Lush Gjergji
From Wikipedia, the free encyclopedia
Lush Gjergji, prift katolik shqiptar i Ipeshkvisë së Kosovës, i lindur më 21 mars 1949 në Stubëll të Epërme. Shkollën fillore, katër vitet e para, i kreu në vendlindje, vitin e pestë në Viti, tri vitet e fundit në Zhegër. Gjimnazin klasik në Dubrovnik (1963-1967), vitin e parë të filozofisë në Split (1967-1968), ndërsa vitet tjera dhe magjistrimin në filozofi, diplomimin në teologji po ashtu në Romë në Universitetin Papnor “Urbaniana” (1968-1973).
Paralelisht në Universitetin shtetëror të Romës «La Sapienza» ka studiuar dhe doktoruar psikologjinë në vitin 1975 me temën “La donna albanese” (Gruaja shqiptare), që është botuar edhe në gjuhën shqipe “Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri”. Vite me radhë redaktor dhe kryeredaktor i revistës fetaro-kulturore “DRITA”, si dhe i shtëpisë botuese katolike ”DRITA” me seli në Ferizaj, më vonë në Prizren, tani në Prishtinë.
Ka shërbyer në këto famulli: në Ferizaj (1975-1993), në Binçë (1993-2006), në Prizren (2007-2009). Ish drejtor i Radio Marisë së Kosovës. Aktualisht është në pension, këshilltar dhe bashkëpunëtor në Residencë të Ipeshkvisë Prizren – Prishtinë me seli në Prishtinë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Gazetarëve dhe Publicistëve Katolik të Evropës dhe anëtar i Akademisë Evropiane.