Kançipurami
vendbanim From Wikipedia, the free encyclopedia
vendbanim From Wikipedia, the free encyclopedia
Kanchipurami[Shpjegimi 1] i njohur ndryshe edhe si Kanchi (më parë i traskriptuar në shkrimin latin si Kāñci-pura, Conjevaram)[1] është një qytet në shtetin indian Tamil Nadu, 72 km nga Chennai, kryeqyteti i Tamil Nadusë. Qyteti shtrihet nw një sipërfaqe prej 11.605 km2 dhe në vitin 2001 kishte një popullsi prej 164,265 banorësh.[2] Është qendra administrative e distriktit me të njëjtin emër. Kanchipurami është i lidhur mirë nëpërmjet rrugëve dhe hekurudhave. Aeroporti Ndërkombëtar i Chennait është aeroporti më i afër me qytetin, që është i vendosur në Tirusulam të distriktit të Kanchipuramit. I vendosur në brigjet e lumit Vegavathy, Kanchipurami ka qenë sunduar nga Dinastia Pallava, Dinastia Mesjetare Chola, Dinastia e Vonë Chola, Dinastia e Vonë Pandya, Perandoria Vijayanagar, Mbretëria Karnatike dhe Perandoria Britanike. Monumentet historike të qytetit përfshijnë Tempullin Kailasanathar dhe Tempullin Vaikunta Perumal. Historikisht, Kanchipurami ishte një qendër edukimi[3] dhe ishte i njohur si Ghatikasthanami, ose "vendi i mësimit".[4] Qyteti ishte gjithashtu një qendër fetare e mësimit të përparuar për Xhainizmin dhe Budizmin midis shekullit të I dhe të V të e.s..[5] Në teologjinë hindu të sektit vaishnavit, Kanchipurami është një nga shtatë vendet e pelegrinazhit hindu (Tirtha), për çlirimin shpirtëror.[6] Qyteti bujt Tempullin Varadharaja Perumal, Tempullin Ekambaresvarar, Tempullin Kamakshi Amman dhe Tempullin Kumarakottam, që janë disa nga tempujt më të rëndësishëm hindu në shtetin Tamil Nadu. Nga 108 tempujt e shenjtë të zotit Hindu Vishnu, 14 gjenden në Kanchipuram. Qyteti është veçanërisht i rëndësishëm për Vaishnavizmin, por është gjithashtu edhe një vend i shenjtë pelegrinazhi për Shaivizmin. Qyteti është i mirënjohur për sarit e tij të thurur me dorë dhe shumica e forcës punëtore të qytetit është e përfshirë në industrinë e endjes.[7] Kanchipurami është i administruar nga një sistem i veçantë bashkiak i konstituar në vitin 1947. Ai është qendra e Kanchi mathas, një institucion manastiror Hindu që besohet se është themeluar nga shenjti, teologu dhe reformatori Hindu Adi Sankaracharya dhe ishte kryeqyteti i Mbretërisë Pallava midis shekujve të IV dhe të IX. Kanchipurami ka qenë zgjedhur si një nga qytetet e trashëgimisë për skemën e Qeverisë Indiane të quajtur në anglisht “Heritage City Development and Augmentation Yojana”.
Disa studiues besojnë se Kanchipurami mund të ketë rrjedhur nga "Kanjiyuri", që është përmendur në poemat e hershme tamile.[8] Kanjiyuri është një vend në vendin Chola dhe emri i tij do të thotë "vendi i rrethuar nga pemë Kanji".[8] Kanjiyuri është përmendur në mjaft tekste të hershme, midis të cilëve edhe te Puṟanāṉūṟu.[8] Gjithësesi, dravidologjisti dhe profesori i historisë P. T. Srinivasa Iyengari, në librin e tij History of the Tamils from the Earliest Times to 600 AD, pohon se Kanjiyuri i përmendur në poemat e hershme tamile nuk ishte Kanchipurami, por një qytet tjetër.[9] Kanchipurami ishte i njohur në literaturën e hershme tamile si Kachi ose Kachipedu, por më vonë u sanskritizua si Kanchi ose Kanchipuram.[10] Sipas legjendës, emri Kanchi ka rrjedhur nga fjala Ka që i referohet zotit Hindu Brahma dhe anchi, që i referohet adhurimit nga ai në këtë vend, i perëndisë Hindu Vishnu.[11] Mbishkrimi më i hershëm nga Periudha Maurya (325–185 p.e.s.) e quan qytetin Kanchipuram, kur mbreti Visnugopa u mund nga Samudragupta Maurya (320–298 p.e.s.).[12] Srinivasa Iyengari pohon se Kanchipurami është një fjalë sanskrite dhe që qyteti nuk ka emër tamil.[9] Në mbështetje të mendimeve të tij, ai pohon se Kanchipurami është përmendur në librat e gramatikanit të sanskritishtes Patanjali, që jetoi midis shekujve të III dhe të II p.e.s..[9] Në të kundërt, përmendjet e para të Kanchipuramit në literaturën tamile, gjenden te Perumpāṇāṟṟuppaṭai, një lavdërim i Ilandiraiyanit, që u shkrua në shekullin e II të e.s.. Aty, megjithatë, Kanchi nuk është përmendur në formën e tij sanskrite Kanchi, por në formën e tij prakrite Kacci.[9] Mbi bazën e kësaj dëshmie, Srinivasa Iyengari arrin në përfundimin se Kanchipurami mund të ketë qenë ngulimi më jugor i kulturës sanskrite.[9] Patanjali (150 p.e.s. ose shekulli II p.e.s.) i referohet qytetit në Mahabhasyan e tij si Kanchipuraka.[12] Qyteti përmendej me emra të ndryshëm tamilë si Kanchi, Kanchipedu dhe emrat sanskritë si Kanchipuram.[10][12] Mbishkrimet Pallava nga vitet 250–355 të e.s. dhe mbishkrimet e Dinastisë Chalukya e quajnë qytetin Kanchipura.[12] Jaina Kanchi i referohet zonës përreth Tiruparutti Kundramit.[12] Gjatë sundimit britanik, qyteti ishte i njohur si Conjeevaram dhe më vonë si Kanchipuram. Bashkia u riemërtua Kancheepuram, ndërsa distrikti mbajti emrin Kanchipuram.[13][14]
Kronologjia e Kanchipuramit 300 - 2016 | ||
Mbretëria Pallava | 300 - 896 | |
Dinastia Chola | 897 - 1296 | |
Perandoria Vijayanagara | 1361 - 1645 | |
Prijësit Arcot | 1701 - 1750 | |
Britania | 1751 - 1947 | |
India e pavarur | 1947 - 2016 |
Distrikti i Kanchipuramit në Tamil Nadunë veriore është konsideruar si rajoni i parë në vendin tamil që u arjanizua. P. T. Srinivasa Iyengari beson se në periudhën para-Pallava, ky rajon ishte ngulimi më jugor i kulturës sanskrite. Ai përmend prejardhjen etimologjike të fjalës "Kanchipuram" dhe dëshmi të tjera në mbështetje të mendimit të tij. Gjithësesi, megjithë këto pohime, Kanchipurami mendohet se është përmendur në eposin tamil të Manimekhalait. Në shekullin e IV të e.s., Kanchipurami u shfaq nga një e kaluar e errët për tu bërë kryeqyteti i Mbretërisë Pallava. Qyteti e arriti kulmin e fuqisë së tij gjatë shekullit të VII, kur u vizitua nga udhëtari kinez Hiuen Tsang. Provinca më veriore e vendit të lashtë tamil ishte distrikti i Aruvas (distrikti i sotëm i Arcotit Jugor).[8] Rajonet përtej Aruvas ishin të njohura si Aruvavadadalai.[8] Distrikti i Kanchipuramit nuk kishte emër të veçantë deri në periudhën e vonë Pallava kur mori emrin Tondaimandalam.[8] Zbulimi nga Henry Bruce Foote i sëpatës para-historike prej guri në Pallavaram në vitin 1863 tregon se rajoni mund të ketë qenë banuar që nga Koha e gurit.[15] Gjetjet arkeologjike nga një periudhë më e vonë tregojnë madje një ngulim të zhvilluar të Kohës së Hekurit.[15] Fosilet e kafshëve dhe përdorimi i gurit të gjetura në Athirapakkam në veri-perëndim të qytetit të Chennait mund të jenë deri në 300,000 vjeçare.[16][17] Përmendjet më të hershme të Kanchipuramit ndodhen në tekstet sanskrite të Patanjalit.[9] Mbretëria Dravida e Mahabharatas duhet të ketë qenë e përqendruar mbi rajonin e Kanchipuramit.[18] Sipas një tradite, ministri i Chandragupta Mauryas, Chanakya ishte me origjinë dravide.[18] Një nga emrat e ndryshëm të Chanakyas ishte Dramila, forma sanskrite e "Tamilian-it".[19] Kanchipurami është përmendur gjithashtu si Satyavrataksetra te Bhagavata Purana, sipas emrit të mbretit Satyavrata që sundonte rajonin. Për rrjedhojë, të gjithë mbretërit e Kanchit deri në Periudhën Pallava, mbanin titullin "Satyaputra" që do të thotë "biri i Satyavratas".[20]
Rajoni i Kanchipuramit është një nga rajonet e para në vendin tamil që pa zhvillimin e kulteve agamike. Tekstet sanskrite të shekujve që paraprijnë erën tonë e përmendin Kanchipuramin mes shtatë qyteteve të shenjta tempullore të Indisë.[21] Një numër manastiresh budiste u ndërtuan gjatë kohës së perandorit Mauryan, Ashoka.[22] Reliket budiste dhe xhainiste në rajon dëshmojnë për praninë domethënëse budiste dhe xhainiste në qytet në atë kohë.[22] Ndërsa pranohet gjerësisht se Kanchipurami kishte shërbyer si kryeqyteti i Dinastisë së Hershme Chola,[23][24] pohimi është kontestuar nga historiani indian P. T. Srinivasa Iyengar, që shkroi se kultura tamile e Periudhës Sangam nuk u përhap nëpërmjet distriktit të Kanchipuramit dhe përmend zanafillën sanskrite të emrit të tij në mbështetje të opinionit të tij.[25] Përmendjet më të hershme të Kanchipuramit janë në librat e gramaticienit të sanskritishtes Patanjali, që jetonte midis shekujve të III dhe të II p.e.s..[25] Qyteti besohet se ka qenë pjesë e Mbretërisë mitike Dravida të eposit të Mahabharathas,[25] dhe përshkruhej si "më i miri mes qyteteve" (sanskritisht: Nagareshu Kanchi) nga poeti sanskrit i shekullit të IV, Kalidasa.[26] Qyteti vlerësohej si "Banarasi i Jugut".[27] Kanchipurami u bë një qytet më i rëndësishëm kur Mbretëria Pallava e Andra Pradeshit të jugut, të vëmendhëm për pushtimet e vazhdueshme nga veriu, e zhvendosën kryeqytetin e tyre në jug, te qyteti në shekullin e VI.[28][29] Sunduesit Pallava e fortifikuan qytetin me ledhe, hendeqe të gjera, rrugë të planifikuara mirë dhe tempuj me punime mjeshtrore. Gjatë mbretërimit të mbretit Pallava Mahendravarmani I, mbreti Chalukya, Pulakesini II (610-642) pushtoi një pjesë të Mbretërisë Pallava deri në lumin Kaveri. Mbretëria Pallava e mbrojti me sukses Kanchipuramin dhe i smbrapsën përpjekjet e përsëritura për të pushtuar qytetin.[30] Një pushtim i dytë përfundoi në mënyrë katastrofike për Pulakesinin II, që u detyrua të tërhiqet në kryeqytetin e tij Vatapi që ishte i rrethuar dhe Pulakesini II u vra nga Narasimhavarmani I (630-668), djali i Mahendravarmanit I (600-630), në Betejën e Vatapit.[30][31] Nën sundimin Pallava, Kanchipurami lulëzoi si një qendër e mësimit Hindu dhe Budist. Mbreti Narasimhavarmani II ndërtoi tempuj të rëndësishëm hindu në qytet, Tempullin Kanchi Kailasanathar, Tempullin Varadharaja Perumal dhe Tempullin Iravatanesvara.[32] Xuanzangu, një udhëtar kinez që vizitoi Kanchipuramin në vitin 640, shënoi se qyteti ishte 9.7 km në perimetër dhe se banorët e tij ishin të shquar për guximin, përkushtimin, dashurinë për drejtësinë dhe vlerësimin e mësimit.[29][33] Mbreti i Dinastisë Mesjetare Chola, Aditya I pushtoi Mbretërinë Pallava, duke përfshirë edhe Kanchipuramin, pasi mundi sunduesin Pallava, Aparajitavarman (880-897) rreth vitit 890.[34] Nën sundimin Chola, qyteti ishte qendra e nënmbretërisë veriore.[35] Provinca u riemërtua "Jayamkonda Cholamandalam" gjatë mbretërimit të Raja Raja Cholas I (985-1014),[36][37] i cili ndërtoi Tempullin Karchapeswarar dhe rindërtoi Tempullin Kamakshi Amman.[37] Djali i tij, Rajendra Chola I (1012-44) ndërtoi Tempullin Yathothkari Perumal.[38] Sipas Siddhantasaravalit të Trilocana Sivacharyas, Rajendra Chola I solli një grup shaivitësh me vete nga kthimi i ekspeditës Chola në Indinë Veriore dhe i vendosi ata në Kanchipuram.[39] Rreth vitit 1218, mbreti Pandya, Maravarman Sundara Pandyani (1216-1238) pushtoi rajonin, duke bërë depërtime të thella në mbretërinë Chola, që u shpëtua nga ndërhyrja e mbretit Hoysala, Vira Narasimha II (1220-1235), i cili luftoi në anën e mbretit Chola, Kulothunga Chola III.[40][41] Mbishkrimet tregojnë praninë e një garnizoni të fuqishëm Hoysala në Kanchipuram, që mbeti në qytet deri rreth vitit 1230.[42] Pak më vonë, Kanchipurami u pushtua nga Dinastia Telugu Chola, nga e cila Jatavarman Sundara Pandyani I e mori qytetin në vitin 1258.[43] Qyteti mbeti me Dinastinë Pandya deri në vitin 1311 kur Dinastia Sambuvarayar shpalli pavarësinë, duke përfituar nga anarkia e shkaktuar nga pushtimi i Malik Kafurit.[36][44] Pas periudhave të shkurtra të pushtimit nga Ravivarman Kulasekhara i Venadit (Quilon, Kerala) në vitet 1313-1314 dhe sunduesi Kakatiya, Prataparudra II, Kanchipurami u pushtua nga gjenerali Vijayanagar, Kumara Kampana, që mundi Sulltanatin e Madurait në vitin 1361.[14]
Perandoria Vijayanagara e sundoi Kanchipuramin nga viti 1361 deri në vitin 1645.[14] Mbishkrimet më të hershme që dëshmojnë sundimin Vijayanagara janë ato të Kumara Kampannas midis viteve 1364 dhe 1367, që u gjentën përkatësisht në rrethimet e Tempullit Kailasanathar dhe Tempullit Varadharaja Perumal.[14] Mbishkrimet e tij regjistrojnë rivendosjen e ritualeve në Tempullin Kailasanathar që kishte qenë braktisur gjatë pushtimeve myslimane.[14] Mbishkrimet e mbretërve Vijayanagara, Harihara II, Deva Raya II, Krishna Deva Raya, Achyuta Deva Raya, Sriranga I dhe Venkata II janë gjetur brenda qytetit.[14] Harihara II bëri dhurime në favor të Tempullin Varadharaja Perumal.[14] Në shekullin e XV, Kanchipurami u pushtua nga Velama Nayakët në vitin 1437, Mbretëria Gajapati në vitet 1463-1465 dhe 1474-75 si dhe Sulltanati Bahmani rreth vitit 1480.[14] Një mbishkrim i vitit 1467 i Virupaksha Rayas II përmend një kazermë ushtarake në afërsi të Kanchipuramit.[14] Në vitin 1486, Saluva Narasimha Deva Raya, guvernatori i rajonit të Kanchipuramit, përmbysi Dinastinë Sangama të Vijayanagaras dhe themeloi Dinastinë Saluva.[14] Si shumica e paraardhësve të tij, Narasimha i dhuroi në mënyrë bujare për Tempullin Varadaraja Perumal.[14] Kanchipurami u vizitua dy herë nga mbreti Vijayanagara, Krishna Deva Raya, i konsideruar si më i madhi i sunduesve Vijayanagara dhe 16 mbishkrime të kohës së tij janë gjetur në Tempullin Varadharaja Perumal.[14] Mbishkrimet në katër gjuhë - tamile, telugu, kannada dhe sanskrite – regjistrojnë gjenealogjinë e mbretërve Tuluva dhe kontributet e tyre, bashkë me ato të fisnikëve të tyre për të përkrahur faltoren.[14] Pasuesi i tij, Achyuta Deva Raya, raportohet se e vishte veten me perla në Kanchipuram dhe shpërndante perla mes të varfërve.[14] Përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të XVI dhe gjysmës së parë të shekullit të XVII, Dinastia Aravidu u përpoq të mbante një dukje autoriteti në pjesët jugore pasi humbi territoret e saj veriore në Betejën e Talikotas.[14] Venkata II (1586-1614) u përpoq të rigjallëronte Mbretërinë Vijayanagara, por ajo u zhyt përsëri në konfuzion pas vdekjes së tij dhe me shpejtësi u rrëzua pas mundjes së mbretit Vijayanagara, Sriranga III nga sulltanatet e Golcondas dhe Bijapurit në vitin 1646.[14] Pas rënies së Perandorisë Vijayanagara, Kanchipurami vuajti mbi dy dekada paqëndrueshmërie politike.[14] Sulltanati i Golcondas mori kontrollin e qytetit në vitin 1672, por e humbi atë përkundrejt Bijapurit tre vjet më vonë.[14] Në vitin 1676, Shivaji mbërriti në Kanchipuram me ftesë të sulltanatit të Golcondas në mënyrë që të largonte forcat e Bijapurit.[14] Fushata e tij ishte e suksesshme dhe Kanchipurami u mbajt nga Sulltanati i Golcondas deri në pushtimin e tij nga Perandoria Mogule e drejtuar nga Aurangazebi në tetorin e vitit 1687.[14] Gjatë fushatës së tyre jugore, Mogulët mundën mbretërinë Maratha nën drejtimin e Sambhajit, djalit të madh të Shivajit, në një betejë pranë Kanchipuramit në vitin 1688[14] që shkaktoi dëmtime të konsiderueshme për qytetin por që nguliti sundimin Mogul.[14] Menjëherë më pas, priftërinjtë në Tempullin Varadharaja Perumal, Ekambareshwarar dhe Kamakshi Amman, të ndikuar nga reputacioni i Aurangazebit si ikonoklast, i transportuan idhujt në jugun e Tamil Nadusë nuk i kthyen ata deri pas vdekjes së Aurangazebit në vitin 1707.[14] Nën sundimin Mogul, Kanchipurami ishte pjesë e nënmbretërisë Karnatike që, në fillimin e viteve 1700, filloi të funksiononte në mënyrë të pavarur, duke mbajtur vetëm një njojhje formale të sundimit Mogul.[14] Mbretëria Maratha e pushtoi Kanchipuramin gjatë Periudhës Karnatike në vitet 1724 dhe 1740 dhe Nizami i Hyderabadit në vitin 1742.[45] Kanchipurami qe fushbeteja e Luftërave Karnatike midis Britanikëve dhe Francezëve si dhe në Luftërat Anglo-Mysore ndërmjet britanikëve dhe Sulltanatit të Mysores.[46] Beteja e famshme e Pollilurit (1780) e Luftës së Dytë Anglo-Mysore, e njohur për përdorimin e predhave nga Hyder Aliu i Mysores, u luftua në fshatin e Pullalurit pranë Kanchipuramit.[47] Në vitin 1763, British East India Company mori indirekt kontrollin nga Nawabi i Karnatit ndërsa distrikti i Chingleputit, duke përfshirë distriktin e Kanchipuramit të sotëm dhe distriktit të Tiruvallurit, në mënyrë që të mbulonte shpenzimet e Luftrave Karnatike.[14] British East India Company mori kontrollin e drejtpërdrejt gjatë Luftës së Dytë Anglo-Mysore dhe në vitin 1794 u krijua Kolektorati i Chingleputit.[14] Distrikti u nda në dy pjesë në vitin 1997 dhe Kanchipurami u bë kryeqendra e distriktit të sapo-krijuar të Kanchipuramit.[14]
Kanchipurami është i vendosur në kordinatat 12.98°N 79.71°E, 72 km në jug-perëndim të Chennait në brigjet e lumit Vegavathi, një degë e lumit Palar.[48] Qyteti shtrihet në një sipërfaqe prej 11.6 km2 dhe ka një lartësi prej 83.2 metrash mbi nivelin e detit.[48] Toka përreth Kanchipuramit është e sheshtë dhe rrëpirat ndodhen në jug[48] dhe lindje.[49] Terreni në rajon është kryesisht argjilor,[49] me ca tokë pjellore të përzier me argjilë dhe rërë, që është e përshtatshme për tu përdorur në ndërtimtari.[48] Chingleput District Manual (1879) e përshkruan terrenin e rajonit si "tepër inferior" dhe "tepër shkëmbor ose të përzier me gurë gëlqeror, zhavor, sodë dhe laterit".[50] Është pohuar se graniti i kërkuar për Tempullin Varadaraja Perumal mund të jetë siguruar nga kodrat Sivaram të ndodhura 10 milje në lindje të Kanchipuramit.[49] Zona është klasifikuar si një Rajon i Zonës Sizmike II,[51] dhe mund të priten tërmete deri në magnitudën 6 në shkallën rihter.[52] Kanchipurami është i ndarë në dy divizione – Kanchi i Madh, i quajtur edhe Shiva Kanchi, që zë pjesën perëndimore të qytetit dhe që është më i madhi i dy divizioneve. Kanchi i Vogël, i quajtur edhe Vishnu Kanchi, gjendet në pjesën lindore të qytetit.[49][53] Shumica e tempujve të Shivës janë të vendosur në Kanchin e Madh ndërsa shumica e tempujve të Vishnut gjenden në Kanchin e Vogël.[49] Uji nëntokësor është burimi kryesor i furnizimit me ujë për vaditje – rajoni i Kanchipuramit ka 24 kanale, 2809 ujëmbledhës, 1878 puse me tuba dhe 3206 puse të zakonshëm.[54] Zona është e pasur me bimë mjeksore dhe mbishkrimet historike përmendin vlerat mjeksore.[55] Dimeria acutipes dhe cyondon barberi janë bimë që gjenden vetëm në Kanchipuram dhe Chennai.[56]
Klima në Kanchipuram - Temperatura dhe reshjet mesatare mujore
Burimi: Climate-Data.org[57] |
Kanchipurami përgjithësisht ka kushte klimatike të nxehta dhe të lagështa përgjatë gjithë vitit.[58] Temperaturat arrijnë një mesatare maksimale prej 37.5 °C midis prillit dhe korrikut dhe një mesatare minimale prej 20.5 °C midis dhjetorit dhe shkurtit.[58] Nxehtësia ditore gjatë verës mund të jetë përvëluese; temperaturat mund të arrijnë deri në 43 °C.[58] Lagështia relative midis 58% dhe 84% mbizotëron përgjatë vitit.[58] Lagështia e arrin pikun e saj gjatë mëngjesit dhe është më e ulët në mbrëmje. Lagështia relative është më e lartë midis nëntorit dhe janarit dhe është më e ulët përgjatë qershorit.[58] Qyteti merr një mesatare prej 1064 mm reshje në vit, 68% e të cilave bien gjatë periudhës së musonit veri-lindor.[48] Shumica e reshjeve bien në formën e stuhive ciklonike të shkaktuara nga presionit të ulët nga Gjiri i Bengalit gjatë musonit veri-lindor.[58] Drejtimi mbizotërues i erërave është jug-perëndim në mëngjes dhe jug-lindje në mbrëmje.[59]
Gjatë sundimit të mbretit Narasimha Varma në shekullin e VII, qyteti shtrihej në një sipërfaqe prej rreth 10 km2 dhe kishte një popullsi prej 10,000 banorësh.[63] Popullsia u rrit në 13,000 banorë në vitet pasues dhe qyteti u zhvillua me rrugë lidhëse në formë drejtkëndore.[64] The settlements in the city were mostly caste based.[64] Gjatë periudhës së Nandivarma Pallavanit II, shtëpitë u ndërtua mbi platforma të ngritura dhe tulla të pjekura.[64] Konceptet e verandave përballë oborreve, kopshteve në oborret e mbrapëm, ventilimi dhe kullimi i ujit të shiut u futën të gjitha për herë të parë.[64] Qendra e qytetit u zu nga brahminët, ndërsa Tempulli Tiruvekka dhe shtëpitë e bujqëve ishin vendosur jashtë qytetit.[65] Në rrethinat e qytetit kishte vende për trajnimin e kalorësisë dhe këmbësorisë.[65] Gjatë Periudhës Chola, Kanchipurami nuk ishte kryeqytet por mbretërit kishin një pallat në qytet dhe drejt lindjes u bë një zhvillim i gjerë.[64] Gjatë periudhës Vijayanagara, popullsia arriti në 25,000 banorë.[64] Gjatë sundimit britanik nuk pati shtesa të rëndësishme të infrastrukturës së qytetit.[64] Censusi britanik i i vitit 1901 regjistroi se Kanchipurami kishte një popullsi prej 46,164 banorësh, që konsistonte në 44,684 hindu, 1,313 myslimanë, 49 të krishterë dhe 118 xhainë.[29]
Censusi fetar | ||||
---|---|---|---|---|
Besimi | Përqindja(%) | |||
Hindu | 93.38% | |||
Myslimanë | 5.24% | |||
Të krishterë | 0.83% | |||
Xhainë | 0.4% | |||
Sikë | 0.01% | |||
Budistë | 0.01% | |||
Të tjerë | 0.11% | |||
asnjë besim | 0.01% |
Sipas censusit të vitit 2011, Kanchipurami kishte një popullsi prej 164,384 banorësh me një raport gjinor prej 1,005 femrash për çdo 1,000 meshkujsh, shumë mbi mesataren kombëtare prej 929.[66] Një tërësi prej 15,955 banorësh ishin nën moshën gjashtë vjeçare, e përbërë nga 8,158 meshkujsh dhe 7,797 femrash. Kastat dhe tributë e njohura u llogaritën përkatësisht si 3.55 % dhe .09% e popullsisë. Alfabetizmi i i qytetit ishte 79.51 %, krahasuar me mesataren kombëtare prej 72.99 %.[66] Qyteti kishte një tërësi prej 41807 familje. Në qytet kishte një tërësi prej 61,567 punëtorësh, duke përfshirë 320 kultivues, 317 punëtorë të bujqësisë kryesore, 8,865 në industritë familjare, 47,608 punëtorë të tjerë, 4,457 punëtorë margjinalë, 61 kultivatorë margjinalë, 79 punëtorë bujqësie margjinalë, 700 punëtorë margjinalë në industritë familjare dhe 3,617 punëtorë të tjerë margjinalë.[2][62] Qyteti vizitohet çdo vit nga rreth 800,000 pelegrinë sipas censusit të vitit 2001.[67] Sipas censusit fetar të vitit 2011, Kancheepurami kishte 93.38% hindu, 5.24% myslimanë, 0.83% të krishterë, 0.01% sikë, 0.01% budistë, 0.4% xhainistë, 0.11% që ndiqnin besime të tjera dhe 0.01 % që nuk ndiqnin ndonjë besim të caktuar.[68] Kanchipurami ka 416 hektarë troje rezidenciale, kryesisht përreth tempujve. Zona komerciale mbulon 62 hektarë, duke përbërë 6.58 % të qytetit. Zhvillimet industriale zënë rreth 65 hektarë, ku gjendej shumica e njësive prodhuese të avlëmendit, mëndafshit, ngjyrosjes dhe orizit. 89.06 hektarë përdoren për infrastrukturën e transportit dhe komunikimit, duke përfshirë stacionet e autobusëve, rrugët, linjat dhe stacionet hekurudhore.[69]
Bashkia e Kanchipuramit u konstitua zyrtarisht në vitin 1866,[29] duke u shtrirë në 7.68 km2 dhe punët e saj u administruan nga një komitet bashkiak. Në vitin 1947 u ngrit në nivelin e bashkisë së gradës I, në bashki të gradës së përzgjedhjes në vitin 1983 dhe bashki e gradës së veçantë në vitin 2008.[13][75] Në vitin 2011 bashkia shtrihej në 11.6 km2, ka 51 zona dhe është bashkia më e madhe në distriktin e Kanchipuramit.[13] Funksionet e bashkisë janë zhvilluar në gjashtë departamente: I përgjithshëm, Inxhinierik, I të ardhurave, Shëndetit publik, Planifikimi i qytetit dhe Krahu i kompjuterave,[76] të cilat të gjitha janë nën kontrollin e një Komisioneri Bashkiak, që është drejuesi sipëror ekzekutiv.[76] Pushteti legjislativ është i përbërë nga një trupë prej 51 anëtarësh, ku secili përfaqëson një zonë. Trupi legjislativ drejtohet nga një kryetar i zgjedhur që asistohet nga një përfaqësues i kryetarit.[77] Kanchipurami ndodhet nën Asamblenë shtetërore konsituese e Kanchipuramit. Nga përkufizimi shtetëror pas vitit 1967, shtatë nga dhjetë zgjedhjet e zhvilluara midis viteve 1971 dhe 2011 u fituan nga Anna Dravida Muneetra Kazhagami (ADMK).[78] Dravida Munnetra Kazhagami (DMK) fitoi drejtimin gjatë zgjedhjeve të viteve 1971 dhe 1989 dhe aleati i saj Pattali Makkal Katchi fitoi drejtimin gjatë zgjedhjeve të vitit 2006.[78] Anëtari i tanishëm i Asamblesë Legjislative është V. Somasundaram nga partia ADMK.[73][78] Lok Sabha Konstituese e Kanchipuramit është një konstituencë e sapo-formuar e Parlametit të Indisë pas përcaktimit të vitit 2008.[79] Konsituenca fillimisht ekzistonte për Zgjedhjet e vitit 1951 dhe u formua në vitin 2008 pas bashkimit të segmenteve të asambleve të Chengalpattut, Thiruporurit, Madurantakamit, Uthiramerurit dhe Kanchipuramit, që ishin pjesë e Konstituencës tashmë të shuar të Chengalpattu dhe Alandurit, që ishin pjesë e Konstituencës jugore të Chennait. Kjo konstituencë është e rezervuar për kanditatët e kastave dhe tribuve të njohura. K. Maragatham nga All India Anna Dravida Munnetra Kazhagami është anëtari i tanishëm për konstituencën.[74] Shkrimtari, politikani dhe themeluesi indian i DMK-së, C. N. Annadurai, ka lindur dhe është rritur në.[80] Ai ishte anëtari i parë i një Partie Dravidiane që mbajti atë post dhe ishte lideri i parë jo i kongresit që formoi një shumicë qeverisëse në Indinë post-koloniale.[81][82] Policia në qytet mundësohet nga nëndivizioni i Kanchipuramit i Policisë së Tamil Nadusë së drejtuar nga një Përfaqësues Mbikqyrës i Policisë.[83] Njësitë speciale të forcës përfshijnë përforcimin e ndalimit, krimit të distriktit, drejtësinë shoqërore dhe të drejtave të njeriut, rekordet e krimit të distriktit dhe dega speciale që vepron në nivelin e divizionit të policisë së distriktit, që kryesohet nga një Mbikqyrës i Policisë.[83]
Sipërmarrjet kryesore të Kanchipuramit janë endja e sarëve prej mëndafshi dhe bujqësia.[29] Sipas vitit 2008, 5,000 familje konsideroheshin si të përfshira në prodhimin e sarëve.[84] Industritë kryesore janë prodhimi i pambukut, makineritë e lehta dhe manifakturimi i mallrave eletrike, si dhe përpunimi i ushqimeve.[85] Në Kanchipuram ndodhen 25 fabrika fijesh pambuku dhe mëndafshi, 60 njësi ngjyrosjeje, 50 mullinj orizi dhe 42 fabrika të tjera.[86] Një sipërmarrje tjetër e rëndësishme është turizmi dhe shërbimet e lidhura me segmente si hotelet, restorantet dhe transporti vendor.[86]
Kanchipurami është qendër tradicionale e endjes së mëndafshit dhe industrive të avlemendit për prodhimin e Sarit të Kanchipuramit. Industria fiton 18.18 milion dollarë amerikanë, por bashkësia e endësve vuan nga teknikat e dobëta të marketingut dhe lojtarët e dyfishtë të tregut.[84] Në vitin 2005, "Sarit e Mëndafshit të Kanchipuramit" morën etiketën e indikacionit gjeografik, prodhimi i parë në Indi që mban këtë etiketë.[87][88] Tregëtia e mëndafshit në Kanchipuram filloi kur mbreti Raja Raja Chola I (985–1014) i ftoi endësit të shkonin në Kanchi.[84] Zeja u rrit me mërgimin në mas nga Andra Pradeshi në shekullin e XV gjatë sundimit Vijayanagara.[84] Qyteti u shkatërrua gjatë rrethimit francez të vitit 1757, por endja u rishfaq në fundin e shekullit të XVIII.[84] Të gjitha bankat kryesore të shtetëzuara si Vijaya Bank, State Bank of India, Indian Bank, Canara Bank, Punjab National Bank, Dena Bank dhe bankat private si ICICI Bank kanë dega në Kanchipuram.[89] Të gjitha këto banka kanë automatet e tyre të vendosura në pjesë të ndryshme të qytetit.[89]
Kanchipurami ka mesatare më të lartë se mesatarja kombëtare e punës fëminore dhe punës së detyruar.[90][91] Administrata vendore është akuzuar për përkrahjen e punës së fëmijëve duke hapur shkolla nate në qytet nga viti 1999.[90] Sipas një vlerësimi 40,000 deri në 50,000 fëmijë punojnë në Kanchipuram krahasuar me 85,000 fëmijë në të njëjtën industri në Varanasi.[91] Fëmijët tregtohen zakonisht për shuma midis 10,000 dhe 15,000 rupi (200 –300 $) dhe ka raste ku familje të tëra janë mbajtur në robëri.[91] Puna fëminore është e ndaluar në Indi nga ligjet, por këta ligje nuk janë shumë të përforcuar.[92]
Kanchipurami është më i aksesueshëm nga rrugët. Autostrada Kombëtare Chennai – Bangalore (National Highway 4 [NH 4]) kalon në rrethinat e qytetit.[93] Shërbimi i përditshëm i autobusave ofrohet nga Korporata e Transportit të Shtetit të Tamil Nadu-së për në dhe nga Chennai, Bangalore, Villupurami, Tirupati, Thiruthani, Tiruvannamalai, Vellorja, Salemi, Coimbatorja dhe Pondicherry.[94] Ka dy linja kryesore autobusash për në Chennai, një që lidh nëpërmje Guindyt dhe tjetra nëpërmjet Tambaramit.[94] Shërbimi i autobusave vendorë ofrohet nga divizioni i Villupuramit i Korporatës së Transportit së Shtetit të Tamil Nadu-së.[95] Sipas vitit 2006, kishte një tërësi prej 403 autobusash për 191 linja që operonin jashtë qytetit.[96] Qyteti është gjithashtu i lidhur me rrjetin hekurudhor nëpërmjet stacionit të tij hekurudhor. Linja hekurudhore Chengalpet - Arakkonam kalon përmes Kanchipuramit dhe udhëtarët mund të ti përdorin ato destinacione.[97] Në mënyrë të përditshme ka trena për në Pondicherry dhe Tirupati, një tren i përjavshëm ekspres për në Madurai dhe një tren dy-javor për në Nagercoil.[98] Dy trena pasagjerësh në të dy krahët e Chengalpattusë dhe Arakkonamit kalojnë nëpërmjet Kanchipuramit.[94] Aeroporti më i afërt ndërkombëtar dhe kombëtar është Chennai International Airport, i vendosur në një largësi prej 72 km nga qyteti. Telefoni dhe shërbimi me bandë të gjerë i internetit ofrohen nga Bharat Sanchar Nigam Limited (BSNL), ofruesi i telekomit dhe shërbimit të internetit i zotëruar nga shteti i Indisë.[99] Furnizimi me elektricitet është i rregulluar dhe shpërndahet nga Tamil Nadu Electricity Board (TNEB).[100] Furnizimi me ujë mundësohet nga bashkia e Kanchipuramit; furnizimi bëhet nëpërmjet burimeve nëntokësore të lumit Vegavati.[29] Qendra e punimeve janë vendosur në Orikkai, Thiruparkadal dhe St. Vegavathy dhe shpërndahen nëpërmjet depozitave me një kapacitet tërësor prej 9.8 litrash.[101] Rreth 55 tonë mbeturina grumbullohen nga qyteti në mënyrë të përditshme në pesë pika grumbullimi që mbulojnë të gjithë qytetin.[102] Sistemi i kanalizimeve në qytet u vendos në vitin 1975; Kanchipurami u identifikua si një nga qytetet hiper endemike në vitin 1970. Kanalizimet nëntokësore mbulojnë 82 % të rrugëve të qytetit dhe për administrimin e brendshëm ndahen në zonën lindore dhe perëndimore.[103]
Kanchipurami ka qenë tradicionalisht një qendër arsimimi për Hinduizmin,[3][4] Xhainizmin[5] dhe Budizmin.[5] Manastiret budiste vepronin si bërthama të sistemit arsimor budist. Me rigjallërimin gradual të Hinduizmit gjatë mbretërimit të mbretit Pallava, Mahendra Varmani I, sistemi arsimor Hindu mori rëndësi të madhe duke filluar të përdor sankritishten si gjuhë zyrtare.[5] Deri në vitin 2011 Kanchipurami ka 49 shkolla të regjistruara, 16 nga të cilat administrohen nga bashkia.[104] Administrata e distriktit hapi shkolla nate për arsimimin e fëmijëve të punësuar në industrinë e endjes – deri në dhjetor të vitit 2001, këto shkolla së bashku kishin 260 nxënës të regjistruar nga shtatori i vitit 1999.[90] Larsen & Toubro inauguruan në Kanchipuram qendrën e parë të trajnimit në Indi më 24 maj 2012, që mund të trajnoi 300 teknikë dhe 180 menaxherë dhe inxhinierë të nivelit të mesëm çdo vit.[105] Sri Chandrasekharendra Saraswathi Viswa Mahavidyalaya dhe Chettinad Academy of Research and Education (CARE) janë dy prej universiteteve të pranishme në Kanchipuram.[106] Kanchipurami është vendndodhja e një nga katër Instituteve Indiane të Teknologjisë së Informacionit, një institut me partneritet publik-privat, që ofron programe diplomimi dhe post-diplomimi në Tekonologjinë e Informacionit.[107] Qyteti ka edhe dy kolegje mjekësore – Arignar Anna Memorial Cancer Institute and Hospital, i vendosur në vitin 1969 dhe i menaxhuar nga Departmenti i Shëndetit të Qeverisë së Tamil Nadu-së[108] dhe Meenakshi Medical College me pronësi private.[109] Qyteti ka gjithashtu edhe 6 kolegje inxhinierike,[110] 3 institute politeknikë dhe 6 kolegje artistike dhe shkencore.[111]
Budizmi besohet se ka lulëzuar në Kanchipuram midis shekujve të I dhe të V.[112] Disa budistë të shquar të lidhur me Kanchipuramin janë Aryadeva (shekulli II-III), një pasues i Nagarjunas së Universitetit të Nalandas, Dignaga dhe komentuesit Pali, Buddhaghosa dhe Dhammapala.[113] Sipas një tradite popullore, Bodhidharma, një murg budist i shekullit V-VI dhe themeluesi i Shaolin Kung Fusë ishte djali i tretë i një mbreti Pallava nga Kanchipurami.[114] Megjithatë, tradita të tjera ia caktojnë zanafillën nga vende të tjera të Indisë.[115] Institucionet budiste nga Kanchipurami ishin përhapëse të Budizmit Theravada te populli Mon i Mianmarit dhe Tailandës që nga ana tjetër e përhapën besimin budist te popujt e tjerë të Azisë Jug-Lindore.[116]
Mendohet se Xhainizmi u fut në Kanchipuram nga Kunda Kundacharya (shekulli i I i e.s.).[113] Xhainizmi u përhap në qytet nga Akalanka (shekulli i III i e.s.). Dinastia Kalabhra, sunduesit e Kanchipuramit përpara Dinastisë Pallava, ndiqnin xhainizmin që, nga përkrahja mbretërore fitoi popullaritet.[113] Mbretërit Pallava, Simhavishnu, Mahendra Varmani dhe Simhavarmani (550-560) ishin gjithashtu ndjekës të Xhainizmit, deri në ardhjen e Nayanmarëve dhe Azhwarëve gjatë shekujve të VI dhe të VII.[113] Mahendravarmani I u konvertua nga Xhainizmi në Hinduizëm nën ndikimin e naynamarit Appar, që shënoi një pikë kthese në gjeografinë fetare.[113] Dy sektet e Hinduizmit, Shaivizmi dhe Vaishnavizmi u gjallëruan përkatësisht nën ndikimin e Adi Sankaras dhe Ramanujas.[65][117] Dinastia e Vonë Chola dhe mbretërit Vijayanagara e toleruan Xhainizmin dhe besimi ishte akoma i praktikuar në Kanchipuram.[113] Tempulli Trilokyanatha/Chandraprabha është një tempull i dyfishtë xhainist që ka mbishkrime nga mbreti Pallava, Narasimhavarmani II dhe mbretërit Chola, Rajendra Chola I, Kulothunga Chola I dhe Vikrama Chola si dhe mbishkrime kanareze të Krishnadevarayas. Tempulli administrohet nga Departamenti Arkeologjik i Tamil Nadu-së.[118]
Hindutë e konsiderojnë Kanchipuramin si një nga shtatë qytetet më të shenjta në Indi, Sapta Purit.[27] Sipas Hinduizmit, një kshetra është një vend i shenjtë, një fushë e fuqisë vepruese dhe një vend ku mund të arrihet shpëtimi përfundimtar ose moksha. Garuda Purana thotë se shtatë qytetet, duke përfshirë edhe Kanchipuramin janë mundësues të mokshas.[65] Qyteti është një vend pelegrinazhi si për sektin shaivit ashtu dhe për atë vaishnavit.[65] Ai ka afërsisht 108 tempuj shaivitë.[119] Tempulli Ekambareswarar në Kanchipuramin verior, kushtuar Shivës, është tempulli më i madh në qytet.[120] Kulla e portikut të tij ose gopurami, është 59 m i lartë, duke e bërë atë një nga kullat tempullore më të mëdha në Indi. Tempulli është një nga pesë tempujt e quajtur Pancha Bhoota Stalam, që përfaqësojnë shfaqjen e pesë elementeve kryesorë të natyrës; toka, uji, ajri, qielli dhe zjarri.[121] Tempulli Ekambareswarar temple përfaqëson tokën.[121] Tempulli Kailasanathar, kushtuar Shivës dhe i ndërtuar nga mbretërit Pallava, është tempulli më i vjetër Hindu që ekziston dhe është shpallur monument arkeologjik nga Archaeological Survey of India (ASI). Ai ka një seri qelish me skulptura brenda.[122] Në Tempullin Kamakshi Amman, hyjnesha Parvati është paraqitur në formën e një yantra, Chakra ose peetami (bazamenti). Në këtë tempull, yantra është vendosur përballë hyjnisë.[123] Adi Sankara është i lidhur ngushtësisht me këtë tempull dhe besohet se ka vendosur Kanchi mathan pranë këtij tempulli.[124] Tempulli Muktheeswarar, i ndërtuar nga Nandivarman Pallava II (720-796)[125] dhe Tempulli Iravatanesvara i ndërtuar nga Narasimhavarman Pallava II (720-728) janë tempuj të tjerë të Shivës nga Periudha Pallava. Kachi Metrali – Tempulli Karchapeswarar,[122] Tempulli Onakanthan Tali,[125] Tempulli Kachi Anekatangapadam,[125] Tempulli Kuranganilmuttam,[126] dhe Tempulli Karaithirunathar në Tirukalimedu janë tempuj të Shivës në qytet të lartësuar nga Tevarami, vepra kanonike Shaivite në gjuhën tamile e shekujve të VII dhe të VIII.
Tempulli Kumarakottam, kushtuar Murugas, është i vendosur midis Tempullit Ekambareswarar dhe Tempullit Kamakshi Amman, që zhvillon kultin e Somaskandas (Skanda, fëmija e Shivës dhe Parvatit). Kandapuranami, vepra fetare tamile mbi Murugan, e përkthyer nga sanskritishtja Skandapurana, u hartua në vitin 1625 nga Kachiappa Shivacharya në këtë tempull.[127] Tempulli Varadharaja Perumal, kushtuar Vishnut dhe që shtrihet në 93.000 m2, është tempulli më i madh i Vishnut në Kanchipuram. Ai u ndërtua nga Dinastia Chola në vitin 1053 dhe u zgjerua gjatë mbretërimeve të Kulottunga Cholas I (1079–1120) dhe Vikrama Cholas (1118–1135). Ai është një nga divyadesamët, 108 banesat e shenjta të Vishnut.[128] Tempulli përmban hardhuca të skalitura, një e veshur me ar dhe dhe një tjetër e veshur me argjend, mbi shenjtërore.[129] Robert Clive thuhet se ka paraqitur një varëse smeraldi në tempull. Është quajtur Clive Makarakandi dhe është akoma e përdorur për të dekoruar hyjninë me raste ceremoniale.[14] Tiru Parameswara Vinnagarami është vendlindja e shenjtit azhwar, Poigai Alvar.[130] Faltorja qendrore ka godinë tre-katëshe me Vishnun të paraqitur në secilin prej tyre.[130] Korridori përreth shenjtërores ka një seri skulpturash që paraqesin sundimin dhe pushtimin Pallava.[130] Është tempulli më i vjetër i Vishnut në qytet dhe u ndërtua nga mbreti Pallava, Paramesvaravarmani II (728–731).[130] Ashtabujakarami, Tiruvekkaa, Tiruththanka, Tiruvelukkai, Tempulli Ulagalantha Perumal, Tiru Pavla Vannami, Tempulli Pandava Thoothar Perumal janë midis divyadesamëve, 108 tempujt e famshëm të Vishnut në qytet.[131] Në qytet ndodhen edhe pesë divyadesamë të tjerë, tre brenda Tempullit Ulagalantha Perumal, një në Tempullin Kamakshi Amman dhe një në Tempullin Ekambareswarar.[132] Kanchi Matha është një institucion manastiror, historia zyrtare e të cilit pohon se u themelua nga Adi Sankara i Kaladit, duke e gjurmuar historinë e tij që nga shekulli i V p.e.s..[133][134][135] Një pohim i lidhur është se Adi Sankara erdhi në Kanchipuram dhe se vendosi Kanchi muttin të emërtuar "Dakshina Moolamnaya Sarvagnya Sri Kanchi Kamakoti Peetam" në një pozicion sipëran, përkatësisht Sarvagnya Peetha, mbi mathat (institucion fetar hindu) e tjera të nënkontinentit, përpara vdekjes së tij aty.[135][136] Të dhënat e tjera historike tregojnë se mutti u vendos me gjasa në shekullin e XVIII në Kumbakonam, si një degë e Sringeri Mathas dhe se e shpalli veten të pavarur.[134] Një tjetër mutt që ishte e famshme në kohët e lashta ishte Upanishad Bramham Mutti, e vendosur pranë Tempullit Kailasanathar në Kanchipuram. Ajo ka Mahasamadhin e Upanishad Brahmayoginit, një shenjt që shkroi komentarë mbi të tërë upanishadet madhore në Hinduizëm. Thuhet se i dituri i madh, Sadasiva Brahmendra në këtë mutt u bë sanyasa.
Qyteti ka dy xhami; njëra pranë Tempullit Ekambareswarar, e ndërtuar gjatë sundimit të Nawabit të Arcotit në shekullin e XVII dhe një tjetër pranë Tempullit Vaikunta Perumal që ndan një depozitë të përbashkët me tempullin Hindu. Myslimanët marrin pjesë edhe në festat e Tempullit Varadarajaswamy.[137] Kisha e Krishtit është kisha më e vjetër e krishterë në qytet. Ajo u ndërtua nga një britanik i quajtur Mclean në vitin 1921. Kisha është ndërtuar si një strukturë me tulla në stilin skocez me harqe dhe kolona.[137]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.