From Wikipedia, the free encyclopedia
Xhizje (arabisht جزية ǧizya xhizja = ″taksë për frymë, tribut″) quhet taksa e caktuar për të mbrojturit jo-myslimanë (dhimmi-t) nën sundimin islam.
Vjelja e kësaj takse nga popullsia e nënshtruar jo-myslimane, kur për ta bëhej fjalë për pjesëtarë të feve të librave (ahl al-kitab), d.m.th. çifutë dhe të krishterë, bazohet në kuran:
Në këtë varg të kuranit, i cili, sipas shkrimeve përputhëse me njëra-tjetrën të ekzegjezës së kuranit (tafsir-i) (ndër to at-Tabari, Ibn Kathir-i, el-Zamahshari etj.) është krijuar në sfondin historik të fushatave të Muhamedit kundra Perandorisë Bizantine dhe aleatëve të saj arabë në veri të Gadishullit Arabik të vitit 629[1], janë bazuar interpretimet juridike të literaturës ligjore të fundit të shekullit të 7-të dhe fillimit të shekullit të 8-të.[2] Niveli i kësaj takse varej nga sasia e pronës së taksapaguesit duke qenë kështu jo taksë kolektive.[3]
Jurisprudenca islame e trajton temën e xhizjes në kapitujt e xhihadit dhe në shkrimet mbi të drejtën e luftës, ku të drejtat dhe detyrat e jo-myslimanëve përcaktohen hollësisht duke u nisur vetëm nga këndvështrimi islam. Nëpërmjet pagimit të kësaj takse ata shndërroheshin në „të mbrojtur“, që gëzonin nën pushtetin mysliman mbrojtjen e jetës dhe të pronës (sasia e të cilës vendosej nga e drejta islame) si dhe të drejtën e ushtrimit të lirë të riteve fetare, e cila gjithashtu u nënshtrohej kufizimeve të ligjeve islame në fuqi.[4]
Ligjet më të vjetra mbi tatimin e jo-myslimanëve, të cilat e kanë origjinën në kohën e omajjadëve dhe janë të lidhura me emra autorësh si al-Auzāʿī, Ebu Hanife, Malik ibn Anas-i dhe esh-Shafii, janë trashëguar në veprën e at-Tabari-t „Teoritë kontroverse (të diskutueshme) të teologëve juridikë“.[5]
Të detyruar për pagimin e kësaj takse ishin meshkujt e rritur, të shëndoshë psiqikisht dhe fizikisht. Gratë, fëmijët dhe lypësit si dhe murgjit e manastireve të varfër ishin të liruar nga xhizje. Taksa duhej paguar në të holla ose me ato prodhime në natyrë që janë të lejuara nga ligjet islame. Vargu i mësipërm i kuranit është për shumë përfaqësues të drejtimeve juridike islame (madhab-it) një nga provat e shumta për sundimin dhe epërsinë e fesë islame mbi të nënshtruarit jo-myslimanë në perandorinë islame. Niveli i kësaj takse ndryshonte sipas rajonit dhe epokës së perandorisë islame. Lirimi i taksapaguesve nga xhizje ka qenë e mundur vetëm nëpërmjet konvertimit (ndërrimit të fesë) në fenë islame. Por kjo nuk ishte barrë për jo-myslimanet sepse ata ishin të liruar nga zeqati ndryshe nga myslimanët, po ashtu edhe nga sadakaja.
Se ç'rëndësi të madhe ka pasur kjo formë tatimi për sistemin shtetëror islam dhe për fikh-in e tregojnë analizat e hollësishme të juristit Ibn Kayyim al-Xhauzija (1292-1350) në librin e tij të rëndësishëm me titullin أحكام أهل الذمة = ahkam ahl al-dhimma = Aḥkām ahl al-ḏimma = detyrime ligjore për të mbrojturit, ku ai e përshkruan në mënyrë përmbledhëse çështjen e xhizje-s në mbi 160 faqe.
Format e tatimit kanë qenë të ndryshme: a) taksa në rajonet e nënshtruara me anë të kontratës së paqes (sulh) si psh. kontrata e Muhamedit me të krishterët e Naxhranit përgjatë udhës në shkretëtirë ndërmjet Mekkës dhe Jemenit, b) taksa në rajonet e nënshtruara me forcë (ʿanva), popullsia e të cilave nuk u ishte dorëzuar vetë myslimanëve. Sasinë dhe nivelin e taksave të formës së përmendur së fundi e kanë pasur në dorën vetëm autoritetet myslimane.[6]
Legjitimiteti i vjeljes së këtyre taksave është diskutuar hollësisht dhe në mënyrë kontroverse (polemike) nga teologët juridikë islamë. Mendimet e tyre përputhen në atë se legjitimiteti i taksës për frymë bazohet si në kuran (në suren 9, vargu 29 të përmendur më lart) ashtu edhe në sunna-n e Muhamedit dhe udhëzimet e tij. Teologët juridikë (si psh. ash-Shafii) kanë qenë të mendimit se forma e kësaj takse është një simbol i përulësisë së atyre që nuk e pranojnë doktrinën e fesë islame: „...deri sa të paguajnë me dorën e vet tribut pa bërë fjalë!“ [7]
Juristët e mëvonshëm e shihnin vjeljen e xhizje-s si nxitje për hyrjen në „rrugën e drejtë“ të atyre, të cilët ishin të detyruar të zgjidhnin, ose të pranonin fenë islame, ose të ngulin këmbë në "pafesinë" e tyre (kufr). Në fund të fundit kjo taksë konsiderohej (pavarësisht nga kushtet në të cilat ajo vendosej) si burim i sigurt të ardhurash për shtetin islam: „Ajo është një lloj poshtërimi për ta (jo-myslimanët) dhe ndihmë (financiare) për ne“. Në konceptimin bashkëkohor të kësaj politike fiskale (taksash) të historisë islame thuhet: „Të ardhurat vetë nuk janë kryesore për legjitimimin e xhizje-s. Kryesore është shumë më tepër nënshtrimi i të mbrojturve (ahl al-dhimma) ndaj sundimit të myslimanëve, për të jetuar pranë tyre që të njohin përparësitë e fesë islame dhe drejtësinë e myslimanëve në mënyrë që këto përparësi të bëhen për ta prova bindëse për të braktisur pafesinë (kufr) dhe për të pranuar fenë islame.“[8]
Sistemi i xhizje-s ka ekzistuar në Perandorinë Osmane deri në kohën e Luftës së Krimesë duke u zëvendësuar me anë të خط همايون = hatt-ı hümâyûn = dorëshkrimit kryezot të 18 shkurtit 1856 me taksën e lirimit ushtarak (osmanisht بدل عسکری = bedel-i askerî).[9] Pas revolucionit të Atatürk-ut xhizje u hoq përfundimisht; që atëherë kryejnë në Turqi edhe të krishterët shërbimin ushtarak.
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.