Xhihadi
From Wikipedia, the free encyclopedia
Xhihadi ose xhihati (ar. جهاد jihād) është një fjalë me prejardhje arabe që domethënë mundim, përpjekje, sprovë në dalëzotje të Islamit. Mund të marrë hijëzime të ndryshme për nga kuptimi, si përshembull "përpjekje kundrejt prirjeve të liga të dikujt", "përpjekje në përmirësimin moral të shoqërisë", por rëndom asociohet edhe me kuptimin e luftës. Në Sheriat termi lidhet me luftën kundër jobesimtarëve, ndërsa studjues bashkëkohorë e bashkëshoqërojnë termin me luftëbërjen mbrojtëse. Ndër sufitë dhe bashkësitë e devotshme, xhihadi moral dhe shpirtëror nënvizohet tradicionalisht si xhihadi i madh. Kjo vjen nga kategorizimi që i është bërë që në kohën e Muhammedit, duke u ndarë në xhihadin e brendshëm (xhihadi i madh) dhe në xhihadin e jashtëm (e vogël), që përvijohet duke u ndarë në xhihadin e pendës dhe xhihadin e shpatës.
Vetë fjala paraqitet në Kuran me vështrime si ushtarake si joushtarake, shpeshherë në shprehinë "sprovë në rrugën e Zotit (ar. al-jihad fi sabil Allah)". Kadinjtë dhe ulematë e periudhës klasike e shoqëronin termin më së shumti me vështrimin e tij ushtarak, shpeshherë e formuluar si "luftë për Zotin dhe e shpërblyer prej Tij".[1][2] Përpunuan gjithashtu një normativë, ku xhihadi nuk dëmton mospjesëmarrësit në luftë. Në kohët e sotshme kuptimi juridik i është vënitur dhe ka marrë një vështrim tjetër në diskursin ideologjik e politik. Kohët e fundit ka marrë vëmendje të madhe për shkak të përdorimit të fjalës nga organizatat terroriste.
Ndonjëherë xhihadi cilësohet si shtylla e gjashtë e Islamit,[3] megjithëse ky përkufizim nuk qëndron. Për Islamin Shi'i Imamit xhihadi është ndër dhjetë praktikat e fesë. Një njeri i përfshirë në xhihad quhet muxhahed (shumësi muxhahedin).
Termi xhihad është gjithashtu edhe emër arab për meshkuj, dhënia e të cilit është e lejuar nga ana ligjore.[4]