![cover image](https://wikiwandv2-19431.kxcdn.com/_next/image?url=https://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/6/6c/Egypt.Giza.Sphinx.02.jpg/640px-Egypt.Giza.Sphinx.02.jpg&w=640&q=50)
Qytetërimi
From Wikipedia, the free encyclopedia
Qytetërimi është çdo shoqëri e ndërlikuar e karakterizuar nga zhvillimi i një shteti, shtresimi shoqëror, urbanizimi dhe sistemet simbolike të komunikimit përtej gjuhës natyrore të folur (domethënë, një sistem shkrimi).[2][3][4][5][6][7][8][9]
![Thumb image](http://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/6/6c/Egypt.Giza.Sphinx.02.jpg/640px-Egypt.Giza.Sphinx.02.jpg)
Qytetërimet janë të lidhura ngushtë me karakteristika shtesë si qendërzimi, zbutja e specieve bimore dhe shtazore (përfshirë njerëzit), specializimi i punës, ideologjitë e rrënjosura kulturore të progresit, arkitektura monumentale, tatimet, varësia e shoqërisë nga bujqësia dhe ekspansionizmi.[3][4][5][7][8][9]
Historikisht, një qytetërim është kuptuar shpesh si një kulturë më e madhe dhe "më e avancuar", në kontrast të nënkuptuar me kulturat më të vogla, gjoja më pak të përparuara.[2][4][5][10] Në këtë kuptim të gjerë, një qytetërim është në kontrast me shoqëritë fisnore jo të qendërzuar, duke përfshirë kulturat e blegtorëve nomadë, shoqëritë neolitike ose gjuetarët-mbledhës; megjithatë, ndonjëherë ajo bie ndesh edhe me kulturat që gjenden brenda vetë qytetërimeve. Qytetërimet janë vendbanime të organizuara me popullsi të dendur të ndara në klasa shoqërore hierarkike me një elitë sunduese dhe me popullsi vartëse urbane dhe rurale, të cilat merren me bujqësi intensive, xehetaria, prodhim dhe tregti në shkallë të vogël. Qytetërimi përqendron fuqinë, duke shtrirë kontrollin e njeriut mbi pjesën tjetër të natyrës, duke përfshirë mbi qeniet e tjera njerëzore.[11]
Qytetërimi, siç sugjeron etimologjia e tij, është një koncept i lidhur fillimisht me qytezat dhe qytetet. Shfaqja më e hershme e qytetërimeve lidhet përgjithësisht me fazat përfundimtare të Revolucionit Neolitik në Azinë Perëndimore, duke kulmuar në procesin relativisht të shpejtë të revolucionit urban dhe shtetformimit, një zhvillim politik i lidhur me shfaqjen e një elite qeverisëse.