From Wikipedia, the free encyclopedia
Shpatajt kanë qenë një familje fisnike shqiptare e cila u fuqizua pas shembjes së perandorisë së Stefan Dushanit, kur bashkë me fisnikë tjerë shqiptarë shtrinë sundimin në Epir, Akarnani dhe Etoli. Pinjolli i tyre Gjin Bua Shpata sundonte territoret nga gjiri i Korintit deri në lumin Akeront.
Kjo familje fisnike filloi të shquhej kah fundi i shekullit XIII. Një dokument anzhuin i vitit 1304 i rendit në mesin e aristokratëve më në zë të Shqipërisë. Pas shembjes së perandorisë së Stefan Dushanit, Shpatajt dhe fisnikë tjerë shqiptarë e shtrinë sundimin e tyre në tërë Epirin dhe në krahinat fqinje të Akarnanisë dhe Etolisë. Qeveritari serb i Epirit iku në Thesali ndërsa artistokracia e vjetër serb dhe bizantine u strehua në Janinë.[1] Despoti bizantin Niqifori II Angelus u ndesh me forcat shqiptare në Akelou ku ushtria e tij u asgjësua dhe ai vetë humbi jetën. Pas betejës, krahinat jugore të Epirit, Akarnania dhe Etolia u përfshinë në kuadër të dy formacioneve shtetërore shqiptare. I pari me qendër në Artë kishte në krye fisnikun shqiptar Pjetër Losha, kurse i dyti me qendër në Angjelokastër kishte në krye fisnikun e derës Shpataj, Gjin Bua Shpata[2] Simeon Uroshi, duke mos qenë në gjendje të kontrollonte më Epirin të cilin tani e zotëronin shqiptarët, ua njohu zotërimet dhe u dha titullin despot.[3]
Pas vdekjes së Pjetër Loshës, zotërimet e Shpatajve u shtrinë nga Gjiri i Korintit në jug, deri në derdhjen e lumit Akeront në veri.[4] Në vitet 1375 dhe 1379 bënë përpjekje ta merrnin qytetin e Janinës i cili sundohej nga despoti serb Thoma Preljuboviç "Shqiptarovrasësi", i cili kishte marrë këtë nofkë nga bashkëkohësit për shkak të persekutimit të shqiptarëve. Për shkak të mureve të qytetit nuk ia arritën qëllimit.[5][6]
Pas vdekjes së Gjinit, zotërimet e tij u ndanë midis të afërmve të tij. Muriq Shpata e mënjanoi trashëgimtarin e ligjshëm të Gjinit dhe mori drejtimin e principatës. Marrëdhëniet me osmanët dhe despotin e Janinës, Esaun, u shtensionuan, por Murqi humbi përkrahjen e feudalëve shqiptarë nga Parga, Paramithia, Margëllëçi dhe Janina, të cilëve me anë të dhuratave u prishi mendjen konti i Qefalonisë, Karl Toko. Ky i fundit i rrëmbeu Muriqit zotërimet njërin pas tjetrit me synimin për t'u bërë despot i tërë Epirit. Gjatë një beteje me forcat e Kart Tokos, u vra Sguroi, vëllai i Gjin Bua Shpatës. I biri i Sguros në pamundësi për t'i ruajtur zotërimet, ia ofroi ato Venedikut.[7]
Muriqi vdiq më 1415 duke ia lënë pjesën e mbetur të principatës Jakupit, i cili në vitin 1416 u vra në një pritë të organizuar nga njerëzit e Karl Tokos.[8] Toko hyri në Artë në tetor 1416, kurse pinjollët e Shpatajve ose pranuan t'i nënshtrohen ose emigruan drejt Moresë.[9]
Emri "Shpata", mendohet se rrjedh nga gjuha latine dhe greke "spatha" që do të thotë "shpatë e gjatë",[10] e cila ka përdorim edhe në shqip për emërtimin e shpatës.[11]
Edhe pse historiani gjerman Karl Hopf ka dhënë një gjenealogji të familjes Shpata, ajo konsiderohet nga studiuesit modern si "në përgjithësi e pasakt".[12]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.