politikan shqiptar From Wikipedia, the free encyclopedia
Sotir Peci (Dardhë, 5 maj 1873 - Follorinë, 8 prill 1932) ishte botues, publicist, nëpunës dhe ministër shqiptar. Hartoi dhe botoi një gramatikë të gjuhës shqipe, e cila qarkulloi në vitet 1901-1912. Sipas një artikulli shkruar nga i biri, Gaqo Peci, më 1974, kishte nisur hartimin e një fjalori me mbi 24 mijë fjalë.[1]
Sotir Peci | |
---|---|
Ministër i Arsimit | |
Në detyrë 30 janar – 14 nëntor, 1920 | |
Paraprirë nga | Luigj Gurakuqi |
Pasuar nga | Kristo Floqi |
Në detyrë 11 korrik – 16 tetor, 1921 | |
Paraprirë nga | K. Floqi |
Pasuar nga | Hilë Mosi |
Regjent | |
Në detyrë 25 dhjetor, 1921 – 31 janar, 1925 | |
Paraprirë nga | Mihal Turtulli |
Pasuar nga | shpallja e Republikës Presidenciale |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 5 maj, 1873 Dardhë, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 9 prill, 1932 Follorinë, Greqi |
Nënshtetësia | Shqiptar |
Bashkëshortja/et | Antigonea |
Fëmijët | Janko, Gaqo (Korçë, 1920), Koço dhe Luiza |
Punësimi | mësues, botues, nëpunës |
U lind në Dardhë i biri i Jovanit dhe Merenxës, i ati ishte tregtar i kamur i qerestesë Jovanit, e ëma ishte fëmija i vetëm i Jovan Themeliut, dardhar të zhvendosur në Mesolongji. Gjyshi i tij nga e ëma, Jovani dhe i vëllai Athanasi, qenë pjesëmarrës aktivë në kryengritjen e Limbozit kundër Perandorisë Osmane më 1854. Për kontributin e tyre mbreti Otho u fali një çiflig në Gavrolimni. Themeliu ia la trashëgim të vetmit trashëgimtar, Sotirit, i cili pa mbushur vitin ngeli jetim nga e ëma dhe pas dy vitesh i vdiq i ati, kësodore duke u rritur nga i ungji, Kostë Peci. Shkollimin fillor e mori në fshat, ndërsa atë qytetësin në Korçë.[2]
Sotiri i fejuar me Elektrën, të bijën e avokatit Kristo Mile, shkoi 17 vjeç për t'u shkolluar në Athinë. Duke qenë se përftimi i trashëgimisë në Gavrolimni dukej gjithnjë e më i pagjasë, fejesa u prish.[2]
Dërgohet në Athinë 17 vjeç për studime të larta në Fakultetin e Matematikës dhe Shkencave Natyrore, përpiqet me shqiptarët dhe barbaçët e atjeshëm në përhapjen e gjuhës shqipe në kuadrin e shoqërive greke.[3] Pasi u diplomua në Athinë, shtatorin e 1905 Pecin ia mban drejt Shteteve të Bashkuara, ku vendosi të qëndronte te kolonia e Bostonit.[4]
Bashkëfshatarët e tij themeluan të parën shoqëri me bazë fshati, të cilën e quajtën "Vëllazëria mirëbrëse dardhare", në mesin e së cilës Peci nisi t'u fliste për nevojën për një gazetë dhe shtypshkronjë. Dhe dora-dorës më 6 qershor 1906 u botua numri i parë i të përjavshmes "Kombi"[4] në shtypshkronjën që blenë shoqata dardhare në Boston.[5] Fillimisht Peci i kryente të gjitha detyrat, nga drejtori, redaktori, korrektori, tipogafi dhe palosësi. Por më pas u angazhuan tre vetë, Peci, Noli dhe Eftimi Naci.[4] Më 6 janar 1907[6] qe iniciator për formimin e shoqërisë “Besa-Besë” me F. Nolin e K. Tromarën, dhe në St. Louis «Lidhja Orthodokse» që dhanë shumë për ndezjen e shqiptarizmit ndër shqiptarët e Amerikës[7]. Përcolli mikun e tij Noli kur u shugurua prift më 8 mars 1908[8].
Me shpalljen e Hyrrijetit në atdhe, kolonitë shqiptare të Amerikes u mblodhën më 13 shtator 1908, në "Phoenix Hall” të Bostonit, ku vendosën që Sotiri të dërgohej si përfaqësues i tyre në Kongresin e Manastirit. U nis më 30 shtator dhe në fillim të tetorit qe në Bukuresht kur edhe kolonia e atjeshme i jep tagër Sotirit t'i përfaqësojë. Më 1908 është në Athinë, ku grekërit i propozuan t’ia jepnin çifligun me vlerë 30.000 napolona flori, me kusht që të hiqte dorë nga lufta kombëtare, por Sotiri e refuzoi me përbuzje propozimin e tyre.
Sotir Peci kthehet në Korçë, me vendimin për t'u bërë mësues në shkollën qytetëse. Mori pjesë në hapjen e shkollës normale të Elbasanit ku u caktua mësues për shkencat e natyrës e matematikë.[5] Në vitet 1911-1912 u bë drejtori i Mësonjëtores të Korçës, pas Shpalljes së Pavarësisë do i vyente shumë Gurakuqit si këshilltar kur ky i fundit ishte min. i Arsimit në qeverinë Qemali. Më 1915 do të zgjidhet anëtar i Komitetit të Fshehtë në Shkodër, burgoset në Mal të Zi nga trupat malaziase deri kur lirohet prej ushtrive austro-hungare që liruan qytetin veriak. Më 1916 nga Administrata Shqiptare e formuar nën ushtritë austro-hungare u caktua si anëtar i KLSH dhe drejtor arsimi në Shkodër. Deri në këtë kohë kishte botuar edhe disa tekste mësimore si "Abetarja" e Ndue Palucës, "Gramatika" e Xhuvanit.
Me formimin e qeverisë Përmeti emërohet në shkurt të 1919 drejtor të arsimit në Tiranë dhe pas dy muajve u emërua këshilltar i përkohshëm i Ministrisë së Arsimit. Më vonë me bindjen se duhej mbajtur një kongres thjesht kombëtar u bë nënkryetar i Kongresit të Lushnjes, prej ku doli qeveria Delvina ku ai qe Ministër Arsimi[9].
Pas zgjedhjeve të mbajtura më 5 prill 1921 u zgjodhdeputet i pref. së Korçës[10] dhe ndër themeluesit e Partisë Popullore[9]. Nga fundi i 1921 zuri vendin e dr. Mihal Turtullit që kishte liruar vendin e përfaqësisë së ortodoksëve shqiptarë në Këshillin e Naltë të Regjencës - post për të cilin pat për mëkëmbës Nolin mbasi Peci ishte jashtë shteti pas 2 korrikut 1924[11]. Gjatë mërgimit qëndron i palëkundur prej parimeve dhe formon partinë "Bashkimi Kombëtar".
Pas pesë vjetëve mërgim në Itali u fal nga amnistia e dytë e Zogut dhe pranoi pashaportën e re shqiptare.[5] Megjithatë nuk u kthye në Shqipëri dhe i shkoi vitet e fundit të jetës së tij në Athinë, por para se të ndërronte jetë më 9 prill të vitit 1932 u zhvendos në Follorinë, trupi u suall në Korçë ku u varros të nesërmen sipas amanetit të tij nga familja - e shoqja, Antigonia nga Zografët, dhe të bijtë, Janko, Gaqo dhe Koçua. E bija, Luiza, u martua me Lekë Gjinin
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.