Historia e librit
From Wikipedia, the free encyclopedia
Historia e librit si një disiplinë e pavarur akademike e pranua vetëm në vitet 1980. Në konstituimin e kësaj disiplinë kanë dhënë kontrubitin e tyre specialistë nga fushat e tekstologjisë, kodikologjisë, bibliografisë, filologjisë, paleografisë, historisë së artit, historisë shoqërore dhe historisë kulturore. Qëllimi i saj kryesor është të tregojë se libri si një objekt i tërësishëm, dhe jo vetëm teksti i përmbajtur brenda tij, është një përcjellës i ndërveprimit midis lexuesve dhe fjalëve.
Para evolucionit të shtypshkronjës, e cila u bë e famshme nga Bibla e Gutenbergut, secili tekst ishte një artikull unik i punuar me dorë, i personalizuar përmes tipareve të projektimit të përfshira nga shkruesi ose skribi, pronari, libruesi dhe ilustruesi. [1] Analiza e secilës pjesë përbërëse të librit zbulon qëllimin e tij, ku dhe si është mbajtur, kush e ka lexuar atë, besimet ideologjike dhe fetare të periudhës dhe nëse lexuesit ndërvepruan me tekstin brenda tij. Edhe mungesa e provave të kësaj natyre na jep të dhëna të vlefshme për natyrën e një libri të veçantë.
Historia e librit si një fushë e veçantë studimore u paraqit në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ajo u nxit sidomos nga vepra me titull Printerët dhe komunikimi vizual (1953) shkruar nga William Ivins Jr., pastaj nga vepra L'apparition du livre (Paraqitja e librit: Ndikimi i shtypjes, 1450-1800 ) të vitit 1958 shkruar nga Henri-Jean Martin dhe Lucien Febvresi si dhe libri me titull Gutenberg Galaxy:The Making of Type Man (1962) i autorit Marshall McLuhan. Një tjetër pionier i rëndësishëm në fushën e historisë së librit është edhe Robert Darnton. [2]
Historia e librit fillon me paraqitjen dhe zhvillimin e shkrimit, dhe sidomos të paraqitjes së shpikjeve të ndryshme të kohës si p.sh. letra dhe shtypi, gjë e cila ka vazhduar deri në biznesin e ditëve moderne të shtypjes së librave. Historia më e hershme e librave në të vërtetë fillon me ato që në mënyrë konvencionale në të ardhmen do të quheshin "libra" duke nisur me tableta dylli, rrotulla dhe fletë papirusi. Pastaj u shfaqën dorëshkrimet e lidhura, të shtrenjta dhe të hollësishme të njohura ndryshe si kodikë. Këto i dhanë rrugë vëllimeve të shtypura me makinë gjë që përfundimisht ndikoi në paraqitjen e vëllimeve të shtypura në masë e që mbizotërojnë edhe sot. Librat bashkëkohorë madje mund të mos kenë prezencë fizike me paraqitjen e të ashtuquajturit e-libri (e-book). Libri gjithashtu u bë më i arritshëm edhe për personat me aftësi të kufizuara me paraqitjen e Alfabetit të Brajit. Risia më e fundit në këtë drejtim konsiderohen librat auditiv (me zë).