futbollist danez From Wikipedia, the free encyclopedia
Christian Dannemann Eriksen (Danisht: [kʰʁεstjæn tænəmæn ˈeˀɐ̯iksn̩]; lindi më 14 shkurt 1992) është një futbollist profesionist danez i cili luan si mesfushor sulmues për klubin anglez Manchester United dhe kombëtaren daneze.
Eriksen në 2014 | |||
Të dhënat vetjake | |||
---|---|---|---|
Emri i plotë | Christian Dannemann Eriksen[1] | ||
Datëlindja | 14 shkurt 1992 (29 vjet) | ||
Vendlindja | Middelfart, Danimark | ||
Gjatësia | 1.82 m (6 ft 0 in)[2] | ||
Pozicioni | Mesfushor sulmues | ||
Të dhënat e klubit | |||
Klubi aktual | Manchester United | ||
Numri | 14 | ||
Karriera me të rinjtë | |||
1995–2005 | Middelfart G&BK | ||
2005–2008 | OB | ||
2008–2010 | Ajax | ||
Karriera me klube* | |||
Vitet | Klubi | Ndeshje | (Golat) |
2010–2013 | Ajax | 113 | (25) |
2013–2020 | Tottenham Hotspur | 226 | (51) |
2020– | Internazionale | 43 | (4) |
2022 | Brentford | 11 | (1) |
2022– | Manchester United | 31 | (2) |
Karriera ndërkombëtare‡ | |||
2007–2009 | Danimarka U17 | 27 | (9) |
2009 | Danimarka U18 | 5 | (1) |
2009 | Danimarka U19 | 3 | (1) |
2011 | Danimarka U21 | 3 | (1) |
2010– | Danimarka | 122 | (39) |
*Ndeshjet dhe golat me klubet llogariten vetëm për ligën vendase – redaktuar më 26 gusht 2023 ‡ Ndeshjet dhe golat me ekipin kombëtar të redaktuar më 20 qershor 2023 |
Eriksen e nisi karrierën e tij në Holandë me Ajaxin, ku luajti për tre vite dhe fitoi tre tituj të Eredivisies në sezonet 2010–11, 2011–12 dhe 2012–13. Gjatë kohës së tij në Holandë, Eriksen fitoi krahasimet me legjendën daneze Michael Laudrup për rolin e tij tradicional të "numrit 10".[3] Në gusht 2013, ai u transferua te Tottenham Hotspur për 11.5 milion £. Ai u shpall lojtari më i mirë i klubit në sezonet 2013–14 dhe 2016–17,[4] kurse në sezonin 2018–19 arriti finalen e Ligës së Kampioneve, duke qënë një lojtar vendimtar. Eriksen u bë lojtari i dytë pas David Beckham që regjistron dhjetë ose më shumë asiste në katër sezone rresht në Premier Ligë. Në janar 2020, ai u transferua në Itali te Interi për rreth 20 milion €.[5]
Eriksen debutoi me Danimarkën në vitin 2010, si dhe luajti në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut, ku ishte edhe lojtari më i ri.[6] Ai është shpallur Lojtari Danez i Vitit në katër raste (2013, 2014, 2015 dhe 2018).
I lindur në Middelfart, Danimark, Eriksen filloi të ndjekë hapat e babait të tij Thomas kur ai nisi të luaj futboll në akademinë e klubit lokal Middelfart.[7] Babai i tij ishte gjithashtu një nga trajnerët e ekipit në atë kohë; ata ndihmuan ekipin ta mbyllte kampionatin danez të të rinjëve pa asnjë humbje për herë të tretë në katër vitet e fundit.[7] Në vitin e ardhshëm, ai u bashkua me Odense Boldklub që luante në kampionatet daneze të të rinjëve dhe brënda një viti ai ndihmoi ekipin të fitonte titullin e grup moshave. Te OB, Eriksen filloi të shfaqte shenjat e para të aftësive të tij teknike, duke bërë që teknika e tij e driblimit dhe e goditje të lira të vihej në dukje nga trajneri i asaj kohe Tonny Hermansen.[7] Forma që shfaqi në futbollin e të rinjëve bëri që për Eriksen të shfaqshin interes klube të mëdha evropiane, si Çelsi dhe Barcelona.[8] Eriksen shkoi në provë te këto dy klube, si dhe u provua edhe te Real Madridi, Manchester United dhe Milani, por në fund ai vendosi të kalonte te Ajaxi, duke thënë "Hapi im i parë nuk duhet të jetë shumë i madh. E dija se duke luajtur në Holandë do të ishte shumë mirë për zhvillimin tim. Pastaj Ajax arriti dhe kjo ishte një mundësi fantastike."[9]
Më 17 tetor 2008, Eriksen nënshkroi një kontratë dy-vite-e-gjysmë me klubin holandez Ajax.[10] Shuma e parave që OB mori nga transferimi ishte rreth 1 milion € (847,199 £), kurse Middelfart fitoi 35,000 €, të cilat i përdori për të ndërtuar një fushë futbolli.[11][7] Pas disa kohësh në ekipet zinxhir të të rinjëve, Eriksen u promovua në ekipin e parë në janar 2010, duke marrë fanellën me numër 51.[12] Po në muaj, ai debutoi me ekipin e parë në një ndeshje të Eredivisies kundër NAC Bredës që u mbyll në barazim 1–1.[13][14] Ai shënoi golin e parë me Ajaxin më 25 mars në fitoren 6–0 kundër Go Ahead Eagles në kupë; në muajin e ardhshëm, ai firmosi një kontratë të re me klubin.[15] Më 6 maj, ai luajti në ndeshjen e dytë të finales së Kupës Holandeze, me Ajaxin që mposhti Feyenoord 4–1, duke triumfuar me rezultatin e përgjithshëm 6–1.[16] Eriksen e mbylli sezonin e tij të parë si profesionist duke luajtur 21 ndeshje në të gjitha kompeticionet si dhe duke debutuar me kombëtaren daneze.[17][18] Forma e Eriksen gjatë atij sezoni mori komplimentet e trajnerit Martin Jol, i cili e krahasoi mesfushorin me ish produktet e akademisë Wesley Sneijder dhe Rafael van der Vaart, si dhe legjendën daneze Michael Laudrup, për leximin e tij të lojës në rolin tradicional të "numrit 10".[12][3]
Eriksen mori fanellën me numrin 8 para nisjes të sezonit 2010–11 dhe e filloi atë në një formë të mirë, duke shënuar golin e parë në kampionat për Ajaxin më 29 gusht 2010 në fitoren në transfertë ndaj De Graafschap.[19][20] Gjatë muajve të ardhshëm, Eriksen shënoi golin e parë në Amsterdam Arena, shtëpia e Ajaxit, në fitoren 3–0 në kupë kundër BV Veendam, si dhe golin e parë evropian, në një fitore 3–0 kundër Anderlecht në UEFA Ligën e Evropës.[21][22] Ai gjithashtu u shpall "Talenti Danez i Vitit".[23] Aftësitë e tij në rritje në rolin e organizatorit të ekipit ndihmuan Ajaxin të fitonte titllin e parë të Eredivizies pas shtatë vitesh. Në fund të sezonit, ai u shpall "Talenti i Vitit" i Ajaxit,[24] si dhe "Talenti i Vitit i Futbollit Holandez". Kjo gjë e bëri atë lojtarin danez të dytë në histori që e fiton këtë çmim pas Jon Dahl Tomasson në vitin 1996. Johan Cruyff, paneli i së cilit e zgjodhi Eriksenin fitues të këtij çmimi, e përshkroi lojtarin si një produkt tipik të shkollës daneze si dhe shtoi krahasimet e mërparshme ndërmjet tij (Eriksenit) dhe Brian dhe Michael Laudrup.[25]
Më 18 tetor 2011, Eriksen shënoi golin e tij të parë në UEFA Ligën e Kampioneve në fitoren 2–0 të Ajaxit kundër Dinamo Zagreb në fazën e grupeve.[26] Në ndeshjen e kthimit në Amsterdam, ai asistoi golat e shënuar nga Gregory van der Wiel dhe Siem de Jong në një fitore 4–0 të Ajaxit.[27][28] Më 7 nëntor, ai u emërua Futbollisti Danez i Vitit për kontributin e tij në fitimin e titullit nga Ajaxi dhe ndihmën që i dha Danimarkës në fushatën e tyre të suksesshme kualifikuese të Euro 2012.[29] Eriksen vazhdoi formën e tij pozitive në pjesën e mbetur të sezonit, duke kontribuar me gola dhe asiste, me Ajaxin që fitoi titullin e Eredivisies për të dytin vit rresht.[30]
Eriksen dhe Ajaxin e përsëritën këtë sukses edhe në sezonin 2012–13; në përfundim të këtij sezoni, lojtari vendosi që të mos rinovonte kontratën me klubin. Me vetëm një vit të mbetur nga kontrata e tij, Eriksen ju dha leja që të kërkonte një ekip të ri dhe ai arriti marrëveshje me klubin anglez Tottenham Hotspur. Ai u largua nga Ajaxi pas 162 ndeshjeve të luajtura në të gjitha kompeticionet, ku ai shënoi 32 gola. Përveç suksesit në kampionat, Eriksen luajti tre herë edhe në Johan Cruyff Shield (Superkupa e Holandës), ku Ajaxi u shpall fituese në vetëm një rast.[31]
Më 30 gusht 2013, Tottenham Hotspur njoftoi se ata kanë përfunduar transferimin e Eriksen nga Ajax për një shifër që besohej të ishte rreth 11 milion £ (12.45 milion €).[32] Po në të njëjtën dit klubi firmosi edhe me argjentinasin Erik Lamela nga Roma dhe Vlad Chiricheș nga Steaua București, duke shpenzuar gjithsej në merkaton verore 109.5 milion £.[33] Ai bëri debutimin e tij në Premier Ligë më 14 shtator në ndeshjen kundër Norwich City, duke asistuar golin e Gylfi Sigurðsson në një fitore 2–0 në White Hart Lane.[34] Pas ndeshjes, performanca e tij u përgëzua nga trajneri i ekipit André Villas-Boas, i cili tha: "Ishte një debutim i madh për Christian, ai është një numër i pastër 10, një lojtar krijues dhe cilësia e tij individuale bënë të gjitha ndryshimet."[35]
Pesë ditë më vonë, Eriksen shënoi golin e parë për Tottenham në fitoren 3–0 ndaj Tromsø IL në Ligën e Evropës.[36] Në Boxing Day 2013, ai shënoi me goditje dënimi në barazimin 1–1 kundër West Bromwich Albion, kurse më 1 janar 2014, ai shënoi golin e dytë të ekipit në fitoren 2–1 në transfertë ndaj Manchester United.[37] Më 23 mars, në ndeshjen kundër Southampton, Eriksen ndihmoi Tottenhamin të fitonte me përmbysje 3–2 pas miqtë kishin shënuar dy herë me Jay Rodriguez dhe Adam Lallanën.[38] Ai e mbylli sezonin e parë në Angli me 10 gola dhe 13 asiste në të gjitha kompeticionet, si dhe u shpall Futbollisti Danez i Vitit dhe Lojtari i Sezonit i Tottenhamit.[39][40]
Sezoni 2014–15 nisi me vendosjen e argjentinasit Mauricio Pochettino si trajner i ekipit pas një periudhe të pasuksesshme me Villas-Boas dhe trajnerin e përkohshëm Tim Sherwood. Mes nëntorit dhe dhjetorit 2014, Eriksen shënoi gola fitoreje në ndeshjet kundër Aston Villës, Hull Cityt dhe Swansea Cityt, duke ja dhënë meritën trajnerit argjentinas për nivelin e fitnesit të ekipit.[41] Në fund të vitit kalendarik, Eriksen kishte shënuar 12 gola me lojë të hapur – më shumë se çdo lojtar në Angli – dhe shpejtë pas kësaj u shpall Lojtari Danez i Vitit për të dytën herë rresht.[42] Më 28 janar 2015, Eriksen shënoi dy gola në ndeshjen ndaj Sheffield United duke dërguar Tottenhamin në finalen e Kupës së Ligës me rezultatin e përgjithshëm 3–2.[43] Goli i tij i parë, e cila erdhi me një goditje dëmimi me hark nga rreth 30 metra, mori komplimenta nga ish futbollistët Michael Owen dhe Gary Neville.[44] Më 1 mars, ai luajti në finale, ku Tottenham u mposht 2–0 nga rivalët londinez të Çelsit.[45] Eriksen e përfundoi sezonin duke luajtur në të 38 ndeshjet si Premier Ligë, të gjitha si titullar përveç njërës, si dhe shënoi 12 gola në të gjitha kompeticionet.[46]
Më 9 qershor 2015, mes spekulimeve se ai do të bashkohej me Manchester United, Eriksen konfirmoi për mediat daneze gjatë kohës që ishte i grrumbulluar me ekipin kombëtar se ai do të qëndronte në Tottenham për të ardhmen e afërt dhe u citua të thoshte: "Ndihem mirë si në shtëpi te Tottenhami dhe unë nuk kam menduar ende për tu larguar".[47] Ai shënoi golat e parë të sezonit në tetor, të dy me goditje dënimi në barazimin 2–2 kundër Swanseas.[48] Në janar 2016, Eriksen u shpall sërisht Futbollisti Danez i Vitit, duke u bërë lojtari i parë që fiton këtë çmim për tre vite rresht.[42] Ai e mbylli sezonin 2015–16 me 6 gola dhe 13 asiste, me Tottenhamin që e mbylli kampionatin në vendin e tretë, duke u kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve për sezonin e ardhshëm.[49]
Para nisjes së sezonit 2016–17, Eriksen firmosi një kontratë afatgjate me Tottenhamit dhe sërisht zhvilloi një sezon të shkëlqyer, duke regjistruar 8 gola dhe 15 asiste me ekipin që e mbylli kampionatin në vendin e dytë mbrapa Çelsit.[50] Numri i asisteve të Eriksen u kalua vetëm nga ai i belgut Kevin De Bruyne, i cili kishte 18 asiste.[51] Eriksen ishte gjithashtu asistuesi më i mirë në Kupën FA kurse në përfundim të sezonit u shpall Lojtari i Sezonit nga Tottenhami, duke e fituar këtë çmim për herë të dytë.[52][40]
Më 23 shtator 2017, Eriksen regjistroi golin e tij të 33të në Premier Ligë në fitoren 3–2 kundër West Ham United, duke thyer rekordin e Nicklas Bendtner si lojtari danez me më shumë gola në Premier Ligë.[53] Më 9 dhjetor, ai luajti ndeshjen e tij të 200të me Tottenhamin në fitoren 5–1 ndaj Stoke City, duke shënuar një gol.[54] Një muaj më pas, Eriksen shënoi golin e 50të për klubin në fitoren 2–0 ndaj Manchester United, duke mposhtur portierin kundërshtar pas 11 sekondash.[55] Goli i tij ishte i treti më i shpejtë në historinë e Premier Ligës, pas golave të Alan Shearer dhe ish-kapitenit të Spurs Ledley King.[56] Më 1 prill, Eriksen shënoi një gol nga 22 metra në fitoren 3–1 kundër Çelsit, duke ndihmuar Tottenhamin të fitojë për herë të parë në Stamford Bridge pas 28 vitesh.[57] Po në atë muaj, në ndeshjen e kthimit kundër Stoke, Eriksen shënoi dy herë për t'i dhënë Tottenhamit fitoren 2–1. Megjithatë, pas përfundimit të takimit, kapiteni i skuadrës Harry Kane, i cili në atë sezon po garonte për Këpucën e Artë, deklaroi se ai e kishte prekur topin i fundit në rastin e golit të dytë. Tottenhami apeloi në panelin e Premier Ligës, e cila ra dakord që topi kishte prekur shpatullën e Kane, duke ja dhënë golin atij.[58][59] Më 14 prill, Eriksen u përfshi në PFA Ekipin e Vitit për herë të parë, sëbashku me shokët e ekipit Kane dhe Jan Vertonghen.[60]
Në sezonin 2018–19, Eriksen shënoi golin e tij të parë të sezonit në një ndeshje të Ligës së Kampionëve kundër Interit në transfertë.[61] Ndeshja përfundoi me një humbje 2–1 për Tottenhamin, por në ndeshjen e kthimit kundër Zikaltërve, Eriksen shënoi përsëri ndaj tyre, duke i dhënë ekipit një fitore të rëndësishme 1–0.[62] Goli i tij i parë në Premier Ligë për këtë sezon erdhi më 15 dhjetor në fitoren minimale 1–0 kundër Burnley.[63] Më 31 mars 2019, gjatë humbjes 2–1 kundër Liverpoolit, ai u bë lojtari i dytë pas David Beckham që regjistron 10+ asistime në katër sezone rresht në Premier Ligë.[64] Tre ditë më vonë, me rastin e ndeshjes së tij të 200të në Premier Ligë, ai asistoi golin e parë të shënuar në stadiumin e ri Tottenham Hotspur nga Son Heung-min, para se të shënonte vetë të dytin në fitoren 2–0 ndaj Crystal Palace.[65][66] Më 1 qershor 2019, Eriksen luajti në finalen e Ligës së Kampioneve për herë të parë në karrierën e tij. Tottenhami u mposht 2–0 nga Liverpooli në stadiumin Wanda Metropolitano të Madridit.[67]
Më 28 janar 2020, me vetëm gjashtë muaj të mbetur nga kontrata e tij me Tottenhamin, Eriksen firmosi një kontratë katër-vite-e-gjysëm me klubin italian Inter për 10 milion € në sezon.[68] Inter pagoi rreth 20 milion € për kartonin e danezit i cili mori fanellën me numrin 24.[5] Ai debutoi me klubin një ditë më pas, duke u aktivizuar si zëvëndësues në fitoren 2–1 ndaj Fiorentinës në Coppa Italia, ndihmuar ekipin të kalonte në gjysëm-finalet e kompeticionit.[69] Debutimi i tij në Serie A erdhi më 2 shkurt në fitoren 2–0 në transfertë ndaj Udineses, ku Eriksen luajti si titullar për 58 minuta.[70] Më 20 shkurt, Eriksen shënoi golin e parë për Interin në fitoren 2–0 kundër Ludogorets Razgrad në Bullgari e vlefshme për ndeshjen e parë të raundit të 32-tave të Ligës së Evropës.[71]
Karriera e Eriksen me Danimarkën filloi në korrik 2007 kur ai u thirr për herë të parë në ekipin nën-17.[72] Ai la mbresa në debutimin e tij kundër Ishujve Faroe më 31 korrik.[73] Në vitin 2008, ai shënoi 9 gola në 16 ndeshje për ekipin nën-17, duke u shpallur edhe Talenti i Vitit për këtë grupmoshë nga Federata Daneze e Futbollit.[74] Ai gjithashtu ishte edhe një nga katër të nominuarit për çmimin Talenti Danez i Vitit 2008,[75] e cila u fitua nga Mathias Jørgensen.[74] Deri në shkurt 2009, Eriksen kishte zhvilluar 27 paraqitje gjithsej në këtë grupmoshë. Pas kësaj, ai luajti gjithsej 8 ndeshje me ekipin nën-18 dhenën-19, të gjitha në vitin 2009. Në vitin 2011, Eriksen luajti me ekipin nën-21 në Kampionati Evropian që u zhvillua në Danimarkë, ku ekipi u eliminua që në fazën e grupeve; Eriksen shënoi një gol kundër Bjellorusisë.
Eriksen u thirr për herë të parë në kombëtaren e parë në shkurt 2010, duke debutuar në ndeshjen miqësore kundër Austrisë në mars,[18] duke u bërë lojtari i katërt më i ri që luan për Danimarkën, si dhe debutuesi më i ri që nga Michael Laudrup.
Më 28 maj 2010, trajneri i ekipit Morten Olsen njoftoi që Eriksen ishte një nga 23 lojtarët që ishin thirrur për të luajtur në FIFA Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut.[76] Ai ishte lojtari më i ri që merrte pjesë në turnament.[6][77] Eriksen u aktivizua në dy ndeshje gjatë turnamentit, kundër Holandës dhe Japonisë, me Danimarkën që u eliminua që në fazën e grupeve.[78][79]
Më 9 shkurt 2011, në humbjen 2–1 në shtëpi në miqësoren kundër Anglisë, Eriksen u shpall lojtari më i mirë dhe u vlerësua për performancën e tij nga disa figura të mëdha të sportit, përfshirë mesfushorin e Çelsit Frank Lampard,[80] mbrojtësin e Manchester Unied Rio Ferdinand (në Twitter),[81] trajneri Olsen dhe nga disa analistë në Danimarkë dhe Angli.[82] Më 4 qershor, ai regjistroi golin e parë me Danimarkën kundër Islandës në një ndeshje kualifikuese të Euro 2012. Me këtë realizim, ai u bë lojtari më i ri që shënon në një ndeshje kualifikuese evropian për Danimarkën, duke thyer me nëntë ditë rekordin që mbahej nga Michael Laudrup që nga viti 1983.[83]
Në fushatën kualifikuese të Kupës së Botës 2018, Danimarka u shortua në Grupin E sëbashku me ekipe si Polonia dhe Rumania. Eriksen ishte në lojtar kyç për ekipin në këto kualifikuese, duke shënuar tetë gola që ndihmuan ekipin të siguronte një vend në play-off kundër Republikës së Irlandës.[84] Ndeshja e parë në Danimark u mbyll në barazim pa gola, kurse në ndeshjen e kthimit, Eriksen shkëlqen duke shënuar tre gola në një fitore 5–1 në Dublin; me këtë rezultat, Danimarka u kualifikua në Kupën e Botës 2018 në Rusi.[85] Tregolëshi që shënoi bëri që Eriksen ta mbyllte fushatën kualifikuese me 11 gola, duke u renditur i treti në zonën evropiane mbrapa sulmuesve Robert Lewandowski (16) dhe Cristiano Ronaldo (15). Performancat e tij gjatë kësaj fushate morën lavdërimet e trajnerit të kombëtares Åge Hareide, i cili deklaroi se Eriksen ishte një nga dhjetë lojtarët më të mirë të botës.[86]
Në ndeshjen hapëse të turnamentit, Eriksen asistoi Yussuf Poulsen i cili shënoi golin e vetëm të fitores 1–0 kundër Perusë.[87] Në ndeshjen e dytë në fazën e grupeve, ai shënoi në barazimin 1–1 kundër Australisë, duke regjistuar golin e parë në një Kupë Bote.[88] Danimarka arriti të kalonte grupin me sukses dhe në raundin e parë me eliminim direkt u përball me Kroacinë. Pasi koha e rregullt dhe shtesa u mbyll në barazim 1–1, danezët u mposhtën nga gjuajtjet e penalltive dhe u eliminuan nga kompeticioni; Eriksen ishte një nga tre lojtarët danezë, penalltia e së cilëve u prit nga portieri kroat Danijel Subašić.[89]
Më 12 qershor 2021, ndërsa luante në ndeshjen hapëse të Danimarkës në fazën e grupeve UEFA Euro 2020 kundër Finlandës në Parken Stadium në Kopenhagë, Eriksen u rrëëzua në minutën e 42-të ndërsa ishte gati të merrte një rivënie. Ndihma urgjente mjekësore mbërriti menjëherë dhe kreu CPR në fushë përpara se Eriksen të hiqej nga fusha në një barelë dhe ndeshja të pezullohej. Rreth një orë pas incidentit, zyrtarët e UEFA-s dhe Shoqatës Daneze të Futbollit konfirmuan nga Rigshospitalet se Eriksen ishte stabilizuar dhe ishte zgjuar.[90][91][92] Ndeshja rifilloi më vonë atë mbrëmje.[93]
Media e ka përshkruar Eriksenin si një "numër dhjetë klasik". Pozicioni i tij i preferuar është një rol i lirë në qëndër të mesfushës ose si një mesfushor sulmues mbrapa sulmuesve.[7] Pavarësisht kësaj, falë shkathësisë dhe inteligjencës taktike, ai mund të luaj edhe si mesfushor qëndror në formacionin 4–3–3 (siç luante më parë me Ajaxin) dhe madje si anësor i djathtë në formacion 4–2–3–1, edhe pse në disa raste ka luajtur edhe në të majtë; në disa raste të rralla, Eriksen ka luajtur edhe si sulmues i dytë.[12][25]
Eriksen është një lojtar me vizion të shkëlqyer, i cili ka një rreze pasimi të gjërë, saktësi në krosime, krijueshmëri, aftësi teknike, lëvzije, aftësi për të lexuar lojën, si dhe balancë të mirë dhe kordinim.[94] Ai është lavdëruar nga analistët për aftësinë që ka për të orkestruar aksionet sulmuese të ekipit të tij me shpërndarjen e saktë të topave, si dhe krijimin e rasteve për shokët e ekipit;[95] ai gjithashtu shquhet për shfrytëzimin dhe krijimin e hapsirave, si dhe asistet e shumta.[96] Të gjitha këto aftësi e bëjnë atë një lojtar ideal në rolin e organizatorit.[97][98]
Pavarësisht se është mesfushor, Eriksen njihet për instiktin që ka për golin, si dhe për aftësinë për gjuajtur saktësisht dhe me forcë veçanërisht nga distanca me të dyja këmbët, pavarësisht se është këmbë-djathtë;[99][100] ai gjithashtu konsiderohet një specialist i goditjeve të lira.[101] Eriksen është një lojtar i talentuar dhe punëtor; stili i tij i lojës, kombësia dhe roli i tij në fushë ka bërë që analistët ta krahasojnë atë me bashkëkombasit e tij Michael dhe Brian Laudrup, që patën një ndikim të madh te Erikseni kur ai ishte ende fëmijë.[102] Ai gjithashtu është krahasuar me mesfushorët holandez Wesley Sneijder dhe Rafael van der Vaart, që gjithashtu e nisën karrierën e tyre te Ajaxi. Eriksen gjithashtu ka deklaruar se Francesco Totti ka qënë një tjetër lojtar që e ka frymëzuar.[103]
Eriksen jeton me të dashurën e tij Sabrina Kvist Jensen.[104] Fëmija e tyre i parë, Alfred, lindi më 4 qershor 2018.[105]
Klubi | Sezoni | Liga | Kupa | Kupa e Ligës | Evropa | Tjetër | Gjithsej | |||||||
---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
Division | Apps | Goals | Apps | Goals | Apps | Goals | Apps | Goals | Apps | Goals | Apps | Goals | ||
Ajax | 2009–10 | Eredivisie | 15 | 0 | 4 | 1 | — | 2[lower-alpha 1] | 0 | — | 21 | 1 | ||
2010–11 | 28 | 6 | 6 | 1 | — | 12[lower-alpha 2] | 1 | 1[lower-alpha 3] | 0 | 47 | 8 | |||
2011–12 | 33 | 7 | 2 | 0 | — | 8[lower-alpha 4] | 1 | 1[lower-alpha 3] | 0 | 44 | 8 | |||
2012–13 | 33 | 10 | 4 | 2 | — | 8[lower-alpha 4] | 1 | — | 45 | 13 | ||||
2013–14 | 4 | 2 | — | — | — | 1[lower-alpha 3] | 0 | 5 | 2 | |||||
Gjithsej | 113 | 25 | 16 | 4 | — | 30 | 3 | 3 | 0 | 162 | 32 | |||
Tottenham Hotspur | 2013–14 | Premier League | 25 | 7 | 1 | 0 | 1 | 0 | 9[lower-alpha 1] | 3 | — | 36 | 10 | |
2014–15 | 38 | 10 | 2 | 0 | 4 | 2 | 4[lower-alpha 1] | 0 | — | 48 | 12 | |||
2015–16 | 35 | 6 | 4 | 1 | 1 | 0 | 7[lower-alpha 1] | 1 | — | 47 | 8 | |||
2016–17 | 36 | 8 | 3 | 1 | 1 | 2 | 8[lower-alpha 5] | 1 | — | 48 | 12 | |||
2017–18 | 37 | 10 | 3 | 2 | 1 | 0 | 6[lower-alpha 6] | 2 | — | 47 | 14 | |||
2018–19 | 35 | 8 | 0 | 0 | 4 | 0 | 12[lower-alpha 6] | 2 | — | 51 | 10 | |||
2019–20 | 20 | 2 | 2 | 0 | 1 | 0 | 5[lower-alpha 6] | 1 | — | 28 | 3 | |||
Gjithsej | 226 | 51 | 15 | 4 | 13 | 4 | 51 | 10 | — | 305 | 69 | |||
Internazionale | 2019–20 | Serie A | 0 | 0 | 1 | 0 | — | 0 | 0 | — | 1 | 0 | ||
Gjithsej karriera | 339 | 76 | 32 | 8 | 13 | 4 | 81 | 13 | 3 | 0 | 468 | 101 |
Ekipi kombëtar | Viti | Ndsh | Gola |
---|---|---|---|
Danimarka | 2010 | 10 | 0 |
2011 | 10 | 2 | |
2012 | 11 | 0 | |
2013 | 11 | 2 | |
2014 | 7 | 1 | |
2015 | 8 | 1 | |
2016 | 9 | 6 | |
2017 | 9 | 9 | |
2018 | 10 | 4 | |
2019 | 10 | 6 | |
Gjithsej | 95 | 31 |
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.