Xherdan Shaqiri
futbollist zviceran From Wikipedia, the free encyclopedia
Xherdan Shaqiri (lindur më 10 tetor 1991) është futbollist profesionist zviceran i cili luan si mesfushor për klubin zviceran Basel.
![]() Shaqiri duke luajtur me Zvicrën në Kupën e Botës 2018 | |||
Personal information | |||
---|---|---|---|
Emri i plotë | Xherdan Shaqiri[1] | ||
Data e lindjes | 10 tetor 1991 (33 vjeç) | ||
Vëndi i lindjes | Gjilan, Kosovë | ||
Gjatësia | 1.69 m (5 ft 7 in)[2] | ||
Pozicioni(et) | Mesfushor | ||
Informacioni i skuadrës | |||
Skuadra aktuale | FC Basel | ||
Number | 10 | ||
Karriera rinore | |||
1999–2001 | SV Augst | ||
2001–2009 | FC Basel | ||
Karriera e lartë* | |||
Vitet | Team | Apps | (Gls) |
2007–2009 | FC Basel II | 19 | (8) |
2009–2012 | FC Basel | 92 | (18) |
2012–2015 | Bayern München | 52 | (11) |
2015 | Internazionale | 15 | (1) |
2015–2018 | Stoke City | 84 | (15) |
2018–2021 | Liverpool | 45 | (7) |
2021–2022 | Lyon | 11 | (2) |
2022–2024 | Chicago Fire | 69 | (14) |
2024– | FC Basel | 15 | (6) |
Karriera ndërkombëtare | |||
2007–2008 | Zvicra U17 | 10 | (0) |
2008–2009 | Zvicra U18 | 5 | (0) |
2009 | Zvicra U19 | 5 | (3) |
2009–2011 | Zvicra U21 | 7 | (1) |
2010–2024 | Zvicra | 125 | (32) |
*Ndeshjet dhe golat në ligën vendase të klubeve, të sakta prej datës 19 janar 2025 |
Shaqiri filloi karrierën e tij si profesionist te FC Basel, duke debutuar me ekipin e parë në vitin 2009.[3] Pasi fitoi tri kampionate zvicerane rresht, ai kaloi te klubi gjerman Bayern München.[4] Edhe pse nuk pati ndonjë sukses individual të madh, Shaqiri fitoi edhe tetë trofe të tjerë, përfshirë edhe Ligën e Kampioneve,[5] në sezonin 2012–13, ku ekipi kompletoi tripletën. Në janar 2015, ai u transferua te Interi për 15 milion €,[6] dhe shtatë muaj më pas, kaloi në Premier League te Stoke City.[7] Pasi ekipi ra nga kategoria në përfundim të sezonit 2017–18, Shaqiri firmosi me Liverpoolin për 13.5 milion £.[8]
Shaqiri zhvilloi më shumë se 20 ndeshje me ekipet e të rinjëve të Zvicrës. Ai debutoi me ekipin e parë në mars 2010 dhe tre muaj më vonë ishte pjesë e Kupës së Botës 2010. Ai gjithashtu luajti në edicionet 2014 dhe 2018; ai shënoi një tregolësh në një ndeshje të turnamentit 2014, duke regjistruar tregolëshin e 50të të kompeticionit.[9] Shaqiri gjithashtu ka luajtur edhe në UEFA Euro 2016, ku goli i tij i vetëm u shpall si më i bukuri i turnamentit.
Jeta e hershme
Shaqiri ka lindur në Gjilan të Kosoves nga prindër shqiptarë nga Kosova.[10][11] Ai emigroi në Zvicër në vitin 1992 me prindërit e tij dhe me tre vëllezërit dhe motrat e tij.[12] Ata u vendosën në Augst, një qytet i vogël në kontin Basel-Country, afër kufinjëve francez dhe gjerman.[13]
Babai i tij nuk fliste dot gjermanishten zvicerane, kështu që ai filloi të lante pjata në një restorant, para se të punonte si ndërtues rrugësh. Mamaja e tij punonte si pastruese në zyra ndërtesash në qytet, duke u ndihmuar nga Xherdani dhe vëllezërit e tij. Babai i tij dërgonte para në Kosovë sa të kishte mundësi, gjë që do të thoshte se Xherdani dhe famijla e tij nuk kishin para shtesë për të shpenzuar, përveç në rastet e ditëlindjeve.[14] Ai adhuronte sulmuesin brazilian Ronaldo, duke thënë se loja e tij ishte si "magji".[14]
Karriera me klube
FC Basel
Shaqiri ka luajtur për të rinjtë e SV Augstit dhe FC Baselit. Gjatë kohës që luante me të rinjtë e FC Baselit, ai konkuroi në Kupën Nike nën-15 në vitin 2007 ku u emërua lojtari më i mirë i turnamentit. Pavarësisht se kishte disa klube që donin të firmosnin me të, ai vendosi të qëndrojë te Baseli, ku luajti me skuadrën e rezervave nga viti 2007 e deri në vitin 2009 në 1. Liga Zvicerane. Dy vite më vonë Shaqiri firmosi kontratën e parë si profesionist me Baselin më 2 janar 2009,[15] me kontratën e re që do ta mbante në St. Jakob-Park deri në vitin 2014.
Shaqiri bëri debutimin e tij me Baselin si zëvëndësues më 12 Korrik 2009 në ndeshjen hapëse të skuadrës në sezonin 2009–10 kundër FC St. Gallen në AFG Arena.[3] Ai shënoi golin e parë me klubin katër muaj më vonë në fitoren 4–1 në shtëpi kundër Neuchâtel Xamax më 9 nëntor 2009.[16] Në fund të sezonit 2009–10 Shaqiri fitoi dy titujt kombëtarë me Baselin, dhe një vit më vonë fitoi sërisht titullin.
Në dhjetor 2011, Shaqiri dhuroi dy assista në një ndeshje kundër Manchester United, me Baselin që fitoi 2–1.[17] Në fund të sezonit 2011–12, për herë të dytë në karrierën e tij me Baselin, ai fitoi dy titujt kombëtarë, që konsiston në fitimin e titullit të ligës,[18] dhe Kupën Zvicerane.[19]
Bayern München
Më 9 shkurt 2012, Basel njoftoi se kishte pranuar shitjen e Shaqirit tek klubi gjerman Bayern München në Bundesligë për sezonin 2012–13.[4] Shuma e transferimit ishte 11.6 milion €, me lojtarin që firmosi një kontratë katër-vjeçare që do të zgjaste deri më 30 qershor 2016; Shaqiri do të përfitonte 2 milion € në sezon.[20] Ai pati konkurencë në sezonin e tij të parë në Allianz Arena me lojtarët më jetëgjatë dhe më të përvojë të ekipit si Franck Ribéry, Arjen Robben, Toni Kroos dhe Thomas Müller.[13]

Më 10 korrik 2012, Shaqiri debutoi me Bayernin në ndeshjen miqësore ndaj ekipit tjetër bavarez SpVgg Unterhaching e cila u fitua 1–0. Debutimi i tij zyrtar erdhi më 20 gusht në një ndeshje të DFB-Pokal kundër SSV Jahn Regensburg. Ai hyri në fushë në pjesën e dytë si zëvëndësues, shënoi golin e dytë të takimit si dhe asistoi golat e Mario Mandžukić dhe Claudio Pizarros, në një fitore 4–0.[21] Ai ndihmoi Bayernin ta mbyllte grupin e tyre të Ligës së Kampioneve në krye me një gol dhe asista në fitoren 4–1 kundër BATE Borisov më 5 dhjetor, duke u shpallur edhe lojtari i ndeshjes; Bayerni "morri hak" për humbjen që pësuan në ndeshjen e parë në Minsk.[22]
Shaqiri nuk mundi dot të shënojë një gol në Bundesligë deri në ndeshjen e fundit të vitit kalendarik 2012, duke i dhënë ekipit të tij një pikë me golin e shënuar kundër Borussia Mönchengladbach, me Bayernin që e mbylli kampionatin në vend të parë.[23][24] Më 16 prill 2013, Shaqiri shënoi një gol nga distanca në ndeshjen gjysëm-finale të DFB-Pokal ndaj VfL Wolfsburg.[25] Shaqiri fitoi për herë të parë Ligën e Kampioneve më 25 maj; Bayern mposhti në finale kundërshtarët e Borussia Dortmundit me rezultatin 2–1, me Shaqirin që ishte një zëvëndësim i papërdorur.[5] Përveç këtij suksesi, Bayerni fitoi edhe kampionatin sëbashku me kupën, duke e bërë Shaqirin një nga lojtarët që ka fituar tripletën e parë në historinë e klubit. Ai e përfundoi sezonin 2012–13 me 8 gola në 39 ndeshje.[26]
Shaqiri e nisi sezonin 2013–14 me një distafë në DFL-Supercup ndaj Borussia Dortmund; mesfushori luajti si titullar për 67 minuta në humbjen 4–2 në Signal Iduna Park.[27] Më 30 gusht, ai fitoi një tjetër trofe, Superkupën e Evropës, duke ndihmuar Bayernin të mposht Çelsin; Shaqiri hyri në fushën e lojës në minutën e 6të të kohës shtesë pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 1–1. Ndeshja shkoi në gjuajtjet e penalltive ku ai shënoi tentativën e pestë të ekipit, dhe pasi Romelu Lukaku gaboi në gjuajtjen e tij, Bayerni u kurorëzua kampion.[28][29] Në dhjetor 2013, Shaqiri fitoi edhe FIFA Kupën e Botës për klube; ai luajti dy ndeshje, përfshirë edhe 80 minuta në finale, me Bayernin që mposhti Raja Club Athletic.[30][31] Nga qershori 2014, ai u bë lojtari zviceran më i dekoruar i të gjitha kohërave në moshën 22 vjeç, duke fituar plot 22 trofe dhe 13 medalje.[13] Në sezonin 2013–14, Shaqiri luajti gjithsej vetëm 27 ndeshje në të gjitha kompedicionet, duke shënuar shtatë gola.[32]
Shaqiri luajti pak gjatë pjesës së parë të sezonin 2014–15 nën drejtimin e trajnerit Pep Guardiola.[33][34] Kjo gjë bëri që ai të kërkonte largimin nga klubi gjatë merkatos dimërore në janar 2015.[35]
Internazionale
Më 9 janar 2015, Shaqiri u ble nga klubi italian Inter për 15 milion €; ai firmosi një kontratë deri në qershor 2019, duke lënë menjëanë interesimin e klubit anglez Stoke City.[6][36] Numri i tij i zakonshëm 23 ishte e pronë e mbrojtësit Andrea Ranocchia, duke bërë që Shaqiri të merrte fanellën me numrin 91, numëri i vitit të lindjes së tij.[37]
Shaqiri bëri debutimin e tij zyrtar me ekipin më 17 janar në barazimin pa gola në Empoli, duke luajtur në 17 minutat e fundit në vend të blerjes tjetër Lukas Podolski.[38] Goli i tij i parë erdhi pesë ditë më vonë, në ndeshjen e raundit të 16-tave të Coppa Italia kundër Sampdorias, duke ndihmuar ekipin për avancojë për në raundin tjetër.[39] Shaqiri shënoi golin e tij të parë në Serie A më 15 shkurt në një ndeshje ndaj Atalanta; goli i tij, i pari i takimit me penallti, i hapi rrugën suksesit 4–1 në Bergamo.[40] Katër ditë më vonë, Shaqiri shënoi golin e parë evropian me Interin në barazimin 3–3 jashtë fushe kundër Celtic, në ndeshjen e parë të raundit të 32-tave të UEFA Ligës së Evropës.[41]
Ai e përfundoi gjysmën e dytë të sezonit 2014–15 me tre gola në 20 paraqitje në të gjitha kompeticionet.[42]
Stoke City
Në korrik 2015, Stoke pagoi 12 milion £ për shërbimet e Shaqirit, por marrëveshja ra kur lojtari nuk pranoi të bashkohej para ditës së fundit të merkatos.[7] Transferimi u krye një muaj më vonë, me Shaqirin që ra dakord me kushtet personale dhe kreu vizitat mjekësore.[43] Interes për të pati edhe klubi tjetër anglez Everton, por ata kërkonin ta afronin vetëm në formën e huazimit, ndërkohë që Inter kërkonte vetëm formulën e shitjes.[44] Më 11 gusht, Stoke City transferoi zyrtarisht lojtarin për 12 milion £ (14.5 milion €), duke u bërë blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit; ai firmosi një kontratë pesë-vjeçare.[45]
Sezoni 2015–16
Ky është goli më i bukur që kam parë këtë sezon. Ai e dinte saktësisht se çfarë po bënte, dhe ishte absolutisht madhështor.
– Garth Crooks, analist në emisionin Final Score të BBC-së, përshkroi golin e dytë të Shaqirit në ndeshjen ndaj Evertonit më 28 dhjetor 2015.[46]
Ai debutoi zyrtarisht me ekipin njëmbëdhjetë ditë më vonë në barazimin 1–1 ndaj Norwich City në Carrow Road, duke asistuar me një goditje dënimi golin me kokë të shënuar nga Mame Biram Diouf.[47] Më 28 dhjetor, Shaqiri shënoi dy golat e parë për Stoke City, një dopietë në pjesën e parë të fitoren 4–3 ndaj Evertonit. Goli i dytë i tij ishte një gjuajtje në ajër nga distanca pas një pasimi nga Bojan që mposhti portierin Tim Howard.[46][48] Goli tjetër i sezonit 2015–16 për të ishte një gjuajtje nga 18 metra kundër Newcastle United më 2 mars 2016.[49] Shaqiri luajti gjithsej 32 ndeshje në sezonin e tij të parë; Stoke City përfundoi kampionatin në vendin e nëntë.[50]
Sezoni 2016–17
Shaqiri shënoi një gol nga 20 metra kundër Middlesbrough në ndeshjen hapëse të ekipit për sezonin 2016–17.[51] Megjithatë, një dëmtim në pulpë e la atë në infermieri për gjashtë javë; ai u rikthye në dispozicion më 24 shtator në barazimin 1–1 kundër West Bromwich Albion ku ai asistoi golin e shënuar nga Joe Allen.[52] Shaqiri shënoi dy gola nga distanca kundër Hull Cityt më 22 tetor 2016, duke u bërë lojtari i parë në historinë e klubit që e arrin këtë në Premier League.[53] Ai shënoi sërisht nga distanca kundër Hull Cityt, këtë herë në ndeshjen e kthimit më 15 prill 2017, gol i cili u shpall si më i bukuri i Stoke Cityt për sezonin 2016–17.[54][55] Ai u zgjodh edhe në formacionin e javës nga Goal.com.[55] Shaqiri përfundoi sezonin e tij të dytë me klubin duke luajtur 22 ndeshje dhe shënuar katër gola, me Stoke Cityn që arriti një vend të 13të në renditje.[56]
Sezoni 2017–18

Shaqiri shënoi golin e parë të sezonit 2017–18 në një ndeshje kundër Newcastle United më 16 shtator, që ishte goli i barazimit në një disfatë 2–1.[57] Më 4 nëntor, ai shënoi dhe asistoi në barazimin 2–2 si vizitor kundër Leicester City.[58] Shaqiri vazhdoi formën pozitive në kampionat, duke shënuar në humbjen kundër Crystal Palace dhe fitores kundër Swansea City.[59][60] Në shkurt 2018, Shaqiri shënoi në ndeshjet kundër Bournemouth (humbje 1–2),[61] Brighton & Hove Albion (barazim 1–1)[62] dhe Leicester City (barazim 1–1),[63] duke vendosur një rekord personal pasi kjo ishte hera e parë që ai shënonte në tre ndeshje rresht në Premier League. Një muaj më vonë, me Stoke pranë rënies nga kategoria, Shaqiri shkaktoi polemika gjatë një interviste me revistën zvicerane Schweizer Illustrierte ku ai tha se shokët e tij të ekipit kishin "pak cilësi" dhe se edhe pjesëmarrja e Ronaldinhos nuk do ta përmirësonte ekipin.[64] Pavarësisht se shihej si shpëtimtari i ekipit,[65] Shaqiri nuk mundi dot të shmangë rënien e Stoke City në EFL Championship pas disfatës 1–2 kundër Crystal Palace, me mesfushorin që shënoi golin e vetëm të ekipit të tij.[66] Shaqiri e mbylli sezonin e tretë me Stoke City duke shënuar 8 gola në 36 ndeshje në kampionat, si dhe një ndeshje në kupë dhe kupën e ligës.[67]
Liverpool
Më 13 korrik 2018, Liverpool firmosi për pesë vite me Shaqirin pasi pagoi klauzolën e tij të lirimit prej 13.5 £.[8] Atij j'u dha fanella me numrin 23.[8]
Ai bëri debutimin e tij jozyrtar me klubin më 29 korrik në një ndeshje miqësore përgatitore kundër ekipit rival Manchester United, që u mbyll me fitoren 4–1, me Shaqirin i cili shënoi një gol me rrofeshatë.[68] Ndeshja e parë zyrtare për të erdhi më 12 gusht, në ndeshjen hapëse të kampionatit kundër West Ham United, duke luajtur si zëvëndësues në një fitore 4–0.[69] Shaqiri luajti ndeshjen e parë sezonale si titullar më 22 shtator, në fitoren 3–0 kundër Southampton, duke marrë lëvdata për paraqitjen e tij nga BBC Sport, e cila gjithashtu e shpall edhe si lojtarin e ndeshjes.[70]
Shaqiri shënoi golin e parë për ekipin më 27 tetor, të tretin e fitores 4–1 ndaj Cardiff City.[71] Në nëntor, ai nuk u përfshi në udhëtimin në Beograd për ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Yllit të Kuq të Beogradit në Serbi për të shmangur incidente të mundshme.[72]
Lyon
Më 23 gusht 2021, klubi francez Lyon njoftoi transferimin e Shaqirit për 6 milion €; lojtari firmosi një kontratë deri në qershor 2024.[73]
Chicago Fire
Më 9 shkurt 2022, Shaqiri u transferua te Chicago Fire duke firmosur në kontratë deri në vitin 2024.[74] Chicago Fire pagoi 6.5 milion € për mesfushorin, duke kryer transferimin më të shtrenjtë në historinë e tyre.[75]
Më 14 gusht 2024, Shaqiri dhe klubi ranë dakord për ndërprerjen e marrëveshjes. Zyrtarizimi u bë pasi Shaqiri deklaroi se "ishte koha e duhur për t'u larguar dhe eksploruar mundësi të reja".[76]
Rikthimi te FC Basel
Më 16 gusht 2024, Shaqiri njoftoi rikthimin te Baseli pas 12 vitesh, duke firmosur një kontratë tre-vjeçare.[77]
Karriera ndërkombëtare
Të rinjtë

Shaqiri bëri debutimin e tij për Zvicrën nën-21 më 11 nëntor 2009 në fitoren 3–1 ndaj Turqisë në një kualifikuese të Kampionatit Evropian nën-21 2011.[78] Goli i parë erdhi më 11 qershor 2011 në ndeshjen hapëse të Zvicrës në Kampionatin Evropian nën-21 2011 kundër Danimarkës.[79]
Të rriturit
Kupa e Botës 2010
Shaqiri u promovua në ekipin e të rriturve në vitin 2010, duke bërë debutimin e tij më 3 mars në një ndeshje miqësore ndaj Uruguajit që u mbyll me një humbje 1–3.[80] Ai ishte pjesë e listës që do të luante në Kupën e Botës 2010, duke marrë një ftesë surprize nga trajneri Ottmar Hitzfeld.[81] Shaqiri zhvilloi vetëm një paraqitje gjatë turnamentit, duke luajtur në 12 minutat e fundit e barazimit pa gola kundër Hondurasit në ndeshjen e tretë të Grupit H më 25 qershor.[82] Zvicra e përfundoi grupin në vendin e tretë me katër pikë, gjë që solli eliminimin.[83]
UEFA Euro 2012
Shaqiri shënoi golin e parë ndërkombëtarë më 7 shtator 2010 në ndeshjen hapëse të zvicrës në kualifikueset e UEFA Euro 2012 kundër Anglisë; ai shënoi golin e vetëm të ekipit të tij në minutën e 71të në një humbje 1–3 në shtëpi.[84] Një vit më vonë, më 6 shtator 2011, ai shënoi tregolëshin e tij të parë në një tjetër ndeshje kualifikuese, këtë herë kundër Bullgarisë, duke udhëhequr skuadrën drejt një fitoreje 3–1.[85][86]
Performancat e tij nuk ishin të mjaftueshme për Zvicrën për të siguruar një vend në finalet e turnamentit.[87] Shaqiri, megjithatë, ishte golashënuesi më i mirë i Grupit G me 4 gola. Zvicra gjithashtu u përpiq ta bënte pjesë e skuadrës që do të luante në Lojërat olimpike verore 2012, por Shaqiri refuzoi ofertën duke preferuar të ishte pjesë e fazës përgatitore me klubin e tij.[88]
Kupa e Botës 2014
Më 11 shtator 2012, Shaqiri nuk e këndoi himnin kombëtar zviceran në një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës kundër Shqipërisë, vendit të origjinës, në Luzernë; ai shënoi në fitoren 2–0, por refuzoi të festonte.[89] Ai gjithashtu kishte flamurin e Kosovës, Shqipërisë dhe Zvicrës në këpucë për ndeshjen.[90]
Në qershor 2014, Shaqiri ishte pjesë e ekipit që do të luante në Kupën e Botës 2014 në Brazil.[91] Në ndeshjen hapëse të Zvicrës, Shaqiri u shpall lojtari i ndeshjes me ekipin që fitoi 2–1 ndaj Ekuadorit.[92] Ai u shpall lojtari i ndeshjes edhe në ndeshjen e tretë dhe të fundit në grup, ku Zvicra mposhti 3–1 Hondurasin, me të tre golat që erdhën nga Shaqiri, përfshirë edhe një gjuajtje me hark nga 30 metra që përfundoi në trekëndësh.[93][9] Tregolëshi i tij kualifikoi Zvicrën në raundin e 16-tave, ku u eliminuan në kohën shtesë me rezultatin 1–0 nga Argjentina.[94]
UEFA Euro 2016
Shaqiri shënoi tre herë në fushatën e suksesshme kualifikuese të ekipit për UEFA Euro 2016, me të gjithë finalizimet e tij që erdhën kundër Lituanisë.[95][96] Ai shënoi një dopietë më 14 nëntor 2014 në fitoren 4–0 në St. Gallen,[95] si dhe golin vendimtar në minutën e 84të të fitores 2–1 në ndeshjen e kthimit më 15 qershor 2015.[96] Në fazën finale të turnamentit në Francë, ai luajti titullar në të katërta ndeshjet e Zvicrës që arriti në raundin e 16-tave; në këtë raund, ai shënoi një gol mahnitës me rrofeshatë kundër Polonisë për të barazuar ndeshjen në 1–1 dhe dërguar ndeshjen në shtesë dhe më pas në gjuajtjet e penalltive, ku ai shënoi në tentativën e tij por ekipi u në fund ekipi u mposht dhe u eliminua nga polakët.[97][98]
Pas ndeshjes së parë të Zvicrës në Euro 2016, Shaqiri deklaroi se ai do të luante për Kosovën nëse trajneri do t'a bënte kapiten, si reagim ndaj vendimit të trajnerit Vladimir Petković për t'i hequr këtë status.[99] Pavarësisht një lojtar ndërkombëtar për Zvicrën, rregullat e FIFA-s e lejonin Shaqirin për të përfaqësuar Kosovën, e cila u bë pjesë e konfederatës në fillim të atij viti.[100] Megjithatë, Shaqiri vazhdoi të luante për Zvicrën edhe pas antarësimit të Kosovës në FIFA, gjë që përjashtoi çdo mundësi të lojtarit për t'u bërë pjesë e Dardanëve.[101]
Kupa e Botës 2018

Shaqiri ishte një nga 23 lojtarët e thirrur nga trajneri Vladimir Petković në ekipin zviceran për Kupën e Botës 2018, duke regjistruar pjesëmarrëjen e tretë rresht.[102] Ai shënoi golin e fitores në minutat shtesë në triumfin 2–1 ndaj Serbisë në ndeshjen e dytë të Grupit E.[103] Ai dhe lojtari tjetër me origjinë shqiptare i ekipit Granit Xhaka, i cili më herët kishte shënuar golin e barazimit, festuan duke kryqëzuar duart, një simbol autokton i shqiptarëve që tregon Shqipërinë e madhe.[104]
Kapiteni i ekipit Stephan Lichtsteiner, i cili nuk ka origjinë shqiptare, bëri të njëjtin veprim gjatë festimit të Shaqirit, si dhe i mbrojti të dy lojtarët pas përfundimit të ndeshjes.[105][106] Shaqiri dhe Xhaka u gjobitën nga FIFA me 10,000 franga zvicerane "për sjellje josportive në kundërshtim me parimet e fair-play", kurse Lichtsteiner u gjobit me 5,000.[107]
Për më tepër, ky gol, i 21ti i tij me Zvicrën, barazoi shifrën e Stéphane Chapuisat, duke hyrë në listën e dhjetë golashënuesve më të mirë të historisë.[108]
UEFA Euro 2020
Shaqiri Shaqiri u emërua në skuadrën e Zvicrës prej 26 lojtarësh për UEFA Euro 2020 të shtyrë.[109] Më 20 qershor 2021, ai shënoi dy herë në minutat 26 dhe 68 kundër Turqisë në një ndeshje të fazës së grupeve.[110] Më 2 korrik 2021, ai shënoi në çerekfinalen e turneut kundër Spanjës.[111] Ndeshja përfundoi 1–1 dhe shkoi në një penallti, në të cilën Spanja përparoi në gjysmëfinale.[112]
FIFA Kupa e Botës 2022
Më 15 nëntor 2021, Shaqiri u bë lojtari i pestë zviceran që arriti 100 paraqitje kur filloi ndeshjen përfundimtare të Zvicrës kualifikuese për Kupën e Botës 2022 kundër Bullgarisë.[113]
Më 9 nëntor 2022, ai u thirr për FIFA Kupën e Botës 2022 në Katar.[114] Më 2 dhjetor, ai shënoi golin e parë në një fitore 3–2 ndaj Serbisë, duke kontribuar në kualifikimin e vendit të tij në fazën e eliminimeve.[115]
UEFA Euro 2024
Më 7 qershor 2024, Shaqiri u përzgjodh në skuadrën prej 26 lojtarësh për UEFA Euro 2024.[116] Më 19 qershor, ai shënoi një gol në barazimin 1–1 kundër Skocisë, duke u bërë lojtari i parë që shënon në këtë garë ndërsa luante për një klub nga Amerika e Veriut ose e Jugut. Ai është gjithashtu lojtari i parë që shënon në gjashtë kampionatet e fundit të mëdha ndërkombëtare (Kupën e Botës '14, Euro '16, Kupën e Botës '18, Euro '20, Kupën e Botës '22, dhe Euro '24)[117][118]
Më 15 korrik 2024, Shaqiri njoftoi tërheqjen e tij nga kombëtarja, pasi kishte bërë 125 paraqitje dhe kishte shënuar 32 gola.[119]
Profili i lojtarit
Shaqiri është anësor i djathtë dhe uebfaqja zyrtare e FIFA-s e përfshkruan atë si të "paparashikueshëm me topin", "i aftë me të dy këmbët" dhe me një "vizion të shkëlqyer.[10] Ai është përshkruar nga The Daily Telegraph si "i fuqishëm" me "një këmbë të majtë magjike".[120] Ai ka pseudonimin "Messi alpin" dhe "xhuxhi magjik".[121][122][120][123]
Jeta personale
Shaqiri është mysliman.[124][125] Ai u zgjodh të ishte në kopertinën e video lojës FIFA 15 në Zvicër sëbashku me yllin global Lionel Messi.[126] Shaqiri sponsorizohet nga kompania e veshjeve dhe pajisjeve sportive Nike. Ai vesh këpucët Nike Mercurial Vapor, dhe gjatë Kupës së Botës 2018, në këpucët e tij ishin të stampuara famujtë e Zvicrës dhe Kosovës.[127][128]
Statistikat e karrierës
Klube
Klubi | Sezoni | Liga | Kupa | Kupa e Ligës | Evropa | Tjetër | Gjithsej | |||||||
---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
Divizioni | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | ||
FC Basel II | 2007–08 | Swiss 1. Liga | 2 | 0 | — | — | — | — | 2 | 0 | ||||
2008–09 | 17 | 8 | — | — | — | — | 17 | 8 | ||||||
Gjithsej | 19 | 8 | — | — | — | — | 19 | 8 | ||||||
FC Basel | 2009–10 | Super Liga Zvicerane | 32 | 4 | 5 | 1 | — | 10[a] | 2 | — | 47 | 7 | ||
2010–11 | 29 | 5 | 2 | 0 | — | 11[b] | 2 | — | 42 | 7 | ||||
2011–12 | 31 | 9 | 4 | 0 | — | 6[c] | 0 | — | 41 | 9 | ||||
Gjithsej | 92 | 18 | 11 | 1 | — | 27 | 4 | — | 130 | 23 | ||||
Bayern München | 2012–13[26] | Bundesliga | 26 | 4 | 5 | 3 | — | 7[c] | 1 | 1[d] | 0 | 39 | 8 | |
2013–14[32] | 17 | 6 | 3 | 1 | — | 3[c] | 0 | 4[e] | 0 | 27 | 7 | |||
2014–15[42] | 9 | 1 | 1 | 0 | — | 4[c] | 1 | 1[d] | 0 | 15 | 2 | |||
Gjithsej | 52 | 11 | 9 | 4 | — | 14 | 2 | 6 | 0 | 81 | 17 | |||
Internazionale | 2014–15[42] | Serie A | 15 | 1 | 2 | 1 | — | 3[a] | 1 | — | 20 | 3 | ||
Stoke City | 2015–16[50] | Premier League | 27 | 3 | 1 | 0 | 4 | 0 | — | — | 32 | 3 | ||
2016–17[56] | 21 | 4 | 1 | 0 | 0 | 0 | — | — | 22 | 4 | ||||
2017–18[67] | 36 | 8 | 1 | 0 | 1 | 0 | — | — | 38 | 8 | ||||
Gjithsej | 84 | 15 | 3 | 0 | 5 | 0 | — | — | 92 | 15 | ||||
Liverpool | 2018–19 | Premier League | 24 | 6 | 1 | 0 | 1 | 0 | 4[c] | 0 | — | 30 | 6 | |
2019–20 | 7 | 1 | 0 | 0 | 0 | 0 | 1[c] | 0 | 3[f] | 0 | 11 | 1 | ||
2020–21 | 14 | 0 | 2 | 0 | 1 | 1 | 5[c] | 0 | 0 | 0 | 22 | 1 | ||
Gjithsej | 45 | 7 | 3 | 0 | 2 | 1 | 10 | 0 | 3 | 0 | 63 | 8 | ||
Lyon | 2021–22 | Ligue 1 | 11 | 2 | 0 | 0 | — | 5[a] | 0 | — | 16 | 2 | ||
Chicago Fire | 2022 | MLS | 29 | 7 | 0 | 0 | — | — | — | 29 | 7 | |||
2023 | 28 | 5 | 3 | 0 | — | — | 3[g] | 2 | 34 | 7 | ||||
2024 | 12 | 2 | — | — | — | — | 12 | 2 | ||||||
Gjithsej | 69 | 14 | 3 | 0 | — | — | 3 | 2 | 75 | 16 | ||||
Basel | 2024–25 | Super Liga Zvicerane | 15 | 6 | 2 | 2 | — | — | — | 17 | 8 | |||
Gjithsej karriera | 402 | 82 | 33 | 8 | 7 | 1 | 59 | 7 | 12 | 2 | 513 | 100 |
- Të gjitha ndeshjet në UEFA Ligën e Evropës
- Dhjetë ndeshje dhe dy gola në UEFA Ligën e Kampioneve, një ndeshje në UEFA Ligën e Evropës
- Një ndeshje në DFL-Supercup, një ndeshje në UEFA Super Kupë, dy ndeshje në FIFA Kupën e Botës për Klube
- Një ndeshje në FA Community Shield, dy ndeshje në FIFA Kupën e Botës për Klube
Kombëtarja

Ekipi kombëtar | Viti | Ndsh | Gola |
---|---|---|---|
Zvicra | |||
2010 | 9 | 1 | |
2011 | 8 | 3 | |
2012 | 7 | 3 | |
2013 | 6 | 1 | |
2014 | 12 | 7 | |
2015 | 9 | 2 | |
2016 | 8 | 1 | |
2017 | 9 | 2 | |
2018 | 12 | 2 | |
2019 | 2 | 0 | |
2020 | 4 | 0 | |
2021 | 14 | 4 | |
2022 | 12 | 1 | |
2023 | 7 | 2 | |
2024 | 6 | 3 | |
Total | 125 | 32 |
Golat me kombëtaren
- Redaktuar më 12 shtator 2018. Rezultatet e Zvicrës të listuara të parat, kolonat e golave tregojnë rezultatin pas çdo goli të shënuar nga Shaqiri.[133]
Nr. | Data | Vendi | Ndsh | Kundërshtari | Goli | Rezultati | Kompedicioni | Ref |
---|---|---|---|---|---|---|---|---|
1 | 7 shtator 2010 | St. Jakob-Park, Bazel, Zvicër | 7 | ![]() | 1–2 | 1–3 | Kualifikueset e UEFA Euro 2012 | [134] |
2 | 6 shtator 2011 | St. Jakob-Park, Bazel, Zvicër | 13 | ![]() | 1–1 | 3–1 | [135] | |
3 | 2–1 | |||||||
4 | 3–1 | |||||||
5 | 29 shkurt 2012 | Stade de Suisse, Bern, Zvicër | 18 | ![]() | 1–1 | 1–3 | Ndeshje Miqësore | [136] |
6 | 11 shtator 2012 | Swissporarena, Lucerne, Zvicër | 21 | ![]() | 2–0 | 2–0 | Kualifikueset e 2014 FIFA Kupës së Botës | [137] |
7 | 14 nëntor 2012 | Stade Olympique de Sousse, Sousse, Tunizi | 24 | ![]() | 2–1 | 2–1 | Ndeshje Miqësore | [138] |
8 | 11 tetor 2013 | Stadiumi Qemal Stafa, Tiranë, Shqipëri | 30 | ![]() | 1–0 | 2–1 | Kualifikueset e 2014 FIFA Kupës së Botës | [139] |
9 | 3 qershor 2014 | Swissporarena, Lucerne, Zvicra | 33 | ![]() | 2–0 | 2–0 | Ndeshje Miqësore | [140] |
10 | 25 qershor 2014 | Arena da Amazônia, Manaus, Brazil | 36 | ![]() | 1–0 | 3–0 | 2014 FIFA Kupa e Botës | [141] |
11 | 2–0 | |||||||
12 | 3–0 | |||||||
13 | 14 tetor 2014 | Stadiumi San Marino, Serravalle, San Marino | 40 | ![]() | 4–0 | 4–0 | Kualifikueset e UEFA Euro 2016 | [142] |
14 | 15 nëntor 2014 | AFG Arena, St. Gallen, Zvicër | 41 | ![]() | 3–0 | 4–0 | [143] | |
15 | 4–0 | |||||||
16 | 10 qershor 2015 | Stockhorn Arena, Thun, Zvicër | 45 | ![]() | 2–0 | 3–0 | Ndeshje Miqësore | [144] |
17 | 14 qershor 2015 | Stadiumi LFF, Vilnius, Lituani | 46 | ![]() | 2–1 | 2–1 | Kualifikueset e UEFA Euro 2016 | [145] |
18 | 25 qershor 2016 | Stade Geoffroy-Guichard, Saint-Étienne, Francë | 57 | ![]() | 1–1 | 1–1 | UEFA Euro 2016 | [146] |
19 | 1 qershor 2017 | Stade de la Maladière, Neuchâtel, Zvicër | 61 | ![]() | 1–0 | 1–0 | Ndeshje Miqësore | [147] |
20 | 9 qershor 2017 | Tórsvøllur, Tórshavn, Ishujt Faroe | 62 | ![]() | 2–0 | 2–0 | Kualifikueset e 2018 FIFA Kupës së Botës | [148] |
21 | 22 qershor 2018 | Stadiumi Kaliningrad, Kaliningrad, Rusi | 72 | ![]() | 2–1 | 2–1 | 2018 FIFA Kupa e Botës | [149] |
22 | 8 shtator 2018 | kybunpark, St. Gallen, Zvicër | 75 | ![]() | 3–0 | 6–0 | 2018–19 UEFA Liga e Kombeve A | [150] |
Trofe
Klube
- Basel[129]
- Super Liga Zvicerane: 2009–10, 2010–11, 2011–12
- Kupa Zvicerane: 2009–10, 2011–12
- Bayern München[129]
- Bundesliga: 2012–13, 2013–14
- DFB-Pokal: 2012–13, 2013–14
- DFL-Supercup: 2012
- UEFA Liga e Kampioneve: 2012–13
- UEFA Super Kupa: 2013
- FIFA Kupa e Botës për Klube: 2013
- Liverpool[129]
- Premier League: 2019–20
- UEFA Liga e Kampioneve: 2018–19
- UEFA Super Kupa: 2019
- FIFA Kupa e Botës për Klube: 2019
Personale
Referimit
Lidhje të jashtme
Wikiwand - on
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.