Familje Feudale From Wikipedia, the free encyclopedia
Vrionasit (turqisht: Viryon Zâdeler) kanë qenë ndër familjet e mëdha feudale shqiptare të kohës së Perandorisë Osmane dhe deri në pragun e regjimit komunist. Prej të parit të tyre që u lakua Omer Vrioni e deri te përkthyesi Jusuf Vrioni, kanë kontribuar gjerësisht në historinë shqiptare të para dhe pas pavarësisë.
Vrioni, një nga familjet më të mëdha aristokrate shqiptare, të njohura ndryshe si konaqe ose oxhaqe, ndër të cilat më të rëndësishmet janë: Vrionasit e Beratit dhe Fierit, Vlorajt e Vlorës, Toptanasit e Tiranës, Biçakçinjtë e Elbasanit, Dinot e Janinës dhe Prevezës, Vërlacët e Elbasanit dhe Bushatllinjtë e Shkodrës, Këlcyrajt e Këlcyrës, Markagjonët e Mirditës, etj. Titujt distinktivë që mbaheshin nga anëtarët e ketyre familjeve, zakonisht Pasha ose Bej, korrespondonin me poste të catuara në administratën e Perandorisë Osmane, qëndrore apo lokale, të cilat jepeshin me Ferman ose Berat (Dekrete) të Sulltanit të Perandorisë Osmane.
Burime të shumta pohojnë se Vrionasit janë pasardhës të dinastisë bizantine të Paleologëve, shfaqur si Perandorë të Bizantit rreth mesit të shekullit XI. Pas shpërbërjes së Perandorisë Bizantine, Paleologët u shfaqën si princër e sovranë në principata të ndryshme dhe u shpërhapën nëpër Evropë: në Venediku apo në Romë, në Rusi apo në Francë. Nën ndikimin e osmanëve një pjesë e Paleologëve u bënë myslimanë. Në veprën e tij Udhëtim nëpër Greqi, Pouqueville, ish konsull i përgjithshëm i Francës pranë Ali Pashës së Janinës, përmend një ndër paraardhësët e Vrionasve, Omer Pashë Vrionin (i pari), si pasardhësin e njërës prej degëve të kësaj dinastie. Të njëjtën gjë pohon edhe Aravantinos në veprën e tij Kronografia e Epirit.
Po këto burime, ashtu si dhe shumë të tjera tregojnë se Vrionasit janë shfaqur në Vilajetin e Janinës rreth mesit të shekullit të XVII si spahinj timariotë, pikërisht në zonën e Beratit. Që prej fillimeve të saj familja shfaqet e integruar në administratën osmane dhe kjo traditë vazhdoi deri në ditët e fundit të Perandorisë Osmane në trojet shqiptare. Omer Pashë Vrioni (i pari) numërohet si një prej gjenaralëve më të njohur të Perandorisë Osmane të fillim-shekullit XIX, cili u shqua në betejat e Egjiptit kundër Napoleonit dhe në rrethimin e Mesolongjit. Ndërkaq, është i pamohueshëm fakti që Vrionasit qenë ndër patriotët më të shquar të trojeve shqiptare dhe kontributi i pasur patriotik që ata dhanë, shpesh i vuri në konflikt interesash jo vetëm me njëri-tjetrin por edhe me Portën e Lartë, e cila nuk ngurroi të internonte, rast ky i Mehmet Ali Pashë Vrionit, pjestarë të kësaj familjeje.
Kontributi patriotik i Vrionasve dendësohet me Mehmet Ali Pashë Vrionin, i cili qe anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve, i Komitetit të Janinës, i Shoqërisë së Stambollit dhe përfundimisht Nënkryetar i Lidhjes së Prizrenit 1878, anëtar i të cilës ish dhe Omer Pashë Vrioni. Më vonë Ilias Bej Vrioni dhe Sami Bej Vrioni ishin ndër nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar 28 nëntor 1912. Në ditët e errëta të Luftës së Parë Botërore, ndërsa trojet shqiptare qenë të pushtuara nga të gjitha anët, Sami Bej Vrioni dhe Qemal Bej Vrioni, do të tentonin të gjenin shpëtim në Kongresin e Durrësit në dhjetor 1918, tek i cili qenë të dy delegatë përfaqësues së Beratit. Sërish më 1920 Ilias Bej Vrioni, ish kryetar i Shoqatës Bashkimi, do të udhëhiqte delegatët e Beratit për në Kongresin e Lushnjës, ndër të cilët edhe Hysen Bej Vrionin, kongres i cili përforcoi themelet e shtetit të ri shqiptar.
Ndërkaq, aktiviteti i Vrionasve nuk ish vetëm politik, por edhe kulturor. Nyzhet Bej Vrioni, anëtar i Shoqatës Bashkimi dhe delegat në Kongresin e Triestes 1913, do të merte pjesë gjithashtu si delegat në Kongresin e Manastirit më 1908. Punën e tij për çështjen e gjuhës shqipe do ta ndiqte më pas Kahreman Pashë Vrioni si delegat në Kongresin e Elbasanit në shtator 1909, i cili pregatiti hapjen e Normales së Elbasanit, shkollë për të cilën Vrionasit dhanë kontribut të vyer fianciar dhe pedagogjik. Shkolla e parë shqipe në Berat u financua kryesisht nga Nyzhet Bej Vrioni dhe Kahreman Pashë Vrioni.
Ndër pasuritë kulturore që Vrionasit i lanë shqiptarëve qe dhe themelimi i qytetit të Fierit më 1864, vepër kjo e nisur nga Omer Pashë Vrioni me ndihmën e një arkitekti frëng, të cilit historia e trazuar e Shqipërisë nuk ia ruajti dot emrin, dhe e vazhduar nga i biri, Kahreman Pashë Vrioni.
Me ardhjen në pushtet të regjimit diktatorial, pas Luftës së Dytë Botërore, Vrionasit u stigmatizuan nga ideologët e luftës së klasave si simbol i tradhëtarëve e kombit dhe i armiqve të klasës. Për katër dekada rresht në të gjitha tekstet shkollore Vrionasit u lakuan si gjakëpirësit e popullit dhe bashkëpunëtorët e të gjithë armiqve të kombit shqiptar ndër shekuj, duke u kthyer kështu në armikun ideal të regjimit diktatorial.
Shteti i diktaturës shpronësoi dhe shtetëzoi të gjitha pronat e Vrionasve dhe shkatërroi shumëçka nga trashëgimia e tyre kulturore, përfshi dhe Sarajet historike të Beratit më 1947, nga të cilat ruhet vëtëm pavijoni i ku u zhvillua Konferenca e Beratit në Maj 1944. Terrori i diktaturës ekzekutoi me varje dhe pushkatim, burgosi dhe internoi në kampe përqendrimi e kampe pune të detyruar gati të gjithë anëtarët e kësaj familjeje, të cilët janë padyshim më të shumtë se emrat e sipërpërmendur. Në pamundësi për t'i përmendur të gjithë, citojmë vetëm disa raste tipike:
Më 1946, eshtrat e Ilias Bej Vrionit, nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë, u zhvarrosën dhe u hodhën në lumin Osum. Më 1947, Sami Bej Vrioni, nënshkruesi tjetrër i Deklaratës së Pavarësisë, vdiq nën tortura. Qemal Bej Vrioni u ekzekutua më 1950 ndërsa Izedin Bej Vrioni më 1947. Kahreman Pashë Vrioni vdes në rretahna të panjohura më 1955. Nermin Vrioni vdiq në gjendje demence e pastrehë. Irfan Bej Vrioni denohet me burgim të përjetshëm, ndëkaq që Jusuf Vrioni denohet me 15 vite burgim.
Në fund, pasardhësit e kësaj familje, u ekzekutuan ose iu hoq fuqia nga duart e tyre, nga regjimi komunist në Shqipëri. Më të shumtët e pasardhësave të kësaj familje, në regjimin komunist, u lanë të varfër, pa shtëpi ose pa ushqim. Shumë nga pasardhësit e familjes së Vrionasit janë thënë që nuk mund të gjenin dot punë, sepse familjen e tyre e quanin familje e deklasuar (familje që ishte armik i Partisë Komuniste). Sot, më të shumtët e pasardhësve të familjes së Vrionasit jetojnë në shtete të ndryshme si Turqia, Shqipëria dhe të tjerë. Në Shqipëri jetojnë pasardhësit e kësaj familje në qytete të Shqipërisë si Patosi, Fieri, Berati, dhe qytete të tjera.
Nënkryetar i Lidhjes së Prizrenit, anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve, anëtar i Komitetit të Janinës, anëtar i Shoqërisë së Stambollit.
Delegat në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878, Themelues i qytetit të Fierit më 1864
Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, Kryetari i Delegacionit të Beratit në Kongresin e Lushnjës, Kryetar i Shoqatës Bashkimi
Nënshkrues së Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, Kryetar i Delegacionit të Beratit në Kongresin e Durrësit më 25 dhjetor 1918
Delegat i Beratit në Kongresin e Durrësit më 25 dhjetor 1918
Senator i Kongresit të Lushnjës më 31 janar 1920
Delegat në Kongresin e Manastirit më 1908, Delegat në Kongresin e Triestes 1913, anëtar i Shoqatës Bashkimi
Delegat në Kongresin e Elbasanit 2-8 Shator 1909, Financoi hapjen e Normales së Elbasanit së bashku me Nyzhet Bej Vrionin dhe Islam Bej Vrionin, të cilët ishin edhe ndër profesorët e parë të saj. Hapi shkollën e parë të gjuhës shqipe në Berat së bashku me Nyzhet Bej Vrionin.
Familja e Vrionasit thuhet të origjinojë nga Celë Ibrahimi, djali i madh i Islam Beut. Celë Ibrahimi njihet për ndërtimin e një pusi në Vlorë, i cili ka rëndësi historike. Pusi i njohur si "Pusi i Celë Ibrahimit" është ndërtuar në kohën e tij dhe ka shërbyer si burim uji për komunitetin lokal, që nuk kishin mundësi për gjëra bazike, duke përfshirë ujë të pastër.[1] Konsiderohet si një pikë referimi në Vlorë dhe është emëruar për nder të kontributeve të Celë Ibrahimit për qytetin. Thuhet se ai u njoh dhe u nderua për këtë akt, dhe ai ose pasardhësit e tij e emërtuan familjen e tyre, nga fshati ku origjinojnë, fshati Virjon, i cili sot quhet Ullinjas.
Në shumë burime, shpesh herë pohoet që kjo familje është pasardhëse e dinastisë së Paleologëve.[2]
Kryeministër: 3 mandate, Ministër i Jashtëm: 5 mandate, Ministër i Plotfuqishëm: 2 mandate, Zv-Ministër i Drejtësisë: 1 mandat
Kryeministër: 1 mandat
Ministër i Jashtëm: 2 mandate, Ministër i Drejtësisë: 2 mandate
Ministër i Punëve Botore: 1 mandat, Ministër i Financave: 1 mandat, Ministër i Bujqësisë: 1 mandat
Ministër i Punëve Botore: 1 mandat, Ministër i Bujqësisë: 1 mandat, Ministër i Brendshëm: 1 mandat
Ministër i Financave: 1 mandat
Zëvendës-Kryeministër: 1 mandat, Ministër i Financave: 1 mandat, Ministër i Privatizimit: 1 mandat, Guvernator i Bankës së Shtetit: 1 mandat
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.