From Wikipedia, the free encyclopedia
Nikollaj Frederik Severin Grundtvigu (8 shtator 1783 – 2 shtator 1872) filozof, pedagog, historian, mësues, pastor dhe reformator i arsimit danez.[1][2] Ai është njëri ndër personalitetet më me ndikim në historine daneze përderisa kontributi i tij i dha hov një forme të re të nacionalizmit në fund të shek. XIX. Me pikëpamjet e tij për shkollat e larta popullore dhe arsimimin e të rriturve, Grundtvigu zë një vend të rëndësishëm dhe unik në historine kulturore dhe arsimore jo vetëm të Danimarkes por edhe më gjërë.[3][4]
N.F.S. Grundtvig u lind më 8 shtator të vitit 1783 në qytetin Udby. Ishte i biri i Johan Grundtvig dhe Catherine Marie Bang - Grundtvig. Shkollimin fillor e kreu në Thyregod (Sydjylland) ndërsa shkollën latine (gramatikore) në Arhaus. Në vitin 1801 pranohet në Universitetin e Kopenhages ku studion teologji. I rritur në një ambient religjioz ku respektoheshin traditat dhe legjendat nordike, Grundtvigu fillon që krahas me studimet universitare të merret edhe me hulumtimin e baladave dhe legjendave nordike me theks të veçant në ato islandeze.[5]
Në vitin 1805 fillon punën si mësues privat në një familje në Langeland. Për rreth tri vite u thellua në leximin e veprave të Shekspirit, Shilerit dhe Fihtes. Nën ndikimin e kushëririt të tij filozofit Heinrich Steffens dhe të poetit Adam Oehlenschläger Grundtvig fillon të merret me shkrime. Shkrimi i tij i parë On the Songs in the Edda nuk zgjoi interesimin e mjaftueshëm të opinionit lexues. Suksesin e vërtetë Grundtvigu e pa vetëm në vitin 1808 me veprën Northern Mythology, ashtu si edhe me dramën e gjatë me titull, The Fall of the Heroic Life in the North botuar në vitin 1809. Në vitin 1810 bie në kundërshtime me kishën gjë të cilën e shpreh edhe në një artikull të tij të po këtij viti. Për shkak të kundërshtimeve të tij me kishën më vonë do të quhet Martin Luter.
Në vitin 1812 publikon veprën The First World Chronicle (danisht:Kort Begreb af Verdens Krønike i Sammenhæng) e cila është një përmbledhje e historisë evropiane me ngjyrime fetare.[6][7][8] Një vit më vonë publikon poemën e gjatë historike Roskilde-Riim (Rhyme of Roskilde) si dhe veprën tjetër me titull Roskilde Saga.
Në vitet 1813 deri 1815 tenton të organizojë një lëvizje në përkrahje të Norvegjisë kundër Qeverisë Suedeze. Mes viteve 1837 - 1841 ai publikoi veprën Sang-Værk til den Danske Kirke (Song Work for the Danish Church) ndërsa në vitin 1840 redaktoi dhe perktheu poemën anglo-saksone "The Phoenix" nga anglishtja e vjeter ne gjuhen daneze.[9] [10] Sukseset e vërteta i arriti në fillim të viteve 1840 - ta e tutje kur nën ndikimin e pikëpamjeve të tij, në Rendsburg themelohet "Shkolla e Lartë Popullore" për rininë bujqësore. Në vitin 1844 në Roding bashkëpunëtori i Grundtvigut, Kristen Kold themelon Shkollën e Lartë Popullore Daneze [11] e cila u pasua me shkolla të ngjashme edhe në qytetet tjera si: Uldum, Rysling etj. Kontributi më i madh i Grundtvigut dhe ideve të tij mbetet Shkolla Popullore në Askov, themeluar më 1864. Veprimtaria dhe kontributi i Grundtvigut pati jehonë të theksuar në opinionin e gjërë ndërkombëtar, sidomos në vendet skandinave.
"Meqense u edukua dhe jetoi në rrethana komplekse, siç janë: ambienti religjioz, romantizmi gjerman, kriza nacionale, shembulli anglez dhe tradita e theksuar nordike, Grundtvigu, gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij "ka lundruar nëpër rryma të ndryshme, siç janë: dashuria ndaj Heladës, pangjermanizmi, romantika, nacionalizmi danez, bashkimi nordik dhe mistika kristiane." Por marrë në tërësi, vepra dhe aspiratat e tij kanë qenë thellsëisht njerëzore, popullore e demokratike.
Vdiq dhe u varros në Kopenhagë, më 2 shtator 1872.
Grundtvig është babai ideologjik i shkollës së lartë popullore, edhe pse idetë e tij në fushën e arsimit kishin një tjetër fokus. Ai mbështeti reformimin e Soro Akademisë në një shkollë popullore duke synuar një formë tjetër të arsimit të lartë të ngjashme me arsimin universitar. Në vend të arsimimit dijetarëve, ai besonte se universiteti duhet të edukojë studentët e saj për pjesëmarrje aktive në shoqëri dhe jetën popullore. Kështu aftësitë praktike së bashku me poezinë kombëtare dhe historinë duhet të përbëjnë pjesën esenciale të mësimit. Kjo ide ishte shumë afër realizimit gjatë sundimit të Mbretit Christian VIII, gruaja e të cilit Caroline Amalie, ishte një mbështetëse e pikëpamjeve të Grundtvigut. Vdekja e monarkut në vitin 1848 si dhe zhvillimet dramatike politike në Danimarkë në vitet në vijim i dhanë fund këtyre planeve. Megjithatë, në anën tjetër, një nga mbështetësit Grundtvigut, Kristen Kold, kishte ngritur tashmë Shkollën e Lartë Popullore sipas ideve grundtvigiane.
Ambiciet e Grundtvigut për reformën shkollore nuk ishin të kufizuara vetëm në shkollën e lartë popullore. Ai gjithashtu ëndërronte për themelimin edhe të një Universiteti të Madh Nordik (Shkollën e Pasionit) të vendosur në pikën simbolike në kryqëzimin mes tre vendeve skandinave në Göteborg, Suedi. Dy shtyllat e programit të tij shkollor, Shkolla për Jetën (Shkolla e Lartë Popullore) dhe Shkolla e Pasionit (Universiteti) kanë për qëllim horizonte krejt të ndryshme jetësore. Arsimi popullor duhet kryesisht të mësohet brenda një horizonti të të kuptuarit kombëtar dhe patriotik, por gjithmonë duke mbajtur një mendje të hapur ndaj një pikëpamje më të gjerë kulturore dhe ndërkulturore, ndërsa universiteti duhet të punojë në një mënyrë rigoroze universale, dmth humane dhe shkencore.[12]
Emëruesi i përbashkët i të gjitha përpjekjeve pedagogjike të Grundtvigut ishte promovimi i frymës së lirisë, poezisë dhe krijimtarisë së disiplinuar, në të gjitha degët e jetës arsimore. Ai promovoi vlera të tilla si dituria, dhembshuria, identifikimi dhe barazia. Ai kundërshtoi të gjitha format e detyrimit, duke përfshirë edhe provimet, si pengesë për shpirtin njerëzor. Në vend të kësaj Grundtvig mbështeti çlirimin e kreativitetit njerëzor sipas rendit universal krijues të jetës. Prandaj, një frymë e lirisë, bashkëpunimit dhe zbulimit duhej ndezur tek individët ashtu si edhe në shkencë dhe në shoqërinë civile në tërësi.[11]
Që prej vitit 1844 kur u themelua shkolla e parë e lartë popullore në Danimarkë, lëvizja grundtvigiane erdhi gjithnjë duke u zgjeruar. Kështu shkolla të larta popullore u themeluan edhe në Norvegji më 1864, Suedi 1868, në Finlandë 1889. Shkolla të tilla u themeluan edhe në Islandë, Grenlandë, Ishujt Faroe, Ishujt Aland dhe mes pjestarëve të popullit Samë (përreth pjesës evropiane të polit verior). Vetëm në Danimarkë në vitin 1914 vepronin 83 shkolla të larta popullore.[13] Sot vetëm në vendet nordike konsiderohet se veprojnë rreth 400 shkolla të larta popullore.[14]
Kjo lëvizje më vonë u zgjerua edhe në vende të tjera evropiane dhe jashte saj, si në: Britani të Madhe, Gjermani, Holandë, Poloni,[15], Çeki, Sllovaki, Zvicër, Austri,[11][16][17] Shtetet e Bashkuara, Kanada, Indi, Kinë, Japoni, Tanganjikë, Ganë,[15] Nigeri,[18] etj.
Wikiquote ka thënie në lidhje me: Nikolaj Frederik Severin Grundtvig |
"I arsimuar është ai i cili mund të mendojë për atë që e ndien, ta thotë atë që mendon, dhe ta dijë atë që e thotë" N.F.S.Grundtvig
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.