From Wikipedia, the free encyclopedia
Memoriali i Skënderbeut është një objekt përkujtues i Skënderbeut i ndërtuar më 1981 në gërmadhat e Xhamisë Selimije në Lezhë.[1]
Katedralja e dikurshme e Lezhës, e cila i kushtohej Shën Nikollës, qe një ndërtesë e stilit gotik kolonial. Qe në duart e të krishterëve deri në çerekun e fundit të shekullit XVI, dhe gjatë viteve '80 të atij shekulli aty u ndërtua xhamia. Gjatë viteve 1620-1630 kjo xhami u braktis dhe mbeti rrënojë deri nga fundi i shekullit XVIII, kohë gjatë së cilës, u rindërtua nga Sulltan Selimi III.[2]
Deri me Revolucionin Kulturor, objekti ishte në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duke qenë xhami. Më pas kaloi në pronësi të Institutit të Monumenteve në Tiranë.[3] Minareja qëndroi deri më 1978, por me tërmetin e 1979 u shemb.[2]
Me gërmimet e bëra më 1968 u nxorrën në pah mbetjet e një katedraleje të shekullit XV.[3] Prej gërmimeve të drejtuara nga Frano Prendi dhe Koço Zheku, u mendua se gjurmët e kishës ishin pikërisht të katedrales së Shën Kollit - megjithëse këtë e ka kundërshtuar Kristo Frashëri. Më tej u zbuluan themele ndërtimesh pagane të shekullit të III, disa pagëzimore paleokristiane të ndërtuara në gjysmën e parë të shekullit të VI dhe dy faza ndërtimi kishtar të periudhës bizantine.[4]
Gjatë rindërtimit të qytetit pas tërmetit të 1979, u vendos heqja e shtresës osmane dhe shndërrimi i themeleve të kishës së vjetër në një monument madhështor modern.[2] Punimet u kryen në vitet në vazhdim dhe përfunduan më 1981[1] ose pak para 1983.[2]
Sipas konsullit austro-hungarez Theodor Ippen në vilajetin e Shkodrës, pranë portës lindore të kalasë së Lezhës qenë varret e familjes së bejlerëve të Lezhës si dhe një tyrbe e një evlijai të harruar.[5] Historiani Kristo Frashëri në librin e tij për Skënderbeun përcjell vizitën e mundshme të udhëtarit R. C. Woodville Jr. në Lezhë në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1880). Woodville botoi një vizatim në revistën Scribner’s Monthly me titullin "Tomb of Scanderbeg at Alessio". Vizatimi tregon një tyrbe për Skënderbeun dhe dy roje, njëri i veshur me çakshirë e tjetri me fustanellë. Sipas traditës popullore kjo tyrbe mbrohej prej dervishëve bektashinj.[6] Frashëri përkundër narrativës së Prendit, ka qenë i mendimit se varri është në kalanë e Lezhës.[4]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.