Kançipurami
vendbanim / From Wikipedia, the free encyclopedia
12.82°N 79.71°E / 12.82; 79.71
Kanchipurami[Shpjegimi 1] i njohur ndryshe edhe si Kanchi (më parë i traskriptuar në shkrimin latin si Kāñci-pura, Conjevaram)[1] është një qytet në shtetin indian Tamil Nadu, 72 km nga Chennai, kryeqyteti i Tamil Nadusë. Qyteti shtrihet nw një sipërfaqe prej 11.605 km2 dhe në vitin 2001 kishte një popullsi prej 164,265 banorësh.[2] Është qendra administrative e distriktit me të njëjtin emër. Kanchipurami është i lidhur mirë nëpërmjet rrugëve dhe hekurudhave. Aeroporti Ndërkombëtar i Chennait është aeroporti më i afër me qytetin, që është i vendosur në Tirusulam të distriktit të Kanchipuramit. I vendosur në brigjet e lumit Vegavathy, Kanchipurami ka qenë sunduar nga Dinastia Pallava, Dinastia Mesjetare Chola, Dinastia e Vonë Chola, Dinastia e Vonë Pandya, Perandoria Vijayanagar, Mbretëria Karnatike dhe Perandoria Britanike. Monumentet historike të qytetit përfshijnë Tempullin Kailasanathar dhe Tempullin Vaikunta Perumal. Historikisht, Kanchipurami ishte një qendër edukimi[3] dhe ishte i njohur si Ghatikasthanami, ose "vendi i mësimit".[4] Qyteti ishte gjithashtu një qendër fetare e mësimit të përparuar për Xhainizmin dhe Budizmin midis shekullit të I dhe të V të e.s..[5] Në teologjinë hindu të sektit vaishnavit, Kanchipurami është një nga shtatë vendet e pelegrinazhit hindu (Tirtha), për çlirimin shpirtëror.[6] Qyteti bujt Tempullin Varadharaja Perumal, Tempullin Ekambaresvarar, Tempullin Kamakshi Amman dhe Tempullin Kumarakottam, që janë disa nga tempujt më të rëndësishëm hindu në shtetin Tamil Nadu. Nga 108 tempujt e shenjtë të zotit Hindu Vishnu, 14 gjenden në Kanchipuram. Qyteti është veçanërisht i rëndësishëm për Vaishnavizmin, por është gjithashtu edhe një vend i shenjtë pelegrinazhi për Shaivizmin. Qyteti është i mirënjohur për sarit e tij të thurur me dorë dhe shumica e forcës punëtore të qytetit është e përfshirë në industrinë e endjes.[7] Kanchipurami është i administruar nga një sistem i veçantë bashkiak i konstituar në vitin 1947. Ai është qendra e Kanchi mathas, një institucion manastiror Hindu që besohet se është themeluar nga shenjti, teologu dhe reformatori Hindu Adi Sankaracharya dhe ishte kryeqyteti i Mbretërisë Pallava midis shekujve të IV dhe të IX. Kanchipurami ka qenë zgjedhur si një nga qytetet e trashëgimisë për skemën e Qeverisë Indiane të quajtur në anglisht “Heritage City Development and Augmentation Yojana”.