Maurikios[2] ose Murrik Bua, pasi u zhvendos në Venedik dhe u bë i famshëm, u njoh si Mërkur Bua, kont i Aquino-s dhe Roccasecca-s (it. Mercurio Bua, gr. Μερκούριος Μπούας; Nafplion, 1478 – Treviso, 1542) ka qenë fisnik arbër, condottiero dhe kapiten zëmadh stradiotësh i ushtrive frënge, habsburge e venedikase.[3] Ndër të parët krerë stradiotë që shtriu veprimtarinë në Evropën Veriore dhe ndër të paktët që vdiq nga mosha dhe jo rreziku i profesionit.[3]
Biografia
Lindi në Nafplion të Moresë, anëtar i familjeve arbërore Bua dhe Arianiti. Mendohet se i ati ishte Pjetër Bua[4] ose Teodor Bua, stradiot dhe bashkëluftëtar me Krokodeilos Kladas. I afërm i Kostantin Arianitit,[5] regjent i Montferratit nga francezët dhe po ashtu prej tyre iu hoq ky titull,[6] më pas mëkëmbës i përgjithshëm i Papa Julit II në Romanja, qeveritar i Fanos dhe pasi u dërgua si emisar,[7] më 1507 Perandori Maksimilian I i dha feud kështjellën e Belgradit.[8]
Bua "u pagëzua" në luftë më 1495 në betejën e Fornovos në krahun e venedikasve, po me të cilët, pas tre vjetëve në krye të 300 stradiotëve luftoi në Pisa kundër fiorentinasve. Pas një oferte joshëse nga Ludoviku 'i Murrmë' Sforza, rreshtohet me forcat milaneze dhe më 1500 u shqua kundër francezëve. Më tej i shërbeu francezëve dhe më 1507 mori pjesë në shtypjen e rebelimit të Gjenovas, ku ekzekutoi dozhin Paolo da Novi.[4] Shërbim për të cilin iu dhanë feudet e Aquino-s dhe Roccasecca-s më 1504.[2] Më 1508 u vu në shërbim të Maksimilianit I të Habsburgëve, dhe i shërbeu Perandorisë Habsburge në Flandër, Bavari dhe së fundi në Itali ku më 1509 luftoi kundër Venedikut. Me gjasë, pas këtyre shërbimeve perandori e bëri kont të Soave-s dhe Ilazi-t në viset e Trevisos.[4]
Më 1513 u rikthye përfundimisht në shërbim të Venedikut; Republika i dha Mërkurit, në sajë të famës që kishte korrur në çdo teatër lufte në Evropë, kullundrisjen direkte të të gjithë stradiotëve nga rekrutimi dhe deri tek luftëbërja.[4] Më 1513 u caktua që të mbronte Padovën e rrethuar dhe veproi në territorin mes Padovës e Mantovës në krye të 600 stradiotëve.[2] Nuk hezitoi asnjëherë të përballej me ballin e luftës, e me kalorësit e tij më 1515 u mbush me lavdi kur, në betejën e Marinjanos (it. Marignano) venedikasit dhe frëngjt i mposhtën zviceranët e pajtuar nga Perandoria e Shenjtë Romake: Mërkur Bua me kalorësit e tij i shpëtoi jetën mbretit të Francës, Françesku I.[4]
Xhelozia e krerëve të tjerë stradiotë nuk e pengoi Venedikun ta emëronte kont dhe kalorës të Shën Markut. Duke shtuar radhët e veta me 100 ushta dhe 300 kalorës të lehtë sipas Grammaticopolo,[4] e sipas enciklopedisë Treccani në krye të 2,000 stradiotëve,[2] korri fitore të tjera kundër trupave të kalorësisë spanjolle mes Lombardisë dhe Venedikut deri më 1517 si pasojë e Lidhjes së Kambrait.[4]
Më 1521 me shërbim në Emilia, u thye nga kondotieri Giovanni de Medici. U tërhoq deri në Bergamo dhe më pas në Milano, e rrethuar nga perandorakët. Pasi qyteti u thye, njësia e Buas u thye dhe ai u mor peng nga atëhere markezi i Mantovës, Federiko Gonxaga, i cili e liroi pa mëtuar shpërblim.
Më 1532 pas disa ndodhive, u tërhoq në Treviso, ku kishte marrë lejen të ndërtonte një shtëpi në truallin që i kishte mundësuar e Fortkthjellta. Nuk lëvizi prej Trevisos, edhe pse u vetëofrua të shërbente pasi Sulltan Sulejmani sulmoi vendlindjen e tij në More. Me sa dihet, ndërroi jetë më 1542 dhe u varros në Kishën e Madhe të Shën Marisë po në Treviso.[4]
Familja
Trashëgimia
Më 1519 një bashkëluftëtar nga Zante, stradioti Tzane Koroneos i thuri një poemë epike titulluar Ανδραγαθήματα Μερκούριου Μπούα (Bëmat e Mërkur Buas).[10]
Referime
Wikiwand in your browser!
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.