Xhjotirlingat
From Wikipedia, the free encyclopedia
Jyotirlinga, Jyotirling ose Jyotirlingam është një objekt adhurimi (linga) që përfaqëson Perëndinë Supreme Shiva. Nga sanskritishtja Jyoti do të thotë 'shkëlqim, ndriçim', ndërsa linga ose lingam do të thotë 'imazh, shenjë ose simbol' i Shivës; në këtë mënyrë jyotirlinga do të thotë Simboli prej drite i Shivës. Faltoret jytilinga janë faltore kushtuar Shivës, ku ky i fundit adhurohet në formën e një jyotirlinge ose "linge prej drite". Literatura puranike e përshkruan në detaje, në shumë seksione, domethënien e këtyre vendeve. Në Indi ndodhen 12 jyotirlinga që venerohen shumë që nga kohët parahistorike. Për shkak të pranisë së lartë hyjnore mirëbërëse në këto vende besimtarët kanë qenë tërhequr drejt këtyre vendeve të shenjta (kshetra), që nga kohët e lashta.[1] Secili prej tempujve jyotrilinga përfaqëson manifestime të ndryshme të Shivës dhe idhulli i lingës konsiderohet si hyjnia kryesuese në çdo tempull të tillë, ku linga përfaqëson natyrën pa atribute, pa fillim dhe pa fund të Shivës.[2] Ato quhen Jyotirlinga pasi Shiva iu shfaq adhuruesve të tij në formën e Jyoti-t dmth. dritës gjatë natës së Aridra Nakshatras. Sipas hinduizmit Jyotirlinga është Shiva Suprem, realiteti i pandashëm, nga i cili Shiva shfaqet në një tjetër formë, Lingodbhavan. Ato janë tempujt ku Shiva u shfaq si një kolonë e zjarrtë drite.[3][4] Jyotirlingat duken si çdo shivalingë tjetër, megjithatë, besohet se personi që ka arritur një nivel të lartë spiritualiteti i shikon këto linga si kolona flake që e tejshpojnë tokën mespërmes.[5] Te shivalingat besohet se ekziston një fuqi misterioze dhe e papërshkrueshme që të nxit përqëndrimin e mendjes nëpërmjet fokusimit të energjisë së gjeneruar nga simboli i shenjtë për tu përqëndruar te sipërorja e pandashme. Kjo është arsyeja kryesore e vendosjes së lingave në tempujt e Shivës, por përgjatë kohës lingat kanë marr kuptimin e krijimit. Jyotirlinga përfaqëson simbolin në formën e dritës që shpërndan errësirën dhe injorancën.[6] duke nxitur vëmendjen dhe përqëndrimin besohet se ato janë mjete shumë të mira në ndihmë të të mësuarit. Për këtë arsye studiuesit dhe të diturit e lashtë adhuronin shivalinga të ngulitura në tempuj.[7] Sipas një besimi popullor linga përfaqëson phallusin, por në fakt kjo nuk është e bazuar në interpretimin kanonik. Ky besim është krijuar nga keqinterpretime të periudhës së vonë vedike dhe është bërë popullor shumë më vonë. Një shivalingë ka tre pjesë të dallueshme që konsiderohen si pjesë e Brahmas, Vishnut dhe Shivës. Në këtë mënyrë linga përfaqëson të treja fuqitë në një – si Para Brahma ose Shiva Suprem. Shumica e lingave janë të vetë krijuara (swayambhu). Një lingë përgjithësisht bëhet prej gurësh të zinj ose të bardhë, mermeri, metalesh ose kuarci, që kanë një domethënie të veçantë pasi nuk kanë ngjyrë dhe marin ngjyrën e objekteve të afërta.[7] Secili nga dymbëdhjetë sitet e jyothirlingave merr emrin e idhullit kryesues, secili i konsideruar një manifestim i ndryshëm i Shivës. Në këta site, imazhi parësorë është linga që përfaqëson kolonën e pa fillim dhe pa fund stambha, që simbolizon natyrën e pafundme të Shivës.[8][9][10] Dymbëdhjetë jyotirlingat, që adhurohen që nga kohët e lashta në Indi, gjenden të vendosura në këtë mënyrë: dy ndodhen në bregdet, tre në brigje lumenjsh, katër në lartësi malesh dhe tre nëpër kullota dhe lëndina fshatrash; nga një jyotirlingë ndodhet në Andra Pradesh, Uttarkhand, Uttar Pradesh dhe Tamil Nadu, nga dy ndodhen në Guxharat, Jharkhand dhe Madja Pradesh, ndërsa tre në Maharashtra.[1] Megjithatë vendndodhja e tyre nuk mund të identifikohet gjithmonë në mënyrë të pakontestueshme, prandaj ka tempuj të ndryshëm të identifikuar si jyotirlinga.[11] Dymbëdhjetë jyothirlingat janë: Tempulli Somnath në Guxharat; Mallikarjuna në Srisailam të Andra Pradeshit; Mahakaleshwar Jyotirlinga në Ujjain të Madja Pradeshit; Omkareshwari në Shivpuri/Mamaleswara po në Madja Pradesh; Tempulli Kedarnath në Uttrakhand; Tempulli Bhimashankar në Pune të Maharashtras; Vishvanatha në Varanasi të Uttar Pradeshit; Tryambakeshwari në Nashik të Maharashtras; Nageshvara Jyotirlinga në Dwarka të Guxharatit; Tempulli Baidyanath në Deoghar të Jharkhandit; Tempulli Ramanathaswamy i Rameswaramit në Tamil Nadu dhe Grishneshwari pranë Elloras në Aurangabad të Maharashtras.