Çarls Darvin
From Wikipedia, the free encyclopedia
'Luani 007 (12 Shkurt 1809, në Shrewsbury – 19 prill 1882, në Downe) ishte një natyralist anglez, pjesëtar në "Royal Society" dhe themeloi teorinë e evolucionit sipas së cilës të gjitha krijesat zhvillohen me kalimin e kohës, e publikuar në librat e tij.[1][2] Sipas tij zhvillimi i krijesave të gjalla që ndanin midis tyre të njëjtin paraardhës, ishte rrjedhojë e një procesi të quajtur seleksionimi natyror (përzgjedhja natyrore). Evolucioni dhe seleksionimi natyror ishin një ide shumë përparimtare për kohën dhe, pavarësisht kritikave e debateve të shumta, shumë shkencëtarë dhe njerëz të thjeshtë të kohës e pranuan atë si fakt.[3] Megjithatë vetëm me themelimin e sintezës moderne evolucioniste nga vitet 1930 deri në 1950-n, u pranua se selektimi natyror ishte mekanizimi bazë i evolucionit.[4] E thënë ndryshe, zbulimi shkencor i Darvinit është teoria bashkuese e shkencës natyrore duke shpjeguar diversitetin (larminë) e gjallesave.[5][6]
Në Universitetin e Edinburgut, Darvini i neglizhoi studimet mjekësore dhe ndihmoi në hetimin e gjallesave jovertebrore ujore. Udhëtimi i tij 5-vjeçar me anijen "Beagle" (shqiptimi: Bigëll) e bëri atë zyrtarisht një gjeolog të kualifikuar, studimet dhe teoritë e të cilit mbështetnin idetë e uniformiste të Charles Lyell-it. Publikimi i ditarit të tij, të mbajtur gjatë udhëtimit me Beagle-in, i dhanë atij famë të madhe. Duke studiuar larminë e gjallesave në vende të ndryshme të botës dhe fosilet e mbledhura gjatë udhëtimit të tij, Darvini thelloi studimet mbi transmutacionin e llojeve dhe formuloi teorinë e përzgjedhjes natyrore në vitin 1838. Edhe pse ai shpesh e diskutonte teorinë e vet me natyralistë të tjerë, atij iu desh kohë ta përfundonte me sukses shpjegimin e teorisë, ndërkohë që objektivi primar vazhdonte të ishte puna si gjeolog. Ai ishte akoma duke përpunuar teorinë në vitin 1858, kur Alfred Russel Vallace-i i dërgoi esenë e hartuar prej tij, në të cilën përshkruhej e njëjta ide, duke bërë kështu që të dyja esetë të publikoheshin si një e vetme.
Libri i publikuar në 1859-n “Mbi origjinën e llojeve” (origjinali: “On the Origin of Species”) themeloi evolucionin si shpjegimi më i saktë shkencor mbi diversitetin në natyrë të jetës. Ai ekzaminoi evolucionin njerëzor dhe selektimin/përzgjedhjen seksual/e në librin “Mbi prejardhjen e njeriut dhe selektimi në lidhje me seksin” (origjinali: “The Descent of Man, dhe Selection in Relation to Sex), libër i ndjekur nga libri tjetër “Shprehja e emocioneve tek njerëzit dhe kafshët.” (origjinali: The Expression of the Emotions in Man and Animals”). Kërkimet e tij të mëtejshme mbi bimët u publikua në një seri librash të ndryshëm, ndërsa libri i tij i fundit bënte fjalë për krimbat e tokës dhe efektet e tyre mbi tokën bujqësore.
Çarls Darvin ishte një nga pesë personat pa prejardhje mbretërore të cilit iu krye një shërbim funebër nga shteti në shekullin XIX. Ai u varros në Uestminister Abbey, pranë varreve të John Herschel dhe Isaac Newton.