flamur kombëtar From Wikipedia, the free encyclopedia
Flamuri i Shqipërisë është flamuri kombëtar shqiptar, një flamur me fushë të kuqe dhe një shqiponjë dykrenare të zezë në mes.
Shqiponja dykrenare është simbol i vjetër i përdorur që nga lashtësia në Perandorinë Bizantine, e më pas u bë simbol i fisnikëve shqiptare gjatë në mesjetë. Flamuri kombëtar shqiptar u zyrtarizua si flamur shtetëror i Shqipërisë me Shpalljen e Pavarësisë nga Perandorinë Osmane së saj më 1912.
Fusha e kuqe ka domethënien e gjakut që kanë derdhur paraardhësit tanë, ndryshe lidhet edhe me trimërinë dhe fuqinë. Shqiponja me dy krerë përfaqëson shtetin sovran të Shqipërisë. Gjithsej shqiponja ka njëzet e pesë pendë, që përfaqësojnë njëzet e pesë betejat e Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane.
Pamja e flamurit shqiptar është caktuar me ligj. Flamuri shtetëror paraqet një fushë të kuqe me një shqiponjë dykrenore të zezë në mes, me krahë të hapur anash. Secili nga krahët e shqiponjës ka nëntë pendë, ndërsa bishti ka shtatë pendë. Përmasat janë përcaktuar në raportin 1 me 1,4 njësi (ose ndryshe me raportin 5 me 7 njësi).
Skemë | E Zezë | E Kuqe | ||
---|---|---|---|---|
HSL | 0°–0%–0% | 0°–100%–100% | ||
RGB | 0-0-0 | 255-0-0 | ||
CMYK | 0-0-0-0 | 0-100-100-0 | ||
*Burimet: Fletorja zyrtare |
Shqiponja ka qenë simbol shumë i rëndësishëm prej fillimit të Kulturës ilire në Ballkan. Edhe në periudhën e Romës së lashtë shqiponja ka qenë simbol i këtij shteti. Si simbol i Romës, shqiponja u përdor edhe nga strategët e saj si Kaj Mari, Luç Serg Katilina, Pompeu i Madh, Çezari etj. Për shembull, ky i fundit përdorte si simbol të tij shqiponjën e artë të vendosur në një fushë të kuqe. Po kështu veproi me stemën e Çezarit edhe i nipi Oktavian Augusti, i cili u pasua më vonë edhe nga Kostandini i Madh. Me ndarjen e Perandorisë Romake në vitin 395, shqiponja u transformua me dy koka, duke simbolizuar njëra Perandorinë e Perëndimit me qendër Romën dhe tjetra Perandorinë e Lindjes me qendër Kostandinopojën (Bizantin). Ndërkohë Perëndimi u pushtua nga barbarët në vitin 476, duke humbur traditat më të vyera të antikitetit, e bashkë me to edhe simbolin e tij. Ndërsa Lindja (Bizanti) vazhdoi të jetojë edhe për 10 shekuj të tjerë duke ruajtur këtë simbol që vinte prej "qytetit të amshuar" (Romës). Formën dhe ngjyrat e tij, flamuri Bizantin i mori gjatë sundimit të Justinianit (527-562), perandorit me origjinë Ilire. Dukej se atij i pëlqente që dy kokat e shqiponjës t'i identifikonte me vetveten dhe të shoqen, Perandoreshën Teodora. Më vonë, me kalimin e kohës, me anë të martesave dhe dhënies së privilegjeve, Bizanti ia dhuroi simbolin perandorak fisnikërisë së kombeve, që ishin integruar në këtë Perandori shumëkombëshe si: Princave rumunë, bullgarë, maqedonë, gjermanë, rusë, serbë, grekë, shqiptarë etj.
Kjo është arsyeja që këtë simbol sot e përdorin një dyzinë popujsh e shtetesh, të cilat dikur kanë pasur kontakte kulturore me Bizantin. Ndërkohë që ai shfaqet si simbol i kishës Ortodokse, pasardhëse e drejtpërdrejtë e Perandorisë së Lindjes, Bizantit.
Flamuri Bizantin ruhet sot në një nga manastiret e malit të Shenjtë (Atos) në Greqi, në ngjyrat e tij origjinale shqiponjën e zezë me dy koka, të vendosur në një fushë të artë.
Sipas prof. Kasem Biçoku, shqiponja dykrerëshe është përdorur si simbol pushteti dhe dokumentohet se është përdorur për herë të parë nga perandori Kostandin dhe më pas u bë traditë vendëse në të gjithë Ballkanin. U përdor edhe nga Skënderbeu, për të treguar se ishte përfaqësues i sundimit para-osman. Profesor Kasem Biçaku tregon: Në lashtësi ka qenë shumë i përhapur totemizmi (lloj besimi që adhuronte kafshët dhe shpendët, duke i konsideruar si mbrojtës dhe themelues të njerëzimit). Shqiponja është konsideruar si bashkudhëtare e perëndive dhe vetë perëndi. Ajo dhe luani janë konsideruar kudo si mbretër, përkatësisht të shpendëve dhe të kafshëve, për këtë arsye figura e shqiponjës dhe luanit janë më përfaqësueset në heraldikat (stemat, shenjat) e vjetra. Shqiponja është simbol pushteti, guximi dhe lartësimi shpirtëror. Ka qenë simbol pushteti perandorak, prandaj është dhe në heraldikat e shumë vendeve. Shqiponja me dy krerë është përdorur si simbol që në shekullin VII para erës sonë në Turkmenistan. Shqiponja e zezë me një kokë është përdorur si simbol në perandorinë romake dhe me përhapjen e Krishtërimit u përdor edhe nga kisha katolike.
Shqiponja dykrerëshe është përdorur për herë të parë nga perandori me origjinë iliro-shqiptare, Kostandini (306-337), themelues i Kostandinopojës, duke i krijuar perandorisë romake dy qendra administrative; Romën dhe Kostandinopojën dhe shqiponja simbolizonte keto dy vende. Gjatë sundimit të perandorit iliro-shqiptar Justiniani I (527-565) u bë bashkimi i dy kishave dhe si simbol i përbashkët kishtar u bë shqiponja dykrenare, prandaj gjendet si simbol nëpër kishat mesjetare të Shqipërisë dhe Ballkanit. Në shekullin XX në Perandorinë Bizantine shqiponja dykrenare shfaqet me krahë gjysmë të hapur dhe vazhdoi të shfaqej ashtu.
Një nga njerëzit më të shquar të kohës së tij në Shqipërinë e shekullit të XIV ishte edhe Princi Andrea i II-të Muzaka. Me ndihmën e Balshajve dhe aleatëve të tjerë të tij si Arianitët, Matrengët, ai theu në vitin 1370 pranë Kosturit Mbretin serb, Vukashinin, që ishte zotërues i Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore.[1] Pas kësaj fitoreje të bujshme, perandori bizantin Joani i V-të Paleolog i konfirmoi A. Muzakës titullin e despotit (Princit), duke i dhuruar stemën perandorake bizantine, siç ishte shqiponja e zezë me dy krerë e me yll në mes, vendosur në një fushë të artë. Kjo zëvendësoi emblemën e hershme të Muzakajve, e cila paraqiste një burim që shpërthente nga toka dhe ndahej në dy rrjedha, duke pasur një pishtar në mes. Këtë ndërrim simbolesh humanisti shqiptar Gjon Muzaka e pasqyron kështu në memorialin e tij:
"Duhet ta dini se qysh nga kohët antike stema e derës tonë ka qenë një krua i gjallë i cili rridhte në tokë me dy rrjedha në dy anë…. Pastaj kanë pasur shqiponjën me dy krerë të kurorëzuar me një yll në mes".[2]
E pas këtij pasazhi të parë nga i njëjti burim mund të përmendim se në kishën e madhe të Frankavilës në Otranto (Itali) ndodhet një tjetër epitaf i gdhendur mbi pllakën e varrit të despotit Gjon Muzaka. "I Plotfuqishmi Jezu të falet këtu Gjon Muzaka, i biri i Gjin Despotit, Zot i Myzeqesë dhe i Epirit që nga qytetit i Bizantit trashëgoi shqiponjën dy krenare që mbante në flamur".
Deri më sot shumica e shqiptarëve mendojnë se flamuri I tyre është flamuri i Skënderbeut, pa e ditur origjinën e tij. Edhe sot ne nuk e dimë me saktësi se kur Skënderbeu përdori si simbol të shtetit të tij shqiponjën dykrenore. Njihet fakti se këtë simbol ai e huazoi nga Muzakajt, duke e zëvendësuar stemën që kishte trashëguar nga i ati Gjoni. Ky i fundit përdorte si stemë figurën e një princ (burri) me flokë të gjatë dhe togë.[3] Në Shqipëri, si simbol pushteti, shqiponjën e kanë përdorur familjet sundimtare shqiptare të mesjetës si Kastriotët, Arianitët, Muzakajt, Topiajt, Gjurashët e Zetës, Lek Dukagjini etj. Duke përdorur shqiponjën si simbol të pushtetit të tyre, dëshmohet se këto familje kanë qenë funksionare të larta gjatë Perandorisë Bizantine.
Për herë të parë në histori emblema e Gjergj Kastriotit me shqiponjën dykrenore shfaqet në vitin 1451. Ajo paraqitet në një libër uratash që ju dhurua Skënderbeut nga Alfonsi i V-të, Mbreti i Napolit me rastin e nënshkrimit të traktatit të Gaetës 26 mars 1451.[4] Ai ju dorëzua ambasadorëve të Skënderbeut që nënshkruan këtë traktat, Peshkopit Stefan të Krujës dhe at Nikola Bergucit nga Protonoteri i Alfonsit Arrnaldo Fonoleda.
Me shembjen e Perandorisë Bizantine në vitin 1453, shohim që nga Skënderbeu u përdor edhe ngjyra e flamurit të Bizantit dhe me këtë donte të tregonte se ishte vazhdues i pushtetit paraosman, megjithëse i bëri dallime qoftë stemës dhe flamurit, për ta dalluar nga ai i Bizantit. Në vulën e Skënderbeut, ku është shqiponja dykrenare, ndërmjet dy krerëve të saj është vendosur një yll me 6 cepa. Mbi këtë yll është një yll tjetër me 8 rreze.
Simboli përfaqësues i shtetit të Skënderbeut del përsëri në një katalog venecian stemash në vitin 1463, kur Gjon Kastrioti, i biri i heroit, mori titullin "Fisnik i Republikës".[5] Po kështu, ky simbol ruhet i gdhendur në varrin monumental të Kostandin Kastriotit, ndërtuar në vitin 1500 nga gjyshja e tij Donika, në kishën e Shën Mërisë së Ëngjëjve në Napoli (Itali). Njëlloj si në flamur, Skënderbeu e përdori shqiponjën dykrenore me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa sipër edhe në vulën e tij të madhe, të cilën e përdorte në dokumentat zyrtare.[6] Ndërkohë kur Kastriotët u larguan në Itali pas vdekjes së Skënderbeut me 17 janar 1468, ata jo vetëm e ruajtën simbolin e tyre por e përdorën gjerësisht atë si stemë të heraldikës së tyre.
Kurse në stemën e Kastriotëve që është gdhendur 2 herë në varrin monumental të nipit të Skënderbeut, Kostandin Kastrioti, ylli është me 8 cepa dhe mbi krerët e shqiponjës janë dy kurora mbretërore. Me këto simbole Skënderbeu tregonte pretendimin se kishin prejardhje nga Aleksandri i Madh, gjë që e kemi të shprehur në epigrafin e Alfonsit në një kishë të Valencias në Spanjë. Pra shqiponja dykrenare është përdorur masivisht nga sundimtarët si simbol pushteti dhe mund të konsiderohet traditë romako-bizantine.
Kalorësit e Skënderbeut (sipas Marin Barleti) gjatë fushatës së tij në Pulja, në ndihmë të mbretit të Napolit, mbanin flamuj të vegjël, të kuq me një shqiponjë të zezë dykrerëshe në mes. Sundimtarët e mëdhenj dhe të vegjël që u shkëputën nga Perandoria Bizantine vazhduan ta mbajnë këtë simbol pushteti. Kështu mbase ka bërë edhe Skënderbeu. Sidoqoftë në gojëdhënat e arbëreshëve ky kumt mbeti i gjallë. Mbi varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e Shën Mërisë së Engjëjve, në Napoli, është vënë stema e tij: një shqiponjë Heraldike me një yll të bardhë e vezullues pesëcepash mbi të dy krerët.
Midis viteve 1880-1895, Zef Skiroi e më vonë Anselmio Lorekio, në të përmuajshmen e tyre arbëreshe e botuan thuajse në çdo numër, këtë emblemë si flamur të Shqipërisë, pas vitit 1900, atë e vë edhe Faik Konica në të përmuajshmen e tij Albania në Bruksel. Në shtator 1909 së bashku me djelmërinë e qytetit (Vlorës) unë organizova në shtëpinë time shfaqjen e dramës Pirrua të Mihal Gramenos… . Ku ngrita për herë të parë flamurin shqiptar…. .Në kohën e kryengritjes së malësorëve Katolikë në vitin 1911, në Cetinjë mbërritën vullnetarë arbëreshë për tu bashkuar me kryengritësit, e që për herë të parë mbanin një flamur kombëtar….[7] Ngritja e flamurit vazhdon më tej, tregimin e tij Eqrem Beu.[8]
Gjatë kohës së Rilindjes, aktivistët e saj të të gjitha feve e grupeve punonin dhe vepronin nën hijen e këtij flamuri edhe pse ai nuk ishte i standardizuar deri në kohën e krijimit të shtetit të parë shqiptar. Me kthimin e Ismail Qemailit në Vlorë, dhe krijimin e shtetit të parë të shqiptarëve bëhet edhe standarizimi i flamurit kombëtar shqiptar i cili ishte gjithashtu edhe flamuri shtetëror i qeverisë së parë të Shqipërisë. Faik Konica ishte i pari që ideoi se si duhet te ishte forma dhe përmbajtja e flamurit kombëtar në këtë periudhë. Ky flamur llogaritet si një ndër elementët kryesore të kombit të tyre. Në Shqipëri dhe Kosovë janë bërë disa ndryshime të flamurit kombëtar dhe janë përdour si flamuj shtetëror apo administrativ nga qeveri e sisteme të ndryshme. Ndër ndryshimet e bëra nga shqiptarët kanë qenë ndryshimet që i janë bërë shqiponjës në nivel kombëtar, ndërsa ndryshimet tjera kanë humbur diku në histori si ndryshimet qeveritare, partiake, lokale etj
Don Alandro Kastrioti ishte një Princ Spanjoll. Një stërgjysh i tij kish qenë nënmbret i Napolit. Në vitin 1600 ky fisnik ishte martuar me Markezen Auleta Kastrioti. Me një origjinë të tillë Don Alandroja e shpalli veten në fillim të viteve 1900 pretendent të fronit të Shqipërisë. Me famën që gëzonte, propagandën dhe mjetet financiare të shpenzuara prej tij, Alandro Kastrioti pati meritën që e bëri të njohur problemin shqiptar në qarqet politike Europiane. Diku në vitin 1907 Eqrem Bej Vlora, një nga kushërinjtë e Ismail Qemalit dhe njëri prej personaliteteve më të shquara të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX, pati fatin të vizitonte Don Alandron në Paris.[9] Takimin me këtë "Personazh të çuditshëm" ai e përshkruan kështu :
"....Don Alandro na ftoi për darkë në vilën e madhe si pallat ku na njohu me shoqërinë e lartë të pranishme. Pasi përfundoi darka një shërbëtor solli një kuti kadifeje të kuqe mbi një tabaka argjendi dhe e vendosi para don Alandros. Ai u ngrit dhe mbajti një fjalim të bukur.... dhe pastaj hapi kutinë e kadifenjtë dhe nxorri prej andej një flamur shqiptar, një shqiponjë e zezë dykrenore në fushë të kuqe dhe ma dha mua....".
Pesë vjet e ruajta këtë flamur në dhomën e gjumit varur me një gozhdë anash krevatit, derisa erdhi vërtet dita që kishte profetizuar don Alandroja. Krejt papritur e krejt rastësisht ky flamur u ngrit vërtet si simbol i Pavarësisë së Shqipërisë.
E pra në 28 nëntor krye objekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë me atë pakujdesinë Shqiptaro-Lindore ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte se si ishte ai , kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im Hydai Efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem Beut varet në mur një flamur shqiptar i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti se a mund të merrej pa qenë aty i zoti. Ismail Beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur Don Alandro Kastrioti ma kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail Qemalit, i cili ia dorëzoi Murat Bej Toptanit me porosinë ta varte poshtë, ndërkohë që vetë qëndronte pranë në dritare. Mijëra njerëz u mblodhën në kopsht duke brohoritur "Rroftë", rroftë!. Një javë pas kthimit tim në Vlorë çova Murat Bej Toptanin dhe Hydai Efendiun tek Ismail Qemali, të ma kthenin atë menjëherë sapo zonja Marigo Posio, një atdhetare e madhe demokratike ta kishte qëndisur flamurin e ri.
Simbolet shtetërore gjatë kësaj periudhe shpesh ishin me forma katrore. Kjo formë ka qenë mbizotëruese edhe lidhur me flamurin kombëtar, stemën e shtetit, shenjat presidenciale dhe madje edhe tek simbolet e përdorura në tregti. Flamuri i Republikës shihet për herë të parë në librin udhëzues enciklopedik të Teki Selenica "Shqipria më 1927, e illustruar", faqe 124.
Momenti i dorëzimit të flamurit të ri luftarak të Gardës. Pikërisht në këtë ditë edhe në Tiranë u krye dorëzimi i flamurit të ri shqiptar, i cili përmbante shenjat e fashizmit. Dy oficerët që mbajnë flamujt kanë veshur uniformat ceremoniale të tipit geg, ndërsa oficeri i tretë mban veshur uniformën e paradës të krijuar edhe kjo për këtë repart. Oficeri në mes mban flamurin e vjetër të Gardës, i cili ishte ai i Gardës Mbretërore të kohës së Ahmed Zogut. Ai paraqiste flamurin kombëtar shqiptar dhe poshtë shqiponjës kishte të qëndisur një kurorë të artë prej gjethesh dafine. Këtë flamur i lanë Gardës edhe italianët deri në momentin kur u miratua flamuri i ri (i cili po dorëzohet në këtë ceremoni). Për të bërë dallim nga Flamuri i Zogut, italianët i bënë atij dy shtesa. Në shtizën e tij vendosën një fashë të kaltër (ngjyra e Savojave) që është bukur e dukshme në foto. Gjithashtu në skajin e sipërm të shtizës vendosën majën (it. puntale) me monogramin e Savojave në vend të asaj me monogramin e Zogut, edhe kjo e dukshme në foto. Tani, në këtë ceremoni, po bëhet pikërisht heqja e flamurit të vjetër dhe dorëzimi i të riut, i cili mbahet i shpalosur. Në të shihet stema e re, e cila është e mbushur me simbole fashiste (sopatat anash shqiponjës) dhe të Savojave (kurora mbretërore përsipër). Vini re: flamuri i ri nuk ka ende majën e tij prej bronxi. Në vijim gjatë ceremonisë, ajo do të hiqet nga flamuri i vjetër për t'u vendosur tek i riu. Ky moment përbën "armatosjen" e një flamuri dhe kthimin e tij në flamur luftarak. Pyetja që të vjen menjëherë është: po me flamurin e vjetër ç'bëhej? Çdo shqiptari të vërtetë i thotë mendja : natyrisht që flakej. Jo, ai flamur falë faktit që ceremonia zhvillohej në Romë, palosej, futet në një këllëf lëkure dhe depozitohej në arkivin e Gardës ku fle edhe sot.
Kështu mund të themi në mënyrë të argumentuar se flamuri ynë, "flamuri i Skënderbeut", është trashëgimi e ndikimeve romako-bizantine në Shqipërinë e shekujve të kaluar. I marrë në trajtën e një difuzioni kulturor ai ruan dhe sot ngjyrat e vërteta dhe formën e përgjithshme të simbolit bizantin. Vetëm shqiponja është ridimensionuar me kalimin e kohës, duke marrë një formë më të plotë e më të bukur, e cila i ka krijuar edhe origjinalitet të veçantë.
Flamuri i ngritur ditën e 28 nëntorit 1912 në Vlorë, i cili kurorëzoi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ishte flamuri i Kastriotëve, i ruajtur prej tyre gjatë brezave dhe i sjellë në Shqipëri nga Eqrem Bej Vlora, kushëriri i Ismail Qemalit.
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.