Bejtexhinjtë
From Wikipedia, the free encyclopedia
Bejtexhinjtë ose bejtaxhijtë në Veri, kanë qenë vjershatarë popullorë në traditën myslimane.[1] Në realitetin shqiptar shënjon të njëjtën gjë,[2] fillimisht myslimanë, që ndryshuan sistemin e vjershërimit të njohur si bejte,[3] të cilat i nxirrnin ndër ahengje kryesisht.[2] Përhapja e këtij sistemi vjershërimi dhe nisja e shkrimit të poezisë myslimane në gjuhën vendase i dha formë një letërsie që zgjati për rreth dy shekuj në mjedisin shqiptar,[4] pjesë e letërsisë shqipe me alfabet arab.[5][6][7][8]
I quajtur edhe ashik (dashnor, i djegur pas) ose shaír,[6][9] hartuesi i bejtave, bejtaxhiu sipas Pipës është gjegjësi qytetas i rapsodëve të maleve të veriut. Por ndryshe nga këta, bejtaxhiu ishte profesionist dhe mund ta përdorte dhuntinë e tij vjershëruese për të nxjerrë bukën e gojës. Bejtaxhijtë zakonisht vinin nga shtresa qytetëse të ulëta ose të mesme, rastësisht mund ta pranonte mbrojtjen e një zotnie të fuqishëm. Në pjesën më të madhe të kohës ai ishte vox populi, regjistrues i fasta-ve (prapësive) të qytetit të tij si dhe zëdhënës për kritikën popullore.[10]