From Wikipedia, the free encyclopedia
Kriza lindore është emri i konfliktit mes Perandorisë Osmane dhe Evropës që rezultoi në ndryshimin e kufijve të vendeve evropiane midis të cilave dhe Perandoria Osmane.
Revolucioni Francez i vitit 1789 shënoi fitoren e rendit të ri borgjez mbi feudalizmin, prandaj pati rëndësi ndërkombëtare. Idetë e revolucionit francez depërtuan edhe në Perandorinë Osmane. Ato ndikuan në rritjen e lëvizjeve nacionalçlirimtare të popujve të shtypur dhe për rrjedhim edhe në gjendjen e brendshme të vetë shtetit osman. Një ngjarje tjetër me rëndësi ndërkombëtare që ndikoi në gjendjen e Perandorisë Osmane ishte kthesa industriale që kish filluar në vitet 60-80 të shek. XVIII dhe për disa dhjetëvjeçar kish përfshirë Francën, Gjermaninë dhe vende të tjera të Evropës. Nga stadi i manifakturës u kalua në epokën e kapitalizmit industrial. Në këtë periudhë kemi një zhvillim të shpejtë të forcave prodhuese, veçanërisht në industri. Revolucioni teknik ndodhi edhe në transport. Rrugët hekurudhore dhe flotat e pajisura me anije me avull bënin që lidhjet midis vendeve të veçanta të bëheshin më të shpejta, gjë që ndikonte në formimin e tregut botëror.
Zhvillimi i shpejtë i industrisë dhe i transportit u shoqërua me forcimin e borgjezisë industriale dhe me rritjen e rolit të saj në qarqet drejtuese të shtetit, madje edhe në vendet ku ruhej monarkia. Rritja e prodhimit industrial kërkonte gjithnjë e më shumë lëndë të parë dhe tregje për shitjen e prodhimeve industriale. Borgjezia mund të plotësonte kërkesat e saj me anë të pushtimeve të vendeve të Azisë, të Afrikës e të Amerikës Latine dhe kthimin e tyre në koloni e gjysmëkoloni. Lufta për pushtimin e kolonive në këtë periudhë u forcua edhe më shumë. Në dallim nga periudhat e mëparshme rol të dorës së parë luante kapitali industrial. Konflikte më të ashpra dhe më të gjata u zhvilluan midis dy shteteve më të mëdha të kësaj periudhe Anglisë dhe Francës.
Në këto konflikte ato tërhoqën edhe shtetet e tjera. Pas revolucionit francez dhe kthesës industriale, Perandoria Osmane u kthye në arenë të ndeshjeve më të ashpra të shteteve evropiane. Nëpër territorin e saj kalonin rrugë komunikimi me rëndësi tregtare e luftarako-strategjike. Ajo përfshinte një territor të madh dhe një fuqi të madhe njerëzore. Kontradiktat midis shtetit osman, Rusisë, Anglisë, Francës e Austrisë në zonën e Mesdheut qysh në vitet 70 të shek XVIII kanë hyrë në histori me emrin Çështja e Lindjes ose Kriza Lindore. Përmbajtja kryesore e çështjes së Lindjes ishte kjo :
Kriza e përgjithshme e perandorisë dhe lufta nacionalçlirimtare e popujve të shtypur nxorën në pah rënien e sundimit osman mbi popujt e tjerë dhe vetë perandorinë. Shumica e popujve qysh në fund të shek. XVIII kishte hyrë në rrugën e luftës për çlirim kombëtar kundër zgjedhës osmane. Që nga kjo periudhë fati i Perandorisë Osmane ishte lidhur edhe me ndërhyrjet me qëllime ekspansioniste të shteteve kapitaliste të Evropës Perëndimore e të Rusisë Cariste. Anglia e Franca e pas tyre edhe Austro-Hungaria, duke synuar të vendosnin sundimin ekonomik e politik në tërë perandorinë, për një kohë të gjatë ndoqën politikën e ruajtjes së tërësisë së saj territoriale dhe të gjendjes ekzistuese. Kjo politikë kishte karakter reaksionar, sepse ishte në kundërshtim me synimet e drejta të popujve të shtypur për t’i çliruar nga zgjedha osmane. Për këto arsye Perandoria Osmane ishte pjesëtare e çdo lufte që kishte të bënte me Çështjen e Lindjes. Çështja e lindjes vazhdoi të mbetet si një nga problemet ndërkombëtare më të mprehta deri në revolucionin anti-imperialist të viteve 1918-1923 që u zhvillua në Turqi. Në vitet e fundit të shek. XVIII dhe gjatë dy dhjetëvjeçarëve të para të shek. XIX shteti osman u ndodh në disa konflikte dhe luftëra. Një prej tyre ishte ai franko-osman.
Pas kthesës kundërrevolucionare që ndodhi në Francë në vitin 1794 shteti francez filloi përgatitjet për një sulm në Lindjen e Afërme për të rivendosur pozitat që kishte para revolucionit. Një vend të rëndësishëm zinte Egjipti. Qarqet drejtuese franceze e shikonin Egjiptin si plasdarm për fushatën kundër Indisë, për të dëbuar prej andej anglezët.
Në maj të vitit 1798 ushtria franceze prej afro 39 000 veta la Tulonin dhe u nis drejt Aleksandrisë nën drejtimin e Napoleon Bonapartit. Pas një rrethimi të shkurtër, Aleksandria ra në duart e francezëve. Ata iu drejtuan Kajros. Në korrik të atij viti në afërsi të piramidave u bë ndeshja midis mamlikëve dhe ushtrisë franceze.
Francezët hynë në Kajro. Arabët filluan t’i bëjnë qëndresë. Në tetor 1798 në Kajro shpërtheu një kryengritje e madhe kundër francezëve. Bonaparti me masa terrori mundi të mbajë të nënshtruar popullsinë e rajoneve të pushtuara. Porta e Lartë agresionin francez e konsideroi si një akt armiqësor, por nuk i shpalli Francës menjëherë luftë. Në fillim arrestoi e burgosi të gjithë francezët që ndodheshin në perandori dhe u konfiskoi pasurinë. Porta e Lartë para se të hynte në luftë me Francën kërkoi ndihmën e Rusisë. Kjo e fundit iu përgjigj në mënyrë pozitive. Në shator të atij viti një skuadrilje ruse nën komandën e Ushakovit doli përpara Kostandinopojës. U formua një flotë e përbashkët ruso-osmane me qëllim për t’u marrë francezëve ishujt jonianë. Brenda muajve tetor-nëntor francezët çliruan të gjithë ishujt me përjashtim të Korfuzit, i cili u çlirua pas dy muajsh.
Ndërkohë në Stamboll u arritën dy marrëveshje me Rusinë dhe Anglinë. Në këto marrëveshje garantohej tërësia territoriale e njëri-tjetrit, njësimi i qëndrimeve ndaj Francës, sigurimi i ndihmës me forca ushtarake, me ushqime dhe të holla në rast të një sulmi francez. Të dy shtetet nuk mund të nënshkruanin paqe të veçuar ose armëpushim me kundërshtarin. Aleanca me Rusinë përmbante një shtesë sekrete ku shënoheshin hollësira të tjera se në rast lufte me Francën Porta e Lartë ishte e detyruar të hapte ngushticat për anijet luftarake ruse dhe t’i mbante të mbyllura për shtetet e tjera, se Rusia do ta ndihmonte atë me 75-80000 ushtarë.
Në janar të vitit 1799 Porta e Lartë arriti një marrëveshje bashkëpunimi me mbretërinë e dy Sicilive. Kështu shteti osman hyri në koalicion kundër francez,ku mori pjesë edhe Austria.
Bonaparti nisi një fushatë kundër Sirisë. Fushata përfundoi me disfatë të plotë. Kjo disfatë shpejtoi operacionin anglo-osman në Egjipt. Në qershor të vitit 1799 ushtria osmane zbarkoi në Abukir. Ndonëse kishte epërsi numerike, ushtria osmane pësoi disfatë. Me gjithë fitoren korpusi francez nuk kishte asnjë shpresë. Në këto kushte Bonaparti u largua nga Egjipti, duke ia besuar komandën e korpusit francez një gjenerali. Pas disfatës së Abukirit një ushtri osmane u nis drejt Egjiptit përmes Sirisë. Në afërsi të Kajros ajo u ndesh me francezët, po pësoi disfatë. Atë ditë në Kajro shpërtheu kryengritja e dytë e madhe kundër francezëve. Ajo vazhdoi 37 ditë, por më në fund u shtyp.
Në qershor të vitit 1801 një ushtri anglo-osmane rrethoi Kajron. Të lodhur nga luftërat e vazhdueshme, nga mungesa e ushqimeve dhe nga sëmundja e kolerës, korpusi francez kapitulloi. Vetëm afro 1/3 e tij u ktye shëndoshë në Francë. Dëbimi i francezëve prej Egjiptit u konsiderua pushtim II i Egjiptit dhe Selimi I mori titullin fitimtar (gazi).
Duke shfrytëzuar mosmarrëveshjet midis Anglisë e Rusisë, Franca mundi në qershor të vitit 1802 të nënshkruajë një paqe me Portën e Lartë. Sipas kushteve të paqes të dy palët mbështetën politikën e miqësisë e të paqes, rinjohën të gjitha marrëveshjet që ishin arritur para luftës. Anijet franceze fituan të drejtën të lundronin në Detin e Zi dhe anijet turke në portet franceze me flamurin e vet.
Tregtarëve francezë u njiheshin privilegjet e shteteve të tjera. Perandorisë Osmane iu kthye Egjipti. Ishujt jonianë u shpallën republikë e pavarur, pavarësia e së cilës garantohej prej Rusisë e Francës. Të dy shtetet garantonin tërësinë territoriale të njëri-tjetrit.
Marrëdhëniet midis Francës dhe Anglisë mbetën të tendosura. Kundër Francës ishte Austria e Prusia. Marrëdhëniet midis Francës e Prusisë sa vinin e ftoheshin. Në këto rrethana Rusia ishte e interesuar të kishte marrëdhënie të mira me shtetin osman. Në tetor të vitit 1805 u ratifikua marrëveshja nga sulltan Selimi e car Aleksandri I. Sipas kushteve të marrëveshjes të dy shtetet do të ndihmonin njëri-tjetrin me ushtri në rast të një sulmi nga një shtet tjetër e do të ruanin tërësinë territoriale të tyre. Marrëveshja do të vazhdonte nëntë vjet. Sipas disa neneve sekrete, në rast se Rusia hynte në koalicionin antifrancez, Porta e Lartë duhej të vepronte së bashku me të ose të ndihmonte të siguronte kalimin e anijeve luftarake ruse nëpër ngushticat. Deti i Zi do të mbyllej për të gjitha anijet ushtarake të shteteve të tjera.
Diplomatët francezë u përpoqën të prishnin marrëveshjen ruso-osmane. Në politikën osmane ndodhën ndryshime të rëndësishme pas fitores së Napoleonit në Austerlic. Porta njohu Bonapartin si perandor. Napoleoni nuk u kënaq me kaq. Ai kërkoi prishjen e aleancës ruso-osmane. Nën ndikimin e drejtpërdrejtë të diplomatëve francezë pala osmane filloi të shkelë marrëveshjen. Në vjeshtën e 1806-ës u mbyllën ngushticat për anijet luftarake ruse dhe ndërruan qeveritarët e Moldavisë e të Vllahisë. Si kundërpërgjigje cari urdhëroi ndërhyrjen e forcave ushtarake në principatat e Danubit dhe në Kaukaz.
Në konfliktin ruso-osman Anglia mbajti anën e Rusisë, mbasi shpresonte të kishte me vete Rusinë në luftën kundër Francës. Ajo i drejtoi një ultimatum Portës me të cilin kërkohej një aleancë ushtarake, dëbimin e përfaqësuesit francez në Stamboll, dorëzimin e disa kështjellave në Dardanele, kalimin e Moldavisë e Vllahisë, Rusisë. Ultimatumi u hodh poshtë nga Porta e Lartë. Në etapën e parë të luftës forcat ruse nuk korrën ndonjë sukses të madh, si në frontin e Danubit, ashtu edhe në atë të Kaukazit.
Flota angleze u orvat me anë të forcës të detyronte shtetin osman të shkëpuste lidhjet me Francën. Gjatë kalimit në Dardanele ajo pati humbje të mëdha. Prej andej iu drejtua brigjeve egjiptiane dhe pushtoi Aleksandrinë. Por nuk e mbajti gjatë, mbasi Mehmet Aliu u shkaktoi anglezëve humbje të mëdha. Në shtator të vitit 1807 anglezët kapitulluan. Kjo ngjarje shënon largimin faktik të Anglisë nga lufta me shtetin osman. Skuadrilja ruse bllokoi ngushticat. Kryeqyteti osman furnizohej vetëm nëpërmjet detit Mesdhe. Flota osmane u orvat dy herë me radhë të thyejë bllokadën, por pësoi humbje prej skuadriljes ruse. Në qershor të vitit 1807 në Tilzit u takua Bonaparti dhe Aleksandri I. Bisedimet e tyre përfunduan me nënshkrimin e një marrëveshje franko-ruse mbi paqen dhe miqësinë. Sipas kësaj marrëveshjeje Franca merrte Kotorin dhe ishujt jonianë.
Në nenet sekrete prekej edhe shteti osman. Sipas tyre :
Në rast se Porta e Lartë nuk do të pranonte ndërmjetësinë e Francës, atëherë kjo e fundit do të kalonte në anën e Rusisë kundër shtetit osman. Ndonëse në tekstin e marrëveshjes nuk bëhej fjalë për copëtimin e Perandorisë Osmane, sipas fjalëve të dy perandorëve ata ishin dakord që Egjipti t’i kalonte Francës, dhe nisën projektet për copëtimin e Perandorisë Osmane.
E diktuar nga këto kushte, Porta e Lartë u detyrua të kërkojë armëpushim dhe të hyjë në bisedime për nënshkrimin e një paqeje. Bisedimet zgjatën shumë meqë nuk u gjet një gjuhë e përbashkët. Me ndërmjetësinë e Francës bisedimet vazhduan në Paris.
Copëtimi i Perandorisë Osmane u bë objekt diskutimi edhe në konventën ruso-franceze të nënshkruar në Erfurt nga Napoleoni I dhe Aleksandri I, më 12 tetor 1808. Në konventë ishin vendosur që Moldavia dhe Vllahia të bashkoheshin me Rusinë. Kufi midis Rusisë e Perandorisë Osmane ishte caktuar lumi Danub. Franca e Rusia duhej të ruanin tërësinë territoriale të Perandorisë Osmane. Në rast se Porta e Lartë nuk do të pranonte këto kushte, atëherë Rusia të vazhdonte veprimet luftarake në Danub. Franca në këto kushte duhej të mbante neutralitetin. Ajo mund të mbante anën e Rusisë në rast se Austria do të bashkohej me shtetin osman. Franca hoqi dorë nga ndërmjetësia midis Rusisë e Portës së Lartë. Vendimet e konventës do të mbaheshin sekret për 10 vjet.
Në këto kushte shteti osman ishte i detyruar të hynte në bisedime me Rusinë. Car Aleksandri vuri këto kushte; kufiri midis Rusisë e Perandorisë Osmane të ishte Danubi. Serbia të fitonte pavarësinë dhe të ndodhej nën protektoratin e Rusisë e të Portës së Lartë. Kjo e fundit të njihte protektoratin e Rusisë mbi Gruzinë e disa vende të tjera. Këto kushte ishin të rënda, prandaj bisedimet nuk filluan menjëherë.
Ndërkohë përfunduan bisedimet me Anglinë. Në janar të vitit 1809 u nënshkrua paqja. Sipas kushteve të paqes Anglia do të:
Në mars të vitit 1809 delegacioni osman u paraqit në Jassi. Cari në mënyre arrogante la në dispozicion të delegacionit vetëm dy ditë kohë. Porta e Lartë nuk pranoi ultimatumin. Kështu, në prill të këtij viti nisi etapa II e luftës që vazhdoi deri në fund të vitit 1811. Fushatat ruse kundër perandorisë Osmane gjatë viteve 1809 e 1810 përfunduan pa ndonjë sukses të konsiderueshëm. Ato ishin përqendruar në pushtimin e disa kështjellave. Në verën e vitit 1811 ushtria osmane e komanduar prej vezirit të madh Ahmet pashës pësoi humbje të madhe nga ushtria ruse e komanduar prej Kutuzovit. Në dhjetor të vitit 1811 ajo kapitulloi. Veprimet luftarake në frontin e Danubit përfunduan.
Pas disfatës, Porta e Lartë filloi traktativat për nënshkrimin e paqes. Ajo synonte të arrinte një paqe me humbje sa më të vogla, duke shpresuar në luftën franko ruse. Franca ishte kundër paqes mbasi i interesonte që Rusia të mbante forca ushtarake në frontet e Danubit e të Kaukazit. Prandaj përpiqej të bindte sulltan Mahmutin II të mos nënshkruante paqen. Edhe Austria ishte kundër kalimit të principatave të Danubit me Rusinë, prandaj ajo kërkonte që shteti osman të mos i bënte lëshime.
Në mars të vitit 1812, Franca e Austria arritën një marrëveshje bashkëpunimi. Midis të tjerash, në marrëveshje garantohej tërësia territoriale e zotërimeve evropiane të shtetit osman. Ato ishin gati ta ndihmonin shtetin osman, prandaj i rekomanduan atij të mos i bënte asnjë lëshim Rusisë. Anglia mbante qëndrim të dyanshëm. Nga njëra anë, ishte e interesuar të pushonte lufta midis Rusisë e shtetit osman, mbasi forcat e frontit danubian do të hidheshin kundër Francës, e nga ana tjetër, nuk ishte për bashkimin e Moldavisë e të Vllahisë me Rusinë. Porta e Lartë i trembej ndonjë prapaskene si të Tilzitit, prandaj hyri në bisedime me Rusinë.
Në maj të vitit 1812 u nënshkrua paqja në Bukuresht. Kushtet e paqes ishin këto :
Rusia i ktheu shtetit osman tokat e pushtuara gjatë luftës, por mbajti disa rajone përtej Kaukazit me pretekstin se ato vullnetarisht ishin bashkuar me Rusinë. Serbia fitoi privilegjet e ishujve jonianë. Me fjalë të tjera Porta t’i siguronte një autonomi të brendshme. Të nesërmen e ratifikimit të kësaj paqeje nga cari, Bonaparti sulmoi Rusinë. Forcat e Danubit u çliruan nga lufta me shtetin osman, i cili shpëtoi nga humbje të konsiderueshme.
Franca e Austria ishin për prishjen e paqes së Bukureshtit nga frika e bashkimit të dy shteteve në luftë. Nën ndikimin e fitoreve të ushtrisë ruse mbi ushtrinë franceze, qeveria osmane nuk cenoi kushtet e paqes së Bukureshtit.
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.