Kanuni
From Wikipedia, the free encyclopedia
Me termin Kanun[lower-alpha 1] mëtohet të shënjohet tërësia e normave të së drejtës zakonore shqiptare.[1] Gjatë të paktën pesë shekujve të fundit e deri më sot, ligjet e pashkruara zakonore u trashëguan brez pas brezi nga pleqt fisnorë vetëm në mënyrë gojore.[2] Botimi i parë i përmbledhjes u bë në shekullin XIX,[3] nga administrata osmane.[4]
Besa, burrnia dhe nderi kanë rëndësi kryesore në të drejtën zakonore si gurthemeli i sjelljes personale dhe shoqërore.[1][3][5] Me kalimin e kohës, doket kanunore kanë pësuar zhvillimin e tyre historik, janë ndryshuar e plotësuar me norma të reja, në përshtatje me kërkesat e caktuara të zhvillimit ekonomiko-shoqëror.[6] Kanuni udhëzonte të gjitha aspektet e shoqërisë paramoderne shqiptare në periferinë jourbane të saj,[7] në territoret ku sot shtrihen Shqipëra Veriore, Kosova, pjesë të Maqedonisë e Veriut e Malit të Zi.[8]
Botëkuptimi kanunor vijoi të ushtrohej ndër këto vise, si dhe në trevat e ish-Vilajetit të Kosovës në mbretërinë dhe republikën jugosllave. Në vitet e regjimit komunist shteti shqiptar i suprimoi me forcën e ligjit praktikat zakonore duke i mënjanuar si "zakone prapanike". Ushtrimi i normave kanunore u rikthye pas viteve '90 në viset shqiptare pasi kolapsuan institucionet shtetërore;[8] në Shqipëri ushtrimi i së drejtës zakonore u vërejt sidomos në çështjet e lidhura me të drejtën pronësore.[9]