From Wikipedia, the free encyclopedia
Shkolla e Ligjit është një institucion i specializuar në edukimin juridik anglosakson, e cila është zakonisht pjesë përbërëse e procesit për t'u licensuar si avokat në ShBA.
Në Shtetet e Bashkuara, Shkolla e Ligjit zakonisht ofron programe pasuniversitare, të cilat zgjasin tre vjet dhe që në përfundim të studimeve lëshojnë diplomën "Juris Doctor" (J. D.), e cila është një doktoraturë profesionale e nevojshme për licensimin si avokat në ShBA (të mos ngatërrohet meDoktoraturën e Shkencave Juridike në ShBA, e cila njihet si S.J.D.).
Për tu pranuar pranë një shkolle ligji të akredituar nga "American Bar Association" (ABA), aplikantët duhet zakonisht të kenë marrë pikët e mjaftueshme në "Testin Hyrës në Shkollën e Ligjit" (Law School Admission Test ose LSAT),[1][2] dhe të kenë mbaruar studimet e rregullta të nivelit të parë (Bachelor) në çfarëdo fushe (ndonëse aplikantët më të sukseshëm shpesh janë ato që kanë përfunduar Bachelorin në Shkenca Politike ose në Administrim Biznesi).[2]:38 Aktualisht, në ShBA gjenden 199 shkolla të akredituara nga ABA.[3] Përveç në shtetin të Kalifornisë, është e domosdoshme diplomimi nga një shkollë ligji e akredituar nga ABA, për tu pranuar në provimin e licensimit si avokat.[4]
Sipas një studimi nga ekonomistët e punës Michael Simkovic dhe Frank McIntyre, një diplomë nga një Shkollë Ligji Amerikane sjell një rritje të të ardhurave gjatë gjithë jetës profesionale prej $1,000,000, krahasuar me një diplomë bachelor.[5][6][7][8][9] Sipas Departamentit të Punës së Shteteve të Bashkuara dhe Byrosë së Statistikave të Punës, rroga mesatare e avokatëve amerikanë për vitin 2012 ishte $130,000.[10] Pagat ndryshojnë në bazë të gjeografisë, me një shkallë më të lartë mesatare të pagave në qytetet e mëdha—sidomos në New York, Washington D.C., Chicago dhe Los Angeles—dhe pagat më të ulëta në zonat rurale.[11]
Megjithatë, jo të gjithë të diplomuarit e një shkolle ligji vendosin të punojnë si avokatë. Sipas studimit të Simkovic dhe McIntyre, bazuar nga të dhënat e Byrosë Amerikane të Censusit, rreth 40 për qind e njerëzve që janë diplomuar në ligj nuk e praktikojnë profesionin e juristit.[5] Shoqata Kombëtare për Karrierën e Profesionistëve Ligjor raporton që 9 muaj pas diplomimit, 90 për qind e të diplomuarve nga një shkollë ligji e akredituar kanë siguruar punësim.[12] Nga këto, afërsisht 2 për qind ishin të punësuar në punë ku arsimi universitar është i padomosdoshëm[12], rreth 75-85 për qind punojnë në profesion si avokatë ose juristë, dhe 5 për qind punojnë në profesionale të palidhura me ligjin.[12] Shumë të diplomuar në Ligj kanë zënë pozicione drejtuese në bizneset dhe qeverinë Amerikane.[5]
Ndërsa shkollat e ligjit në SHBA janë zakonisht institucione post-universitare me autonomi të konsiderueshme, arsimi ligjor në vende të tjera kryhet si pjesë e sistemit universitar ose jepet nga institucione të pavarura të aftësimit profesional juridik, si përshembull Shkolla e Avokatisë në Shqipëri.
Në pjesën më të madhe të Evropës kontinentale, arsimi ligjor jepet në kuadër të sistemit universitar në nivelin e parë (Bachelor), dhe Fakultetet e Drejtësisë janë të thjesht pjesë përbërëse e Universitetit, si çdo fakultet tjetër, dhe jo njësi të veçanta si Shkollat e Ligjit. Në këto vende, termi "Shkollë Ligji" të mund të përdoret, por nuk ka të njëjtin kuptim si Shkollat e Ligjit në Amerikën e Veriut.