Abdyl Aziz Vehbi Agolli, i njohur edhe si Haxhi Vehbi Dibra (Dibër, 12 mars 1867 - Tiranë, 24 mars 1937) ishte myfti, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i parë i Pleqësisë së Shqipërisë, Kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndër komentatorët më të mirë të Kuranit në gjuhën shqipe dhe intelektual shqiptar. Në Kuvendin e Vlorës u shpreh për njësimin kombëtar se "Kristiani e myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë"; në frymën e të cilit lëshoi edhe fetvanë për pranueshmërinë e flamurit të Kastriotëve si flamur kombëtar.
Më 1993, nën përkujdesjen e Imam Vehbi Ismailit, në Harper Woods, të Detroitit, SHBA, u botuan të përmbledhura shkrimet e Haxhi Vehbi Dibrës, nën titullin "Ç'urdhëron Kur'ani?".
Biografia
Lindi në Dibër të Madhe me 12 mars 1867, i biri i Ahmet efendi Agollit, myftiut të Dibrës së Madhe. Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Dibër, ndërsa studimet e larta në Stamboll, ku, përveç studimeve fetare, merrej edhe me veprimtari atdhetare-kombëtare.[1]
Ai jetoi në një kohë kur akoma ishte e freskët Lidhja e Prizrenit. Vehbi Dibra u frymëzua nga libri “Dheshkronja” e Sami Frashërit. Pas kryerjes së studimeve teologjike dhe specializimit në fushën e filozofisë islame, logjikës, shkencave juridike etj, u emërua myfti i Dibrës, detyrë që e ushtroi deri më 1912.[1] Më 20 shkurt 1908 u caktua mësues arabishteje dhe feje në Ruzhdijen e Dibrës.[2] Në vitin 1908, mori pjesë në Kongresin e Manastirit.[1]
Më 1909 mori pjesë në Kongresin e Dibrës ku u zgjodh kryetar i Kongresit.[3] Më 1912, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, si përfaqësues i Dibrës firmoi vendimin e pavarësisë me siglën në turqisht “Abdyl Aziz Vehbi”.[4]
Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh kryetar i Pleqësisë (Senatit) të parë shqiptar. Vitin pasues, fillimin e nëntorit të 1913 iu bashkua Pleqësisë së Shqipërisë të Mesme të organizuar nga Esad pashë Toptani dhe shkurtin e 1914 qe pjesë e delegacionit që shkoi në Schloss Neuwied për t'i ofruar fronin e Shqipërisë Princ Vilhelm Vidit.[5] Në vitin 1916 u ngarkua me detyrën e Kryetarit të të porsaorganizuarit Gjyqi i Lartë i Sheriatit gjatë pushtim-administrimit austro-hungarez, pas shembullit të administrimit në Bosnie nga perandoria.[6]
Më 1923 në Kongresin e Parë Mysliman u zgjodh kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Kohë në të cilën komuniteti sistemoi të gjitha pronat e vakëfeve, i evidentoi këto me dokumentacionin përkatës të përpiktë, normalizoi shërbimin fetar në qytete e fshatra, realizoi një varg reformash centralizuese, sidomos në drejtim të vartësisë së faltoreve dhe kuadrove, ai hodhi edhe idenë për formulimin e statutit.
Komuniteti, që fitoi njohjen juridike, filloi të botojë revistën e përmuajshme "Zani i Naltë". Ai ndikoi në hapjen e "Medresesë së Naltë" në Tiranë. Në këtë mënyrë autoriteti i Komunitetit Mysliman Shqiptar u rrit shumë dhe vendosi lidhje me shumë vende islame. Më 1935 H. V. Dibra shkon për herë të dytë në Qabe, ku u afirmua si një dijetar islam i kohës.
Vehbi Dibra ishte një nga komentuesit më të shkëlqyer të Kur’anit në gjuhën shqipe. Këto konferenca të mbajtura në xhami janë botuar në revistën "Zani i Naltë". Ndërsa në vitin 1993 u botuan të plota në SHBA nga Imam Vehbi Ismaili, nën titullin "Ç’urdhëron Kur’ani?"
Të gjitha cilësitë e teologut islam personifikoheshin te Haxhi Vehbi Dibra, imam dhe haxhi, kryemyfti dhe kryetar senati, vaiz dhe komentues i Kur’anit. Kryesoi dhe drejtoi për vite me radhë teologët më të shquar shqiptarë. Haxhi Vehbiu, me mendimet e tij të larta e progresive, i ftonte njerëzit ta shfrytëzojnë inteligjencien e tyre.
Në komentin që i bënte Haxhi Vehbiu disa citateve Kur’anore thoshte: "Me zgjedhë të aftin e të meritueshmin dhe me e vu në krye të detyrës, e pastaj ky me veprue e me gjykue me arsye, me drejtësi..."
Si mendimtar dhe bartës i vizionit të islamit ndër shqiptarët, Haxhi Vehbiu kuptoi qartë problemet dhe vështirësitë para të cilave gjendej Komuniteti Mysliman Shqiptar, të cilin ai e kryesonte. Ai kuptoi se islami në Shqipëri duhej t’i hynte një rruge të re për të vazhduar misionin dhe rolin e tij mirëbërës e civilizues në ndërtimin e të ardhmes së atdheut. Ai theksonte se: "Injorancën s’mund ta justifikojmë me pleqërinë tonë, as me mungesën e shkollave në atdheun tonë... pse jemi urdhnue për të studiue deri kur të vdesim, jemi urdhnue me udhtue deri në vendet më të largëta për të studiue". Sipas tij trashëgimia islame e mbetur prej të parëve duhej të bëhej e vazhdueshme në mënyrë që të barazohej me arritjet moderne, "duke i shtyrë kufijtë e diturisë në horizonte me të largëta se ç’kanë parafytyruar teologët dhe dijetarët e parë të trevave tona".
Ndërroi jetë në Tiranë në vitin 1937.
Krijimtaria
Përveç këtyre detyrave politike dhe fetare, Haxhi Vehbi Dibra është marrë edhe me krijimtari. Ka shkruar, ka botuar shumë punime, studime, krijime e përkthime, që janë botuar në shtypin e kohës, kryesisht në revistën "Zani i Naltë", që botohej në Tiranë prej muajit tetor 1923 deri në prill 1939.
Nderime
Më 2 shkurt 1911, Myftiu i Dibrës Vehbi Agolli u dekorua me Urdhërin e Edukimit (Maarif Nishanı) të shkallës së tretë.[2]
Shiko edhe
Referime
Wikiwand in your browser!
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.