Remove ads
Zoti i gjithësisë From Wikipedia, the free encyclopedia
Allah (arabisht: الله, transliterimi: Allāh) është fjala arabe për Zotin në fetë abrahamike dhe shënjon emrin. Në fenë islame fjala shënjon Zotin, i cili konceptohet si unik dhe absolut duke qenë kështu de facto një emër i përveçëm, megjithëse ka shumë mundësi që të jetë zhvilluar nga një emër i përgjithshëm si pasojë e elipsës (bashkimit) së rrokjeve të nyjes al (arabisht ال ) dhe ilāh (arabisht إله = Zot, Perëndi) duke i dhënë kësaj trajtën e shquar, pra „Zoti“.
Sidomos në vendet perëndimore, fjala Allah konceptohet pothuaj vetëm si emërtim për Zotin në botëkuptimin e fesë islame. Por kjo fjalë përdoret edhe nga çifutët dhe të krishterët arabë në fetë e tyre për të përcaktuar Zotin dhe përdoret edhe në Biblën në arabisht.
Nga ana gjuhësore, fjala Allāh ka afërsi të ngushtë me atë eloah në hebreisht, të përdorur më tepër në formën e shumësit elohim (hebreisht אלהים). Fjala eloah/Elohim duhet të ketë pasur fillimisht kuptimin „i fortë“, „i fuqishëm“. Fjala elohim përkthehet në bibël në përgjithësi me „Zot“ por në disa vende në të ajo përdoret edhe për engjëj dhe madje për njerëz (Eksodi 4,16). Në trashëgiminë çifute, Zoti, si krijues dhe gjyqtar, cilësohet me fjalën elohim, ndërsa fjala JHVH (jahve) përmban kryesisht aspektin e mëshirshëm të Zotit. Edhe në arameikisht, e cila bën pjesë po ashtu në familjen e gjuhëve semite, thuhet Alah ose Alaha, sipas dialektit edhe me ngjyrimin Aloho.
Termat Zot, Allah, Elohim janë kështu në shqip, arabisht dhe hebreisht sinonime.
Trashëgimia letrare islame shkruan se emri Allah njihej edhe nga politeistët dhe se i ati i Muhametit e ka pasur emrin Abdullah, emër i cili përbëhet nga kjo fjalë. I dëshmueshëm arkeologjikisht është në të kundërt përdorimi paraislamik i fjalës Allah nga ana e të krishterëve (Umm el-xhimal).
Ka dy hipoteza alternative historiko-gjuhësore; sipas njërës prej tyre fjala Allah është formuar nga elipsa e rrokjeve arabe الإله = Al-ilāh = Perëndia. Sipas tjetrës, nëpërmjet përvetësimit të termit arameik Alaha. E para është shpjegimi me akceptancën (njohjen) shkencore më të gjerë sot.
Me formën e shumësit të madhërisë (pluralis majestatis) "Allahumma", shpjegohet edhe forma e shumësit që figuron në kuran, psh. në suren 2, vargu 35:
Një nga 99 emrat e Allahut është arabisht maliku l-mulk, e përkthyer në shqip: mbreti i mbretërve, me të cilën shpjegohet edhe forma e pluralis majestatis, (shumësit të madhërisë).
Nga 114 suret e Kuranit, 113 fillojnë me besmelen. Njohja e Allahut si i vetmi Zot, shahada, është një nga pesë shtyllat e fesë islame. Kur myslimanët flasin për Zotin ose Allahun, shtojnë shpesh edhe shprehjen „qoftë i lëvduar dhe i lartë“ (arabisht سبحانه وتعالى = subḥanahu va ta'ālā).
Allāhu (Zoti) është i vetmi emër i përveçëm i Zotit në fenë islame. 99 emrat e Allahut të bërë tashmë proverbialë, janë atribute (mbiemra) por nuk janë veç të gjitha nga Kurani. Disa emra të kësaj liste e kanë prejardhjen nga hadith-i, trashëgimia e fjalëve të profetit Muhamet. Për shembull emri i 91-të ad-dārr („plagosësi, rrezikuesi“) gjendet vetëm tek hadithet. Në Kuran ka në të vërtetë më tepër se 99 atribute. Janë gjithësej rreth 114. Lista e 99 emrave përshkruhet me „emrat më të bukur“ (asma’ul husna). Nga të gjithë këto atribute rrjedhin edhe emrat e përhapur arabë si psh. Abdullah („shërbyes i allahut“) ose edhe Abdul Hayy („shërbyes i të gjallit“), Abdul Maxhid („shërbyes i të lavdishmit“). Duhet pasur parasysh këtu se bëhet fjalë për shkallën sipërore të vetive të përmendura („më i mëshirëshmi“, „më i plotëfuqishmi“, „gjithë-shikuesi“ etj.)
Vetitë ose definimet teologjike të Zotit në fenë islame përmenden si në kuran ashtu edhe në hadith. Cilësia kryesore aty e Zotit është që ai është i pavarur nga krijesat e tij. Ai është i pavarur nga koha (sipas tyre, zoti ka ekzistuar përpara kohës dhe do të mbesë edhe pas mbarimit të saj). Zoti është krijuesi i botës por jo pjesë e botës materiale. Zoti, sipas përcaktimit islam nuk ka as gjini, as fëmijë dhe as partnerë. Gjithashtu nuk ekziston asnjë qenie e barazvlefshme me të. Përveç kësaj Zoti është i pranishëm kudo, i plotfuqishëm dhe në dijeni të gjithçkaje, do të thotë. Ai e di në çdo moment se ç'ndodh, ç'ka ndodhur dhe ç'do të ndodhë në çdo vend si dhe ç'do të kishte ndodhur sikur një ngjarje (që pritej) të mos kishte ndodhur.
Kurani e përcakton Allahun kështu:
Për të kuptuar unicitetin (të qënit një) e Allahut në kontekstin islam duhet pasur parasysh termi i tauhīd-it. Shqyrtimi i kuptimit të Allahut sipas konceptimit islam është i pamundur pa tauhīd-in.
Gjuha malteze e përdor termin "Alla" për Zotin në kuptimin kristian.
Në janar 2010 në Malezi u bënë disa atentate kundra kishave kristiane, të shkaktuara si pasojë e përdorimit të fjalës "Allah" nga ana e popullsisë autoktone të krishterë. Në gjuhën e malezëve fjala Allah do të thotë gjithashtu Zot. Gazeta zviceriane "Neue Zürcher Zeitung" shkruan për këtë : Shumë myslimanë janë të mendimit se jo-myslimanëve nuk u lejohet ta zënë me gojë fjalën «Allah». ... myslimanë të zemëruar mbanin në duar parulla me shkrime si «Allahu u përket myslimanëve» ose «mos provokoni fenë islame». ... Vitin e kaluar autoritetet shtetërore kanë konfiskuar e pakta 15000 Bibla të përkthyera në gjuhën maleze pasi në tekstet e tyre bëhej fjalë për «Allahun».
Për kristianizmin ngrihet pyetja nëse (sidomos në lidhje me dialogun ndërfetar) Allahu dhe Zoti i Biblës janë identikë. Kisha katolike për shembull shpalli më 28 tetor 1965 në kuadër të vatikanum-it të dytë shkrimin Nostra Aetate të detyrueshëm për të gjithë katolikët, në pjesën e tretë të të cilit që u shtua më vonë pas protestave arabe ndaj orientimit të kësaj shpallje vetëm ndaj jehudizmit, thuhet:
Të përbashkët kanë të krishterët dhe myslimanët besimin tek Zoti krijues, i cili, siç besojnë ata, ka krijuar qiejt dhe tokën:
thuhet në vargun e parë të zanafillës së Biblës; një shprehje e ngjashme në lidhje me Zotin gjendet edhe në Kuran:
Shumë të krishterë të rrymës evangjeliste hedhin poshtë barazimin e Zotit të Zbulesës së Biblës me atë të Kuranit. Një arsye e kësaj mënyre gjykimi është shpallja qëndrore e fesë islame se Allahu nuk ka bir. Në kundështim me këtë (sipas mendimit të shumë të krishterëve evangjelistë) është shpallja thelbësore e Dhjatës së re, e cila e përkufizon Zotin si „Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit“.
Ish-kryetari i këshillit të kishës evangjeliste në Gjermani, („Evangelische Kirche in Deutschland”), Wolfgang Huber, është i mendimit që nuk mund të bëhet konstatim mbi atë se Zoti, të cilin adhurojnë të krishterët, është i njëjti me atë, të cilin adhurojnë myslimanët. Huber sheh si të mundshëm vetëm një deklarim në lidhje me njohjen ndaj Zotit duke qenë këtu i mendimit se të krishterët njohin një tjetër Zot nga ai i myslimanëve: „a është Zoti i njëjti, këtë duhet t'ia lëmë atij ta vendosë. Ne si njerëz mund të gjykojmë vetëm mbi njohjen tonë ndaj Zotit. Si të krishterë, ne nuk kemi asnjë arsye të themi se njohim të njëjtin Zot si dhe myslimanët.“[2]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.