From Wikipedia, the free encyclopedia
Dinastia Rashtrakuta, e cila sundoi Dekanin nga Manyakheta në distriktin Gulbarga të Karnatakas në periudhën midis viteve 753 – 973 krijuan stilin dravidian dhe Rekhanagara të monumenteve arkitekturore. Dinastia Rashtrakuta kontribuoi shumë në trashëgiminë arkitekturore të Dekanit. Historiani i artit Adam Hardy e kategorizon aktivitetin e tyre ndërtues në tre shkolla: Ellora, rreth Badamit, Aihole dhe Pattadakali si dhe në Sirval afër Gulbargas.[1] Kontributi i dinastisë Rashtrakuta në art dhe arkitekturë është pasqyruar në tempujt e shkëlqyer shpellorë në Ellora dhe Elephanta, zona të zëna edhe nga murgjit xhainistë, të vend-ndodhura në Maharashtran moderne. Pattadakali, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe tempujt Navalinga janë tipe strukturore të Arkitekturës Rashtrakuta.
Shpellat Ellora fillimisht ishin pjesë e një kompleksi prej 34 shpellash budiste me gjasa të krijuara në gjysmën e parë të shekullit të VI, detajet strukturore të të cilave tregojnë ndikim pandyan. Tempujt shpellorë u zunë nga hindutë në periudhat e mëvonshme.[2] Mbretëria Rashtrakuta i rinovoi këto shpella budiste dhe rikushtuan faltoret shkëmbore. Amoghavarsha I u lidh me Xhainizmin dhe gjenden pesë shpella xhainiste në Ellora që i përkasin kësaj periudhe.[3] Vepra më e gjerë dhe më madhështore e mbretërisë Rashtrakuta në Ellora është krijimi i Tempullit monolitik Kailasa, një arritje e shkëlqyer që konfirmon statusin e "Balharas" si "një nga katër mbretërit kryesor të botës".[4] Muret e tempullit kanë skulptura të mrekullueshme nga mitologjia hindu duke përfshirë Ravanan, Shivan dhe Parvathin ndërsa tavani ka piktura.
Projekti i Tempullit Kailasanath u porosit nga mbreti Krishna I pasi sundimi Rashtrakuta ishte zgjeruar në Indinë e Jugut nga Dekani. Stili arkitekturor i përdorur është Karnata Dravida sipas Adam Hardy-t. Ai nuk përmban ndonjë nga Shikharat e zakonshme në stilin Nagara dhe u ndërtua në të njëjtën linjë si Tempulli Virupaksha në Pattadakal në Karnataka.[5][6] Sipas historianit të artit Vincent Smith, arritjet në Tempullin Kailasanath janë konsideruar një përsosje arkitekturore e tempullit monolitik shkëmbor dhe meriton të konsiderohet një nga mrekullitë e botës.[7] Sipas historianit të artit Percy Brown, si një arritje e artit, Tempulli Kailasanath është konsideruar një një vepër e pakrahasueshme e Arkitekturës shkëmbore, një monument që gjithmonë i ka emocionuar dhe mahnitur vizitorët.[8] Ndërsa disa studiues kanë pohuar se arkitektura në Elephanta është e atribueshme dinastisë Kalachuri, të tjerë pohojnë se ajo u ndërtua gjatë periudhës Rashtrakuta.[9] Disa nga skulpturat si ajo e Natarajas dhe Sadashivas shkëlqejnë në bukurinë dhe mjeshtërinë ashtu si dhe ajo e skulpturave të Elloras.[10] Skulpturat e famshme në Elephanta përfshijnë atë të Ardhanarishvaras dhe Maheshamurthy-t. Kjo e fundit, një shtatore me tre fytyra e zotit Shiva, është 8 m e lartë dhe konsiderohet një nga skulpturat më të rafinuara në Indi. Është thënë se, në botën e skulpturës, pak vepra që paraqesin një hyjni janë aq të balancuara.[11] Tempuj të tjerë të famshëm në rajonin e Maharashtras janë Dhumer Lena dhe Tempujt shpellorë Dashvatara në Ellora (i famshëm për skulpturat e tij të Vishnut dhe Shivaleelas) dhe Tempulli Jogeshvari afër Bombeit.
Në Karnataka tempujt e tyre më të famshëm janë Tempulli Kashivishvanatha dhe tempulli xhainist Narayana në Pattadakal, një sit i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.[12][13] Tempuj të tjerë të mirë-njohur janë Tempulli Parameshwara në Konnur, Tempulli Brahmadeva në Savadi, Settavva, Kontigudi II, Tempujt Jadaragudi dhe Ambigeragudi në Aihole, Tempulli Mallikarjuna në Ron, Tempulli Andhakeshwara në Hooli, Tempulli Someshwara në Sogal, Tempujt xhainistë në Lokapura, Tempulli Navalinga në Kuknur, Tempulli Kumaraswamy në Sandur, tempuj të shumtë në Shirival në Gulbarga,[14] dhe Tempulli Trikuteshwara në Gadag që më vonë u zgjerua nga Dinastia Kalyani Chalukya. Studimi arkeologjik i këtyre tempujve tregon se disa kanë planimetri stelare (shumë-këndëshe) që do të përdorej gjerësisht më vonë nga Dinastia Hoysala në Belur dhe Halebidu.[15] Një nga traditat më të pasura në arkitekturën indiane mori formë në rajonin e Dekanit gjatë kësaj kohe që Adam Hardy e quan stili Karnata dravida në dallim nga stili tradicional dravida.[16]
Një grup monumentesh në Pattadakal, një sit i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, gjendet në distriktin Bijapur të Karnatakas. Tempujt e këtij grupi janë tempuj të rafinuar strukturor të kësaj periudhe dhe janë tempujt xhainë, Dolmen, Kadasiddheswara, Jambulingeswara, Galaganatha, Chandrashekhara, Sangameswara, Kasivisëeswara, Mallikarjuna, Virupaksha dhe Papanatha.[17] Uniciteti i këtij vendi rrjedh nga prania e stilit Dravidian ose jugor dhe Nagara ose veriore (indo-arjane) të arkitekturës tempullore. Nga dhjetë tempujt në Pattadakal, gjashtë janë në stilin dravidian dhe katër në stilin Rekhanagara. Tempujt më të famshëm janë Virupaksha, Tempulli xhainist Narayana dhe Tempulli Kashivishvanatha në Pattadakal. I mirë-njohuri Virupaksha, më i hershmi i tempujve në serinë chalukyane, u ndërtua nga mbretëresha Lokamahadevi në vitin 745 për të përkujtuar fitoren e burrit të saj (Vikramaditya II 733 – 746) mbi Dinastinë Pallava të Kanchit. Tempulli është shumë i ngjashëm me tempullin Kailashnatha në Kanchi që shërbeu si model për këtë tempull. Tempulli Virupaksha nga ana tjetër shërbeu si frymëzim për Tempullin Kailashnatha të ndërtuar nga Dinastia Rashtrakuta në Ellora.
Tempulli Virupaksha është i pasur me skulptura si ato të Lingodbhavas, Natarajas, Ravananugrahas dhe Ugra-narasimhas. Archaeological Survey of India (ASI) ka pohuar se vimana e lartë me mandapa aksiale dhe nën-faltore periferike rreth oborrit, rrethuar nga një mur me hyrje gopura përballë dhe mbrapa ishin të gjitha të dizajnuara dhe përfunduara në një kohë. Adoptimet nga Tempulli bregdetar në Mahabalipuram në formën e kutas dhe kokat e tyre kanë një pamje befasuese nga larg.[17]
Tempulli Sangameshvara i ndërtuar nga mbreti Vijayaditya Satyashraya është i papërfunduar, megjithëse mjaft tërheqës. Është tempulli më i vjetër i ndërtuar nga Vijayaditya Satyashraya (697 – 733) dhe në vimanan e tij paraqet një masë të madhe të tempujve bashkohës Pallava në elementet e qetë, si në tempujt Virupaksha dhe Mallikarjuna. Tempulli ka plan katror nga baza deri te shikhara ngjashmërisht me Tempullin Virupaksha, nuk ka sukanasika por vimana është me tre kate. Kati më i ulët është i rrethuar nga dy mure, një i brendshëm dhe një i jashtëm, kati i dytë është një projeksion i sipërm i murit të brendshëm, ndërsa muri i jashtëm rrethon cirkumambulatorin rreth shenjtërores.[17]
Tempulli Galaganatha, i drejtuar nga lindja, i ndërtuar rreth vitit 750, në stilin e rafinuar arkitekturor rekha-nagara prasada përmban një skulpturë të zotit Shiva duke vrarë demonin Andhakasura. Tempulli, i ndërtuar mbi një plintë me tre modanatura të zbukuruara mjeshtërisht, përfshin një shenjtërore (garbhagriha) që ka një linga dhe një vestibul (antarala), të dy të rrethuar nga një kalim cirkumambulator i mbyllur (pradakshinapatha), një holl (sabha–mandapa) dhe një verandë hyrjeje (mukha-mandapa). Veçoria më befasuese e tempullit është struktura e sipërme veriore (rekha-nagara shikhara) e ruajtur mirë, e kryesuar nga amalaka dhe kalasha. Skulptura e bujtur në këtë pavjon është e Shivës duke vrarë Andhakasuran. Zoti me tetë krahë vesh një kurorë kafkash njerëzore (munda-mala) si një rrip i shenjtë (yajnopavita) dhe është paraqitur pasi shpon demonin me trident (trisula).[18]
Tempulli Papanatha, i ndërtuar rreth vitit 740, ashtu si për të dhënat e ASI-t, është në stilin Vesara. Tempulli u nis në stilin nagara, por më vonë ndryshoi në stilin më të balancuar dravidian. Skulpturat e tij paraqesin skena nga Ramayana dhe Mahabharatha. Plani i tempullit ka një shenjtërore (garbhagriha) të rrethuar nga një kalim cirkumambulator (pradakshinapatha) me pavjone devakoshtha në tre muret e tij, një ardha-mandapa, një sabha-mandapa dhe një verandë hyrëse (mukhamandapa) të pajisur me kakshasana. Një shikhara rekha-nagar (veriore) të zhvilluar mirë me një hark të skalitur mjeshtërisht Chaitya që bujt Natarajan përballë sukanasas është një veçori në këtë tempull.[19] Ky tempull ka shumë ngjashmëri me Tempullin Navabrahma në Alampur të Andra Pradeshit, që u ndërtua po ashtu nga e njëjta dinasti.
Studimet arkeologjike të gjithë tempujve të Pattadakalit tregojnë se disa kishin plan yllor (shumë-këndor) më vonë i përdorur gjerësisht nga Dinastia Hoysala e Belurit dhe Halebidus.[15] Një tjetër monument i shkëlqyer në Pattadakal është Tempulli Navalinga në Kuknur.
Tempulli Navalinga u ndërtua në shekullin e IX, gjatë mbretërimit të mbretit Amoghavarsha I ose djali i tij Krishna II i Dinastisë Rashtrakuta. Tempulli gjendet në qytetin e Kukkanurit, 40 km larg nga Gadagu. I ndërtuar në stilin dravidian të arkitekturës së Indisë së Jugut, secili nga nëntë tempujt e kompleksit ka një linga, simboli i përbotshëm i hynisë hindu Shiva dhe në këtë mënyrë të emërtuar Navalinga (që do të thotë nëntë lingat).[20][21]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.