praninë e plotë të këtij realiteti - Krishti dhe veprat e tij - nga të cilat ata do të gjykohen në fund. Tani me Krishtin e zbuluar, nuk ka më justifikim për paditurinë dhe mëkatin (Joani 9:39).
Gjyqi i fundit dhe destinacioni i përjetshëm i njeriut, varet nëse njeriu e do apo jo Perëndinë dhe vëllezërit. Varet nëse njeriu do më shumë dritën apo errësirën. Kushtet e gjyqit të fundit tashmë njihen. Krishti i ka dhënë ato me një qartësi të plotë (Mateu 25:31-46).
Krishti erdhi për të prurë Mbretërinë e Perëndisë tek njerëzit. Fjalët e Tij të para janë të njëjta me ato të Pararendësit, Joan Pagëzorit: "Pendohuni se mbretëria e qiejve u afrua" (Mattheu 3:2, 4:17).
Mbretëria e Perëndisë, të cilën Krishti predikoi dhe në të cilën Ai do të mbretërojë, do të vijë me fuqi në fund të kohërave, kur Zoti do të mbushë tërë krijimin dhe do të jetë me të vërtetë "i gjithë, dhe në të gjitha" (Kolosianëve 3:11).
Kjo Mbretëri, si një realitet hyjnor e shpirtëror u është dhënë njerëzve nga Krishti në Kishë. Ajo kremtohet dhe ne marrim pjesë në të, në misteret e besimit. Për të dëshmohet në shkrimet, sinodet, kanonet dhe shenjtorët. Ajo do të bëhet realiteti universal, kozmik dhe përfundimtar i tërë krijimit, në fund të kohërave, kur Krishti do të vijë me lavdi, për të mbushur të gjitha gjërat me Vetveten, me anë të Shpirtit të Shenjtë, që Perëndia të jetë "gjithçka në të gjitha" (1 Korinthianëve 15:28).
Fjala Kishë kupton ata që janë thirrur si një popull i veçantë për të kryer një detyrë të caktuar. Kisha e krishterë është asambleja e popullit të zgjedhur të Perëndisë, e thirrur për të mbajtur fjalën e Tij dhe për të bërë punën dhe vullnetin e Tij në botë dhe në mbretërinë qiellore.
Në Shkrimin e Shenjtë Kisha quhet Trupi i Krishtit (Romanët 12; 1 Korinthianët 10, 12; Kolosianët 1) dhe Nusja e Krishtit (Efesianët 5; Zbulesa 21). Gjithashtu, quhet edhe Tempulli i Perëndisë së gjallë (Efesianët 2; 1 Petro 2) dhe "shtylla dhe mburoja e së Vërtetës" (1 Timotheu 3:15).
-Kisha është Një sepse Perëndia është një dhe sepse Krishti dhe Shpirti i Shenjtë janë një. Sipas mësimit ortodoks, uniteti i Kishës është uniteti i lirë i njeriut në të vërtetën dhe në dashurinë e Perëndisë. Një unitet i tillë nuk është themeluar nga ndonjë autoritet njerëzor apo fuqi juridike, por nga vetë Perëndia. Në masën që njerëzit janë në të vërtetën dhe dashurinë e Perëndisë, ata janë anëtarë të Kishës së Tij. Vetëm mëkatet dhe rrugët e gabuara njerëzore (herezitë) i nxjerrin njerëzit jashtë këtij uniteti.
-Kisha është e Shenjtë, sepse Perëndia është i shenjtë dhe sepse Krishti dhe Shpirti i Shenjtë janë të shenjtë. Shenjtëria e Kishës vjen nga Perëndia. Anëtarët e Kishës janë të shenjtë në masën që ata jetojnë në kungim me Perëndinë.
Brenda Kishës tokësore, njerëzit marrin pjesë në shenjtërinë e Perëndisë. Mëkati dhe gabimi i ndajnë ata prej kësaj shenjtërie hyjnore, si dhe prej unitetit hyjnor. Besimi dhe jeta e Kishës në tokë shprehet në doktrinat e saj, misteret, shkrimet, shërbesat dhe shenjtorët, të cilët mbajnë unitetin esencial të Kishës dhe që mund të pohohen me siguri, si "të shenjta" për shkak të pranisë dhe veprimit të Perëndisë në ato.
-Kisha është e Përgjithshme (Katholike) për shkak të lidhjes së saj me Perëndinë, Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë. Fjala e Përgjithshme (në greqisht "katholikin") do të thotë e plotë, e tërë, e gjithë, që nuk i mungon asgjë. Vetëm Perëndia është i plotë dhe realiteti total; vetëm në Perëndinë nuk mungon asgjë. Ndonëse Kisha është universale - për tërë njerëzit, në të gjitha kohët e në të gjitha vendet - ky universalitet nuk është kuptimi real i termit "katholikin - e përgjithshme" kur përdoret për të përcaktuar Kishën.
Edhe më përpara se Kisha të përhapej në tërë botën, ajo ishte përkufizuar si e Përgjithshme. Kisha fillestare e apostujve në Jerusalem, kishat e hershme në Antioki, Efes, Korinth ose Romë ishin të përgjithshme. Këto ishin të përgjithshme - siç është sot çdo Kishë Orthodhokse - sepse asnjë gjë esenciale nuk u mungonte atyre për të qenë Kisha e vërtetë e Krishtit. Vetë Perëndia është zbuluar i plotë dhe është i pranishëm në çdo Kishë, me anë të Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë, duke vepruar në komunitetin lokal të besimtarëve me doktrinën e saj apostolike, shërbesën (hierarkinë) dhe misteret, duke mos dashur asgjë shtesë që të mund të marrë pjesë plotësisht në Mbretërinë e Perëndisë.
Prandaj, për të besuar në Kishën si të përgjithshme, duhet shprehur bindja që plotësia e Perëndisë është e pranishme në Kishë dhe që asaj nuk i mungon asgjë nga "jeta e bollshme", që Krishti i jep botës në Shpirtin (Joani 10:10). Duhet pohuar që Kisha është me të vërtetë "të mbushurit (plotësia) e atij që mbush të gjitha në të gjitha" (Efesianët 1:23; gjithashtu Kolosianët 2:10).
-Kisha është Apostolike. Fjala Apostolike përshkruan atë që ka një mision, atë që është "dërguar" të kryejë një detyrë. Kisha është quajtur apostolike: Së pari, ajo është ndërtuar mbi Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë të dërguar nga Perëndia mbi apostujt, të cilët ishin dërguar nga Krishti, mbushur me Shpirtin e Shenjtë; dhe së dyti, Kisha në anëtarët e saj tokësorë është vetë e dërguar nga Perëndia, për të dëshmuar për Mbretërinë e Tij, për të mbajtur fjalën e Tij dhe për të bërë punët dhe vullnetin e Tij në këtë botë.
Të krishterët orthodhoksë besojnë në Kishën ashtu siç besojnë në Perëndinë, në Krishtin dhe në Shpirtin e Shenjtë. Besimi në Kishën është pjesë e pohimit të besimit të besimtarëve të krishterë. Kisha është në vetvete një objekt besimi si realiteti hyjnor i Mbretërisë së Perëndisë dhënë njerëzve nga Krishti dhe Shpirti i Shenjtë; komuniteti hyjnor i themeluar nga Krishti, kundër së cilës "dyert e ferrit nuk do të kenë fuqi" (Mattheu 16:18). Pa Kishën, si një realitet hyjnor, mistik, shpirtëror dhe me jetën në misteret, në mes të botës së rënë dhe mëkatare, nuk mund të ketë kungim të plotë dhe të përkryer me Perëndinë.
Kisha është dhuratë e Perëndisë në botë. Ajo është dhurata e shpëtimit, e njohurisë dhe e ndriçimit, e faljes së mëkateve dhe e fitores mbi errësirën dhe vdekjen. Ajo është dhurata e kungimit me Perëndinë, me anë të Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë. Kjo dhuratë është totalisht, një herë e përgjithmonë, pa rezerva nga ana e Perëndisë. Ajo mbetet përgjithmonë, deri në mbarim të kohës: e pathyeshme dhe e pamposhtur.
Fjala “Mister” vjen nga greqishtja “μυστήριον”, nga folja “myo”, që do të thotë të mbyllësh sytë, me qëllim që t’i mbrosh ato nga një vizion i jashtëzakonshëm i Hyjnisë apo ngjarje të tjera të mbinatyrshme. Në Besimin Ortodoks ato përbëjnë një numër sakramentesh apo shërbesash të shenjta - të themeluara nga Krishti - disa prej tyre drejtpërdrejt, si Pagëzimi dhe Kungimi, dhe të tjerat indirekt, nëpërmjet apostujve, të cilët i themeluan në bazë të fjalëve dhe veprave të mësuesit të tyre, në udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë.
Misteret janë shenja të dukshme të Hirit Hyjnor, dhe në to përdoren gjëra materiale si enë të Frymës (si p.sh. buka, uji, vera, vaji). Kështu, natyra merr pjesë në shpëtimin e njeriut dhe elementet tokësore bëhen bartës të fuqisë së Perëndisë. Natyra dhe Fryma bashkohen në shpëtimin.
Tërë misteret e Kishës së Krishterë përmbahen në jetën e re në Zotin, që fillon me rilindjen në pagëzim[12]. Mënyra e hyrjes në Kishën e krishterë është me anë të misterit të Pagëzimit në emrin e Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë (Mattheu 28:19, Ungjilli në shërbesën e Pagëzimit në Kishën Orthodhokse). Pagëzimi si fjalë, do të thotë zhytje në ujë. Në Kishë, kuptimi i Pagëzimit është vdekja dhe rilindja në Krishtin. Ai është përvoja personale e Pashkës (Ngjalljes së Krishtit) për çdo njeri, mundësia reale për të vdekur dhe për "të rilindur" (Joani 3:3; Romanët 6:3-5; Apostulli i Shërbesës së Pagëzimit, Shih gjithashtu Kolosianët 2:12; 3:1). Pohimi i "një pagëzimi për ndjesën e mëkateve", është kështu pohimi i rinimit total të jetës së dhënë njerëzve në Kishë. Përvoja e pagëzimit është përvoja themelore e krishterë, është kushti fillestar për tërë jetën e krishterë.
Pagëzimi pasohet nga "vula e Shpirtit të Shenjtë", misteri i Mirosjes i cili është përvoja personale e Rushajeve (Pentikostisë - Zbritjes së Shpirtit të Shenjtë)[13].
Përmbushja dhe plotësimi i këtyre mistereve themelore të krishtera, është misteri i Kungimit Hyjnor me Perëndinë, në Liturgjinë (Meshën) Hyjnore të Kishës. Vetëm personat që i janë zotuar Krishtit në Kishën Orthodhokse me anë të Pagëzimit dhe Mirosjes, mund të ofrojnë dhe të marrin Kungatën e Shenjtë në Kishën Orthodhokse. Kungata e Shenjtë nuk është thjesht një "mjet shenjtërimi" për besimtarët e veçantë, nuk është një mjet me anë të të cilit persona privatë fitojnë "kungimin" me Perëndinë, sipas ndërgjegjeve, besimeve apo praktikave të tyre private. Kungimi është më tepër një veprim gjithëpërfshirës i Kungimit Hyjnor të shumë personave, që kanë të njëjtin besim, të njëjtën shpresë, të njëjtin pagëzim. Ai është veprimi i përbashkët i shumë personave, që kanë një mendje, një zemër, një gojë, në shërbim të një Perëndie e Zoti, në një Krisht dhe në një Shpirt të Shenjtë.
Të marrësh pjesë në Kungimin Hyjnor në Kishën Orthodhokse do të thotë të identifikosh vetveten plotësisht me të gjithë anëtarët e Besimit Orthodhoks, të gjallë e të vdekur; dhe të identifikosh vetveten plotësisht me çdo aspekt të Kishës Orthodhokse: historinë e saj, sinodet, kanonet dhe dogmat. Kjo do të thotë "të marrësh mbi vetvete" përgjegjësinë direkte dhe konkrete për çdo njeri dhe çdo gjë që ka lidhje me Traditën Orthodhokse dhe të praktikosh përgjegjësinë për jetën e përditshme të Kishës Orthodhokse, të jesh besnik me doktrinën dhe disiplinën e kësaj Kishe, besnik me hierarkinë e saj, të cilët janë ata anëtarë të Trupit, që me anë të misterit të Priftërisë janë përgjegjës për mësimin dhe praktikat e Kishës; imazhet e mistereve të identitetit të Kishës, në tërë vendet dhe kohërat.
Kur dikush hyn në bashkësinë e martesës, që sipas mësimit të Jisu Krishtit është një bashkim përgjithmonë i një burri dhe i një gruaje, ky bashkim shenjtërohet dhe bëhet i përjetshëm dhe hyjnor në misterin e Martesës në Kishë.
Kur dikush vuan apo është i sëmurë, ai "le të thërrasë priftërinjtë e Kishës" dhe "le të luten mbi atë dhe le ta lyejnë me vaj në emërin e Zotit" në misterin e Vajimit të Shenjtë (Efqelinë) (Shih Jakovi 5:14)[14].
Kur ndonjëri mëkaton dhe largohet nga jeta e Kishës, ai kthehet në "Kungimin e Shenjtë" të komunitetit hyjnor, me anë të misterit të Pendim - Rrëfimit.
Dhe kur dikush vdes, ai kthehet tek Krijuesi i tij në mes të Kishës, me lutjet e ndërmjetimet e vëllezërve dhe motrave besimtarë në Krishtin dhe në Shpirtin.
Kështu e tërë jeta e besimtarit është jetuar në tokë me Kishën, si një jetë e plotë dhe e re në Vetë Perëndinë. Kisha, e cila është prania mistike e Mbretërisë së Perëndisë, nuk është e kësaj bote.
Kisha Orthodhokse nuk beson vetëm thjesht në pavdekësinë e shpirtit dhe në mirësinë dhe shpëtimin përfundimtar të vetëm realitetit shpirtëror. Në besimin në ngjalljen e jetës së amshuar, Kisha Orthodhokse nuk pret ndonjë "tjetër botë" për shpëtimin, por këtë botë kaq të dashur nga Perëndia, të ringjallur dhe të lavdëruar prej Tij, dhe të mbushur nga vetë prania e Tij hyjnore.
Në fund të kohës, Perëndia do të zbulojë praninë e Tij dhe do të mbushë tërë krijimin me Vetveten. Për ata që e duan Atë, do të jetë parajsë. Për ata që e urrejnë atë, do të jetë ferr. Dhe tërë krijimi fizik, së bashku me të drejtët, do të gëzohet e do të ngazëllohet në ardhjen e Tij. Të gjitha gjërat do të bëhen të reja. Kjo botë do të jetë përsëri ajo parajsë, për të cilën u krijua fillimisht. Kjo është doktrina orthodhokse për destinacionin përfundimtar të njeriut dhe universit.
Tradita Orthodhokse nuk beson në asgjësimin e krijimit të Perëndisë, ndonëse krijimi do të pësojë katastrofë, duke përfshirë madje edhe të drejtët, me qëllim që gjithçka të pastrohet, të lahet, të bëhet e përkryer dhe të shpëtohet, dhe që do të ketë edhe një "zjarr të amëshuar" për të pabesët.
Kisha Ortodokse organizohet dhe qeveriset nga klerikët: episkopët, priftërinjtë dhe dhjakonët. Autoriteti më i lartë administrativ i tërë Kishës Ortodokse është Sinodi Ekumenik, pra tërësia e gjithë episkopëve, që janë pasuesit e apostujve. Ajo ruan sistemin e vjetër sinodal në administrimin e saj.
E përhapur në vende e kombe të ndryshme, ajo organizohet në qeverisje lokale kishtare. Kisha Ortodokse në botë është e organizuar deri më tani në 14 Kisha Autoqefale (të vetëadministruara, nga greq. αύτο-vetë, κέφαλος-kokë). Secila Kishë drejtohet vetë, dhe njeh si kanonike Kishat që janë të organizuara saktësisht sipas kanoneve të shenjta, që kanë njohjen dhe shpalljen nga Patriarkana Ekumenike (Patriarkana e Konstandinopojës). Në tërësi për të gjithën Kishën Ortodokse në botë nuk ekziston një krye si Papa në Kishën Romano Katolike, por Kisha Ortodokse është e organizuar në juridiksione lokale që udhëhiqet nga sinodet (këshillat) e episkopëve të vetë juridiksionit përkatës. Kishat Autoqefale janë Kisha të barabarta dhe simotra me njëra-tjetrën, me parësi Patriarkanën Ekumenike, që ka rol koordinues e organizativ në çështje administrative e doktrinale etj.
Kisha Ortodokse pavarësisht se organizohet organizime lokale në statusin autoqefal apo autonom, ajo është Një Bashkësi/Komunitet me të njëjtën doktrinë besimi, nuk është federatë kishash. Pra është Një Kishë që jeton, ungjillëzon e vepron në lokalitete të ndryshme të rruzullit tokësor.
Patriarku i Konstandinopojës dhe Patriark Ekumenik
Papa dhe Patriarku i Aleksandrisë dhe i gjithë Afrikës
Patriarku i Antiokisë dhe i gjithë Lindjes
Patriarku i Jerusalemit dhe i gjithë Palestinës
Patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusisë
Patriarku i Beogradit dhe i gjithë Serbisë
Patriarku i Bukureshtit dhe i gjithë Rumanisë
Patriarku i Sofies dhe i gjithë Bullgarisë
Patriarku i Tbilisit dhe i gjithë Gjeorgjisë
Kryepiskopi i Lefkosisë dhe i gjithë Qipros
Kryepiskopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë
Kryepiskopi i Varshavës dhe i gjithë Polonisë
Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë
Kryepiskopi i Pragës & i Preshovës dhe i gjithë Çekisë dhe Sllovakisë
Më tej, ka edhe kisha të tjera që deklarohen autoqefale (autonome) por nuk njihen nga kishat e tjera.
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.