![cover image](https://wikiwandv2-19431.kxcdn.com/_next/image?url=https://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/3/36/Great_Illyrian_Revolt_%2528English%2529.svg/langsq-640px-Great_Illyrian_Revolt_%2528English%2529.svg.png&w=640&q=50)
Kryengritja e madhe ilire
From Wikipedia, the free encyclopedia
Kryengritja e Madhe Ilire e njohur edhe si Lufta Batoniane (latinisht: Bellum Batonianum; anglisht: War of the Batos) ishte një konflikt ushtarak i zhvilluar në provincën romake të Ilirikut mes viteve 6 - 9 es. në të cilin një aleancë e popullsisë vendase të dy rajoneve të Ilirikut, Dalmacisë dhe Panonisë, u rebelua kundër romakëve. Kryengritja filloi midis fiseve vendase ilire që ishin rekrutuar si trupa ndihmëse për ushtrinë romake. Ata u udhëheqën nga Bato Desidiati, një udhëheqës i Desidiatëve në pjesën qendrore të Bosnjës së sotme, ndërsa më vonë kryengritjes iu bashkuan edhe Breukët, një fis ilir nga Panonia nën udhëheqjen e Bato Breukut. Më vonë edhe shumë fise të tjera nga Iliria gjithashtu iu bashkuan revoltës.
![Thumb image](http://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/3/36/Great_Illyrian_Revolt_%28English%29.svg/640px-Great_Illyrian_Revolt_%28English%29.svg.png)
Romakët iu referuan konfliktit si Bellum Batonianum (Lufta Batoniane) sipas këtyre dy udhëheqësve me të njëjtin emër; Velleius Paterculus e quajti atë Lufta Panoniane dhe Dalmate sepse përfshinte të dy krahinat e Ilirikut, ndërsa në anglisht është quajtur Great Illyrian Revolt (Revolta e Madhe Ilire) dhe Bato Uprising (Kryengritja e Batos).
Lufta katër vjeçare zgjati nga viti 6 deri në vitin 9 es. dhe dëshmoi një vendosmëri të madhe të fuqisë romake në krahinat ilire, me forca të mëdha ushtrake të angazhuara në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe që luftuan në më shumë se një front. [1] Në vitin 8, Breukët e luginës së Savës u dorëzuan, por u desh një bllokadë dimërore dhe një sezon tjetër luftimesh përpara se të dorëzoheshin edhe fiset ilire në Dalmaci në vitin 9. Historiani romak Suetoniusi e përshkroi kryengritjen si konfliktin më të vështirë me të cilin përballej Roma që nga Luftërat Punike dy shekuj më parë. [2]