From Wikipedia, the free encyclopedia
Jonuz ose Junuz Tafilaj[1] (Shkodër, 13 qershor 1892 - nëntor 1976) ishte veprimtar i çështjes kombëtare, vullnetar në Luftën e Koplikut, publicist dhe orientalist shqiptar.
U lind në Shkodër më 13 qershor 1892. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm e kreu në vendlindje, ku të dytin e ndjeku në shkollën ushtarake të ryzhdijes. Gjatë pushtim-administrimit austro-hungarez Jonuzi qe burgosur si një nga nismëtarët e demostratës kundër tyre te Xhamia Plakë në Shkodër.[2]
Më 1919 ishte ndër themeluesit e shoqërisë "Vëllazënija" së bashku me Hilë Mosin dhe Kel Marubbin,[3] dhe më pas sekretar i saj. Kontribuoi në radhët e të përkohshmes Agimi, organ i "Vëllazënisë", me artikujt të ndryshëm, si për shkrimtarin osman Namik Qemalin, për Oson e Falltores, etj.
Interpretoi ndër komeditë Shërbëtori i dy zotnive dhe Ermenia e vogël të vëna në skenë shoqëria.[4] Më pas u bë anëtar i shoqërisë "Bashkimi" themeluar nga Avni Rustemi. Më 1920 rroku armët për në Luftën e Koplikut, më pas ishte sekretar nderi në Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.[2] Përkrahte opozitën e viteve 1920-'24 drejtuar nga Luigj Gurakuqi dhe Sulçe beg Bushati, u radhit ndër personat e shoqërisë "Bashkimi" që u pajisën me armë pas Lëvizjes së Qershorit.[5] Më 1931 iu botua punimi i tij Fjalorth shqip nga shtypshkronja "Shkodra" në Tiranë.[6] Më 1936 botoi tek e përkohshmja "Afrimi" e Vlorës shkrimin Gjuha e jonë e martirizueme nga shkrimtarët e saj me pseudonimin J. Jalifati.[7] Radhitet ndër botuesit e të përkohshmes "Përpjekja shqiptare".[8] Më 1937 figuron të ketë qenë sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar.[9]
Pas 1944 u mor në shërbim prej Institutit të Shkencave si përkthyes, më pas vijoi i tillë në Arkivin e Shtetit.[2] Në mars të 1945, i caktuar nga ministri i shtypit, propagandës dhe kulturës popullore Sejfulla Malëshova, u ngarkua të kontrollonte librat, dorëshkrimet dhe dokumentet e tjera që ndodheshin në bibliotekën e Syrja dhe Eqrem Vlorës. Pas kontrollimit dhe raportimit që kreu me këtë detyrë, biblioteka private e Vlorajve u shtetëzua.[10]
Përktheu me Myqerem Janinën dhe Eleni Dukën një pjesë të mirë të fermaneve të Perandorisë Osmane,[11][12] duke qenë ndër kontributorët madhorë në përkthimin e katalogimin e dokumenteve osmane.[13] Ka përkthyer gjithashtu vëllimin Historia e pashallarëve shqiptarë në Perandorinë Osmane të Syrja bej Vlorës nga osmanishtja.[14] Përktheu romanin turk Jaban - I huej të shkrimtarit Yakup Kadri Karaosmanoğlu, botuar më 1943;[15] si dhe romanin Mësuesi idealist të shkrimtarit bullgar Grigori Petroff, botuar më 1944.[12][16]
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.