Remove ads
në fetë monoteiste: mbinatyrorë, absolut, entitet suprem dhe objekt besimi From Wikipedia, the free encyclopedia
Perëndia, Hyjni ose Zoti, është, sipas përfytyrimeve fetare e mistike, qenia më e lartë e mbinatyrshme, e cila ka krijuar gjithësinë dhe botën, qëndron mbi të dhe drejton gjithçka. Perëndia zakonisht quhet si qenie "e gjithëdijshme", "e gjithëfuqishme", "e gjithëpranishme" dhe si të ketë një ekzistencë të përjetshme dhe të domosdoshme. Këto veti përdoren ose në mënyrë analogjike ose merren fjalë për fjalë. Perëndia më së shpeshti mbahet si jo trupore.[3][4][5] Vetitë materiale dhe jo trupore të Perëndisë janë të lidhura me mendimet e transhendencës (duke qenë jashtë natyrës) dhe imanencës (duke qenë në natyrë) të Perëndisë, me pozicione sinteze të tilla si "transhendenca imanente".
Disa fe e përshkruajnë Perëndinë pa iu referuar gjinisë, ndërsa të tjerët ose përkthimet e tyre përdorin terminologjinë gjinore. Jehudizmi, për shembull, i atribuon vetëm një gjini gramatike Perëndisë, duke përdorur terma të tillë si "Ai" ose "Atë" për lehtësi gjuhësore.[6] Në gjuhën shqipe emri "Perëndia" është i përveçëm dhe i përket gjinisë femërore, kurse emrat "Hyji" dhe "Zoti" i përkasin gjinisë mashkullore. Në shumë gjuhë të tjera Perëndia i përket gjinisë mashkullore, si p.sh. në gjuhën latine: Deus, në gjuhën angleze: God; në gjuhën franceze: Dieu; në gjuhën gjermane: Gott; në gjuhën greke: Theos; në gjuhën italiane: Dio, në gjuhën ruse: Bog etj. por sipas teologëve Perëndia nuk është qenie trupore që ka trajtë apo gjini.
Perëndia është konceptuar si personale ose jo personale. Në teizëm, Perëndia është qenia krijuese dhe mbështetëse e gjithësisë, ndërsa në deizëm, Perëndia është qenia krijuese, por jo mbështetëse e gjithësisë. Në panteizëm, Perëndia është vetë gjithësia. Në ateizëm, ekziston një mungesë besimi në Perëndi. Në agnosticizëm, ekzistenca e Perëndisë konsiderohet e panjohur ose e panjohshme. Perëndia gjithashtu është konceptuar si burim i gjithë detyrimit moral dhe "ekzistenca më e madhe e mundshme".[3] Shumë filozofë kanë zhvilluar argumente për dhe kundër ekzistencës së Perëndisë.[7]
Monoteistët i referohen perëndive të tyre duke përdorur emra të përshkruar nga fetë e tyre përkatëse, me disa prej këtyre emrave duke iu referuar ideve të caktuara kulturore rreth identitetit dhe atributeve të perëndisë së tyre. Në periudhën e lashtë egjiptiane të Atenizmit, ndoshta feja monoteiste më e hershme e regjistruar, ky hyjni u quajt Ateni,[8] i paraqitur si e vetmia Qenie e Epërme e vërtetë dhe krijuesi i gjithësisë.[9] Në Biblën hebraike dhe Judaizëm, Elohim, Adonai, YHWH (hebraisht: יהוה) dhe emra të tjerë përdoren si emra të Perëndisë. Yahweh dhe Jehovah, shqiptime të mundshme me zanore të YHWH, përdoren në krishtërim. Në doktrinën e krishterë të Trinisë, Perëndia, bashkëjetues në tre "persona", quhet "Ati", "Biri" dhe "Fryma e Shenjtë". Në Islam, përdoret emri Allah, ndërsa myslimanët gjithashtu kanë disa emra përshkrimi për Perëndinë. Në hinduizëm, Brahmani shpesh konsiderohet një koncept monist i Perëndisë.[10] Në fenë kineze, Shangdi është konceptuar si paraardhësi i parë i gjithësisë, i brendshëm ndaj tij dhe vazhdimisht duke e sjellë rendin në të. Fetë e tjera kanë emra për konceptin, për shembull, Baha në Besimin Bahá'í,[11] Waheguru në Sikhizëm,[12] Sang Hyang Widhi Wasa në Hinduizmin Balinik,[13] dhe Ahura Mazda në Zoroastrizmin.[14]
Konceptet e ndryshme të Perëndisë dhe pretendimet konkurruese për karakteristikat, qëllimet dhe veprimet e Perëndisë, kanë çuar në zhvillimin e ideve të omniteizmit, pandeizmit,[15] ose një filozofie shumëvjeçare, e cila përcakton se ka një të vërtetë themelore teologjike, nga të cilat të gjitha fetë shprehin një mirëkuptim të pjesshëm dhe për të cilin "të devotshmit në fetë e ndryshme më të mëdha të botës po adhurojnë në të vërtetë të vetmin Perëndi, por nëpërmjet koncepteve të ndryshme që mbivendosen".[16]
Prejardhja e fjalës "perëndi" është e paqartë, por pranohet gjerësisht nga studiuesit që ka lidhje me ilirishten.[17] Janë propozuar mendime të ndryshme:
Fjala "hyj" rrjedh nga "hyll", forma arkaike e fjalës "yll", e cila ka prejardhje nga shqipja e vjetër ȳll (Budi <yyll>, Buzuku <uill>), nga proto-shqipja *usla, nga PIE *h₁us-los (krahaso me anglishten e vjetër ysle, "hiri i nxehtë"), nga *h₁ews- ("djeg") (krahaso me latinishten ūrere, greqishten e lashtë εὕω (heúō, "përcëlloj")).[21]
Fjala "zot" rrjedh nga fjala e mëparshme "zota", nga proto-shqipja *dzwāpt, nga *w(i)tspáti, nga PIE *wiḱpótis ("udhëheqësi i fisit", krahaso me lituanishten viēšpats, avestanishten 𐬬𐬍𐬯𐬞𐬀𐬌𐬙𐬌 (vīspaiti)), e përbër nga *weyḱ- ("fis", "farë e zgjeruar") (krahaso me greqishten e lashtë οἰκία (oikía, "fis"), avestanishten 𐬬𐬌𐬚 (viθ, "oborri mbretëror")) dhe *pótis ("pronar") (krahaso me greqishten e lashtë πόσις (pósis, "burri"), tokarishten A pats ("burri")).
Disa fe e përshkruajnë Perëndinë pa iu referuar gjinisë, ndërsa të tjerët ose përkthimet e tyre përdorin terminologjinë gjinore. Jehudizmi, për shembull, i atribuon vetëm një gjini gramatike Perëndisë, duke përdorur terma të tillë si "Ai" ose "Atë" për lehtësi gjuhësore.[22] Në gjuhën shqipe emri "Perëndia" është i përveçëm dhe i përket gjinisë femërore, kurse emrat "Hyji" dhe "Zoti" i përkasin gjinisë mashkullore. Në shumë gjuhë të tjera Perëndia i përket gjinisë mashkullore, si p.sh. në gjuhën latine: Deus, në gjuhën angleze: God; në gjuhën franceze: Dieu; në gjuhën gjermane: Gott; në gjuhën greke: Theos; në gjuhën italiane: Dio, në gjuhën ruse: Bog etj. por sipas teologëve Perëndia nuk është qenie trupore që ka trajtë apo gjini. Megjithëkëtë Perëndia paraqitet shpesh në arte si një burrë plak, i thinjur me mjekër.
Perëndia njihet në tradita të ndryshme fetare me emra të ndryshëm:
Nuk ka një marrëveshje të qartë mbi natyrën ose ekzistencën e Perëndisë.[23] Konceptet abrahamike të Perëndisë përfshijnë përkufizimin monoteist të Perëndisë në judaizëm, pikëpamjen trinitare të të krishterëve dhe konceptin islam të Perëndisë. Fetë dharmike ndryshojnë në pikëpamjen e tyre për hyjninë: pikëpamjet e Perëndisë në hinduizëm ndryshojnë sipas rajonit, sektit dhe kastës, duke përfshirë monoteizmin dhe politeizmin. Shumë fe politeiste kanë të përbashkët idenë e hyjnisë krijuese, megjithëse kanë një emër tjetër përveç "Perëndisë" dhe pa të gjitha rolet e tjera që i atribuohen një Perëndie të veçantë nga fetë monoteiste. Xhainizmi është fe politeiste dhe jo-kreacioniste. Në varësi të interpretimit dhe traditës së tij, Budizmi mund të konceptohet si ateist, jo-teist, panteist, panenteist ose politeist.
Monoteistët pohojnë se ka vetëm një perëndi; mund të pohojnë gjithashtu se një perëndi e vërtetë adhurohet në fetë e ndryshme nën emra të ndryshëm. Pikëpamja se të gjithë teistët në të vërtetë adhurojnë të njëjtën perëndi, pavarësisht nëse e njohin apo jo, theksohet veçanërisht në fenë Bahá'í, Hinduizëm[24] dhe Sikhizëm.[25]
Në krishterizëm, doktrina e Trinisë e përshkruan Perëndinë si një Perëndi në tre Veta hyjnorë (secila prej tre Vetave është vetë Perëndia). Trinia e Shenjtë përfshin[26] "Ati Perëndia", "Perëndia Biri" (Jezusi, Krishti), dhe "Perëndia Fryma e Shenjtë". Në shekujt e kaluar, ky përcaktim themelor i besimit të krishterë u përmbledh edhe nga formula latine Sancta Trinitas, Unus Deus ("Trinia e Shenjtë", "E Vetmja Perëndi"), që u raportua në Litaniae lauretanae.
Koncepti më themelor i Islamit është teuhidi (që do të thotë "unitet" ose " të qënit një"). Allahu është përshkruar në Kuran si: Thuaj: "Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë."[27][28] Myslimanët e hedhin poshtë doktrinën krishterë të Trinisë dhe hyjninë e Jezusit, duke e krahasuar atë me politeizmin. Në Islam, Perëndia është qenie transhendente e cila nuk i ngjanë asnjë krijimi të saj në asnjë mënyrë. Kështu, myslimanët nuk kanë ikona, dhe nuk pritet të përfytyrojnë Perëndinë.[29]
Henoteizmi është besimi dhe adhurimi i një perëndie të vetëme, duke pranuar ekzistencën ose ekzistencën e mundshme të hyjnive të tjera.[30]
Teizmi në përgjithësi thotë se Perëndia ekziston realisht, objektivisht dhe në mënyrë të pavarur nga mendimi njerëzor; se Perëndia krijoi dhe mban gjithçka; se Perëndia është qenie e gjithëfuqishme dhe e përjetshme; dhe se Perëndia është personale dhe ndërvepron me gjithësinë përmes, për shembull, përvojës fetare dhe lutjeve të njerëzve.[31] Teizmi pohon se Perëndia është qenie si transhendente dhe imanente; pra, është njëkohësisht e pafund dhe, në një farë mënyre, e pranishme në çështjet e botës.[32] Jo të gjithë teistët pranojnë të gjitha këto propozime, por secili zakonisht i nënshtrohet disa prej tyre.[31] Teologjia katolike thotë se Perëndia është pafundësisht e thjeshtë dhe nuk është subjekt i padiskutueshëm në kohë. Shumica e teistëve pohonjnë se Perëndia është e gjithëfuqishme, e gjithëdijshme dhe dashamirëse, megjithëse ky besim ngre pyetje për përgjegjësinë e Perëndisë për të keqen dhe vuajtjet në botë. Disa teistë i përshkruajnë Perëndisë një kufizim vetë-ndërgjegjes ose të qëllimshëm të plotfuqishmërisë, gjithëdijshmërisë, ose dashamirësisë. Teizmi i hapur, për dallim, pohon se, për shkak të natyrës së kohës, gjithëdijshmëria e Perëndisë nuk do të thotë që hyjnia mund të parashikojë të ardhmen. Teizmi nganjëherë përdoret për të referuar në përgjithësi për çdo besim në një perëndi apo hyjni, dmth monoteizëm apo politeizëm.[33][34]
Deizmi pohon se Perëndia është tërësisht transhendente: Perëndia ekziston, por nuk ndërhyn në botë përtej asaj që ishte e nevojshme për ta krijuar atë.[32] Në këtë pikëpamje, Perëndia nuk është antropomorfe, as nuk u përgjigjet lutjeve as prodhon mrekulli. E zakonshme në Deizëm është besimi se Perëndia nuk ka interes për njerëzimin dhe mund të mos jetë në dijeni të njerëzimit. Pandeizmi kombinon Deizmin me besimet panteiste.[15][35][36] Pandeizmi është propozuar të shpjegojë si Deizmi pse Perëndia do të krijojë një gjithësi dhe pastaj ta braktisë atë[37] dhe sa i përket Panteizmit, origjinën dhe qëllimin e gjithësisë.[37][38]
Panteizmi pohon se Perëndia është gjithësia dhe gjithësia është Perëndia, ndërsa Panenteizmi thotë se Perëndia përmban, por nuk është e njëjta me gjithësinë.[39]
Ky artikull ose seksion duhet të zgjerohet me përmbajtjen e përkthyer nga Wikipedia në anglisht. Ju lutemi të na ndihmoni me kontributin tuaj. |
Sipas botëkuptimit të Krishterë Ortodoks,[40] Perëndia është qenie frymore, i palëndshëm, pa kohë, i përjetshëm, i panxënë, i padukshëm, i pandryshuar, i gjithëpushtetshëm, i shenjtë, i pamëkatshëm, i drejtë, i gjithëmirë, një pasuri e pamatur dhe absolute e forcave dhe energjive të përjetshme hyjnore. Të krishterët ortodoksë besojnë se Perëndia është Perëndi Triadik, ashtu siç vetë Perëndia e zbuloi Veten e Tij: Një Perëndi, në tre persona: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, të bashkuar përsosmërisht, kurrë të ndarë. Këta nuk janë tre Perëndi, por Një Perëndi i vetëm, një qenie dhe një natyrë hyjnore, një esencë e vetme, një veprim dhe një vullnet hyjnor, një njohuri dhe një dashuri hyjnore, një shenjtëri.
Ati, Biri edhe Shpirti i Shenjtë, Trini e njëqenëshme dhe e pandarë, Nga qenia dhe nga natyra s’ka asnjë diferencë midis personave të Trinisë së Shenjtë, prandaj ashtu si adhurohet Ati, kështu adhurohet edhe Biri edhe Shpirti i Shenjtë. Por ka diferencë në personat e Trinisë së Shenjtë vetëm nga kjo: se Ati është i palindur; Biri, personi i dytë i Trinisë është lindur prej Atit në përjetësi dhe pa kohë; dhe Shpirti i Shenjtë buron prej Atit, në përjetësi dhe pa kohë.
Mister është se si Perëndia shquhet në tre persona, të cilët përbëjnë vetëm një Perëndi, sepse nuk është e mundur të kuptohet prej mendjes së njeriut. Por shpjegimin e së vërtetës e zbuloi dhe e mësoi vetë Jisu Krishti (Biri i Perëndisë që u bë njeri), i Cili i porositi nxënësit e Tij që të pagëzojnë “Në emër të Atit e të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë” (Matth. 28:19); dhe Trinia e shenjtë u shfaq në Pagëzimin e Jisu Krishtit, kur Ati dëshmoi duke thirrur: “Ky është Biri im i dashur, të Cilin e pëlqeva”, dhe Shpirti i Shenjtë zbriti në formë pëllumbi (Llk. 3:21, Mk.1:10-11).
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.