Frashërllinjtë
diplomat shqiptar / From Wikipedia, the free encyclopedia
Frashërllinjtë përbëjnë disa nga trungjet fisnike më patriote shqiptare të ndarë në disa degë dhe disa konfesione (të krishterë ortodoksë, myslimanë synitë e bektashinj). Kontributi që secila nga këto degë ka dhënë në historinë e Shqipërisë sidomos që prej gjysmës së dytë të shekullit XIX ka qenë vendimtar për emancipimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe identitetit shtetëror dhe krijimin e një gjuhe të shkruar e një letërsie me nivel të lartë. Dyert e bejlerëve të Frashërit, përveç Vilakëve që i dhanë Perandorisë Osmane vezirë, bejlerbej e mirimiranë, nuk bëjnë pjesë nominalisht në kategorinë e «oxhaqeve» të mëdhenj për arsye se ata nuk ishin pronarë të mëdhenj latifondistë, por më tepër funksionarë të lartë të perandorisë dhe tregtarë të mëdhenj dhe në më të shumtën e rasteve me rezidencë në Stamboll. Titujt që shumë Frashërllinj kanë mbajtur kanë qenë në bej me rytbe (që prej 1700) me ferman të sulltanit të Turqisë, por edhe bej me letër patente nga zv/mbreti dhe mbreti i Egjiptit (rasti i familjes Adhamidhi-Frashëri për shembull). Pashallarë qenë dega e Vilakëve dhe e Sulejmanbellinjve të Frashërit. Dy familje Frashëri kanë stema personale: Adhamidhi dhe Totoni.