![cover image](https://wikiwandv2-19431.kxcdn.com/_next/image?url=https://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/2/22/Archeological_Remains_at_the_Lower_Town_of_Lothal.jpg/640px-Archeological_Remains_at_the_Lower_Town_of_Lothal.jpg&w=640&q=50)
Lothali
Qytet i lashte i qyteterimit te lugines se Indusit / From Wikipedia, the free encyclopedia
Lothali është një nga qytetet më të shquara të Qytetërimit të Luginës së Indusit, i gjendur në rajonin e Bhal-it të shtetit aktual të Gujaratit dhe që daton që nga 3700 p.e.s..[1] I zbuluar në vitin 1954, Lothali u gërmua nga 13 shkurti 1955 deri më 19 maj 1960 nga Archaeological Survey of India (ASI), agjensia zyrtare e qeverisë indiane për ruajtjen e monumenteve të lashta. Kantieri detar i Lothalit—më i hershmi i njohur në gjithë botën—lidhte qytetin me një rrjedhë të lashtë të lumit Sabarmati në rrugën tregëtare midis qyteteve harapase në Sindhi dhe gadishullin e Saurashtra-s kur shkretëtira e sotme rrethuese e Kutch-it ishte pjesë e Detit Arabik. Ishte një qendër vitale dhe e lulëzuar e tregëtisë në kohët e lashta, me tregëtinë e rruazave, gurëve të çmuar dhe stoli të çmuara që arrinin skajet e largëta të Azisë Perëndimore dhe Afrikës. Teknikat dhe veglat që ata përdorën për herë të parë për bërjen e rruazave dhe në metalurgji i kanë qëndruar provës së kohës për mbi 4000 vjetë.[2] Lothali gjendet afër fshatit të Saragwala-s në Dholka Taluka të distriktit Ahmedabad. Është gjashtë kilometra në jug-lindje të stacionit hekurudhor Lothal-Bhurkhi në linjën hekurudhore Ahmedabad-Bhavnagar. Është gjithashtu i lidhur me rrugë me qytetet e Ahmedabadit (85 km), Bhavnagar-it, Rajkot-it dhe Dholka-s. Qytetet më të afërta janë Dholka dhe Bagodara. Duke rinisur gërmimet në vitin 1961, arkeologët nxorën në dritë hendeqe të fundosur në krahun verior, lindor dhe perëndimor të kodrinës, duke sjellë në jetë kanalet hyrës dhe nullah-ët që lidhnin kantierin detar me lumin. Gjetjet konsistojnë në një tumul, një qytezë, një treg dhe kantieri detar. Pranë zonave të gërmimeve qëndron Muzeu Arkeologjik, ku shfaqen disa nga koleksionet më të shquara të antikave të periudhës së Qyt. të Lug. së Indusit.
![Thumb image](http://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/2/22/Archeological_Remains_at_the_Lower_Town_of_Lothal.jpg/640px-Archeological_Remains_at_the_Lower_Town_of_Lothal.jpg)