Nikollë Idromeno i njohur gjerësisht si Kolë apo Kól Idromeno (Shkodër, 15 gusht 1860 - 12 dhjetor 1939) ka qenë artist shumëplanësh si piktor, skulptor, fotograf, butaforist, skenograf, muzikant si dhe arkitekt.
Mbahet si i pari përfaqësues i historisë së pikturës moderne shqiptare.[1] Prej burimeve, Idromeno dha po ashtu të parat shfaqjet kinematografike në Shqipëri që më 1913.[2] Si arkitekt projektoi dhe zbatoi planet e mbi 60 ndërtimeve kryesore, private dhe publike në qytetin e Shkodrës.[3]
Prejardhja
Idromenot kishin prejardhjen nga Parga, asokohe në Vilajetin e Janinës, prej ku u larguan në kohën e Ali pashë Tepelenës për t'u vendosur në Korfuz. Popi Andrea Idromeno ishte mësues në Korfuz, ku përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e Ungjillit sipas Matheut dhe Dhjatës së Re në gjuhën shqipe me alfabet grek. Pop Andrea kishte dy djem, Mihalin që ishte jurist dhe Arsenin, që kishte lindur në Korfuz.[4]
Më 1856 u shpërngul në Shkodër, ku ushtroi zanatin e tij të marangozit e drugdhendësit si dhe projektuesit autodidakt e zbatuesit të ndërtimeve private në qytet, si shtëpitë e familjes Lukaj te Arra Madhe, Rokacollëve në Serreq, ndërtesa e Kryqit të Kuq, liceu Illyricum dhe shtëpia e vet në Gjuhadol. Dy vite më pas Arseni u martua me një vajzë shkodrane, Dranden ose Rozen e Filip Saraçit, më 5 dhjetor 1858.
Biografia
U lind në Shkodër më 15 gusht 1860, një vit pas së motrës, Tones. I vendosin dy emra të dytë: Rrok (si ditë emri) dhe Spiridon. Nisi shkollën fillore më 1867 në njërën prej shkollave qytetëse, ku mësim mund t'i kenë dhënë dy italianët Andrea Skanjeti dhe Marco Rebeschini.[4] Ndër bashkënxënësit e tij në këtë shkollë ishte edhe poeti i ardhshëm Filip Shiroka, me të cilin do të kishte miqësi të gjatë e letërkëmbim të vazhdueshëm. Përpos klerit, vizatim i dha Pietro Marubbi; Kohës kur ende nuk kishte mbaruar klasën e katërt i përkasin vizatimet e hershme Krye fëmije, Malësorja dhe Gomari n'udhë. Në vitet 1871-1875 iu përkushtua akuarelave të parë E vorfna, Baresha, Fshatarja, kompozimi i tij i parë mendohet të jetë Pusija, më pas Netë kazanash dhe Dymdhetë luftarë të Pargës në lundër. Marubbi ndikoi te Arseni që ta niste në Akademinë e Arteve në Venedik më 1875, ndërsa Mati Kodheli studjonte për fotografi në Trieste.[5] Duke mos duruar mësimdhënien formale të akademisë, hoqi dorë pas gjashtë muajsh dhe nisi punë në studion e një piktori venecian.[6]
Pasi u kthyen në vendlindje më 1878, me Matinë iu bashkuan Daulles së Palokë Kurtit,[7] ku Idromeno ishte trombist,[8] dhe hynë çirakë tek Dritëshkronja e Marubit. Miku dhe kolegu i tij ndërroi jetë më 1881, vendin e tij si çirak e zuri i vëllai, Keli. Më 1883 hapi studion e vet të fotografisë me kamera të importuara nga kompania Pathé në Francë, emërtuar Dritëshkronja Idromeno.[6]
Më 1884 Idromeno u martua me Gjyzepinën e Gaspër Muzhanit, në llasë e quajtur Cina. Më 20 korrik 1886 u lindi një djalë, Zefi, i cili vetëm pas dy vjetëve më 15 korrik 1888, ndërroi jetë. Pas dy vjetëve do t'i ndërronte jetë edhe e motra, Tonja, dhe Idromenoja mori në përkujdesí vajzën e saj të mitur, Orsolinën.[4]
Gjatë viteve 1902-1906 si mësues në shkollën italiane të artizanatit, pikasi e afroi në rrethin e vet të pikturës dhe përkrahu piktorin e ardhshëm Simon Rrota.[9] Më 1904 ndihmoi në pajimin e shkollës së Mati Logorecit.[10] Më 1911 hartoi programin e karnevaleve të organizuar nga klubi «Gjuha shqipe».[11] Në gusht të 1912 nënshkroi një kontratë me kompaninë austro-hungareze Joseph Stauber për të importuar pajisje kinematografike dhe u bë njeriu i parë që hapi kinemanë e parë rudimentare ku u shfaqën pamjet e para filmike.[6] Gjatë viteve 1912-1920, pasi përshtati një mjedis poshtë shtëpisë së tij në Gjuhadol një sallë për shfaqje filmash, hapi atë që atëkohë si në vendet e tjera quhej kinemaja, një theatër elektrik.[2]
Vepra
Fotografia
Me hapjen e Dritëshkronjës së tij më 1885,[4] Idromeno në Salnamenë (vjetarin) e vilajetit ishte regjistruar si fotograf. Duke zënë një vend mes Marubit, Kodhelit, Kristo Shulit, Petro Korçarit, etj. Në botimet ndërkombëtare emri dhe puna e tij u shquan e bënë të ishte fotografin e parë, duke u përmendur para mjeshtrit të vet Marubit.[2]
Piktura
Pas vizatimeve dhe akuareleve të para, Idromeno kur ishte vetëm 23 vjeç punoi portretin e të motrës që është edhe vepra më përfaqësuese e tij, Motrën Tone.[4] Kjo është edhe e para pikturë realiste e tij dhe kryevepra e artit figurativ shqiptar.[2] Portret të cilin do ta riprodhonte me të njëjtën pozë, drejtim të syve, të njëjtat dritëhije më 1922-23, të veshur allafranga.[12] Më 1898 u ftua në një ekspozitë ndërkombëtare në Budapest.[13] Më 1904 punoi portretin e Ndoc Xhuxhës, njëri prej anëtarëve themelues të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip.[10]
Skenografia e butaforia
Si skenograf punoi siparin e parë me dekor, një grup fëmijësh duke u argëtuar me lojën popullore të boçave. Më 1902 skenën e një pylli nga natyra e alpeve. Të mëvonshme janë skenat «Limani i Durrësit», «Dhoma me qoshk», «Dhomë shkodrane» etj. Përgatiti po ashtu mjaft objekte butaforie për teatrin amator të kohës, si armë zjarri, shpata, heshta, përkrenare, mburoja, punoi edhe shtatore me aftësitë e tij si skulptor.[13] Njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë në Vlorë punoi dekorin skenik «Festa e vetëqeverimit të Shqipnisë» për një shfaqje që u dha në qytet.[14]
Arkitektura
Bazat e inxhinierisë dhe arkitekturës i mori nga i ati dhe Marubi, të dy autodidaktë; më 1907 Idromeno bën projektin për një fabrikë, ndërsa më 1912 e nënshkruan një dokument me titullin e inxhinierit. Mendohet se planet e para të zbatuara prej tij nisën që pas tërmetit të 1905 që e dëmtoi shumë qytetin.[3] Më 1908 ndërtoi shtëpinë e familjes Mazi, ku në mjedisin e poshtëm projektoi një sallon mbledhjesh e shfaqesh të klubit «Gjuha shqipe» dhe në katin e epërm për banim.[15] Më 1925-1926 iu ngarkua zbatimi i planit për ndërtimin e vilës së Presidentit të Republikës Ahmet Zogu në Shirokë. Më pas projektoi një fabrikë lëkurësh, të cilën e zbatoi më 1927. Më 1928 bashkëprojektoi dhe zbatoi centralin elektrik që po ndërtoi nga shoqëria italiane SESA. Në vitet '30 projektoi dhe zbatoi planin e ndërtesës së Bankës së Shtetit me disa modifikime të mëvonshme, kafen "Adriatik" më 1932, kafe "Park" më 1935 dhe po këtë vit zbatoi edhe planin e kinemasë "Rozafat".[16]
Galeria
- Motra Tone, 1883. Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.
- Dasma Shkodrane
Referime
Wikiwand in your browser!
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.