From Wikipedia, the free encyclopedia
Mir Hosein Musavi Hameneh (1941, persisht: میرحسین موسوی خامنه), i njohur edhe si Mir Hossein Mousavi, është arkitekt, piktor dhe politikan reformist iranian, kryeministri i pestë dhe i fundit i Republikës Islamike të Iranit në vitet 1981-1989, si dhe kandidat për kryetar në zgjedhjet 2009.
Musavi u lind më 1941 në krahinën e Azerbajxhanit Lindor dhe u shkollua për arkitekturë. Ka kryer funksione të rëndësishme pas Revolucionit Islamik të vitit 1979. Fillimisht ishte redaktor i gazetës zyrtare e më pas ministër i punëve të jashtme të Republikës Islamike.
Në vitin 1981 u zgjodh kryeministër, post ky që e mbajti deri më 1989, kur ndryshimet kushtetuese e hoqën pozitën e kryeministrit nga sistemi qeverisës, duke ia ngarkuar detyrën e kreut të qeverisë kryetarit të republikës. Musavi shërbeu si krye i qeverisë gjatë Luftës Irako-Iraniane dhe arriti të menagjonte ekonominë në një kohë kur sanksionet ndërkombëtare po ndikonin në varfërimit dita-ditës të Republikës Islamike. Instituimi i ekonomisë së boneve siguroi barazi në ndarjen e resurseve të ushqimit për të gjithë qytetarët e vendit. Qeverisja dhe personaliteti i tij modest kujtohet me respekt të thellë nga iranianët.
Paskëtej, Musavi ka shërbyer si anëtar i Këshillit për Përshtatshmëri, organ këshillues i prijësit të republikës. Po ashtu, është edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Revolucionit Kulturor, ndonëse ka kohë që nuk merr pjesë në veprimtarinë e këtyre këshilleve. Mungesa e Musavit është interpretuar si mospajtim me vendimet e tyre.
Më 2009, Musavi shpalli se do të garonte në zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Synimet e tij përfshinë reformimin e ekonomisë, përmirësimin e gjendjes shoqërore, pozitës së gruas dhe imazhit të Iranit në botë. Një nga pikat kyçe të planit të tij parashihnin shpërbërjen e policisë së moralit që vazhdon t'i keqtrajtojë femrat iraniane dhe zgjerimin e lirive personale dhe asaj të fjalës, sidomos me lejimin e televizioneve private në vend. Megjithë premtimet për reforma brenda Iranit, Musavi pati deklaruar se nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga programi bërthamor, duke pohuar se kjo përpjekje e shtetit të tij ishte për qëllime paqësore.
Rezultatet zyrtare e vendosën atë të dytin, pas fituesit dhe kryetarin në detyrë, Mahmud Ahmedinezhad. Megjithatë, Musavi nuk e ka pranuar humbjen, duke e quajtur veten ngadhnjimtar dhe duke u thirrur në parregullsi të shumta zgjedhore. Përkrahës të Musavit shprehën pakënaqësinë e tyre duke demonstruar në Teheran dhe qytete tjera të Iranit, duke shënuar protestat e para të dhunshme që nga Revolucioni i vitit 1979.
Musavi flet rrjedhshëm persishten, azerishten, anglishten dhe arabishten si dhe është kryetar i Akademisë Iraniane të Arteve.
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.