Durrësi
qytet në Shqipëri / From Wikipedia, the free encyclopedia
Durrësi është qyteti i dytë më i madh në Shqipëri.[1] Shtrihet në pjesën qendrore të Ultësirës Perëndimore shqiptare, buzë Detit Adriatik rreth 37 km, në perëndim të Tiranës. Ai ndodhet 44 km në perëndim të Krujës, 110 km në jug të Shkodrës dhe 123 km në veri të Vlorës.
Durrës | |
---|---|
Bashki e Shqipërisë dhe qytet | |
Në drejtim të akrepave të orës, nga sipër poshtë: Bregdeti, Mozaikë te një bazilikë brenda Amfiteatrit të Durrësit, Torra Veneciane, Kolegji Shqiptar, Kisha e Shën Astit dhe apostulit Pal, Muret antike të Kështjellës së Durrësit, Amfiteatri, Sheshi Iliria | |
Koordinatat: 41°18′40″N 19°26′21″E | |
Shtet | Shqipëria |
Themeluar | Shekulli 7 para Krishtit |
Qeveria | |
• Lloji | Kryetar bashkie e këshill bashkiak |
• Trupi | Këshilli bashkiak i Durrësit |
• Kryetar bashkie | Emiriana Sako (PS) |
Sipërfaqja | |
• Bashki | 338,30 km2 (13,060 sq mi) |
Popullsia (2011) | |
• Bashki | 175.110 |
• Dendësia (Bashki) | 517/km2 (1,340/sq mi) |
• Njesi administrative | 113.249 |
Emri i banorëve | Durrsak/e |
Zona kohore | UTC+1 (CET) |
• Verës (DST) | UTC+2 (CEST) |
Kodi postar | 2000 |
Prefiksi | +355 52 |
Faqja zyrtare | durres.gov.al |
Ai është qyteteti më i lashtë në Shqipëri. Gjetjet arkeologjike pranë Kepit të Palit, 8 km në veri të qendrës aktuale, na tregojnë për një vendbanim të themeluar që në periudhën e Neolitit të Vonë[2] nga një popullësi e panjohur e cila përdorte materiale të importuara nga ishujt e Cikladës në Detin Egje.[3] Burimet historike, veçanërisht ato të periudhës romake dhe bizantine, na japin një histori të pandërprerë të Durrësit, të paktën që nga epoka e Bronzit të Vonë.[4] Në vitin 627 p.e.s. në vendbanimin e lashtë të Epidamnit u vendos edhe një koloni greke e cila i dha atij profilin e një polisi grek.[5] Luftërat e vazhdueshme, fatkeqësitë natyrore, paqëndrueshmëria politike dhe demografike dhe mbi të gjitha sundimi i Perandorisë Osmane[6] pas vitit 1501, ka bërë që shumë pak nga historia e tij të ruhet aktualisht për turistët dhe studiuesit.
Sot Durrësi është qyteti i dyti më i rëndësishëm në Shqipëri për nga ekonomia dhe demografia.[7] Më shumë se 10% e të gjithë PBB në vend gjenerohet nga Qarku i Durrësit.[8] Sipas censusit të vitit 2011, në territorin e bashkisë së re Durrës banojnë 175,110 vetë ndërsa sipas regjistrit civil të vitit 2021 popullsia rezidente është 299,989 vetë.[9] Qyteti është qendra e Prefekturës dhe Qarkut të Durrësit.
Ekonomia e qytetit ka si bosht kryesor Portin. Porti i Durrësit, më i madhi në vend, ndodhet përballë porteve italiane të Barit (220 km) dhe Brindisit (150 km) dhe siguron lidhjen detare me të gjitha destinacionet kryesore në Detin Mesdhe dhe me gjerë. Aty përpunohet mbi 90 për qind e të gjithë volumit të ngarkim-shkarkimeve portuale në rang vendi.[10] Durrësi është gjithashtu nyja infrastrukturore më e rëndësishme e Shqipërisë pasi lidh jugun e vendit me veriun dhe gjithashtu është pikënnisja dhe pikëmbërritja e të gjithë rrjetit të Hekurudhës Shqiptare.
Durrësi është i famshëm për Amfiteatrin e tij madhështor i cili daton në fillim të shekullit II e.s. Ai është gjithashtu i njohur për disa monumente të rëndësishme si Termat Romake, Forumi Romak, muri i ndërtuar nga perandori Anastas I Dicorus, Bazilika e Shën Mëhillit, Torra Veneciane, Kisha shën Luçia, etj. Ministria e Kulturës gjatë viteve ka shpallur 57 monumente kulture në Qarkun e Durrësit.[11] Aty ndodhen disa muze si Muzeu Arkeologjik, Muzeu Etnografik dhe Galeria e Artit Pamor “Nikolet Vasia”. Qyteti ka disa monumente dhe vepra arti me histori të veçantë si Monumenti i Rezistencës, Monumenti i Mujo Ulqinakut apo Statuja e Rodonit.