From Wikipedia, the free encyclopedia
Luan Arif Starova (maqedonisht: Луан Ариф Старова; Pogradec, 14 gusht 1941 - Shkup, 24 shkurt 2022) ka qenë akademik, shkrimtar dhe diplomat shqiptar. Veprat e tij i shkroi në gjuhën maqedonase dhe shqipe, si dhe është përkthyer dhe botuar në gjuhën frënge, gjermane, italiane, turke, rumune, kroate, bullgare dhe greke.[1]
U lind më 1941 në Pogradec, në një familje me traditë në fushën e së drejtës, i biri i Arifit dhe Ervehesë nga Leskoviku.[2] E ëma e të atit vinte nga një familje turçelie e Përlepit që kishin qenë kadilerë në kohën e Perandorisë Osmane;[3] i ati kreu studimet po për drejtësi në Stamboll dhe punoi si avokat. Më 1943 kur Luani ishte ende foshnjë, familja u shpërngul drejt Strugës, nga krahu tjetër i liqenit; ndërsa pas Luftës së Dytë u shpërngulën përfundimisht në Shkup. I ati punoi si gjykatës dhe më pas kërkues shkencor në Institutin e Historisë Popullore të Shkupit; deri pa dalur në pension u përkujdes për dokumentacionin osman në Arkivin e Shtetit.[4]
Në Shkup, Luani ndoqi shkollën fillore "Goce Delchev" në gjuhën maqedonase, nga ku dhe bëhet dygjuhësh duke patur shqipen gjuhën amë dhe maqedonishten gjuhën e arsimimit. U diplomua më tej në liceun shkencor "Josip Broz Tito" më 1961. Studimet e veta ia përkushtoi gjuhës dhe i letërsisë frënge, me një diplomë të dytë mbi historinë e arteve. U angazhua si gazetar duke u bërë edhe kryeredaktor i gazetës "Mlad Borec". Pas diplomimit më 1967, u punësua si gazetar te Radio Shkupi dhe më 1968 u bë kryeredaktor i programeve në gjuhën shqipe në televizionin e Shkupit. Po atë vit nis studimet e mëtejshme në teori letërsie, posaçërisht në letërsinë frënge në Universitetin e Zagrebit me temën "Ballkani në prozën e Guillaume Apollinaire."[5] Më vonë u pranua asistent në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë frënge në Fakultetin Filologjik të Shkupit, në të cilën ka qenë profesor i rregullt i letërsisë frënge. Ka qenë ligjërues edhe në Universitetin e Evropës Juglindore të Tetovës dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe të Akademisë Mesdhetare në Napoli.
Ka botuar shtatë romane, dy vëllime me tregime, një me poezi, disa vëllime me esse dhe studime, ka përkthyer poetë të njohur francezë në shqip dhe maqedonisht. Shkruan paralelisht shqip dhe maqedonisht. Pas botimit të katër romaneve të para në frëngjisht: tre nga shtëpia botuese Fayard në Paris (“Librat e Babait”, “Koha e dhive” dhe “Muzeu i ateizmit”) dhe një prej “Les Editions de l’Aube” (“Bregu i egzilit”) dhe pas jehonës që i bëri kritika, disa nga romanet e tij u përkthyen në 14 gjuhë të ndryshme. Renditet ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë.
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.