Revolucioni Kulturor
From Wikipedia, the free encyclopedia
Revolucioni Ideologjik e Kulturor ka qenë një lëvizje e autoriteteve shtetërore të Republikës Popullore e Shqipërisë si jehonë e lëvizjes me po të njëjtin emër në Kinë (Revolucioni Kulturor Kinez). Nisur nga Enver Hoxha përmes një fjalimi të mbajtur më 6 shkurt 1967 duke patur si synim ndryshime rrënjësore në rendin e deriatëhershëm si në ushtri, në burokraci si dhe fushata e egër që iu bë jetës fetare në Shqipëri.[1][2] Fjalime të tjera kundër fesë u mbajtën më 17 dhe 23 shkurt.[3]
Ndonëse regjimi komunist në rrafsh ligjor e garantoi fillimisht lirinë e ndërgjegjes dhe besimit, sipas aktorëve të propagandës antifetare, përmes direktivave porositi të bëhej propagandë kundër besimit fetar. Reforma agrare dhe ligjet e mëpasme mbi pronën tkurrën edhe më tej ekonominë e komuniteteve fetare dhe, pas Kongresit IV të PPSH në shkurt 1961,[4] propaganda u bë gjithnjë e më e ndezur[5] për ta cilësuar fenë si arsye prapambetjeje dhe duke denigruar jetën fetare në hapësirën shoqërore.[6] Pas nismës për revolucion shkurtin e 1967, më 13 nëntor të atij viti me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor u shfuqizuan të gjitha dekretet që aprovonin veprimtarinë fetare në vend, dhe Shqipëria u shpall shteti i parë dhe i vetëm ateist në botë, që ndalonte çdo shprehje të fesë. Masat kundër fesë kulmuan me hapjen e Muzeut Ateist në Shkodër më 9 qershor 1973 dhe në Kushtetutën e 1976 ku u sanksionua se "Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor" dhe ushtrimi i fesë dënohej me ligj me nenin 55[7] me Kodin Penal të ri të 1977.[8] Çfetarizimi u përforcua po ashtu me një ligj të 1975 që detyronte t'u viheshin fëmijëve emra jofetarë.[9]
Pjesë e luftës kundër "zakoneve prapanike" konsiderohej edhe lufta per emancipimin e femrave, çështje për të cilën përdorej argumenti për përfitimin ekonomik me futjen e grave në punë. Regjimi mendonte se "pa pjesëmarrjen [e gruas në punë] nuk mund të bëhet fjalë për plotësimin e planeve pesëvjeçare".[10]
Sipas Isa Blumit, revolucioni kulturor u shtri përgjatë gjithë viteve '60, kur ndodhën ndryshime sociale dhe ekonomike rrënjësore. Synimi i tyre qe zhdukja e dy rreziqeve: një pushtim të huaj dhe mundësia e një lëvizjeje reformiste nga brenda partisë, që mund të çonte drejt ndryshimit të ideologjisë politike.[11]