From Wikipedia, the free encyclopedia
Universitetet mesjetare ishin korporata të organizuara gjatë mesjetës për qëllime të arsimit të lartë. Institucionet e para në Evropën Perëndimore që konsiderohen përgjithësisht universitete u krijuan në Mbretërinë e Italisë (asokohe pjesë e Perandorisë së Shenjtë Romake), Mbretërinë e Anglisë, Mbretërinë e Francës, Mbretërinë e Spanjës dhe Mbretërinë e Portugalisë midis shekujve XI dhe XV, me qëllim të studimit të arteve të lira dhe disiplinat më të larta të teologjisë, drejtësisë dhe mjekësisë. [1] Gjatë shekullit XIV pati një rritje të numrit të universiteteve dhe kolegjeve në Evropë. [2] Këto universitete kanë evoluar nga disa shkolla shumë të vjetra të njohura si shkollat e katedraleve dhe shkollat e manastireve, prandaj edhe është e vështirë të përcaktohet data e saktë e transformimit të tyre në universitete të mirëfillta dhe të vërteta mesjetare, megjithëse listat e studimeve të përgjithshme (studium generale) për arsimin e lartë në Evropë të mbajtura nga Vatikani janë një udhëzues i dobishëm.
Edhe vetë termi universitas fillimisht përdorej vetëm për esnafet skolastike e që ishin, korporata të studentëve dhe mjeshtërve (masters) dhe ishte një emërtim që vazhdimisht ndryshonte, si Universitas magistrorum, Universitas scholarium, ose Universitas magistrorum et scholarium. Përfundimisht, aty kah fundi i shekullit XIV, termi filloi të shfaqej vetvetiu duke nënkuptuar ekskluzivisht një bashkësi vetërregulluese të mësimdhënësve dhe studiuesve të njohur dhe të sanksionuar nga autoriteti civil, mbretëror ose kishtar. [3]
Që nga periudha e hershme moderne e tutje, kjo formë organizative e stilit perëndimor u përhap gradualisht nga perëndimi mesjetar latin në të gjithë globin, duke zëvendësuar përfundimisht të gjitha institucionet e tjera të arsimit të lartë mesjetar dhe duke u bërë modeli kryesor i arsimit të lartë.
Universiteti përgjithësisht vlerësohet si një institucion zyrtar që e ka origjinën në periudhën mesjetare. [4] [5] Duhet theksuar se para themelimit të universiteteve, arsimi i lartë evropian u zhvillua për qindra vjet në shkollat e katedraleve ose shkollat e manastireve (scholae monasticae). Provat e këtyre institucioneve pararendëse të universiteteve të mëvonshme në shumë vende datojnë që nga shekulli VI. [6]
Disa studiues si Syed Farid Alatas kanë tërhequr disa paralele midis medreseve mesjetare islame dhe kolegjeve mesjetare evropiane duke konstatuar kështu se universitetet e para në Evropë, në njëfarë mase ishin paraqitur si rezultat i ndikimit të medreseve në Al-Andalusi dhe Emiratin e Siçilisë. [7] Megjithatë, studiues të tjerë si George Makdisi, Toby Huff dhe Norman Daniel, e kanë vënë në dyshim këtë konstatim, duke përmendur mungesën e provave për një transmetim aktual nga bota islame në Evropën e krishterë duke theksuar këtu ndryshimet në strukturën, metodologjitë, procedurat dhe programet mësimore e ligjore të "kolegjit islamik" (medrese) kundrejt universitetit evropian. [8] [9] [10] Në botën islame universiteti i parë konsiderohet të jetë Universiteti ez-Zituna në Tunizi, themeluar për herë të parë në vitin 737, ndërsa universiteti i parë i mirëfilltë konsiderohet Universiteti el-Karavijin themeluar nga ana e një gruaje të ditur të kohës Fatima el-Fihri në qytetin Fes të Marokut në vitin 859.
Hastings Rashdall parashtroi kuptimin modern të origjinës mesjetare të universiteteve, duke përmendur me këtë rast se universitetet më të hershme u paraqitën spontanisht, fillimisht si "Gilde Skolastike, qoftë e Mjeshtrave apo Studentëve ... pa ndonjë autorizim të shprehur të Mbretit, Papës, Princit ose Prelatit."
Ndër universitetet më të hershme të këtij lloji ishin Universiteti i Bolonjës (1088), Universiteti i Parisit (mësimdhënia mesi i shekullit XI, njohja formale 1150), Universiteti i Oksfordit (mës. 1096, njoh. 1167), Universiteti i Modenës (1175 ), Universiteti i Palencias (1208), Universiteti i Kembrixhit (1209), Universiteti i Salamankës (1218), Universiteti i Montpelies (1220), Universiteti i Padovës (1222), Universiteti i Tulusit (1229), Universiteti i Orleansit (1235), Universiteti i Sienas (1240), Universiteti i Valladolidit (1241) Universiteti i Northamptonit (1261), Universiteti i Coimbras (1288), Universiteti i Pisas (1343), Universiteti i Charlsit në Pragë (1348), Universiteti Jagiellonian (1364), Universiteti i Vjenës (1365), Universiteti Heidelbergut (1386) dhe Universiteti i Shën Andreut (1413). [11] [12]
Universiteti i parë mesjetar në Gadishullin Ballkanik konsiderohet të jetë Universiteti Mesjetar i Durrësit i cili pas pushtimit të qytetit të Durrësit nga ana e forcave turke në fillim të shekullit XVI u detyrua të ndërprente veprimtarinë e tij ndërsa një pjesë e kuadrit u transferua në qytetin e Zarës (sot qytet në Kroaci) për të themeluar Universitetin e Zarës.
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.