organizatë politike shqiptare (1878–81) From Wikipedia, the free encyclopedia
Lidhja e Prizrenit (turqisht: Prizren Itifaki ose Ittihadi), ishte një organizim politik i parisë së katër vilajeteve që ishin shumicë shqiptare për nga popullsia në Perandorinë Osmane, themeluar zyrtarisht më 10 qershor 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, qytet ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.
Formuar më | 10 qershor 1878 |
---|---|
Themelues | 47 bejlerë shqiptarë |
Shpërbërë më | Prill 1881 |
Udhëheqësi | Abdyl Frashëri |
Traktatet e Shën Stefanit dhe Berlinit u kishin caktuar territore të banuara edhe nga shqiptarë shteteve të tjera pas Luftës Ruso-Turke, shqiptarët u përgatitën për rezistencë kombëtare. Në pamundësi që Perandoria Osmane t'u shmangej traktateve, Sulltan Abdyl-Hamidi II thirri në Stamboll Sheh Mustafa Tetovën dhe Abdyl bej Dume-Frashërin në shenjë përkrahjeje; dhe u shkroi letra kadiut të Gjakovës Ahmet efendi Koronicës, myderrizit të Prizrenit Ymer Efendiut dhe myftiut të Dibrës Jonuz Efendiut, ndërsa i dha urdhër komandantëve ushtarakë në vilajetet shqiptare që të mos e pengonin zhvillimin e Lidhjes.[1][2]
Qëndrimet fillestare të Lidhjes, në krye të komitetit qendror të së cilës ishte Iljaz pashë Dibra, u parashtruan në Kararname. Në këtë dokument prijësit shqiptarë theksonin synimin e tyre që të ruanin dhe mbanin integritetin e territoreve të Perandorisë Osmane në Ballkan në mbështetje të Portës. Megjithatë qëndrimet dhe projekti i Lidhjes përvijoi ndryshe duke përshfaqur rrymat e brendshme.
Lufta Ruso-Turke e viteve 1877-78 i dha goditje të rëndë fuqisë osmane në Ballkan, duke i lënë Perandorisë Osmane në zotërim vetëm vilajetet shqiptare dhe Ballkanin Lindor. Nga fundi i 1877-s qëndresa u bë e vështirë; më 13 dhjetor 1877 Serbia i shpalli luftë Perandorisë Osmane, edhe Mali i Zi po ashtu. Të dy shtetet mbështeteshin nga Ushtria Ruse dhe i shtrinë sulmet e tyre në Shqipërinë Veriperëndimore dhe Verilindore.[3] Pas pushtimit të këtyre territoreve, ofiqarët osmanë shumica prej tyre të etnisë shqiptare, lironin territoret dhe/ose dëboheshin. Gjatë kësaj lufte, ushtria serbe shpërnguli dhe dëboi shumicën e popullsisë muslimane në sanxhakun e Nishit dhe rrethinat e Toplicës drejt vilajetit të Kosovës duke rritur trazimet që parapërgatitën frymën e Lidhjes si kundërpërgjigje ndaj Krizës së Madhe Lindore.[4] Më 27 shkurt 1878 andartë grekë, të udhëhequr nga dy shqiptarë ortodoksë,[5] Minoas Lappas dhe qepariotit major Gogo Stefani, zbarkuan në Sarandë dhe shtinë në dorë Gjashtën dhe Lëkurësin. Më 4 mars ata u dëbuan dhe u shpërndanë nga njësitë e nisura prej Janinës.[6]
Droja e shqiptarëve se mos territoret e tyre do të ndaheshin mes Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë i mbushi me zell për të bërë qëndresë.[7][8] Në traktatin e parë të pasluftës, në Shën Stefan, u nënshkrua dorëzimi i disa territoreve të Perandorisë Osmane, ndër to edhe territore të banuara nga shqiptarë.[9] Perandoria Austro-Hungareze dhe Britania e Madhe e bllokuan marrëveshjen, duke qenë se do t'i jepte Rusisë pozicione kyçe në Ballkan, duke prishur kësodore peshoren e fuqive. Për ta zgjidhur këtë çështje, një konferencë paqeje u mbajt po atë vit në Berlin.[10][11]
Krejt situata çoi në organizimin e shqiptarëve me këshillimin e Stambollit në këshilla vendorë për të mbrojtur territoret e banuara nga shqiptarët.[12] Të nxitur nga rrethanat, në dhjetor të 1877-s Abdyl Frashëri organizoi Komitetin e Stambollit - anëtarët bënë një mbledhje të përgjithshme majin e 1878-s.[10][13]
Shih edhe: Rrymat Politike dhe Protestat Shqiptare; Kuvendi i Prevezës
Më 10 qershor 1878 përfaqësues nga paria shqiptare e Vilajetit të Kosovës u mblodhën në xhaminë Bajraklie[14] të Prizrenit për të ngritur një platformë si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të marra në Traktatin e Shën Stefanit. Në mbledhjen e parisë më 18 qershor u radhitën qëndrimet e mbajtura në një shkresë të vendimeve quajtur Kararnamé, që u firmos nga 47 përfaqësues të kazave të vilajetit, ku në krye janë firmat e Iljaz pashë Dibrës dhe Abdullah pashë Drenit.[15] Po atë ditë paria e Shkodrës i telegrafoi shtabit të Lidhjes se do t'i bashkohej lëvizjes dhe se së shpejti do të dërgonte delegatët.[16] Më 23 qershor do të ishin të pranishëm krejt delegatët e qyteteve shqiptare në Prizren. Më 30 qershor u paraqitën edhe delegatët e Shkodrës me Jusuf agë Sokolin me një delegat të Podgorica dhe 7 krenë prej Malësie.[16][17]
Në Kararnamé u dokumentua vullneti nistor i organizimit, ku flitej për tërësinë territoriale të perandorisë dhe t'u rikthehej status quo-ja e para Luftës Ruso-Turke.[18][19] Synimi kryesor ishte mbrojtja ndaj rreziqeve të mënjëhershme, lakohej mbrojtja e Dinit, Devletit dhe Vatanit,[20] mosnjohja e Bullgarisë dhe rikthimi me armë i territoreve të pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi nëse nuk do t'i dorëzonin me vullnet të lirë.[15]
Delegatët ngritën një organizim, Lidhjen e Prizrenit, që kishte fuqinë të vendoste taksa dhe të mobilizonte një ushtri.[13][21] Pas një mbledhjeje, Lidhja u organizua në tre komitete, për Punët e Jashtme, për të Brendshmet dhe për Financat.
Këta komisione funksiononin vetëm në kohë të mbledhjes së përgjithshme. Detyrat e tyre i mbikëqyrte Dega lokale e Prizrenit që kryesohej prej Ymer efendi Prizrenit.[22]
Lidhja në korrik u nda në komitete,[14] të cilat kishin dy degë madhore: e veriut me qendër në Prizren dhe e jugut.[10][21] Dega e Prizrenit drejtohej nga Iljaz pashë Çoku me përfaqësues nga Kërçova, Tetova, Prishtina, Mitrovica, Vuçitërna, Shkupi, Gjilani, Manastiri, Dibra dhe Gostivari.[15] Komisioni i Degës së Shkodrës përbëhej kryetarit Daut efendi Boriçit, Selim efendi Çoba, Shaban beu i Bushatllinjve, Haxhi agë Lohja, Selim agë Gjyrezi, Et'hem agë Kazazi, Ibrahim efendi Dragusha, Ibrahim Idriz Hoxha, Osman Bekteshi, Filip Çeka, Ndrekë Shiroka, Gjon Muzhani e Zef Simoni. Për këtë degë, Et'hem agë Kazazi qëndronte gjithnjë në Prizren.[16] Dega e jugut që kishte mbajtur një takim po të tillë në Gjirokastër, drejtohej prej Abdyl Frashërit dhe përbëhej prej përfaqësuesve të Kolonjës, Korçës, Artës, Beratit, Pargës, Gjirokastrës, Përmetit, Paramithisë, Filatit, Margëlliçit, Vlorës, Tepelenës dhe Delvinës.[23] Në këto vise lëvizja mbështetej më shumë tek elementi musliman, për arsye se elementi ortodoks ishte më së shumti nën ndikimin grek.[24] Nga ana tjetër, në veri muslimanët me katolikët ishin bërë palë për synimet e Lidhjes.[13][24] Të dy komitetet hynin në kontakt me njëri-tjetrin nga njerëz të besuar që piqeshin në Elbasan.[25]
Mbasi u hap Kongresi i Berlinit më 13 qershor, dega e Lidhjes me pëlqimin e vilajetit të Shkodrës dhe Sanxhakut të Dibrës, vendosën me i nisë një telegram Kongresit me lutje që Tivari, Shpuza, Podgorica t'i mbeteshin vilajetit të Shkodrës.[26] Telegrami u nënshkrua prej 500 vetëve në Shkodër, nga të cilët më të rëndësishmit ishin: Daut efendi Boriçi në cilësinë e kryetarit të degës, Jusuf agë Sokoli, Selim agë Gjyrezi, Filip Suma, Gjon Muzhani, etj.[16] Memorandumi nuk u përfill nga Kongresi, që ua njohu kërkesat Serbisë dhe Bullgarisë ndaj territoreve të lëshuara nga Perandoria Osmane krahas kërkesave shqiptare.[27] Kancelari prusian, Bismark, e çmoi Ballkanin si pjesë e Çështjes Lindore se "i gjithi nuk ia vlen as sa eshtrat e shëndetshme të një granadieri të vetëm pomeranez".[28]
Qëndrimet e Lidhjes u përkrahën po ashtu edhe nga kolonia shqiptare e Stambollit, e përbërë prej nëpunësish të mëdhenj dhe të vegjël, të cilët më 20 qershor 1878 i nisën një memorandum ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy. Në memorandum i luteshin që të kishin parasysh të drejtat shqiptare. Pjesë nga memorandumi ku kërkohej përparimi i synimeve kombëtare:
«[...] Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Ti Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj. Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit. [...]»
Më 21 qershor, ish-deputeti i Podgoricës në Mexhlisin Osman, Jusuf Efendiu u drejtoi një telegram fuqive të mëdha dhe një Kongresit që Podgorica t'i mbetej Perandorisë Osmane. Rilindasi Jeronim de Rada i dërgoi një letër kryeministrit britanik, lordit Beaconsfield me të cilën i lutej që të interesohej për të drejtat shqiptare.[29]
Shih edhe: Aksioni i Gjakovës; Beteja e Plavës dhe Gucisë; Lufta e Ulqinit; Kuvendi i Dibrës; Veprime Ushtarake te Lidhjes
Marshalli osman Mehmed pashë Maxharri, pjesë e delegacionit osman në Kongresin e Berlinit, u caktua të mbikëqyrte përcaktimin e kufijve të rinj në viset veriore shqiptare, përkatësisht kazanë e Gucisë. Me të vajtur për të përcjellur lajmin e ardhur nga Stambolli, ana më e bindur e Lidhjes i kërkuan që të largohej, mirëpo ra mik tek kryetari i degës së Lidhjes në Gjakovë, mikut të tij Abdullah pashë Drenit. Ndodhia u përshkallëzua ngaqë Abdullah Pasha nuk e dorëzonte dot mysafirin, si pasojë u rrethua dhe u vranë të dy pashallarët në atë që njihet si Aksioni i Gjakovës. Kjo gjakderdhje mbahet si veprimi i parë ushtarak i Lidhjes kundër nismës së dorëzimit të një territori të banuar nga shqiptarë.[30]
Fuqitë e Lidhjes u përplasën me njësitë malazeze nga tetori i 1879 deri në janar të 1880 në Plavë e Guci, me në krye Ali pashë Gucinë. Pas qëndresës për lëshimin e atyre viseve, u mendua t'i jepej Malit të Zi një rrip toke buzë lumit Cem sipas kompromisit i Kortit, delegat i Italisë në Kongres. Porsa u mor vesh ndërrimi i Plavës dhe Gucisë me Hotin, 2/3 e Grudës dhe stane e kullota të Kelmendit,[31] bajraktarët e viseve i dërguan lutje konsullit austro-hungarez në Shkodër. Me datën 11 prill 1880 në një mbledhje Dega e Lidhjes në Bibliotekën e Pazarit u vendos mbyllja e Pazarit dhe u lajmërua populli të ishte gati për luftë. Më 22 prill komandanti i ushtrisë së Tuzit, Haxhi Osman Pasha, ndoqi urdhërin e dorëzimit të territoreve ndaj malazezëve, por u shpërndau fishekë e armë vullnetarëve shqiptarë. Nga Shkodra u mobilizuan 1500 burra të armatosun, të drejtuar nga Hodo Begu dhe më pas iu shtua kapidani Preng Bibë Doda. Beteja e parë mes forcave u zhvillua te Ura e Rrzhanicës. Pas qëndresës së radhës, Fuqitë e Mëdha ripërcaktuan lëshimin e territoreve duke i dhënë Malit të Zi, Ulqinin me rrethet e tij deri në Bunë.[32]
Më 27 shtator 1878 në gazetën "Tercüman-i sark", botuar në Stamboll, kryeredaktor i së cilës ishte Sami Frashëri, u botua një program autonomie për vilajetet e banuara nga shqiptarët. Sipas tij, duhej që këto vilajete:
1. të bashkoheshin në një vilajet shqiptar;
2. nëpunësit që do të punonin atje të dinin gjuhën shqipe;
3. dy herë në vit të mblidhej një Kuvend i Përgjithshëm i vilajetit;
4. gjuha e shkollës dhe e administratës të jetë shqipja, turqishtja të përdorej vetëm në komunikim me pushtetin qendror;
5. të krijohej një milici shqiptare për gjithë vilajetin.
Qëndrimi fillestar centralist i dokumentuar te Kararnameja mori kahje autonomiste nga fundi i 1880,[33] me sa duket nga ndikimi i Abdyl Frashërit.[34]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.